AKTUALITET

“Deshën të më vrisnin”, gazetari rikthen ngjarjen e rrahjes së Edi Ramës/ Kush ishin autorët dhe dëshmitarët, fjalët e kryeministrit nga spitali

12:16 - 22.01.22 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Hamdi Jupe




Më 21 duke u gdhirë 22 janari i vitit 1997, u rrah barbarisht në shtëpinë e tij në Tiranë, pedagogu i Akademisë së Arteve, intelektuali i pavarur dhe bashkëpunëtori i shtypit të lirë, Kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë, Edi Rama. Lajmi mori dhenë nëpërmjet gazetës “Koha jonë” dhe mediave të tjera të pavarura. Gazetari Martin Leka përshkruante gjendjen e piktorit të shtruar në spital.

“Kanë rrahur keq Edi Ramën, është rëndë…”. Zëri i kolegut të radios londineze “BBC” përmes receptorit të telefonit këtë radhë vinte trishtueshëm. Nuk arritëm ta pyesnim për hollësira të tjera, ndonëse arritëm të kuptonim tragjedinë. Në urgjencën e spitalit nr. 2, e vetmja shenjë që identifikonte njeriun e plagosur rëndë me piktorin dhe publicistin e njohur Edi Rama, ishte gjysma e trupit jashtë krevatit të zakonshëm të mjekimit. Zoti dhe trupi i hekurt i tij dukej se e kishin shpëtuar gjallë.

Përpjekjet për të dalluar tiparet e fytyrës së Edit i pengonin rrëketë e gjakut që kishin mbuluar fytyrën dhe trupin. Hematomat kishin filluar të përshpejtoheshin. Buza kishte filluar t’i ënjtej me shpejtësi. Ndërsa mjeku bëhej gati të ndërhynte, bashkë me Nikoll Lesin dhe Ben Blushin, dëgjuam disa copëza nga fjalët: “Deshën të më vrisnin?!…” Me mirësjellje, mjeku na porositi të mos i flisnim. Sapo dolëm, në korridor e jashtë urgjencës ishin mbledhur dhjetëra miq të Edit, intelektualë, piktorë, aktorë e gazetarë, aktivistë të të drejtave të njeriut etj.” (“Koha jonë”, 24 janar 1997) Kronika shoqërohej me fotografi që tregonte piktorin me fytyrën të bërë copë.

Ngjarja e rëndë pati jehonë të gjerë në atë kohë dhe më vonë, edhe pse vendi vlonte nga protestat për paratë e humbura në firmat piramidale. Pas një muaji, Shqipëria u zhyt në flakët e ferrit të nëntëdhjeteshtatës.

Kaloi më shumë se një vit kohë dhe Rama u kthye nga Parisi për të marrë portofolin e ministrit të Kulturës në qeverinë e Kryeministrit Nano. Dy vjet më vonë u zgjodh kryetar i Bashkisë së Tiranës, ku drejtoi për tri mandate, por askush nuk po kujtohej për atë ngjarje makabre të vitit 1997. Rama u zgjodh kryetar partie, post që e zotëron prej shtatëmbëdhjetë vjetësh. Prej nëntë vitesh është kryetar i qeverisë, i zgjedhur nga populli në tri mandate.

KUSH ISHIN AUTORËT?

Edhe sot e kësaj dite nuk janë gjetur ende ata që vunë dorë mbi piktorin dhe intelektualin atë natë janari të vitit 1997. Sa ishte në opozitë zoti Rama, kjo mund të justifikohej. Policia, SHIK-u dhe drejtësia ishin në duart e Berishës. Por tani që kanë kaluar nëntë vjet që ai është vetë “violinë e parë” e pushtetit, askush nuk mund të justifikojë më moszbulimin dhe vënien përpara organeve të drejtësisë të rrahësve të tij. Kjo është shqetësuese.

