AKTUALITET

Asgjë nuk harrohet/ SPAK mbyll hetimet për vrasjen e Vajdin Lamajt nga Emiljano Shullazi dhe Lul Berisha

17:00 - 27.01.22 G.SH.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Për të zbuluar çfarë ndodhi në vrasjen e Vajdin Lamajt 17 vite më parë, hetuesve iu desh të “gërmonin” në të shkuarën kriminale të disa prej emrave të famshëm të botës së krimit. Lulzim Berisha i bandës së Durrësit dhe Emiljano Shullazi i grupit të Tiranës rezultoi se kishin bashkëpunuar që në 2005 për ekzekutimin e Lamajt, atëherë President i Federatës Shqiptare të Boksit dhe zv.President i Top Albania Radios, medias së themeluar nga i ndjeri Dritan Hoxha.




Sot prokurorët bënë komunikimin e akuzës për 3 persona të përfshirë në vrasjen e Lamajt në një atentat ku mbeti i vrarë edhe miku i tij Dritan Arsi. Ata janë Lulzim Berisha, Indrit Rusit dhe Viktor Ymerit. Bashkë me ta do të merren të pandehur edhe të akuzuarit e tjerë për ekzekutimin e Vajdin Lamajt në Tetor dhe Klodian Saliut, të dyja në shkurt të 2005.

Çfarë ndodhi 17 vite më parë

Si pasojë e shpërthimit të telekomanduar të ashensorit të pallatit të tij në vitin 2005, mbeti i vrarë Vajdin Lamaj dhe miku i tij i fëmijërisë Dritan Arsi. Eksplozivi ishte vënë në ashensorin e pallatit, ku ndodhet edhe pasticeri “Venecia” dhe ku kishte shtëpinë Lamaj, prapa stadiumit “Qemal Stafa” sot “Air Albania Stadium”. Fill pas atentatit, policia deklaroi se Lamaj ishte ndjekur ditën e atentatit nga tre persona, emrat e të cilëve nuk u bënë të ditur. Sapo Lamaj dhe Arsi janë ngjitur në ashensor, ndërmjet katit të pestë dhe katit të gjashtë ka ndodhur shpërthimi i lëndës eksplozive, duke i lënë të dy të vdekur në vend. Sasia e lëndës plasëse ka qenë e madhe dhe bëhej fjalë për një eksploziv të cilësisë së lartë. Dy viktimat do të ngjiteshin në katin e tetë, ku kishte shtëpinë Lame. Ashensori në momentin e shpërthimit ka qenë në ngjitje dhe mendohet që shpërthimi të jetë realizuar me telekomandim nga distanca. Gjatë shpërthimit është shkatërruar totalisht ashensori, por nuk është dëmtuar asnjë nga katet e pallatit.

Kush ishte Vajdin Lamaj

Lamaj ishte një biznesmen i njohur në kryeqytet asokohe, kur mbante edhe postin e Presidentit të Federatës Shqiptare të Boksit, si dhe zv.President i Top Albania Radios, një media e themeluar nga i ndjeri Dritan Hoxha. Para se të ekzekutohej i kishte shpëtuar një tjetër atentati me armë në qendër të Tiranës, ku mbetën të plagosur lehtë dy persona. Në 15 tetor të vitit 2004 teksa po dilte nga një emision televiziv në Tv “Arbëria”.

17 vjet hetime

Pavarësisht zgjatjes në kohë të këtyre hetimeve për më shumë se 17 vjet, asnjëherë nuk u tha zyrtarisht se kush ishin ekzekutorët e biznesmenit të njohur. Në nisje të hetimeve Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) deklaruar se për vrasjen e Vajdin Lamajt ka pasur një bashkëpunim mes dy grupeve kriminale të drejtuar nga Emiljano Shullazi dhe Lulzim Berisha. Bashkë me ta të implikuar janë dhe Plarent Dervishaj, Indrit Taullai, Luftar Reci dhe Viktor Ymeri. Emiljano Shullazi dhe Viktor Ymeri janë në burg, ndërsa Lul Berisha është në arrati. Ambasada amerikane e vlerësoi goditjen e bandave që kishin organizuar atentatin ndaj Lamajt.

“SPAK ka marrë përsipër një rast tjetër të madh të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ky nuk është hetimi i parë nga SPAK, dhe nuk do të jetë i fundit. Shpresojmë që SPAK do të vazhdojë të demonstrojë forcën, integritetin dhe aftësinë e tij përmes hetimeve të tilla” – shkruajti Kim, duke inkurajuar prokurorët.

Dëshmia që çoi në zbulimin e vrasjes së Dritan Lamajt

Hetimet për vrasjen e Dritan Lamajt rinisën pas dëshmisë së një të burgosuri për vrasje dhe trafik droge, i quajtur Luftar Reçi.
Në dëshminë që ai ka dhënë në SPAK mësohet se ai rrëfen se si në Durrës qarkullonte lajmi se Klodian Saliu donte të vriste Lulzim Berishën, madje kishte edhe informacion për një atentat që kishte dështuar, prandaj banda e këtij të fundit vendosi të godasë.

Reçi tregoi marrëveshjen me Lul Berishën, sipas së cilës ai do vriste Klodjan Saliun, ndërsa Lul Berisha vriste hasmin e tij.

Në dëshminë për SPAK, Luftar Reçi tregon një bisedë në tavolinë, ku Indrit Taullai rrëfen se kanë vrarë Vajdin Lamajn. Mësohet se ai ka thënë se për këtë ngjarje ka informuar me detaje Emiljano Shullazin. Sipas burimeve mësohet se Taullai të ketë thënë “Po*dhën e madhe e bëmë copë-copë”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.