AKTUALITET

Pistat e hetimit/ Flasin prokurorët belgë: Bledar Muça u vra nga profesionistë, ishte ndaluar për vjedhje në Antwerp

15:16 - 25.01.22 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Vrasja në Belgjikë e Bledar Muçës, i njohur nga drejtësia shqiptare si “krahu i djathtë” i fisit Çapja në Elbasan, është pasqyruar nga të gjitha mediat belge, sipas të cilave, ai ishte me nënshtetësi britanike, por dispononte edhe një pasaportë bullgare.




Por, ajo që do të çonte në identifikimin e Bledar Muçës do të ishin pikërisht shenjat e gishtave, ndërsa menjëherë mediat vendase do të zbulonin se viktima ishte një emër i njohur për drejtësinë shqiptare dhe për lidhjet e tij me një nga grupet kriminale më të njohura në vend, atë të fisit ‘Çapja’.

Vrasja e Muçës dy ditë më parë do të bënte jehonë në të gjitha mediat belge, por edhe në ato shqiptare, të cilët deklaronin se ende nuk kishte asnjë pistë konkrete në lidhje me ekzekutimin e 39-vjeçarit.

Ndër të tjera ato citonin policinë belge, e cila shprehej se nuk mund ta thoshte me siguri nëse bëhej fjalë për një rrjet trafiku dhe se vrasja është bërë për trafikun e drogës.

“E vetmja gjë që u tha me kompetencë nga hetuesit ishte se kjo vrasje ishte e bërë në mënyrë profesionale nisur nga goditjet që pati viktima. Sipas tyre bëhet fjalë për një larje hesapesh, por nuk mund të precizohet se bëhet fjalë për trafikun e drogës.”, shkruajnë gazetarët Toon Verheijen dhe Patrick Lefelon për hln.be.

Mediat belge: Qitësit ishin profesionistë:

Ndërkohë, ditën e djeshme, mediat belge kanë publikuar disa detaje të tjera në lidhje me vrasjen e Bledar Muçës në Aartselaar (provinca e Antwerp) në Belgjikë. Sipas tyre, Muça është ekzekutuar me disa plumba, ndërsa një prej tyre e ka marrë në kokë.

Duke cituar hetuesit e ngjarjes, mediat vendase bëjnë me dije se qitësit kanë qenë profesionistë nga mënyra se si është ekzekutuar 39-vjeçari nga Elbasani.

Dyshohet se autorët e kanë ndjekur prej kohësh Muçën duke ditur çdo lëvizje të tij. Gjithnjë sipas mediave belge, Bledar Muça u ekzekutua të shtunën pak pas orës 23:00 në Baron Van Ertbornstraat.

“Viktima është qëlluar me armë zjarri në një rrugicë në dalje të autostradës dhe si pasojë e plagëve nga plumbat ka ndërruar jetë në vend. Mësohet se në këtë atentat kanë marrë pjesë të paktën dy persona, të cilët pas krimit u larguan me një makinë. Deri më tani nuk ka asnjë gjurmë të autorëve.”, raportonte gazetari Trego Verheijen nga media belge hln.be ditën e djeshme në lidhje me vrasjen e Bledar Muçës.

Bled Muça, ‘hajduti i vogël’ me lidhje të mëdha kriminale në Shqipëri

Mirëpo, ditën e sotme, mediat belge do të bënin publike të tjera detaje mbi figurën e Bledar Muçës, i cili sipas tyre, për policinë belge ishte thjesht një ‘hajdut i vogël’ nga Carrefour, pavarësisht se për homologët e tyre shqiptarë, emri i Muçës lidhej me fisin Çapja.

Këta të fundit, sipas mediave vendase, akuzohen se kanë kryer një vrasje të dyfishtë për 50 mijë euro, ndërsa shtojnë se Bled Muça tashmë i kishte shpëtuar dy atentateve në vendin e tij.

Një burrë që nuk binte në sy, i cili kishte një vit që jetonte në një pallat pranë stacionit të policisë në Aartselaar dhe drejtonte një makinë të vogël me targa britanike. Fqinjët nuk ishin në gjendje të raportonin më shumë për shqiptarin që u vra të shtunën mbrëma në një atentat të vërtetë mafioz në rrugën e shtëpisë së tij në Baron Van Ertbornstraat. Një kërkim fillestar rezultoi pak për policinë. Bledar ‘Bled’ Muça (39-vjeç) nuk ishte i njohur për drejtësinë belge. Një shqyrtim i dosjeve aktuale të drogës nuk dha një shpjegim për ekzekutimin e kryer në mënyrë profesionale në Aartselaar. Bled Muça njihej vetëm si “hajdut i vogël”. Ai u dënua në dhjetor 2018 së bashku me tre të tjerë për vjedhje në dyqan me vlerë 600 euro në Carrefour në Schoten. Burrat kishin fshehur aksesorë celularësh, çelësa prizë, llamba dhe një kuti me prezervativë poshtë rrobave të tyre. Detektivi i dyqanit i kapi ata duke dalë jashtë. Bled Muça dhe miqtë e tij u dënuan me katër muaj burg, por dënimi ishte në mungesë.”, është ajo që ka shkruar gazetari Patrick Lefelon, nga media holandeze pzc.nl, në lidhje me profilin e Bledar Muçës.