Pak muaj para sulmit ndaj piktorit, masakra ndaj gazetarëve kishte ndodhur në mes të ditës në sheshin “Skënderbej”, para kamerave të televizioneve të huaja, kur ishin masakruar Erion Braçe dhe Bardhok Lala. Ata ishin atje si gazetarë të organeve të tyre të shtypit, për të pasqyruar protestën e opozitës për manipulimin e zgjedhjeve të 26 majit të vitit 1996. Një muaj e gjysmë më vonë do të digjej gazeta e pavarur “Koha jonë” dhe do të masakrohej gazetari Zamir Dule nga Korça. Po atë natë që u dogj gazeta, do t’i vihej zjarri edhe lokalit “Bar Ëest” ose, siç njihej ndryshe, Klubi i Fidelit në parkun “Rinia”, ku mblidheshin gazetarët dhe njerëzit e kulturës. Pastaj do të vinin ditët e zeza të marsit, kur u vendos zyrtarisht censura mbi median me vendim të Parlamentit të 26 majit. Një vit më vonë do të vendosej tritol para shtëpisë së gazetares Zenepe Luka në Vlorë, si pasojë e të cilit do të plagoseshin familjarët e saj.

E përbashkëta trishtuese e këtyre sulmeve ndaj gazetarëve dhe shtypit në përgjithësi, përveç barbarisë së tyre, është një: për asnjërin prej tyre nuk janë gjetur autorët e sulmeve dhe as që bëhet fjalë për vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, sikur nuk ka ndodhur asgjë. Po e përsëris: për asnjërin. Kriminelët kanë ikur në “drejtim të paditur”. Kjo është terrorizuese për njerëzit e shtypit, sepse mbi ta rëndon si shpata e Demokleut frika e përhershme e sulmeve prej banditëve të pandëshkuar.

NJË DËSHMITAR “AUTENTIK” PËR RRAHJEN

Nuk është e vështirë t’i gjesh dhunuesit e gazetarëve nëse dëshiron ta bësh një gjë të tillë. Autorët e sulmit ndaj piktorit të dikurshëm, sot Kryeministër, i zbulon me emër e mbiemër ish–truproja e ish-Presidentit Sali Berisha, Izet Haxhia, si “njeri i brendshëm” i pushtetit të asaj kohe. Ai thotë: “Rama është rrahur nga 4 pjesëtarë të grupit operativ të SHIK-ut, me drejtues Arjan Çengon. Në këtë grup ka qenë një person nga Tropoja, një nga Mirdita dhe dy të tjerë nga Dibra. Gjithçka po ju them më është pohuar nga kryesuesi i këtij grupi, Arjan Çengo. Ma ka thënë me gojën e vet, besoj në pranverën e 1997-s. Kur e kam pyetur për arsyen e rrahjes së Ramës, më ka thënë se e kanë bërë me urdhër të shefit të tyre, Gazidedes. Kush e ka njohur Gazideden, e di që ai nuk bënte asgjë pa urdhër të Berishës” (Gazeta “Dita”, 23 janar 2016).

Më qartë se kaq nuk mund të flitet për autorët. Nuk është çudi që ata të katër që kryen masakrën më 1997 të vazhdojnë të punojnë akoma edhe sot në SHIK, në emër të “tolerancës pa kufi”. Zoti Rama mbajti në krye të SHIK-it një njeri që kishte punuar edhe më parë atje, në kohën e Berishës. Të paktën t’ia kishte kërkuar atij t’i gjende dhunuesit e vet, t’i bënte publik emrat e tyre, pa pastaj le t’i falte po të donte.

Nuk dimë që Kryeministri të ketë kërkuar hapjen e ndonjë procesi hetimor nga ana e organeve të drejtësisë për rastin e vet, aq më pak për të tjerët. Kuptohet se sa mund të hetohen e të zbulohen ata që rrahin e keqtrajtojnë gazetarët. Qytetari Edi Rama, prej nëntë vjetësh në postin e lartë të Kryeministrit, mund të bëjë “tolerantin e pakufi” për sulmin ndaj vetes, duke i falur kriminelët, sipas moralit kristian: “Kur të bien në njërën faqe, kthe faqen tjetër”. Por si Kryeministër ai ka përgjegjësi kushtetuese për garantimin e lirisë së shtypit dhe të jetës së gazetarëve. Rama u rrah barbarisht sepse botonte artikuj kritikë ndaj qeverisë në gazetat e pavarura. Sulmi ndaj tij, pra, ishte sulm ndaj lirisë së fjalës, jo kundër individit Edi Rama.

