DOSSIER

20 VITE MË PARË/ Gazeta Shqiptare: Intervistë/ 19-vjeçarja nga Divjaka tregon për “princin” me të cilin do fejohej dhe pse e refuzoi Alfredin. Angjelina: Ju rrëfej dashurinë time

07:00 - 12.05.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

12 maj 2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare” dy dekada më parë




Angjelina

Masakra e Divjakës: “Të nesërmen do fejohesha”

“Unë e kisha një të dashur”

Vajza e plagosur tregon nga spitali historinë që ishte mbajtur e fshehtë edhe pas tragjedisë. Kush ishte djaloshi nga fshati fqinj me të cilin kishte vendosur të lidhte jetën. Intimitetet e 19-vjeçarës që dje mësoi lajmin e keq për dy prindërit. Alfred Shani tenton sërish vetëvrasjen. Mjekët e ndalojnë. Ja detajet

Intervistë/ 19-vjeçarja nga Divjaka tregon për “princin” me të cilin do fejohej dhe pse e refuzoi Alfredin

Angjelina: Ju rrëfej dashurinë time

“Atë ditë prindërit e tij do më kërkonin në familje”

 

 

Lina, vajza e mbijetuar e masakrës së Divjakës, ka pranë kokës së krevatit të madh të spitalit romanin “100 vjet vetmi” të Markes. Vetmisë së saj në dhomën e madhe dhe me erë klorofili, dje iu shtua dhe dhembja për humbjen e prindërve. Dikush kishte guxuar për t’i thënë mbi gjëmën e ndodhur. Ka një fytyrë tej mase të bardhë. Rreth thonjve të gishtërinjve të saj të hollë është mpiksur gjaku.

Kush është Ai, Lina?

(Me shumë sforcime buzëqesh). Ai është një shoku im, nuk ka rëndësi emri, por ai është djali që unë kam dashur dhe dua në të vërtetë. Ai është miku im më i mirë. Tani po pres të më marrë në telefon.

Të ka marrë gjatë këtyre ditëve?

Më merr pothuajse çdo ditë dhe i vjen keq që nuk mund të vijë, të jetë këtu me mua. (Shtrëngon fort në dorë aparatin e vogël, gri). Ai gjatë gjithë kësaj kohe e dinte se çfarë më kishte ngjarë, bile dinte dhe se çfarë i kishte ngjarë familjes sime. Ai më ka ndenjur shumë pranë.

Na tregon dot pak për të?

I dashuri im është nga fshati ngjitur me Divjakën, është nga Miza. Tani nuk është në Shqipëri, vazhdon të jetë në Itali, ku jeton prej 7 vjetësh. I ngjan pak Tanit(burrit të motrës së saj). Është 27 vjeç dhe në Itali punon në ndërtim”.

Sa kohë keni që njiheni bashkë?

U bë kohë tani. E kam njohur fare rastësisht. Ai kishte ardhur në Divjakë së bashku me disa miq të tij italianë dhe më pyeti se ku e kishte shtëpinë një i njohuri i tij. Unë ia tregova dhe e fiksova si fytyrë. Më pas ai erdhi një ditë që të hante në lokalin e tim eti, ku unë zakonisht shërbeja si kameriere. Pas asaj dite erdhi dhe ditë të tjera dhe ne filluam që të flisnim me njëri-tjetrin. Pastaj Ai u largua dhe gjatë gjithë kohës ne kemi folur në telefon për çdo gjë dhe kishim bërë dhe planet tona”.

Ç’plane kishit bërë bashke?

Ne e kishim lënë që të fejoheshim. Natën e Pashkës prindërit e tij do të vinin të takonin prindërit e mi dhe ne do të fejoheshim zyrtarisht. Por pastaj dihet se çfarë ndodhi, dhe ata nuk patën kohë që të vinin të kërkonin dorën time.

Prindërit ishin në dijeni të planeve të tua?

Edhe prindërit e mi, dhe prindërit e tij e dinin se ne të dy donim të fejoheshim. Unë ua kisha thënë prindërve të mi, se njerëzit e tij do të vinin të më kërkonin në shtëpi natën e Pashkës. (Shtrëngoh herë pas here sytë fort dhe i përmban lotët).

Prandaj kishin ardhur motra dhe dhëndëri nga Italia?

Kjo ishte njëra nga arsyet, pastaj ata erdhën edhe për të festuar së bashku me ne Pashkën. Po u kisha thënë edhe atyre se natën e Pashkës, njerëzit e tij do të vinin në shtëpinë tonë.

Po Alfredi e dinte që t’i do të fejoheshe?

Nuk e kam idenë se çfarë dinte ai apo çfarë mund të kishte marrë vesh. Nuk e di, nuk e di.

Po Ai do të vijë të të takojë?

Tani nuk vjen dot, sepse ka pak probleme me leje qëndrimin në Itali dhe, po të lëvizë tani nga Italia, vështirë se mund t’i bëjë më dokumentet. E pastaj, po të kthehet, çdo të bëjë në fshatin e tij, çfarë do të punojë? Pastaj edhe para se të më ndodhte kjo (dhe lëviz pak kokën anash), ai nuk do të vinte dot së bashku me prindërit e tij për të më kërkuar për nuse, për të njëjtën arsye që nuk vjen dot tani, kur unë jam në spital.

Pra, e keni vendosur të fejoheni?

Po. Ne kemi kohë që po mendojmë diçka të tillë dhe, sipas asaj çka më ka thënë në telefon, gjithë kjo që më ndodhi nuk do të ndikojë në vendimin tonë. Unë besoj se do të fejohemi, sapo të dal nga spitali”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.