AKTUALITET

Dyndja e markave të hoteleve pas lehtësimit nga taksat, a ka vend për të gjitha?!

07:10 - 14.05.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Seria e marrëveshjeve që disa grupe biznesi vendase nënshkruan me marka ndërkombëtare hoteliere, nga viti 2018 e në vazhdim, u përqendrua fillimisht në kryeqytet. Por tashmë këto emra po shkojnë drejt bregdetit, me projekte në zbatim, ose struktura ekzistuese. Po vendosen me radhë në Lezhë, Gjirin e Lalëzit, Vlorë dhe akoma më në Jug, ku ka një vëmendje të lartë me projekte më luksoze ende në ndërtim.




Vrullin e prekjes së tregut shqiptar nga një numër i konsiderueshëm markash, e ngadalësoi disi pandemia. “Marriott”, “pas ngrirjes së planeve”,  pritet të hapë dyert këtë gusht, teksa më herët ishin “Radisson” dhe “MK Hotel” që nisën aktivitetin. Në zbatim mbeten projekti në marrëveshje me “Hyatt”, si dhe ai për “Novotel”.

Sipërmarrësit nuk shohin rrezik mbingopjeje në Tiranë sa u takon kapaciteteve, duke vlerësuar se ka ende hapësira, pasi mbetemi larg niveleve të rajonit. Gjithsesi, ata nënvizojnë se qeveria duhet të fokusohet te promovimi i vendit dhe tërheqjes së të huajve, jo vetëm gjatë sezonit veror, por për një turizëm gjithëvjetor nga i cili mund të përfitojnë të gjithë.

Në vitin 2018, qeveria miratoi një paketë fiskale lehtësuese për nxitjen e hoteleve me 4 dhe 5 yje marka ndërkombëtare në vend. Katër vite më pas, emrat që kanë hyrë në tregun shqiptar janë të shumtë, kryesisht me kontrata franchising, ku biznese vendase kanë marrë të drejtën e përdorimit të emrit nëpërmjet marrëveshjeve.

Ata paguajnë për këtë emër, tarifa të rëna dakord paraprakisht, ndërkohë që duhet të garantojnë cilësinë dhe standardin e markës që kanë marrë të drejtën të përdorin. Për të garantuar këtë cilësi, markat ndërkombëtare janë angazhuar në trajnimin e vazhdueshëm të stafeve në strukturat akomoduese shqiptare.

Tirana pati, fillimisht, përqendrimin e emrave “marka” në vitet e para, me marrëveshje të njoftuara në seri pas largimit të bujshëm të “Sheraton”, në vitin 2017. Angazhimi me një markë ndërkombëtare erdhi si për struktura ekzistuese, ashtu edhe për projekte që gjatë rrugës, për shkak të lehtësive që sillte paketa e qeverisë, pësuan metamorfozë. Përjashtim nuk bënë as projekte që nisën si të tillë dhe janë ende në zhvillim.

Fillimisht do të ishte “Hilton Garden Inn Tirana”, marka e parë ndërkombëtare që do të hynte në tregun shqiptar. Më vonë do të ishte “Hotel Plaza”, në qendër, që do të njoftonte se kishte hyrë në një marrëveshje me markën gjermane “Maritim”.

Ajo që ndodhi më pas ishte një seri marrëveshjesh të deklarua nga bizneset vendase, me marka ndërkombëtare të tilla si ajo e grupit Kastrati me “Hyatt”, “BOLV Group” dhe “Balfin” me “Accor” për marka të ndryshme hotelesh, “Concord Investment” me “Melia Group” apo marrëveshja e një tjetër grupi shqiptar për “Radisson”.

Një tjetër markë është “Marriott”, e cila erdhi në Shqipëri pas një marrëveshje me kompaninë “AlbStar”, teksa në bregdet “Lura” sh.p.k solli “Movenpic” në Gjirin e Lalëzit, tashmë në funksion.

Por në çfarë faze janë sot këto struktura akomoduese që mbajnë mbi vete marka ndërkombëtare, ku për një pjesë të tyre, rrugëtimi nisi nga viti 2018?

Markat drejt bregdetit, në Lezhë dhe Vlorë  hyn “Maritim”

Numri i markave ndërkombëtare në bregdet mbetet ende i kufizuar, por interesi, sidomos në dy vitet e fundit, ka qenë i dukshëm. Në Gjirin e Lalëzit, vitin e shkuar nisi aktivitetin hoteli “Mövenpick”, një markë që bën pjesë në portofolin e “Accor”.

Esmeralda Doçi, administratore e strukturës, shprehet se zgjedhja posaçërisht e kësaj marke erdhi duke pasur parasysh profilin e pushuesve në Gjirin e Lalëzit, që janë kryesisht familjarë. Struktura me 80 dhoma pati një sezon të mirë turistik vitin e kaluar, pavarësisht kufizimeve të COVID-19. Sipas znj. Doçi, interesi është në rritje edhe për këtë vit dhe parashikohet që të jetë një sezon shumë më i mirë.