“RRAHËSIT” E SOTËM TË GAZETARËVE

Duke mos i gjetur e dënuar banditët që rrahin intelektualët dhe gazetarët, këta të fundit vazhdojnë të jenë të kërcënuar në çdo kohë. Me qëndrimet e heshtjes ndaj asaj që ka ndodhur 25 vjet më parë, pa u hyrë gjemb në këmbë nxitësve dhe ekzekutuesve, Kryeministri lë shteg për të inkurajuar banditët e sotëm e të ardhshëm potencialë të të gjitha llojeve, të vazhdojnë edhe më tej zanatin e moçëm të kasapit ndaj gazetarëve, sapo t’u vijë rasti. Ata sot bredhin nga foltorja në foltore në emër të “demokracisë”, por nesër i kthehen zanatit të vjetër.

Sot, pushteti nuk i rreh gazetarët si dikur me shkop gome apo shufra hekuri. Por ka mënyra të tjera “moderne” të “rrahjes” për të kapur shtypin. Gjatë nëntë viteve në pushtet, maxhoranca e drejtuar nga Rama nuk ka bërë asnjë analizë të gjendjes së mediave, të punës dhe të jetës së gazetarëve dhe punonjësve të shtypit, të anëve pozitive dhe problemeve të shqetësojnë atë, kur shumica e tyre punojnë në të zezë, pa sigurime shoqërore e shëndetësore, pa rregulla të punësimit dhe largimit nga puna etj. Është mjaftuar vetëm me etiketimet e tyre si “mediat e kazanit” dhe kaq.

Qeveria ka pasur mundësi të njihej me hendekun tmerrues midis rrogave të drejtuesve “bosa” të disa mediave (oligarkia mediatike) nga njëra anë dhe atyre të gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të shtypit, nga ana tjetër. Si gazetar i hershëm nuk arrij të kuptoj se ç’kupim ka që një analist “i pavarur” nga Kosova të marrë 1,8 milionë lekë (të rinj) rrogë në muaj nga një spital privat në Shqipëri në postin e “drejtorit të marketingut” të spitalit. Çfarë “marketingu” zhvillon ky “analist”, që del gati çdo natë në televizion dhe u shet moral qytetarëve? Duan të thonë se ai drejton “marketingun” e fondeve publike të qeverisë në shërbim të spitalit privat, gjë të cilën nuk dëshiroj ta besoj.

Situata e pabarazisë ulëritëse në tregun e punës e terrorizon gazetarin e ndershëm që punon pesëmbëdhjetë orë në ditë dimër e verë me pesëdhjetë mijë lekë rrogë mujore, e frustron atë, e bën të kërkojë strehë gjetkë, larg shtypit dhe larg vendit. Është rasti të citohet gazetari i njohur italian, Montaneli: “Një gazetar pasanik, është një gazetar që qelbet erë, sepse ka shfrytëzuar zanatin për të arritur qëllime të tjera. Një gazetar që shpërdoron zanatin, ndjesë prokurorit, unë do ta pushkatoja”.

Drejtuesit e disa televizioneve private paguhen me rroga marramendëse, dhjetë herë më të larta se rroga e Kryeministrit, të financuara prej parave të kriminelëve, të dënuar nga gjykatat apo që janë në procese penale, të inicuara nga vetë qeveria, ndërkohë që gazetarët e terrenit mezi nxjerrin bukën e gojës, pa shtëpi, pa sigurime shoqërore, duke fjetur nëpër konvikte etj. Kryeministri i di këto, sepse i shikon përditë nëpër gazeta shifrat dhe faktet, por nuk reagon ndaj tyre. Përse nuk merr masa maxhoranca e drejtuar nga Rama për të penguar financimin e shtypit shqiptar nga paraja e zezë brenda dhe jashtë vendit? Kjo të çon te mendimi se ka një ortakëri të heshtur në këtë mes sipas parimit “mos më ngacmo, të mos të të ngacmoj”. Nga fjalori i Kryeministrit është hequr tanimë togfjalëshi aq i njohur “mediat e kazanit”. Është bërë më tolerant Kryeministri në fjalor, pra. Por “kazani”, në kuptimin e keq të fjalës, ekziston vërtet në shtyp dhe shembujt e mësipërm e tregojnë qartë këtë. Ky kazan mund të pastrohet vetëm kur ekziston vullneti i mirë për ta bërë një gjë të tillë.

