Anila Basha mbetet një prej gazetarëve VIP në Shqipëri, e cila duket se i ka hyrë një sfide të re dhe të bukur në jetën e saj gazetareske. Por futja e saj në qeverinë e futbollit shqiptar, mu në kulmin e luftës FSHF-Bashki e Tiranës, do ti shtojë spektaklin e përplasjes mes këtyre dy “qeverive”, asaj të futbollit dhe mazhorancës ekzekutive të drejtuar nga PS.

Ajo ka dhënë prova se nuk ia ka përtuar përplasjes ballë për ballë me qeveritë politike të kohës. 

Në një intervistë për “Koha Jonë”, Anila Basha shprehet se gjithmonë ka qenë e lidhur me futbollin ndërkohë që zotohet se do të ngrejë zërin e saj për çështje të rëndësishme të futbollit në vendin tonë

Pyetje: Anila, në bazë të rregullores ju jeni anëtare e Komitetit Ekzekutiv, ende pa u zhvilluar zgjedhjet. Si ndiheni për këtë rol që do të merrni pas Asamblesë që është parashikuar të mbahet më 15 mars?

Përgjigje: Është një fushë e re, por jo e panjohur për mua. Ndihem e privilegjuar në fakt që do të jem e para vajzë në strukturën drejtuese të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe mezi pres që të ulemi, të marrim vendimet e duhura në të mirë të zhvillimit të këtij sporti në vend. Ndër të tjera nuk është e papritur, pasi, përveç faktit se shkoj shpesh në stadium për të parë ndeshjet e futbollit, kam ndjekur po aq shpesh kombëtaren shqiptare jashtë vendit. Unë prej 6 vitesh tanimë, drejtoj edhe portalin tërësisht sportiv “newsport.al”, me një staf profesional gazetarësh dhe në mënyrën time, brenda fushës ku vetë unë luaj, kam dhënë kontributin tim për këtë sport, dhe jo vetëm. Gjej rastin në këtë intervistë të falënderoj dy klubet e Abissnet Superiore që më propozuan për këtë detyrë, Kukësin dhe Tiranën.

Do të punoj fort në këto vite që të tregoj se vajzat e gratë duhet të jenë më aktive në struktura të tilla. Këtë herë, jam e vetmja në garë dhe automatikisht e zgjedhur, por, me zërin tim publik, do të doja që herën tjetër kur të ketë zgjedhje të tilla, të ketë jo një, as dy, por tre e më shumë vajza që të përfshihen në këtë strukturë.

Futbolli i femrave në vitet e fundit ka pasur një zhvillim të shpejtë, mendoni se duhet të ketë më shumë femra në role drejtuese dhe në FSHF?

Po, sapo e thashë më sipër. Duhet ta dini se që tani në strukturën organizative të FSHF punojnë shumë gra dhe vajza, të cilat, ndoshta nuk shfaqen përpara kamerave, por janë aty të angazhuara me përgjegjësi të madhe për të çuar para sportin e futbollit në Shqipëri. Duke dhënë ne eksperiencën tonë, duke punuar maksimalisht, duke qenë të përgjegjshme për rolin që kemi, e gjithë kjo armatë vajzash do të arrijë të bëjë ndryshimin edhe në stadiumet tona. Dua të përqendrohem te komunikimi jo vetëm me mediat, por në tërësi, me institucionet, me shoqërinë, me shkollat. Do kemi mundësi, që me vendimet që do të merren në KE në këtë periudhë 4- vjeçare (shpresoj dhe mendoj), ky sport, të marrë vëmendjen e duhur për masivizimin e tij kudo. Aty ku lindin talentet e reja, e aty, ku prindërit, janë më të qetë për aktivitetin sportiv të fëmijëve të tyre.

Si një njohëse e mirë e sportit, pasi keni dhe një media online prej vitesh, si e shihni ngërçin që është në FSHF për Asamblenë e Përgjithshme dhe përplasjet me kryetarin e Bashkisë së Tiranës?

