EKONOMI

“Qeveria e papërgatitur për krizën, masat të pamjaftueshme”- Eksperti i ekonomisë: Pensionistët do humbin 4 % të fuqisë blerëse, qytetarët s’marrin asnjë lekë

14:22 - 15.03.22 K.K
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Eksperti i ekonomisë, Mateo Spaho ka deklaruar se Qeveria shqiptare ishte e papërgatitur për rritjen e çmimeve, por u zgjua vetëm nga protestat e qytetarëve. Në një intervistë për Gazetën “Panorama.al”, dekani i Fakultetit Ekonomik në Universitetin “Luarasi”, thotë se masat e marra nga Qeveria janë të pamjaftueshme.




Sipas tij, për të gjetur paratë për të mbështetur qytetarët, qeveria duhet të zvogëlojë në mënyrë drastike abuzimet, PPP dhe të gjitha pagesat dhe investimet pa tenderë.

INTERVISTA

Z. Spaho, prej 2 javësh në Shqipëri ka pasur një rritje të konsiderueshme të çmimeve, veçanërisht të karburanteve. Pse ka ardhur kjo rrije dhe sa u prekën xhepat e shqiptarëve?

Për sa u përket karburanteve, ne kemi një kosto shtesë të familjeve dhe bizneseve shqiptare, që tejkalon 50 milionë dollarë. Por kemi edhe një kosto shtesë prej 50 milionë dollarësh të tjera që vjen për shkak të rritjes së çmimit të grurit dhe lëndëve të tjera të para. Kjo gjë do të thotë që për një familje shqiptare, që sipas INSTAT-it, konsumon mesatarisht rreth 70 mijë lekë në muaj për ushqimin dhe transportin, nënkupton një rritje deri në 10 për qind, për shkak të rritjes së përgjithshme të kombinuar të karburanteve dhe të bukës, bashkë me të gjitha elementet që lidhen me mallrat e shportës, duke filluar nga qumështi, kosi, djathi dhe produktet e tjera. Pra, i gjithë zinxhiri i furnizimit, i transportit dhe prodhimit të produkteve përfundimtare janë të ndikuara.

Ngritja e qytetarëve në protesta kombëtare në mbarë vendin detyroi qeverinë të reflektojë. Me një VKM të posaçme, u ngrit Bordi i Transparencës, që vendosi çmimin tavan prej 217 lekësh për litër të naftës. Si e komentoni lëvizjen e qeverisë?

Fillimi i masave u mor parasysh vetëm në momentin kur qytetarët u ngritën në protesta që shkuan përtej partive politike, gjithëpërfshirëse dhe të lidhura me çështjet konkrete, si rritja e çmimeve. Qeveria me siguri ishte tërësisht e pavëmendshme ndaj rritjes së çmimeve. Vetëm pas protestave të shumta, bëri që qeveria të mendonte, më shumë sesa për vendin, për veten e vet. Ngitja e bordit të transparencës mua më bën pak për të qeshur, sepse besoj se ata njerëz që janë të ulur në bord ishin të ulur edhe më përpara në të njëjtat tavolina.

Unë do ta quaja bordi i mostransparencës, sepse në fakt më përpara ne nuk e dinim që ekzistonte ky bord. Vendosja e një çmimi tavan prej 217 lekësh për litër për naftën është një çmim shumë më i lartë se çfarë na sugjeron bursa ndërkombëtare dhe çmimet e fuçisë së naftës. Madje shumë më lart me aq sa ka qenë çmimi i naftës në Shqipëri kur kemi pasur çmime të tilla nëpër bursa. Në vend të 217 lekëve për litër, çmimi mund të ketë qenë te 197 lekë ose 203 lekë. Në një farë mënyre, në vend që ky bord të jetë një instrument në uljen ose kontrollin e çmimit, mundet që në mënyrë të gabuar të shërbejë si një instrument për ta mbajtur çmimin e lartë edhe atëherë kur bursat ndërkombëtare sugjerojnë ulje të çmimit. Këtë bord unë e shikoj si një mënyrë apo metodë për të shtrënguar radhët midis abuzuesve dhe jo për të dëgjuar zërin e qytetarëve.

Duhet ta themi që protesta pati një efekt për të shkundur qeverinë nga gjumi i ëmbël që kishte dhe nga muaji i mjaltit që kishte me një individ të caktuar që lidhet me hidrokarburet. Por të mos kemi iluzione, sepse tendenca për abuzime ka për të vijuar, sepse edhe vetë ky çmim shpreh një marzh fitimi tepër të lartë për kompanitë, që është qartazi një abuzim. Kryeministri Edi Rama sulmoi protestuesit duke i konsideruar si një pakicë e zhurmshme që i vjen turp që proteston për pasojat e luftës në Ukrainë dhe se asnjë vend nuk e ka bërë një gjë të tillë. Ju si e komentoni këtë deklaratë?! Personalisht e quaj jokorrekte, madje të turpshme, ndërhyrjen e një Kryeministri që instrumentalizon arsyen e protestës dhe që do t’i kalojë shqiptarët si antiperëndimorë, antiamerikanë, anti-NATO.

