

Është shoqëruar me momente tension seanca e sotme plenare, teksa protagonistë kanë qenë deputetët e opozitës.
Deputeti i PD-së Edmond Spaho dhe deputeti Gazmend Bardhi janë parë teksa flisnin dhe debatuan ashpër me njëri-tjetrin.
Në video shihet kur në karrigen që është i ulur Gazment Bardhi afrohet Jorida Tabaku, Tritan Shehu dhe Edmond Spaho.
Në këto momente mes Spahos dhe Bardhit shihet debati i ashpër, ku janë përdorur dhe fjalët:
“zhduku”, “s’të vjen turp”, “palaço”.
Mësohet se, Edmond Spaho i është drejtuar Gazmend Bardhit me fjalët:
Je shpifës, gënjeshtar dhe legen që thua që vila 760 mije euro është e njërit nga katër deputetët Noka, Shehu, Spaho, Leskaj.
Ndërkohë, Tritan Shehu nga ana tjetër është ngritur nga vendi i tij, ndërsa diçka ka diskutuar me Gazment Bardhin.
Për disa minuta u ndërpre dhe raportimi i drejtorit të Agjencisë të Sigurimit të Depozitave.
“Zotërinj deputetë ju lutem vijojmë me raportimin”, tha kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla më pas.
Shkaku i sherrit mes tyre është bërë deklarata e bërë një ditë më parë në emisionin ‘Open’ të gazetares Eni Vasili nga Gazment Bardhi që tha se një nga deputetët e Rithemelimit “ka një vilë që kushton 760 mijë euro” dhe i ka akuzuar si peng të Edi Ramës.