Bledar Muça dhe lidhja e tij me fisin Çapja:

Duke komentuar lidhjet e këtij të fundit me anëtarët e fisit Çapja, mediat belge shprehen se Muça mund të ishte i panjohur në Belgjikë, por në Shqipëri ai kishte statusin e një krimineli profesionist, duke e cilësuar si ‘krahun e djathtë të vëllezërve Florenc dhe Ardian Çapja’.

“Klani Çapja nga qyteti i Elbasanit besohet se është përgjegjës për një duzinë llogarish në skenën e krimit shqiptar. Për shembull, klani shihet si porositës të vrasjes së dyfishtë të Nezir Beqirit dhe djalit të tij Gentian në vitin 2012. Një i penduar ka deklaruar se Florenc Çapja kishte paguar 50 mijë euro për këtë vrasje të dyfishtë. Drejtësia shqiptare u vu pas për pak kohë Bled Muçën si të dyshuarin kryesor për vrasjen e vëllezërve Roland dhe Ilir Rexhepi në Elbasan. Posaçërisht vrasja e ish-policit Ilir ‘Dodad’ Rexhepi në vitin 2009 bëri bujë. Në fund u arrestuan edhe dy të dyshuar të tjerë, ndërsa Bled Muça doli i lirë. Ai u dënua me dy vjet burg në vitin 2016 sepse kishte qëlluar ndaj policisë gjatë një përplasjeje me armë zjarri. Sipas policisë shqiptare ai është filmuar nga kamerat e vëzhgimit.”, shkruan më tej gazetari Patrick Lefelon, nga media holandeze pzc.nl, në lidhje me afrimitetin që Bledar Muça kishte me anëtarët e fisit Çapja.

Hetuesit federale belgë e lidhin vrasjen me përfshirjen në rrjetin e drogës

Referuar mediave belge, Departamenti Federal i Hetimeve Kriminale të Antwerpit tanimë po përballet me detyrën e ndërlikuar e të vështirë të gjurmimit të autorëve të vrasjes së Bledar Muçës në Aartselaar.

“Ekzekutime si ai i Bled Muçës zakonisht u besohen vrasësve profesionistë. Hyjnë në vend, bëjnë punën dhe ikin sërish. Konfliktet në mjedisin e drogës janë shpesh shkaku i ekzekutimeve të tilla. Nëse kjo vlen edhe për vrasjen e Bled Muçës në Aartselaar, hetimi do të duhet të tregojë. Nuk ishte i vetmi hesap i larë në skenën e krimit shqiptar fundjavën e kaluar. Të shtunën, 34-vjeçari shqiptar Ergys Dashi u vra me njëzet plumba në një restorant në qytetin port të Guayaguil (Ekuador).”, shkruan media pzc.nl.

Kush është Bledar Muça?

Bledar Muça është emër i njohur për drejtësinë shqiptare. Ai njihet për lidhjet e tij të ngushta me fisin Çapja në Elbasan dhe konsiderohet si krahu i djathtë i Ardjan dhë Florenc Çapjas. Për herë të fundit në Shqipëri ai është arrestuar në maj të vitit 2020, pasi aksidentoi një polic burgu.

Në vitin 2016 ndaj tij janë bërë dy atentate. Njëri në shkurt 2016, kurse tjetri në korrik të të njëjtit vit. Në atë të korrikut ai ishte objektiv  bashkë me Florenc Çapjan. Muça u plagos nga ai atentat, kurse Florenc Çapja nuk pësoi asgjë. Për atë atentat, policia shpalli në kërkim dhe arrestoi më vonë Shkëlzen Hasanpapajn.

Muça dyshohet se është përfshirë në shumë ngjarje të rënda në Elbasan, por ka mundur t’ia hedhë drejtësisë. Në verën e vitit 2016 ai u arrestua dhe u dënua me dy vite burg pasi qëlloi me armë ndaj efektivëve të policisë teksa ishin në vëzhgim të familjes Çapja pas atentatit të shkurtit. Muça u filmua nga kamerat e sigurisë me armë në dorë duke qëlluar ndaj policisë.

Emri i tij është i përfshirë edhe në vrasjen e vëllezërve Roland dhe Ilir Rexhepi, vrasje të ndodhura në kohë të ndryshme në qytetin e Elbasanit, por që asnjëherë nuk iu provuan nga policia dhe nga prokuroria. Madje emri i tij u shpall edhe në kërkim ndërkombëtar për vrasjen dy vite më vonë, të vëllait të Roland Rexhepit, ish-efektivi i policisë që njihej me pseudonimin “Doda”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.