AKTUALITET

Tendenca për kriptomonedha/ Policët sekuestrojnë kompjuterat në Shijak sikur të jenë pushkë

15:25 - 22.01.22 G.SH.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pamjet e investimit 1 milion euro në Shijak për prodhimin e kriptomonedhave u shpërndanë nga policia sikur të ishin filmime nga një skenë krimi. Por me gjithë bujën që shoqëron në këto raste njoftimet e policisë, prap në vend të pushkëve, policët kanë bllokuar kompjutera dhe në vend të pistoletave, ca pajisje elektronike.




1 milion euro investim nuk mund të konsiderohet më një “fermë”, siç quheshin deri tani ambjentet e sajuara në fshehtësi për prodhimin e monedhave virtuale. Nga vlera e investimit dhe shpjegimi që dha administratori i kompanisë kuptohet se ajo që po ndodhte ishte, thjesht biznes. Administratori i kompanisë para se të arrestohej tha se e paguante në mënyrë të rregullt energjinë elektrike dhe nuk po bënte kontrabandë me pajisjet elektronike.

“Ky rast është komplet bllof pasi nuk ka asnjë bazë ligjore. Deri tani të gjitha rastet që janë zbuluar dhe ndjekur penalisht në vetvete kanë pasur lidhje me vjedhjen e energjisë elektrike, fshehjen e të ardhurave, evazion fiskal, ose futjen kontrabande të paisjeve kompjuterike. Nuk ka asnjë dispozite në kodin penal ku parashikon ndalimin e prodhimit të bitcoin apo kriptomonedhave të tjera. Tek ne të paktën nuk është e jashteligjshme. Biznesi është i deklaruar edhe ne QKB, ka kontrate te rregullt me OSHEE, deklarohen te ardhurat dhe te gjitha paisjet jane importuar dhe zhdoganuar sipas dispozitave ligjore” u shpreh ai në media.

Sipas njoftimit të policisë biznesi nuk ishte i deklaruar në Autoritetin e Mbikqyrjes Financiare. Për këtë fakt, administratori ishte shprehur se kishte dërguar shkresat e nevojshme dhe nuk kishte marrë ende përgjigje.

Perpara se te fillonte si aktivitet i eshte derguar shkrese edhe Drejtorisë së Policisë, dhe Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare”, tha ai.

Ky nuk është rasti i parë që sipërmarrja është një hap para shtetit për investime në teknologji. Disa muaj më parë një biznes i ngjashëm për prodhimin e kriptomonedhave u zbulua pas vrasjes së një të riu në lagjen 5 Maji në Tiranë. Edhe në atë rast u trumbetua me bujë zbulimi i laboratorit të prodhimit të kriptomonedhave, por “zbulimi” u harrua pas disa ditësh, për shkak se biznesi ishte i regjistruar në QKB, paguante energjinë elekrike në mënyrë të rregullt dhe ishte i regjistruar.

Konfuzioni me prodhimin e kriptomonedhave nuk është një fenomen shqiptar. Kriptot kanë zënë në befasi institucione të fuqishme ndërkombëtare të parasë dhe kanë gjetur pa përgatitur shtete shumë herë më të fuqishme se Shqipëria. Në rastin e Shijakut, ku një biznesmen investon një milion euro të bën të mendosh se hetimet duhet të përqëndrohen tek institucionet shtetërore që nuk i kanë ofruar shërbimin e kërkuar dhe jo tek biznesmeni që shpenzon 1 milion euro në kompjutera dhe pajisje elektronike.

Tregu i monedhave virtuale në Shqipëri mbikqyret nga AKSHI dhe AMF, të cilat pajisin bizneset me licencë. “Bitcoin” është monedha e parë virtuale e emetuar në vitin 2009 dhe që atëherë ka njohur zhvillim në të gjithë botën.

Monedhat virtuale mund të kthehen shumë shpejt në konkurrente të bankave tradicionale, nëse ato gjejnë përdorim të gjerë në shoqëri. Monedhat virtuale blihen në një platformë këmbimi duke përdorur monedha të tilla si Euro, Paund apo Dollar.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.