EKONOMI

Intervista për borxhin rekord 80.1%, Eksperti: Sot paguajmë 1070 euro më shumë!

10:30 - 28.01.22 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Borxhi publik në Shqipëri gjatë vitit që lamë pas rezultoi se është 80.1%, shifra më e lartë kjo e raportuar zyrtarisht nga Ministria e Financave.




Niveli i borxhit publik ka qenë gjithmonë një shqetësim për ekonominë shqiptare dhe një ndër “kuajt e betejës” me të cilën Edi Rama erdhi në pushtet në vitin 2013, kur premtoi ta ulte akoma më shumë. Sot qeveria justifikohet se rritja e borxhit erdhi si pasojë e dy krizave, tërmeti dhe pandemia.

Por, çfarë thonë ekspertët në lidhje me këtë rritje të frikshme të borxhit publik dhe si i vlerësojnë ata masat e marra nga ana e qeverisë shqiptare për përballimin e krizës ekonomike, e para e të cilave ka qenë marrja e Eurobondit prej 650 milion eurosh.

Në një intervistë për ‘Gazeta Shqiptare’, eksperti i ekonomisë, Fatos Çoçoli shprehet se rritja e borxhit publik, duke qenë në nivele shqetësuese, sigurisht që përbën një rrezik të madh për financat publike.

Sipas Çoçolit, nëse bëjmë një pjesëtim të thjeshtë, rezulton se çdo banor tek ne të ketë borxh 3,450 euro, ose 1,070 euro më shumë se pesë vite më parë. Sipas tij, kjo rritje ndikon tek kosto e borxhit.

“Paguajmë mesatarisht 94.3 milionë euro në vit, ndërkohë që gjatë periudhës 2010-2016 paguanim vetëm 56.6 mln euro çdo vit. Tek xhepat tanë drejt për së drejti rritja e borxhit nuk ndikon. Por ne e ndjejmë nga më pak rritje rrogash dhe pensionesh dhe më pak investime publike, pikërisht për shkak të borxhit të shtuar ndjeshëm.”, vijoi më tej ai.

Duke folur për Eurobondin e fundit të marrë nga qeveria shqiptare, Çoçoli tha se qeveria bëri mirë që e mori këtë borxh të ri, pasi ndryshe sipas tij gjendja nuk mund të përballohej.

Në këtë drejtim, ai tha se duhet bërë shumë kujdes se ku do të investohen këto para, që sipas tij do ishte më mirë që të përdoren për shpenzime të domosdoshme dhe për investime prodhuese.

“Them se qeveria bëri mire që emetoi (nxori) Eurobondin e pestë dhe mori borxh të ri, ndryshe gjendja nuk përballohej dot. Tani duhet të bëjë shumë kujdes që këto para t’i përdorë vetëm për shpenzimet e domosdoshme dhe për investime prodhuese që kthehen shpejt (në bujqësi, turizëm, eksporte). Nuk duhet t’i përdorë kurrsesi për rritje pagash dhe pensionesh, apo për investime afatgjata që kërkojnë kohë të kthehen.”, u shpreh më tej në intervistën e tij eksperti Çoçoli.

INTERVISTA E PLOTË ME EKSPERTIN E EKONOMISË, FATOS ÇOÇOLI:

1 – Qeveria e shtoi borxhin publik në fund të vitit që shkoi me një shifër prej 650 milionë eurosh përmes instrumentit financiar Eurobond duke e çuar atë në 80.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2021. A e shihni ju si ekspert këtë si një rrezik për financat publike?

Qeveria e shtoi borxhin publik jo vetëm me Eurobondin në vitin 2021. Deficiti buxhetor i këtij viti ishte i konsiderueshëm. Rritja e borxhit, ndërkohë që ai ka kufij shqetësues, përbën pa dyshim rrezik për financat tona publike. Së pari, pse nëse duam të rrisim investimet publike për periudhën afatmesme 2022-2024, borxhi i lartë është litar që të tërheq poshtë dhe nuk të lë. Nëse duam të shtojmë pagat dhe pensionet, sërish borxhi i konsiderueshëm është pengesë. Dhe së treti, nëse provojmë të marrim borxh të ri, interesi me të cilin do na e japin në tregjet ndërkombëtare, nëse arrijmë ta marrim, do të jetë më i lartë nga sa e morëm vitin e kaluar.

2 – Për vitin 2022, Borxhi Publik për frymë është parashikuar të arrijë vlerën 496,040 Lekë apo rreth 4,099 Euro. Krahasuar me pesë vite më parë, një qytetar shqiptar do të paguajë rreth 117,343 Lekë më shumë, pra një rritje të Borxhit për frymë prej 31%. Sa ndikon kjo në xhepat dhe në ekonominë e shqiptarëve?

Borxhi ynë publik ka arritur pak mbi 10 miliardë euro (80%) te 13.7 miliardë eurove të prodhimit kombëtar (Produkti i Brendshëm Bruto i vendit) në fund të vitit të kaluar. Nëse bëjmë një pjesëtim të thjeshtë me 2.9 milionë banorë sa përllogaritet të kemi mbetur banorë në Shqipëri sot, i bie që çdo banor tek ne të ketë borxh 3,450 euro, ose 1,070 euro më shumë se pesë vite më parë. Kjo rritje ndikon tek kosto e borxhit. Çdo vit paguajmë 25-30 për qind më shumë për interesat dhe shlyerjen e një pjese të principalit (borxhi që kemi pa interesat). Paguajmë mesatarisht 94.3 milionë euro në vit, ndërkohë që gjatë periudhës 2010-2016 paguanim vetëm 56.6 mln euro çdo vit. Tek xhepat tanë drejt për së drejti rritja e borxhit nuk ndikon. Por ne e ndjejmë nga më pak rritje rrogash dhe pensionesh dhe më pak investime publike, pikërisht për shkak të borxhit të shtuar ndjeshëm.

