Kryesore

Sfidat e Kryebashkiakut të ri në një bashki ‘problematike’/ Kush është Edison Memolla, i besuari i Partisë Socialiste që fitoi me rezultat rekord në Rrogozhinë

09:45 - 07.03.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Partia Socialiste zyrtarizoi më 28 janar të këtij emrat e 5 kandidatëve në garën për zgjedhjet e pjesshme vendore që do të mbahen në 6 bashki të vendit, ku për Bashkinë e Rrogozhinës vendosi për emrin e Edison Memollës.




Ky i fundit do t’ia shpërblente besimin selisë rozë, pasi nga rezultatet e zgjedhjeve të djeshme rezultoi se, Memolla mori besimin e 5401 qytetarëve të Rrogozhinës, ose 60.3% duke siguruar një fitore bindësi.

Në vend të dytë pasi Memollës u rendit kandidati i Lulzim Bashës, Ferdinand Saraçi me 1959 vota, dhe i treti Hekuran Xhani i ‘Shtëpisë së Lirisë’ së Sali Berishës me 1594 vota. Kjo është e vetmja bashki ku Lulzim Basha e ka mundur Sali Berishën.

Por, fushata e Memollës nuk do të kalonte aq paq, pasi vetëm disa ditë para zgjedhjeve, në media u publikua telefonata e kandidatit socialist, i cili ndërhynte për të mos ia ndërprerë energjinë një banoreje sepse është në muaj zgjedhjesh.

Në një bisedë telefonike dëgjohet një grua që i kujton kandidatit të Partisë Socialiste, Edison Memolla premtimin për mosndërprerjen e energjisë, në këmbim të votës për zgjedhjet e 6 marsit. Telefoni kalon tek elektricisti, të cilit Memolla i kërkon që të mos ia ndërpresë energjinë sa për këtë muaj. Vetë elektricisti pranon urdhrin, por thotë se e kanë gjobitur sepse nuk ka kryer punën e tij.

Megjithatë, duke parë rezultatin e thellë me të cilin ai fitoi këtë bashki, kjo duket se nuk ka pasur asnjë ndikim te qytetarët rrogozhinas, të cilët e votuan në masë Memollën, i cili u komandua nga selia rozë në detyrë pas vdekjes së kryetarit Haxhi Memolla.

Kujtojmë se Memolla ka rënë pre e një sulmi të dhunshëm ndaj tij në 26 prill të vitit të kaluar, një ditë pas zgjedhjeve të 25 prillit, teksa është dhunuar nga disa persona të paidentifikuar jashtë ambienteve të KZAZ numër 43 në Rrogozhinë.

Duhet thënë se, Memolla me rezultatin e marrë, ka përpara vetes një punë kolosale për të bërë në një bashki, menaxhimi i së cilës në vitet e fundit nuk është se ka shkëlqyer, madje jo pak herë edhe qeveria i ka tërhequr veshin drejtuesve të saj.

Ka qenë ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, e cila vërejti një muaj më parë se “Rrogozhina gjithë ujin e harxhuar ja faturon shtetit”, duke bërë thirrje për rritje të arkëtimeve.

Rrogozhina ka një komunitet çam të konsiderueshëm, i cili në të kaluarën ka qenë vendimtar për fitoren e njërës apo tjetrës palë, megjithatë tanimë topi është në dorën e Edison Memollës për të parë nëse do t’i japë një faqe të re kësaj bashkie të vogël e të varfër në Shqipëri.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.