Radiotelevizioni Publik është kthyer në një institucion kockë e lëkurë, aq sa kryetari i ri i Këshillit Drejtues të tij deklaron publikisht se televizioni duhet mbyllur, se s’ka para të paguajë si duhet gazetarët dhe artistët. Ai mbijeton me një taksë prej njëmijë lekësh në vit që është vendosur nga Parlamenti në shekullin e kaluar, pavarësisht nga çmimet në tregun e sotëm. Kërkesa normale për ta rritur këtë taksë si dhe refuzimi për ta kthyer institucionin në çerdhe militantësh partiakë, me sa duket, ka prishur humorin e maxhorancës së sotme ndaj ish–drejtorit. Ekonomisti që është emëruar në krye të RTSH-së për të “administruar” skamjen e tij, do ikë natën, kur të njihet me situatën ekonomike atje. Ose do bëjë atë që thuhet: ta mbyllë fare institucionin. Ja, pra, që situata me shtypin shqiptar nuk është aq rozë, sa ç’është ngjyra e flamurit partiak të zotit Rama.

Prej katër muajsh dergjet në burg i pagjykuar ish-drejtori i Përgjithshëm i Radiotelevizionit Publik, Thoma Gëllçi, i akuzuar për “Korrupsion me tendera”, se “ka blerë pajisje për në Tiranë dhe i ka çuar ato në rrethe”, kur dihet se katër radiot dhe televizionet lokale janë filiale të RTSH-së qysh se janë krijuar një shekull më parë. E kapëm, pra, hajdutin e korrupsionit. Në bazë të Kushtetutës, Gëllçi është i pafajshëm. Neni 30 i saj: “Kushdo quhet i pafajshëm, përderisa nuk i është provuar fajësia me vendim të formës së prerë”. Përse atëherë mbahet në burg ky njeri? Kujt i intereson kjo barbari ndaj gazetarit, akoma të pagjykuar, të pashpallur fajtor dhe që do të duhet të presë nja pesë vjet në birucë i tillë, në kushtet e sotme të vonesave të gjykatave? A nuk mund të pritej gjykimi dhe pastaj ta vuante dënimin, nëse shpallej fajtor?

Kush e rrahu Kryeministrin njëzetepesë vjet më parë? Një pyetje që mbetet ende pa përgjigje.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Kur ngrihen kembet dhe i bien kokes, keshtu e peson, nuk eshte person I afte per te drejtuar vendin, qe te jesh politikan, por per rastin ne fjale, kryeminister, duhet te kesh mbaruar disa shkolla dhe jo te konkurosh se si te besh kosha, ose tjetra, se sa te dashura ke pasur, kur te gjithe e njihnin si mashkullin me te dhunshem kundrejt femrave dhe me e tmershmja ka qene kur akuzoi nenen e djalit duke i thene qe nuk eshte femija e tij dhe kete e ke bere me babain tim. A ka me turp, por me turp te kete kjo e dyta, qe e mori ate per te kaluar jeten me ate. Asnje femer nuk do e bente kete veprim, sikur te ishte I lare me flirinj, se dhe durimi ka fund, ai mbase me florinj eshte sot, por kohet kalojne cdo gje ndryshon, semuremi, vdesim dhe ajo balte, mbulon gjithcka, kurse kujtimet e hidhura dhe maskaralleqet, nuk harohen.Mjer kush mbahet mend per keq, lum kush mbahet mend per mire. Bota me rota dhe njerezit me probleme qe nuk regullohen kurre.

    Përgjigju ↓