Kryesore

Kur Kullat e Sahatit tregonin qytetërimin tonë!

11:12 - 21.01.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Ben Andoni – Është një vepër kaq madhështore sa nuk  ka një të dytë. Dëgjohet tingulli i orës por në fakt është tingulli i shtetit”, shkruante poeti Fan Efendiu në poezinë e tij të gdhendur ballazi kullës së sahatit, ndërtuar prej guvernatorit Abedin Pasha në Adana në vitin 1882. Flitet për një mjedis jo shumë larg nesh, por me një tis që është pothuaj tek ne po kaq prezent. Ku Kullat e Sahatit pothuaj në disa prej qyteteve tona kryesore kanë përcaktuar jo thjesht statusin e tyre por edhe fytyrën e administrimit të shqiptarëve nën shtetin osman.
Këtë kuptoi shumë mirë studiuesi i njohur Dritan Çoku kur hartoi botimin monografik “Kullat e Sahatit në Shqipëri” (Historia dhe Arkitektura), me ndihmën dhe botimin e kujdesshëm dhe cilësor të ALSAR. Me kujdesin për të dhënë një aspekt të ndërtimit elitar duke synuar që përmes hulumtimit të tij shumë profesionist të shkonte në zemër të një këndvështrimi të qytetarisë sonë, ai na zbuloi një hapësirë tejet interesante. Për hir të së vërtetës, Kullat e Sahatit nuk mund të ishin zhgënjyese, pasi dikur ishin ndërtimet ku elementët arkitektonikë, sahatët që mbanin, mekanizmat e tyre dhe llojet e kullave përbënin sfidat e fizionomisë së qyteteve. Ato nuk ishin thjesht kulmet e kuotave të qyteteve të periudhës osmane por fytyra e vërtetë e identitetit të atij vendi. Dhe, për këtë ishin krenarë të gjithë, qysh nga ofiqari dhe deri te qytetari i thjeshtë dhe madje edhe fshatari, që e maste udhën deri në qytet me forcën e tingullit që arrinte deri në periferi…
Flitet për kohë, kur fuqia e orës ishte sublime, kurse prakticiteti që i dhanë 2-3 shekujt e fundit kohës së matur është ende larg. Por, gjithsesi në Perëndim po përgatiten mekanizmat e orëve që do të vendosen në këto objekte. Dhe, ca më shumë në disa qytete të Perëndimit, në kullat ku vendosen këto mekanizma, ka edhe organo apo instrumente mekanikë që shërbejnë për kumte. Sa më të larta, aq më shumë shkon kumti ku do të përcillet.




 


Por studiuesi Çoku na sfidon sepse këtë histori e rrok në shumë fushëpamje. Na përcjell shumë e shumë kohë më parë duke u marrë deri më mënyrën e matjes së kohës dhe zbret këndshëm në historinë e Kullave të Sahatit për të ardhur me kujdes sesi ato erdhën në territorin e Rumelisë dhe deri në qytetet shqiptare, skaji më perëndimor i Perandorisë.
Duke qenë se lutjet islame janë të kodifikuara dhe kryhen me sublimitet kanonik, ekspertët e matjes së kohës punonin në xhami të mëdha gjatë Perandorisë Osmane. Kujtojmë se në libra shkruhet se ora të ndryshme diellore u vendosën në oborret dhe muret e jashtme të shumicës së xhamive nën selxhukët. Kurse Ora diellore e ndërtuar nga Sulltan Osmani Mehmeti II, i njohur gjithashtu si Mehmet Pushtuesi, mund të kundrohet ende sot e kësaj dite në kopshtin e Pallatiti perandorak Topkapi. Ndërkohë që kulla e parë e sahatit me një kambanë në territorin osman u ndërtua në vitin 1798 në një lartësi komanduese në Safranbolu, atdheu i vezirit të madh të atëhershëm Ýzzet Mehmet Pashai. Kjo kullë e vjetër, thuhet se punon ende.
Me pa asnjë dyshim, këto ndërtime kanë qenë në sytë e shqiptarëve të atëhershëm dhe admiroheshin, si qytetarë të metropolit ku jetonin por edhe silleshin përmes fjalëve të tregtarëve të karvanëve që shëtisnin perandorinë. Duke shtuar edhe faktin se një pjesë jo e pakët e shqiptarëve ishin në administratë dhe fakti se ndërtimi i kullave të sahatit shihej si një vepër e mirë dhe numri i kullave të sahatit u rrit realisht në shekullin e 19-të, edhe ata duhet të kenë menduar për vendin e tyre. Sulltan Abdylhamiti II u kërkoi njerëzve të ndërtonin një kullë sahati në çdo qytet. Shqiptarët nuk duhet të kenë mëdyshuar dhe jo më kot materiali që na ka paraqitur me shumë kujdes Çoku është aq i pasur. Kështu, në tokat osmane u ndërtuan gjithsej 144 kulla sahati, referencë që tregon rëndësinë e tyre.
Shtuar me përshkrimin e udhëtarëve të huaj në vend, pamjet e vonshme fotografike, vizatimet e hershme dhe çdo material, të gjitha janë sistemuar në një syth interesant në këtë libër për të përcjellë këtë histori aspak të vogël.
Studiuesi dhe arkeologu Dritan Çoku e përshkruan të gjithë materialin që lidhet me Kullat përmes vizatimit, dokumentimit dhe interpretimit jo thjesht të gjithë këtë lloj tipologjie ndërtimore por edhe sesi qëndronte ajo në raport me objektet e tjera. Duke qenë me disa atribute Çoku di të përshkruajë me shumë kujdes si duket pozicionin e tyre që nga qendrat e atëhershme të qyteteve, nëpër kala. Ndoshta, një sens për studime të tjera.
Libri është i këndshëm sepse të jep mundësi përmes vizatimit të tij shumë skrupuloz të ndjekësh fazat ndërtimore, detajet por edhe veçantinë e tyre.
Por shumë interesant mbartet edhe fakti se edhe ndryshimet e këtyre kullave përmes periudhave jepen me një kujdes tejet skrupuloz duke na sjellë realisht pamjen sesi ishte dikur qyteti dhe vetë këto ndërtime aspak të veçanta. Më së miri këto të jepen te kapitulli i tretë, ku Kullat e para si krijime arkitektonike në lidhje me vendin ku u ndërtuan japin realisht shumë peshë…Përfundon, më pas me përshkrimin e secilës kullë, gjithsej plot 21 syresh në vendin tonë.
Pothuaj 72 Kullat e Sahatit nga 144 të ndërtuara jashtë kufijve të Turqisë së sotme duhet kujtuar se shumica e tyre u shkatërruan plotësisht me kalimin e kohës dhe nga vetë duart e njerëzve. Aktualisht, vetëm 52 prej këtyre Kullave të Sahatit qëndrojnë në Turqi. Falë Çokut ne kemi 21 syresh dhe me kaq mund të kuptosh realisht se çfarë pune të jashtëzakonshme ka realizuar ky artist i trashëgimisë dhe gardian i kujtesës së nderuar të shqiptarëve. Sepse, realisht, Kullat e Sahatit e tregojnë si pakkush qytetërimin tonë…të tre shekujve të fundit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.