AKTUALITET

Ditët e Kujtesës/ Një peticion për dekomunistizimin do t’i dorëzohet Kuvendit! Ja axhenda e aktivitetit që nis nesër

20:46 - 16.02.22 K.K
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në kuadër të  aktivitetit “Ditët e Kujtesës”, këtë të enjte një peticion për dekomunistizim dhe drejtësi, do të bëhet publik dhe më pas do i dorëzohet Kuvendit të Shqipërisë.




Peticioni do të përmbaje kërkesa specifike mbi miratimin e një kuadri ligjor që ndalon propagandën, vettingun e funksionarëve politikë dhe drejtuesve të institucioneve, rishikimin e emërtimit të shkollave, rrugëve, shesheve dhe institucioneve, rishqyrtimin e kurrikulave mësimore, etj.

Instituti për Demokraci për Media e Kulturë dhe Fondacioni “Konrad Adenauer” në bashkëpunim me partnerët organizojnë në datat 17-26 shkurt edicionin e 7-të të “Ditëve të Kujtesës”.

Tema e këtij viti është “Mitet e komunizmit”, me synimin për të ndërgjegjësuar  shoqërinë  mbi lëkundshmërinë e perceptimeve të krijuara nga propaganda komuniste dhe jetës së vërtetë nën kushtëzime të rrepta me të cilat përballeshin qytetarët.

Shumë prej miteve të regjimit komunist, mbizotërojnë edhe sot, siç janë: kultit të udhëheqësit, rrethimit nga armiqtë e brendshëm e të jashtëm, të partisë si mishërim i mençurisë historike, të zhvillimit të shkëlqyer ekonomik, të njeriut të ri komunist, të emancipimit të grave, të barazisë në shoqëri, të cilësisë së lartë të arsimit, të niveleve të ulëta të kriminalitetit dhe korrupsionit, e të tjera.

Folësja kryesore e aktivitetit është Stephanie Schëandner-Sievers , me temën “Sa ‘i huaj’ është ‘vendi i së kaluarës’? Qasja ndaj miteve komuniste në Shqipëri”, ndërsa konferenca e së premtes ndalet edhe te mitet komuniste në letërsi, shkencë dhe muzikë.

memoria

AXHENDA

Hapja e “Ditëve të kujtesës” bëhet në sheshin “Skënderbej” me 17 shkurt, duke nisur me një performancë artistike të titulluar “Rënia e miteve”, organizuar nga DoArt, në praninë e aktorëve të kujtesës dhe trupit diplomatik, drejtores së IDMC, Jonila Godole,  drejtorit të “KAS”, Tobias Ruttershoff, nënkryetarit të parlamentit, Agron Gjekmarkaj, përfaqësuesit të Delegacionit të BE në Shqipëri, Alexis Hupin, presidentit të Platformës Europiane të Kujtesës dhe Ndërgjegjes (PEMC), Marek Mutor.

Të hënën më 21 shkurt, në orën 17:00, te Vila 31 në ish-Bllok, hapet ekspozita multimediale, “Fytyrat e Diktaturës”,  duke i ridhënë vilës së diktatorit funksionin e kujtesës, si kundërpeshë e perceptimit publik për të, që ndahej mes frikës mbi atë që përfaqësonte.

Të martën me 22 shkurt, ora 17:10, në “Europe House” , në praninë e Ambasadorit të Republikës Federale Gjermane, Peter Zingraf, do të shfaqet dokumentari gjerman, “Kur nëna shkonte ne punë herët”, që ofron një qasje mbi jetën e grave në diktaturë në Republikën Demokratike Gjermane. Situata e grave ishte një nga aspektet e vlerësuara pozitivisht të jetës në diktaturë, në ndryshim nga shumë fusha të tjera. Barazia e grave shpesh paraqitej si një shembull kryesor i politikës së suksesshme të grave. Por si jetonin në të vërtetë gratë në RDGJ? A ishin vërtet të barabarta – apo kjo ishte thjesht në letër?

Pas filmit, do të ketë një panel diskutimi, ku marrin pjesë: Anna Kaminsky, Drejtore e Bundesstiftung zur Aufarbeitung,  Flutura Açka shkrimtare dhe Deputete, si edhe  Nevila Nika historian. Takimi moderohet nga Elsa Ballauri, Aktiviste e të drejtave të njeriut, Drejtore e “Muzeut të Gruas”.

Ekspozita me skica nga burgu i Spaçit, promovime të kolanave të botuara nga Instituti I Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, takime me student e nxënës, vizita në vendet e kujtesës në rrethe si Shkodra apo Korça, konferencë mbi gratë e zhdukura, nostalgjinë mbi komunizmin, shfaqja e filmit “Mbjellja e pemëve”, do të jenë disa prej aktiviteteve të shtrira në Ditët e Kujtesës, ku janë përfshirë institucione të ndryshme.

Mbyllja e Ditëve të Kujtesës do të bëhet me një memorial të veçantë, që përkujton viktimave të diktaturës komuniste në Shqipëri me rastin e përvjetorit të 26 shkurt 1951 kur u pushkatuan pa gjyq dhe pa faj 22 intelektualë të shquar të Tiranës dhe Shqipërisë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.