Kryesore

Shfaqja me Presidentin/ Përse po i tall Edi Rama të gjithë me “procesin” e konsultimeve?

08:25 - 29.04.22 G.SH.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kryetari i PS po i dëgjon dhe po u merr një mendje të gjithëve, në mënyrë që nesër, kur të miratojë emrin surprizë, askush të mos thotë se “nuk u respektua procesi”

Për 7 vite me rradhë, që nga 2009 deri në 2016 Ben Blushi bëri një betejë të cilën nuk e fitoi dot.




Ai kërkoi një garë e cila nuk iu ofrua, kërkoi zbatimin e statutit të partisë, i cili iu refuzua. Ish-deputeti i PS-së nuk e fshehu asnjëherë ambicien për t’u zgjedhur në krye të partisë.

Por, Edi Rama nuk pranoi të hapte garën në vitin 2013, vit kur i mbaroi mandati 4-vjeçar i kryetarit, me alibinë se kryetari i PS që fiton zgjedhjet, nuk ka nevojë të votohet në forumet e partisë se votëbesimin ia ka dhënë populli.

Madje Rama shpiku një referendum më 2016 me pyetjen absurde “a duhen bërë zgjedhje në PS?” Dhe PS asokohe në pushtet, natyrisht u përgjigj JO.

“Për çfarë duhen bërë farsat me kandidatura të sajuara, se me demek kemi zgjedhje për kryetarin pasi PS fiton zgjedhjet në popull. Është farsë nuk ka asnjë vlerë. Ne menduam të heqim dorë nga farsa dhe hoqëm dorë”, deklaronte Rama.

Ky ishte kryeministri dhe kryetari i PS-së që në plotfuqinë e tij s’e kishte për gjë të injoronte statutin dhe forumet e partisë.

Kjo situatë sot ka ndryshuar.

Edi Rama është tjetërsuar në një politikan burokrat i cili ka rënë në dashuri me procedurën. Mbledhje kryesie, mbledhje Asambleje, Këshillim Kombëtar, votim me zarfe për Presidentin. Thënë ndryshe, Dialog me Shqipërinë.

Edi Rama i sotëm ka mësuar nga gabimet e paraardhësit të tij në parti, Fatos Nanos që e akuzonin pikërisht se nuk mblidhte forumet, nuk pyeste askënd, nuk konsultohej me bashkëpunëtorët, nuk zbatonte statutin etj.

Ai e ka mësuar shkëlqyeshëm dhe po zbaton me përpikmëri sentencën që procesi formal është po aq i rëndësishëm, në mos më shumë, se produkti i këtij procesi.

Sot, në sytë e publikut po zhvillohet një “show” i mirëfilltë me procesin e zgjedhjes së presidentit.

Letra me zarfe për deputetët e PS-së, votim me e-mail nga publiku i gjerë, konsultime me shoqatat e shoqërisë civile.

Shfaqja groteske bëhet akoma më e plotë dhe e besueshme kur futen në lojë individë të opozitës, si Mediu apo Alibeaj, të cilët në fakt e legjitimojnë dhe e bëjnë serioze shfaqjen.

Për t’u shitur si “faktorë të rëndësishëm” opozitarë, individë të caktuar në opozitë pranojnë të bëhen pjesë e tryezave pa produkt.

Të gjithë janë të vetëdijshëm se Edi Rama do të zgjedhë president, njeriun që ka në kokë.

Paradoksalisht, të gjithë pranojnë të bëhen pjesë e teatrit presidencial.

Të gjithë duken të lumtur, forumet e PS-së sepse po pyeten formalisht, opozita se po begeniset me konsultime, shoqëria civile që del në TV dhe faktori ndërkombëtar që në raportet klishe do lavdërojë procesin demokratik të zgjedhjes së presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Në fund, kur shfaqja të mbarojë dhe perdja të bjerë, në raundin e katërt të votimit në Kuvend, Edi Rama do të votojë pasardhësin e Ilir Metës. Ai do të zgjedhë atë njeri, i cili do të zgjidhej njësoj, sikur asnjë nga proceset e mësipërme të mos zhvillohej fare dhe shfaqja të mos ish vënë në skenë.

Po pse po e bën Edi Rama këtë? Sepse kur të dalë emri, askush të mos ketë gojë ta kontestojë, sepse pati “proces” dhe “u dëgjua zëri i të gjithëve”.

Duke mos i lënë asgjë rastësisë dhe që shfaqjes t’i marrë maksimumin politik në interesin e tij, Edi Rama organizon komunikime me gazetarët pikërisht në çastin kur hoxha nis të thërrasë ezanin në Natën e Kadrit. Ai ndalon komunikimin, pret që hoxha të përfundojë ezanin dhe pastaj vazhdon të flasë për procesin e rëndësishëm të zgjedhjes së kreut të shtetit. Sepse pavarësisht të gjithave “the show must go on”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.