20 vite me pare

20 VITE MË PARË/ Gazeta Shqiptare: Meta Kryetar Partie. President?… Nisi Pazari, çfarë fshihet pas Paktit që firmosi dje Kryesia e PS

07:00 - 04.04.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 4 Prill  2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare” dy dekada më parë




Nisi Pazari, çfarë fshihet pas Paktit që firmosi dje Kryesia e PS. Nano President. Meta Kryetar Partie

 Nano President. Meta Kryetar Partie

Cilat janë gjashtë pikat e firmosura dje unanimisht nga Kryesia e PS. Kush janë emrat e 4 ndërmjetësve që bënë të mundur fillimin e marrëveshjes mes dy “armiqve” në PS. Gazeta publikon sot dy versionet që njerëzit e Metës i kanë ofruar Fatos Nanos për të pranuar pazarin. Cili do të jetë tani fati i Kryeministrit Pandeli Majko dhe çfarë ka biseduar ai me Kryetarin e PS pak çaste para fillimit të mbledhjes së djeshme të Kryesisë. Berisha e Meidani shumë pranë zhgënjimit

 Nano President, Meta kreu i PS

Platforma e Ruçit kthehet në Pakt Stabilitet

Nano e Meta duket se kanë gjetur një zgjidhje që kënaq ambicjet politike të të dyve. Kreu i PS pritet të ketë mbështetjen e ish-kryeministrit për t’u zgjedhur president, ndërkohë që Nano do t’i hapë rrugën Metës për t’u zgjedhur kryeministër. Ky kompromis është ndërmjetësuar nga katër vetë mes të cilëve Edi Rama e Ben Blushi, ndërkohë në mbledhjen e djeshme të kryesisë është aprovuar me unanimitet të plotë dokumenti i “armëpushimit”, në të gjashtë pikat e të cilit pasuesit e metës tërhiqen nga kërkesa për të votëbesuar kryesinë dhe zhvillimin e një kongresi të jashtëzakonshëm, ndërsa pasuesit e Nanos shtyjnë për gati një vit e gjysmë mbajtjen e referendumit.

 Gjithçka u kristalizua dy ditë më parë. Meta në prani të Blushit, Ramës dhe dy personave të tjerë ka hedhur idenë se ishte i gatshëm të mbështeste kandidaturën e Nanos për president me kushtin që t’i hapet rruga për t’u zgjedhur në kongres kryetar i PS. Ai ka kërkuar që ky mesazh t’i përcillet kryetarit aktual të Partisë. Nanos duket se i ka volitur ky propozim. Megjithatë shumë prej mbështetësve të tij kanë shprehur dyshime se çfarë do ndodhë me PS në rast të një varianti të tillë kompromisi. Në këto rrethana shumë gjëra kanë ngelur pezull. Para fillimit të mbledhjes Nano është takuar kokë më kokë me Majkon. Një tjetër skemë e mundshme e paktit Nano – Meta do të ishte që ky i fundit të zgjidhej kryeministër, ndërsa kryetari i PS të zgjidhej një i tretë. Gjithsesi në mbledhjen e djeshme të kryesisë, për herë të parë që prej më se një viti, është aprovuar një dokument me konsensusin e të gjithë anëtarëve. Mbledhja nisi me shqyrtimin e propozimit të Ruçit, i cili në mbledhjen e kaluar kishte kërkuar bllokimin e iniciativave që dy grupet kanë ndërmarrë kundër njëri – tjetrit. Pas sekretarit të përgjithshëm, fjalën e mori Petro Koçi. Ai tha se “PS ka nevojë për një pakt politik”. Më pas sekretari organizativ lexoi dokumentin që kishte përgatitur për këtë kompromis. Të gjithë janë shprehur dakord me idenë e paktit. Çfarë do bëhet me referendumin, ishte tema e vetme që ngjalli më shumë debat. Koçi këmbëngulte që ai duhet të zhvillohet, por bëri të ditur se tezat e këtij votimi mund të ndryshohen. Nano ka ofruar si zgjidhje idenë që kjo të vendoset gjatë zgjedhjeve që do bëhen në çdo organizatë të PS. Ai propozoi që nëse do kërkohet të bëhet referendum ai të zhvillohet pak para kongresit të radhës, çka do të thotë në tetorin e vitit 2003. Kjo datë duket se i ka kënaqur të gjithë. Më pas sekretarët janë tërhequr bashkë me Nanon për të formuluar paktin. Tekstin e tij e kanë hartuar kryesisht Ruçi e Koçi dhe më pas Nano ia ka lexuar gjithë kryesisë. Gjithsesi në këtë dokument, ashtu si dhe gjatë mbledhjes nuk thuhet asnjë fjalë për pazarin e mundshëm Nano – Meta. Pas përfundimit të mbledhjes, Nano, Meta e Ruçi deklaruan secili se kompromisin e arritur nuk e konsideronin si një fitore personale. “Gjithkush humbi atë që kishte të tepërt”, tha Nano.

Berisha e Meidani humbësit nga Pakti

Meidani dhe Berisha janë dy politikanët që dalin të humbur nga pakti që është arritur dje në mbledhjen e Kryesisë së PS. Presidenti aktual i kishte varur shpresat tek mbështetja e Metës si e vetmja rrugë për t’u zgjedhur sërish kryetar i shtetit. Por ai duket se kishte harruar se tani nuk ka se çfarë mund t’i ofrojë Metës. Ky i fundit duket se e kënaq ambicjen e tij nëse Nano lë bosh vendin e kryetarit të PS. Berisha është gjithashtu i zhgënjyer. Ai e ndihmoi Metën për të hequr qafe prokurorin e përgjithshëm me idenë se kriza e brendshme në PS ka vetëm një fund të pashmangshëm, zgjedhjet e parakohshme. Por pakti i arritur dje, nëse do jetë i qëndrueshëm, e bën të pavlefshëm këtë strategji të Berishës. Në këto rrethana, pritet se cili do jetë reagimi i presidentit dhe ish-presidentit, sepse që të dy prisnin të korrnin frutet nga sherri i vazhdueshëm mes Nanos e Metës. Gazeta kishte paralajmëruar se Berisha po rrezikonte tepër duke ndihmuar Metën kundër Nanos.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.