Kryesore

Përse i duhet Edi Ramës një “teatër politik” për presidentin? 5 arsye dhe një batutë e Paulin Sterkajt në grupin e PS

18:33 - 21.04.22 G.SH.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Epike, ndërhyrja e deputetit socialist, Paulin Sterkaj, në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit parlamentar të PS. “Ç’na ke mbledhë si nxënës shkolle me laps e letër përpara?! Na jepni emrin ta votojmë e të mbarojmë punë!”, tha me gjysmë-shaka ai

Duhet një president, i cili “mjafton të jetë normal”. Kjo është teoria e hedhur në qarkullim së fundi, e zbuluar nga kryeministri dhe e përsëritur vazhdimisht nga shumë të tjerë.




Çfarë do të ishte një president “normal”? Një president nga rradhët e PS-së, nga shoqëria civile apo i propozuar nga opozita dhe i zgjedhur me konsensus në Kuvend?

Një president “normal” në krye të herës është një president mesatar. Një individ i cili nuk duhet t’i bëjë hije kryetarit të PS-së që drejton qeverinë dhe shtetin prej 9 vitesh.

“Mjafton një president normal” është një teori, e cila synon ta reduktojë pritshmërinë ndaj kreut të shtetit në një kandidat të tipit “një njeri që të rrijë urtë. Të shohë punën e tij e të mos sjellë andralla”.

Me gjasë, kreu i ri i shtetit do të jetë dikush me identikitin fiks siç e përcakton Rama. Një “njeri normal” dhe asgjë më tepër.

Reduktimi i kërkesave për pasardhësin e Ilir Metës e ngre stekën e kërkesës pak më lart se zero. Dukshëm, në këndvështrimin e PS-së dhe Edi Ramës, presidenti duhet të jetë një njeri “mesatar”.

Por, Edi Rama është njeri i “colpo di scena”, i “suspense” dhe i “show”-t.

Me gjithë këto fjalë të huaja, duket një fjali e ndërlikuar. Dhe ndoshta me kast, Edi Rama po e ndërlikon edhe vetë procesin.

Ai po realizon “konsultime” me grupin parlamentar të PS, me shoqërinë civile, me një pjesë të opozitës dhe me popullin nëpërmjet adresës së e-mailit [email protected].

Çfarë produkti do të ketë ky proces, ndërkohë që PS-ja i ka votat për ta zgjedhur vetë presidentin?

Me gjasë, kemi të bëjmë me një farsë.

Përfaqësuesit socialistë e kanë përsëritur vazhdimisht se ata mund ta zgjedhin kreun e shtetit me votat e tyre. Madje Taulant Balla u shpreh pak kohë më parë se ka ardhur koha për një president socialist. E në fakt, ka të paktën 20 vite, që PS-ja nuk ka një president të vetin. I fundit ishte Meidani, mandati i të cilit përfundoi më 2002.

Po pse i duhet Edi Ramës, ky teatër i madh politik me negociata dhe përpjekje për konsensus?

Ç’nevojë ka që deputetët e PS-së të propozojnë me “letra sekrete” e në mënyrë anonime 3 kandidatë, kur dihet se letrat e këtij “Këshillimi Partiak” do të përfundojnë në koshin e plehrave?

E para, i hidhet hi syve opinionit publik se PS do të zgjedhë një “president popullor”, por u detyrua të zgjedhë një “president socialist”, pasi opozita nuk dha konsensus.

E dyta, i hidhet hi syve komunitetit ndërkombëtar, që Edi Rama nuk është një drejtues autoritar, por përkundrazi, ai e dëgjon zërin e popullit, të opozitës, të shoqërisë civile, të deputetëve të PS-së e kështu me rradhë.

E treta, me këtë proces “justifikohet” emërimi i një marionete të Ramës në Presidencë me alibinë se ky, nuk ishtë vullneti i tij, por pasojë e dështimit të procesit për faj të të tjerëve.

E katërta, thellohet më shumë përçarja e opozitës, duke i hedhur kocka iluzive herë Alibeajt e herë Mediut se ata do të jenë “faktorë” në këtë proces. Ishte qesharake të dëgjojë Edi Ramën sot në parlament t’i drejtohej me respekt maksimal Fatmir Mediut, të cilin PS-ja e akuzon si një nga përgjegjësit e vdekjes së 26 vetave në Gërdec. Siç e përsërit prej vitesh Arian Çani, Edi Rama është një “aktor” i klasit të parë. Aktrim dhe respekt i rremë ishte ajo që tregoi sot duke iu referuar gjithë mirësjellje kryetarit të PR, si “ju, zoti Mediu”. Pra, Rama po bën diversion brenda opozitës dhe ky diversion po i funksionon.

E pesta, hiqet vëmendja përkohësisht nga shpallja “non-grata” e aleatit të tij Aqif Rakipi dhe nga afera e nxehtë e inceneratorëve.

Në fund të këtij teatri që parashikohet të zgjasë rreth 1 muaj e gjysmë nga dita e sotme, Edi Rama do të nxjerrë nga xhepi i xhaketës emrin e presidentit të ri në raundit e katërt dhe t’i vërë gjithë deputetët e vet ta votojnë në rresht atë “president normal”.

Në një situatë ideale, pritshmëria për presidentin e ri nuk duhet të jetë thjesht një “njeri normal”. Shqipërisë i duhet një drejtues që të njohë funksionimin e shtetit, të njohë legjislacionin, marrëdhëniet institucionale. Një president që ta përfaqësojë me dinjitet interesin kombëtar në forumet rajonale dhe europiane dhe jo një buratin që rend pas liderëve botërorë për një fotografi.

Por, me sa duket, për të patur një president të tillë duhet të presim akoma.

Epike, ndërhyrja e djeshme e deputetit socialist, Paulin Sterkaj, në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit parlamentar të PS.

“Ç’na ke mbledhë si nxënës shkolle me laps e letër përpara?! Na jepni emrin ta votojmë e të mbarojmë punë!”, iu drejtua ai me gjysmë-shaka kolegëve socialistë.

Por, Edi Rama ka plane të tjera në kohë.

Për atë, forma është përmbajtja. Ndaj, “the show must go on”.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.