Ne nuk mund të fshihemi pas gishtit e të themi se asgjë nuk ka ndodhur. Por gjithsesi, institucionet duhen respektuar për vendimet e tyre. Çdokush që hyn në një garë e di mirë dhe e ka të qartë se rregullat e garës, zgjedhjeve në rastin konkret për FSHF, duhet të zbatohen. Fjala vjen, nuk mund të ndryshojmë kodin zgjedhor në vend, kur presidenti dekreton ditën e zgjedhjeve!!! Parë në këtë kontekst, më vjen mirë që tani gjithë kjo sipërmarrje ka marrë udhë. Vetë presidenti i UEFA Ceferin, mbërriti në Tiranë për të vëzhguar nga afër situatën. Nga ana tjetër, një komision i posaçëm qëndroi në Shqipëri për disa ditë dhe foli me gjithë aktorët e përfshirë në këto debate: ata që ishin kundër kësaj procedure, por edhe ata persona zyrtarë të FSHF. Palët folën, dhe UEFA ka sjellë raport të zgjeruar sesi e sheh këtë çështje. Ajo që është thënë qartë e saktë, e mbi të gjitha publikisht, është se institucionet ndërkombëtare të futbollit, nuk e tolerojnë përfshirjen e politikës në këtë ishull. Të gjithë bien dakord se aktorët e futbollit duhet ti organizojnë vetë punët e tyre, pa ndërhyrje nga jashtë.

Asambleja e 2 Marsit, tregoi qartë se aktorët e futbollit ishin të gjithë aty, vetëm pak përfaqësues munguan. Mirë është të ishin, por u pa qartë se shumica foli. Vetë presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, njëkohësisht anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA, Gabriele Gravina dha mesazhin e qartë se është komuniteti i futbollit që rregullon punët e veta. Zoti Gravina përshëndeti Asamblenë zgjedhore 2022 në prani të delegatëve të asamblesë dhe delegacioneve zyrtare të FIFA dhe UEFA që kishin mbërritur në vend të monitoronin procesin.

Sikurse ju tashmë jeni në dijeni, punimet e Asamblesë nuk u mbyllën ditën e djeshme. Palëve u la një afat dy javor të organizohen për fushatën dhe të mbyllen punimet e Asamblesë në 15 mars, ku do të bëhen edhe zgjedhjet për 10 anëtarët e KE dhe presidentin e FSHF për katër vitet e ardhshme.

Sporti ka grintë dhe inate në fushë, dhe këtë ne e shohim shpesh. Jashtë fushës, duhet të jetë një motor gjenerues idesh, jo inatesh. Asgjë e mirë nuk na vjen nga konflikti. Jemi përpara një sfide të madhe që është ndeshja finale e Conference League, dhe këtu, duhet të përqendrohemi të gjithë: t’u tregojmë të gjithëve se në Shqipëri, ne mund të bëjmë aktivitete madhështore si ai që do të zhvillohet në maj.

Si i gjykoni vendimet e Gjykatës së Tiranës për pezullimin e zgjedhjeve dhe të presidentit Duka? Apo edhe për procesin që është zhvilluar në shoqatat rajonale?

Vendimet e gjykatës nuk gjykohen. Ato zbatohen. Dhe FSHF i ka zbatuar. Në mendimin tim personal si gazetare, më duhet të them se ne presim akoma gjykatën të na marrë një vendim për demokracinë e vendit!!! Akoma nuk e kemi të qartë se kush është PD zyrtare në këtë vend: ajo që pretendon Komisioni i Rithemelimit, apo ajo që gjendet te selia e SHQUP. Gjykata vonon një vendim që i duhet vendit, sepse, pa një opozitë të fortë e konsoliduar, nuk mund të ketë një Shqipëri më të mirë. Por, çuditërisht, gjykata gjen kohë të nxjerrë jo një, por disa vendime, për çështjen e futbollit, që në fund të fundit, është një çështje që i takon vetë atyre që organizohen dhe investojnë në këtë fushë. Dhe me logjikë, ka diçka që nuk shkon apo jo…

Mendoni se situata për zgjedhjet në FSHF mund të ketë ndikim dhe për finalen e Conference League?

