Kryesore

Presioni politik ndaj SPAK/ Fatmir Xhafaj: Sulmi vjen nga “frika e ndëshkimit prej mëkateve korruptive”

12:43 - 10.05.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

I konsideruar si një prej arkitektëve të sistemit të ri të gjyqësor, Fatmir Xhafaj ka dhënë një intervistë ku shpjegon se përse po sulmohen strukturat e drejtësisë së re në këto momente nga politika. Në një intervistë që tingëllon si përgjigje për sulmet që kryeministri Rama po i bën SPAK, Xhafaj u del në mbrojtje prokurorëve, madje i nxit të vazhdojnë më tej.




Ai shpjegon se akuzat vijnë nga ajo pjesë e politikës që ka frikë se ndëshkohet për mëkatet e korrupsionit dhe se politika po sheh që nuk po e kontrollon dot sistemin e ri të drejtësisë.

“Nuk jam i surprizuar aspak, padyshim kritikat do shtoheshin dhe ashpërsoheshin. S’kam pasur iluzione ndryshe kur e nisëm këtë proces kompleks, por përkundrazi. Kundërshtarëve të shumtë në nisje të këtij procesi kryesisht nga politika, tashmë u janë shtuar edhe të prekurit e reformës, nga radhët e vetë sistemit, individë nga politika që po ju preket pushteti e kontrolli mbi sistemin, persona të mbërthyer nga frika e ndëshkimit prej mëkateve korruptive të shumta në këto tri dekada, por edhe individë nga një pjesë e biznesit e medias së lidhur me botën e mëkatit korruptiv. Padyshim edhe presioni i përhershëm nga krimi i organizuar një pjesë e të cilit jo vetëm është fuqizuar financiarisht, por edhe politikisht për shkak të lidhjes së interesave midis tyre. Pra është zgjeruar rrethi i njerëzve të prekur, të frikësuar dhe shqetësuar nga drejtësia e re pasi tashmë kanë kuptuar më mirë se çfarë është duke ndodhur me këtë realitet të ri dhe kryesorja me pamundësinë e kontrollit ndaj tyre si dikur. Natyrisht e gjithë kjo rrit presionin mbi sistemin e institucionet e reja të drejtësisë, shton përpjekjet për të deformuar e kontrolluar atë, përmes ndikimit apo edhe krijimit të perceptimit negativ mbi reformën, si dhe institucionet e reja të drejtësisë. Kjo është realisht për t’u vlerësuar e reflektuar nën gjykimin tim” thotë Xhafaj.

Pak ditë më parë, kryeministri Rama sulmoi prokurorët e SPAK se nuk hetojnë Sali Berishën dhe Ilir Metën, por vazhdojnë të godasin korrupsionin vetëm në njërën anë. SPAK ka çuar pas hekurave ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri për trafikun e drogës, ish-Ministrin e Mjedisit, Lefter Koka për aferën e inceneratorëve dhe ish-deputetin Alqi Bllako për të njëjtën çështje. Pas këtyre arrestimeve, kryeministri Rama ka shfaqur pakënaqësi për punën e SPAK, por Fatmir Xhafaj e sheh ndryshe panoramën.

Sipas tij, këto arrestime janë shembujt e parë dhe në muajt në vazhdim do të ketë të tjera.

“Kemi shembujt e parë të goditjes së korrupsionit në nivelet e larta si sinjale të para pozitive me shpresën se mund t’i jepet goditje e fortë dhe aq e shumëpritur fenomenit të pandëshkueshmërisë korruptive për politikanët dhe zyrtarët e lartë; Këto e të tjera janë risi e arritje të prekshme. Natyrisht gjendemi ende në proces konsolidimi, por jemi në rrugën e mbarë. Jam i bindur se në muajt dhe vitet në vijim do të mund të shohim rezultate akoma më domethënëse” ka thënë Xhafaj në intervistën për Tema.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.