3 – Opozita e ka akuzuar vazhdimisht qeverinë se kjo e fundit nuk po i përdor huatë për investime, por sipas tyre, po merr borxh për të shlyer borxhet paraardhëse. A qëndrojnë këto akuza të opozitës dhe sa mendoni ju se po përdoren këto hua të marra për rritjen e investimeve në vend?

Eurobondet kanë një periodicitet që maturohet pas 5 ose 7, ose 10 vitesh, si ky i pesti që morëm vjet. Pesë, shtatë ose dhjetë vjet janë një periudhë realitivisht e shkurtër, që qeveria të mbledhë mjaftueshëm para, për ta shlyer të gjithë principalin vetëm me kursimet që ka bërë. Është e detyruar të marrë borxh të ri. E rëndësishme është që me borxhin e ri qeveria të mos financojë lëvizje zgjedhore, të tipit rritje pagash dhe pensionesh përpara një date të caktuar zgjedhjesh. Për fat, ne nuk kemi vit zgjedhor këtë vit 2022, pavarësisht se në fillim të marsit bëhen zgjedhje të pjesshme vendore në 6 bashki. Duhet të përqendrojmë vëmendjen tek investimet publike dhe tek ndihma me të gjitha mënyrat, për të rritur investimet private në ekonomi, vendase ose të huaja.

4 – Përfaqësues të Financave dhe qeverisë shqiptare janë shprehur se rritja ekonomike 6.7 për qind në vitin që sapo lamë pas, është një tregues se ekonomia po del nga kriza, që shkaktoi tërmeti i dy viteve me parë dhe Pandemia e Covid-19, e cila ende vazhdon. Cili është mendimi juaj në lidhje me çështje? A mendoni ju se këtë vit ku sapo kemi hyrë do të kemi një tjetër rritje ekonomike?

Sigurisht që rritja ekonomike e vitit të kaluar, edhe pse një pjesë e madhe nga inercia e rënies ekonomike që patëm në vitin 2020 nga pandemia, solli daljen, të themi në treçerek, nga kriza ekonomike. Kjo, pse ende nuk e kemi arritur nivelin e vitit 2019 për shumë sektorë të rëndësishëm, në radhë të parë për turizmin. Edhe eksportet nga industria jonë e veshjeve dhe këpucëve nuk janë në nivelin e vitit 2019. Ky vit ku jemi rritje ekonomike do të ketë, por më të paktë se sa viti 2021. Për ne është e rëndësishme të konsolidojmë financat publike dhe të rrisim eksportet. Sidomos kjo e dyta do të jetë një sfidë shumë e vështirë, pse kostot e lëndëve të para dhe të transportit janë rritur shumë, në disa sektorë edhe me herë, për shkak të pandemisë.

5 – A mendoni se është i drejtë rekomandimi që i është bërë qeverisë që një pjesë e burimeve financiare ta marrë nga tregjet ndërkombëtare, pra nga burime të jashtme në mënyrë që të mos konkurrojë biznesin vendas?

Kjo varet nga sa i përdorim paratë e lira në duart e bankave tregtare, për kredi për ekonominë. Kemi rekorde depozitash në bankat tregtare, por kredia për ekonominë, edhe pse është rritur, në krahasim me vitin 2020, nuk është në ato nivele, sa të themi që të marrim vetëm para nga jashtë, për t’i përdorur depozitat bankare këtu të gjitha për kredinë brenda. Tek e fundit, paratë nga tregjet ndërkombëtare të ekspozojnë për rreziqe, si ajo e kursit të këmbimit të valutave nga ke marrë borxhin, etj.

6 – Le të ndalemi pak edhe tek Eurobondi i fundit prej 650 milionë eurosh, që ka marrë qeveria shqiptare. Drejtues të opozitës e kanë cilësuar marrjen e borxhit të radhës në tregun ndërkombëtar, si një dështim të politikave fiskale dhe të menaxhimit të dy krizave, tërmetit dhe pandemisë. A mendoni se është kjo zgjidhja e duhur si pjesë e strategjisë së huamarrjes dhe menaxhimit të borxhit publik nga ana e qeverisë shqiptare?

Tërmeti dhe pandemia ishin ngjarje të jashtëzakonshme dhe ndaj shpenzimeve të jashtëzakonshme duhen burime të jashtëzakonshme për t’i përballuar. Them se qeveria bëri mire që emetoi (nxori) Eurobondin e pestë dhe mori borxh të ri, ndryshe gjendja nuk përballohej dot. Tani duhet të bëjë shumë kujdes që këto para t’i përdorë vetëm për shpenzimet e domosdoshme dhe për investime prodhuese që kthehen shpejt (në bujqësi, turizëm, eksporte). Nuk duhet t’i përdorë kurrsesi për rritje pagash dhe pensionesh, apo për investime afatgjata që kërkojnë kohë të kthehen.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.