Mendoj se kjo çështje është superuar tashmë. Ne do të mundësojmë një finale model, një finale që do të ketë impakt në të gjithë botën me miliona sy drejtuar në Air Albania; do të ketë me qindra sponsor që do të vendosen në Tiranë ato ditë; linja të dedikuara avionësh që do të sjellin në Tiranë mijëra tifozë për të parë ekipet e tyre të zemrës; në bashkëpunim dhe bashkërendim me Bashkinë, do të vendosen linja të dedikuara autobusësh për të sjellë tifozët nga Rinasi drejt Tiranës dhe për më tepër, krijimi i disa “Fan Zone” në kryeqytet. Miliona euro do të gjenerohen nga kjo sipërmarrje e madhe dhe që do të mbeten këtu.

FSHF ka bërë një punë voluminozë, me mijëra raporte, shkresa, delegacione që kanë shkuar e ardhur për të bindur zyrtarët e UEFA që ne, Shqipëria pra, jemi të aftë për të organizuar një ndeshje të tillë. Një punë për tu përshëndetur edhe nga presidenti i FSHF Armand Duka në Komitetin Ekzekutiv të UEFA për të bindur këtë organizatë të vendoste kështu.

Thënë gjithë këto, nuk ka asnjë rrezik tanimë për organizimin e një ndeshje të tillë. Ne na duhet thjesht ta shijojmë dhe të marrim përfitimet prej saj, që nuk janë veçse monetare, por një reklamë madhështore për emrin e vendit tonë dhe të kombit shqiptar.

Cilat mendoni se janë disa nga pikat ku duhet të ketë përmirësime në futbollin shqiptar, pavarësisht zhvillimeve të dukshme që ka pasur në vitet e fundit?

Kur themi ku duhet të përmirësohemi, duhet të dimë nga kemi ardhur: ka qenë vetëm një zyrë e katër punonjës – sot kemi Shtëpinë e Futbollit, një institucion për të gjithë ata që merren me këtë sport dhe jo vetëm; ka pasur vetëm një ligë (superiorja) e sot kemi disa kategori, madje futbolli fillon e organizohet që me moshat; janë paguar arbitrat 1 dollarë për ndeshje, sot kanë pagesa dinjitoze; Shqipëria për herë të parë në historinë e saj të futbollit ishte pjesëmarrëse në Euro2016 dhe të linte gjurmën e vet në atë kompeticion, me lojën dinjitoze në fushë, e festimet e jashtëzakonshme nëpër stadiumet e Evropës; Shqipëria sot prezantohet me presidentin e saj në Komitetin Ekzekutiv në UEFA, për herë të parë në histori; Shqipëria madje, arriti te fitojë edhe gjyqin në Lozanë për ndeshjen me Serbinë, pavarësisht lobimit të fortë të kundërshtarit … E kuptoni çfarë ka ndodhur vetëm në një dekadë? Ka emra të shumtë lojtarësh që na bëjnë krenar nëpër botë dhe janë pjesë e kombëtares së vendit tonë.

Ka gjëra për tu përmirësuar? Besoj se po. Dhe këto janë shkruar tashmë në planin 4-vjeçar të ardhshëm. Do të punohet fort për të masivizuar futbollin, për ta futur tek fëmijët; futbolli i femrave do të marrë një zhvillim të shpejtë. Siç u tha dhe në Asamble, tashmë FSHF do të investojë për uniformat për fëmijët, përveç infrastrukturës sportive. 100 fusha të reja është premtimi dhe të gjitha këto, do të bëhen në bashkëpunim me shtetin. Besoj dhe shpresoj, se me zgjedhjet e duhura, me strategjinë e qartë dhe me njerëz të devotshëm, do arrijmë ta çojmë në një tjetër stad lojën e bukur të futbollit.