AKTUALITET

Fenomeni “SHTËPI BARI”/ Si po lulëzon biznesi fitimprurës, eksperienca nga “çunat e Londrës” dhe bashkëpunimi me elektricistët

11:19 - 27.01.22 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Zbulimi i një ‘miniere’ kanabisi në qytetin e Sarandës nxjerr në pah fenomenin aq shumë të përhapur në Europë, por që tashmë ka shtrirë tentakulat e saj edhe në vendin tonë, pikërisht atë të mbelljes nën tonë të bimëve narkotike me llampa elektrike.




Kultivuesit e ‘minierës’ në fjalë kishin zgjedhur ta ndërtonin atë në një zonë shumë larg qendrave të banuara, pranë fshatit Nivicë, Brenda së cilës mund të hyje vetëm me anë të një dere sekrete. Por, edhe këtë herë, do të ishte pikërisht evidentimi i një lidhjeje të paligshme me anë të së cilës vidhej energji, që do të zbulonte laboratorin në fjalë.

E në këto raste, si gjithmonë janë të përfshirë edhe punonjës të OSHEE-së, të cilët në këmbim të përfitimit të konsiderueshëm financiar, bënjë ‘një vesh shurdh e një sy qorr’ dhe nuk e denoncuan vjedhjen e energjisë elektrike.

Grupet e narkotrafikantëve investojnë shuma parash për të pajisur ambiente të mëdha me llampa të fuqishme elektrike, me pajisjet e nevojshme për mirëmbajtjen, tharjen dhe paketimin e kanabisit dhe me gjithë fuqinë punëtore të nevojshme.

Kjo industri me fitime marramendëse nuk mund të funksionojë dhe të zhvillohet pa tolerimin e heshtjen në rastin më të mirë, e bashkëpunimin e institucioneve shtetërore në rastin më të keq.

Si po përhapet ky biznes i ri dhe fitimprurës në Shqipëri:

Strategjia e kultivimit të kanabisit në kushte shtëpie, e cila konsiderohet ndër vite si “traditë” në Angli, duket se së fundmi po gjen zgjidhje edhe në Shqipëri. Rastet e fundit demonstrojnë se “shtëpitë e barit” po nisin të lulëzojnë edhe në vendin tone.

Trafikantët si zonë preferenciale kanë banesat në katet e fundit të pallateve ose banesave private, të cilat i marrin me qira. Ata punësojnë zakonisht burrë e grua për t’u kujdesur për bimët narkotike me qëllimin për të shmangur dyshimet tek banorët apo tek policia.

Kjo mënyrë veprimi dyshohet se është huazuar nga Britania dhe Spanja dhe ka sjellë edhe lëvizjen e çmimeve në tregun kriminal të kanabisit.

Shtimi i këtyre shtëpive të barit lidhet edhe me rikthimin e shumë të rinjve shqiptarë nga Britania e Madhe, sidomos pas periudhës së pandemisë, që ashtu sikurse çdo biznes tjetër, goditi edhe atë të ‘barit’.

Në pamundësi për të mbijetuar me këtë biznes në Angli, ata zgjedhin të kthehen në Shqipëri dhe ta vënë në jetë eksperiencën e tyre në drejtim të ndërtimit të shtëpive të barit, duke bërë që biznesi të nxjerrë frytet e tij dhe të jetë më e lehtë për të operuar.

Rritja e çmimit të energjisë goditi ‘shtëpitë e barit’

Rritja e çmimeve të energjisë elektrike duket se po prek edhe industrinë kriminale të kultivimit të kanabisit në ambientet e brendshme të banesave. Kjo mënyrë kultivimi e kanabisit kërkon sasi të lartë të energjisë elektrike më qëllim rritjen e hashashit përmes llambave ndriçuese. Këto pajisje konsumojnë sasi të konsiderueshme energjie e cila nëse shtrenjtohet rrit edhe më tej kostot e prodhimit të kanabisit.

Në Tiranë por edhe në zonat periferike ka një numër më të shtuar të banesave që janë lëshuar me qira për t’u përdorur për kultivim bimësh narkotike. Për këtë arsye policia prej kohësh ka nisur në bashkëpunim me OSHEE-në për verifikimin e të gjitha faturave të shpenzimit të energjisë.

Të ashtuquajturat shtëpi bari kanë një kosto të lartë për shkak të sigurimit të farës së kanabisit, por edhe për mjetet e tjera të punës pasi një llambë TL me fuqi nga 400-600 Watt që kap një vlerë deri në 10 mijë euro.

Në vitin 2021 u zbuluan 9 ‘shtëpi e magazine bari’, u arrestuan 32 persona, mes tyre 7 elektricistë:

Referuar të dhënave zyrtare të Policisë së Shtetit, nga 1 janari deri në 31 dhjetor të vitit 2021, në të gjithë vendin janë konstatuar dhe goditur plot 9 raste të ‘shtëpive të barit’, ndërsa në pranga kanë rënë 32 persona, mes të cilëve edhe 7 elektricistë.

Prezenca më e shtuar e këtyre banesave apo magazinave të improvizuara të kanabisit është vënë re në Tiranë, Kurbin dhe Durrës.

Më poshtë po ju rendisim operacionet e Policisë së Shtetit ndaj ‘shtëpive të barit’ përgjatë 2021-t:

2 MARS 2021 – Policia e Vlorës kryen një operacion ku bie në pranga SH. I., 46 vjeç, banues në lagjen “Pavarësia”, të cilit, gjatë kontrollit të ushtruar në banesë, shërbimet e Policisë i kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, rreth 9000 fara të bimës cannabis sativa, një sasi lënde narkotike cannabis në formë pluhuri, boçeje dhe çokollate, si dhe 196 fishekë.