Në fakt, qytetarët shqiptarë janë ngritur për shkak të rritjes së çmimeve të arsyetuar dhe, më shpesh, të paarsyetuara. Edhe në vendet e tjera ka pasur rritje, por qytetarët nuk janë ngritur, jo sepse nuk kanë solidaritet me Ukrainën, por sepse i kanë pasur të qarta arsyet e rritjes së çmimeve dhe i kanë pasur qeveritë në dispozicion. Në Shqipëri kemi pasur rritje brenda ditës 2-3 herë të të njëjtit çmim, siç është ai i karburantit dhe qeveria flinte gjumë ose kishte futur kokën si struci nën rënë. Në këtë aspekt, ka qenë kjo që ka nxehur njerëzit dhe, me të drejtë, ka bërë që ata të ushtrojnë të drejtën e tyre qytetare për të protestuar dhe kërkuar llogari.

Qeveria ka ndërmarrë paketën e Rezistencës Sociale me 7 pika për përballimin e krizës ekonomike. Sipas jush, kush përfiton nga kjo paketë dhe a është ajo e mjaftueshme për përballimin e çmimeve të sotme në treg?!

Qeveria është gjetur tërësisht e papërgatitur ndaj kërkesave të qytetarëve në raport me krizën ndërkombëtare dhe se çfarë pasojash do të kishte ajo për Shqipërinë. Nëse vijmë te pikat që lidhen me masat konkrete, unë do të thosha që një rritje me 2.5 deri në 3 për qind e nivelit të pensioneve, kemi vetëm një indeksim të pensioneve me një normë inflacioni të një viti normal, ndërkohë që norma e inflacionit në Shqipëri ka shkuar deri në 7 për qind. Me këtë, qeveria nuk po ruan as fuqinë blerëse të dobët të pensioneve shqiptare. Pra, edhe me këto masa, pensionisti shqiptar do të humbë mesatarisht së paku 4 për qind të fuqisë së tij blerëse. Për sa i përket uljes së taksave për të ardhurat personale apo rrogat e individëve, doja t’u kujtoja që individët do të marrin të njëjtën rrogë. Atë çfarë unë e konsideroj si risi është ajo e rritjes nga 9 në 14 milionë dollarë të kompensimit për bujqit, me 5 milionë dollarë më shumë dhe që është tepër e vogël. Në fakt, kjo është shumë larg ende si masë për t’i vënë bujqit shqiptarë në të njëjtat situata me ata të rajonit.

Kjo pasi ndihma në këto vende ndaj bujqësisë është 10-fish më e madhe në raport me atë të vendit tonë. Në fakt, këto masa, pjesa më e stërmadhe ishin të parashikuara në buxhetin e shtetit dhe thjesht janë vendosur që të zbatohen 2-3 muaj më parë, sa për të thënë që qeveria po bën diçka, sepse sasia e parave dhe impakti që ato kanë në ekonominë shqiptare është shumë i vogël. Totali i vendimmarrjes ose lehtësimit të taksave, i rritjes së pensioneve, i rritjes së ndihmës për bujqësinë, po të merren të gjitha se bashku, nuk janë 0.3-0.5 për qind e PBB. Pra, ne kemi një rritje të çmimeve me 7 për qind dhe qeveria mbulon vetëm 0.3 deri në 0.5 për qind. Kjo është shumë e vogël e bërë vonë, e bërë keq dhe tërësisht e pamjaftueshme.

Me gjendjen që ka sot ekonomia shqiptare, sa mund ta përballojë ajo këtë krizë dhe nga çfarë rreziku kërcënohet?!

Familjet shqiptare dhe vendi ynë, edhe në raport me vendet e tjera, ka një numër të varfërish që jetojnë me më pak se 5 dollarë në ditë që janë afro 40 për qind e popullsisë. Ata që jetojnë me më pak se 5 dollarë në ditë, nënkuptojnë familje me 6 persona që jetojnë me më pak se 60 mijë lekë në muaj. Në Shqipëri, 35 deri në 40 për qind e familjeve janë në këtë situatë sipas vetë INSTAT-it. Pra, nëse rritet çmimi me 7-8 për qind të mallrave dhe shërbimeve, goditja që këto familje do të kishin do ishte tepër e lartë. Një familje shqiptare shpenzon rreth 70 mijë lekë për ushqim. Niveli i varfërisë do të rritej ndjeshëm dhe një pjesë e mirë, gati 10 për qind e popullsisë, do të ishte kandidate për t’u bërë e varfër. Ka ardhur momenti që të zvogëlohen në mënyrë drastike abuzimet, PPP-të dhe të gjitha pagesat dhe investimet që bëhen pa tenderë në Shqipëri. Vetëm në këtë mënyrë mundet të gjenden lekët që të ulen taksat atje ku duhet, duke filluar nga mallrat e shportës, të ketë kontroll dhe t’i jepet një ndihmë reale domethënëse bujqësisë, që ajo të jetë konkurruese në rajon


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.