9 MARS 2021 – Policia e Tiranës arreston K. Z., 34 vjeç dhe A. Z.(D.), 31 vjeçe, banues në Vorë bashkëshortë,  të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin përshtatur ambientin e banesës së tyre me aparatura që shërbejnë për kultivimin dhe prodhimin e lëndëve narkotike.

26 MARS 2021 – Policia e Fierit vë në pranga shtetasin E. D., 36 vjeç, banues në Fier, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin e tij në lagjen “29 Nëntori” Fier, të cilin e kishte përshtatur si ambient për përdorimin e lëndëve narkotike, është kapur në kushtet e flagrancës me 1 kg e 140 gram fara kanabisi.

9 PRILL 2021 – Policia e Kurbinit vë në pranga shtetasin V. H., 24 vjeç, banues në Katund i Ri, Kurbin, si dhe shpalli në kërkim shtetasin E. S., 41 vjeç, banues në Kurbin. Sipas Policisë, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në fshatin Fushë Gjormë, Kurbin, kishin përshtatur katin e dytë të një magazine të marrë me qira, me aparatura që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike. Gjatë kontrollit, në ndërtesë u konstatua një lidhje e paligjshme e energjisë elektrike, e cila shërbente për furnizimin me energji të pajisjeve si llamba, aspirator, filtra ajrimi etj, që ndihmonin në kultivimin dhe rritjen e bimëve narkotike.

2 QERSHOR 2021 –  Policia e Tiranës zhvillon me sukses operacionin policor të koduar “Kimisti” në kuadër e të cilit vë në pranga shtetasit: E. Sh., 30 vjeç, G.D., 37 vjeç, S. I., 44 vjeç dhe J. V., 17 vjeç. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin përshtatur banesën e marrë me qira nga shtetasi E. Sh., me aparatura që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike.

14 TETOR 2021 – Policia e Pukës organizon operacionin policor antikanabis të koduar “Ars”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: Ll. L., 55 vjeç, i dënuar më parë për vrasje, D. N., 18 vjeç, M. N., 48 vjeçe dhe Gj. L., 55 vjeçe, të gjithë banues në Rubik dhe K. N., 19 vjeç, banues në Fushë Arrëz. Shërbimet e Policisë, bazuar në informacionet e grumbulluara më parë, kanë ushtruar kontroll në territorin e fshatit Ars, Njësia Administrative Fierzë, Bashkia Fushë Arrëz, ku kanë konstatuar 27 bimë narkotike të kultivuara në një zonë të pyllëzuar. Në vijim të kontrollit, në zonën përreth, në një kasolle të improvizuar, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë 5 shtetasit e arrestuar, të cilët po përgatisnin bimët narkotike për tharje.

6 DHJETOR 2021 – Policia e Durrësit gjatë një operacioni, në Shënavlash, evidenton një banesë të përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, në të cilën kishte lidhje të paligjshme të energjisë elektrike. Në pranga përfunduan Sh. K. dhe djali i tij, shtetasi I. K., banues në fshatin Shënavlash. Në katin e katërt të baneses së shtetasit Sh. K., u gjetën dhe u sekuestruan 15 kg e 100 gramë lëndë e dyshuar cannabis sativa dhe 254 bimë narkotike. Sipas njoftimit të policisë, në vijim të veprimeve janë arrestuar në flagrancë edhe shtetasit: D. A., S. P. dhe A. K., punonjës së OSHEE-së, pasi nuk kanë kallëzuar për krimin dhe kanë shpërdoruar detyrën.

15 DHJETOR 2021 – Policia e Durrësit gjatë një operacioni në lagjen nr. 13, Durrës, nga kontrolli në banesën e marrë me qira nga shtetasi I. A., e cila ishte përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, gjeti dhe sekuestroi 2 kg lëndë e dyshuar cannabis sativa e tharë, e bërë gati për shitje, 110 vazo në të cilat ishin kultivuar fidanë të dyshuar cannabis sativa, 19 llamba dhe pajisje të tjera elektrike.

24 DHJETOR 2021 – Policia e Kurbinit zbulon në katin e parë të një banese, një lokal të përshtatur si laborator që shërbente për kultivimin e bimëve narkotike, nëpërmjet ngrohjes me llamba, dhe një sasi të konsiderueshme lënde narkotike. Gjatë këtij operacioni në pranga ranë 7 persona, 4 prej të cilëve me detyrë elektricistë dhe faturistë pranë OSHEE Kurbin. Gjatë operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: L. A., 54 vjeç, banues në Bushnesh, Kurbin, T. B., 27 vjeç, banues në Arrameras, Fushë Krujë dhe G. H., 43 vjeç, banues në Tetovë. Gjithashtu janë arrestuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, shtetasit: Xh. D., 58 vjeç, banues në Bushnesh, më detyrë elektricist, Xh. K., 56 vjeç, banues në Mamurras, me detyrë elektricist, B. Gj., 33 vjeç, banues në Fushë Mamurras, me detyrë përgjegjës në OSHEE Kurbin dhe A. F., 53 vjeç, me detyrë faturist i OSHEE, pasi dyshohet se kanë lejuar lidhje të paligjshme të energjisë elektrike në transformatorin elektrik me pjesën e jashtme që furnizonte me energji ndërtesën e përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.