Grupi “Melia” ndodhet gjithashtu në Gjirin e Lalëzit, falë një marrëveshje me “Concord Investment” dhe struktura ndodhet në kompleksin “San Pietro”.

Dy struktura të tjera në bregdet kanë hyrë gjithashtu në marrëveshje me markën gjermane “Maritim”. E para ndodhet në Vlorë. Ishte “Marina Bay” ajo që vendosi marrjen e një marke vitin e shkuar. Struktura sot njihet si “Maritim Resort Marina Bay”, me 69 dhoma dhe 27 suita. Këtë vit, një tjetër resort, i cili operon prej vitesh, me emër të konsoliduar në zonën e Lezhës, “Rafaelo”, duket se ka zgjedhur “Maritim”.

Dhërmi e Palasë, në ndërtim hotele me 5 yje marka ndërkombëtare

Vitet në vijim pritet të kenë dinamikë të shpejtë të zhvillimit të projekteve në struktura akomoduese me 4-5 yje marka ndërkombëtare. Ndër vite, fokusi kryesisht ka qenë drejt ndërtimit të vilave, por në zbatim janë edhe disa projekte hotelesh, që pas vetes mbajnë marrëveshje me marka ndërkombëtare.

Një rast i tillë është ai i grupit BALFIN,  i cili është angazhuar për të ndërtuar të parin “MGallery Hotel” në Palasë, ku ka zhvilluar edhe projektin “Green Coast”.

Ardiana Sokoli, zëvendëspresidente e Grupit BALFIN për Pasuritë e Paluajtshme, shprehet se ky projekt vjen si pjesë e marrëveshjes me “Accor” dhe do të ketë 118 dhoma e suita luksoze. Punimet për këtë projekt pritet të përfundojnë në vitin 2024 dhe sipas znj. Sokoli, efekti i pranisë së markave ndërkombëtare në treg është vetëm pozitiv.

“Prania e emrave të rëndësishëm ndërkombëtarë pritet ta afirmojë më tepër Shqipërinë në hartën e turizmit global. Përveç rritjes së standardeve të cilësisë së shërbimit të ofruar dhe këtu, pa diskutim, vihet theksi në trajnimin e burimeve njerëzore. Prania e markave ndërkombëtare parashikohet që të sjellë edhe zgjatjen e sezonit turistik të verës, një sfidë e vërtetë për Shqipërinë”,- nënvizon znj. Sokoli.

Përveç kësaj strukture në Palasë, pritet të zërë vend edhe një tjetër hotel, në një projekt të zbatuar nga “Concord Investment”. “Hotel Palasa Beach”, Anëtare e “Meliá Collection” është një projekt në zhvillim dhe parashikohet të ketë 142 dhoma dhe suita. Po kështu do të ketë të përfshira vila.

Një tjetër emër këtë herë, i vendosur në Dhërmi, është “Radisson Blu Resort”, i cili parashikohet që të përfundojë vitin tjetër. Hoteli, i cili vjen si investim i sipërmarrësit Julian Morina, do të ketë 157 dhoma dhe suita në përbërje të tij.

Shtohen markat ndërkombëtare në Tiranë, pas “MK Hotel Tirana”, i fundit “Radisson”

Numri i strukturave akomoduese, marka ndërkombëtare, është rritur në kryeqytet. Në prill të këtij viti, gjatë një ceremonie të rastit, hapi dyert “Radisson Collection Morina Hotel Tirana”.

Struktura është një hotel me 5 yje, në anë të Liqenit të Thatë në Tiranë dhe i bashkohet një grupi jo të vogël strukturash tashmë në funksion. Më herët, pas dy vitesh pezullim të aktivitetit, për shkak të pandemisë, edhe “Hilton Garden Inn” njoftoi rikthimin.

“Hilton Garden Inn Tirana” ishte i pari, i cili njoftoi se nuk do të priste vizitorë për një afat të pacaktuar që nisi nga prilli i vitit 2020.

Gjatë rrugës u bashkuan edhe sipërmarrje të tjera, siç ishte rasti i “Hotel Tirana”, i cili e ndaloi “mikpritjen” për një kohë më të shkurtër. Ndërkohë që “Hilton Garden Inn” duket se rihapi dyert për vizitorët në fillim të prillit, duke i dhënë zë kësaj edhe në rrjetet sociale. Në vitin 2020, kompania raportoi një humbje prej 41 milionë lekësh, për shkak të mbylljes së aktivitetit.

Të ardhurat e gjeneruara ishin 38 milionë lekë, 6 herë më të ulëta sesa në vitin paraardhës, kur qarkulloi 230 milionë lekë. Edhe pse viti 2019 ishte pozitiv, ai gjithsesi ishte 53% më pak sesa të ardhurat në vitin 2018. Në vitin 2018, rrjeti i hoteleve “Hilton” hyri në tregun shqiptar nëpërmjet “Hilton Garden Inn Tirana”, pas negociatave që kishin nisur nga viti 2014, me sipërmarrësin Ali Selmani.

Në vitin 2021, një tjetër markë që hapi dyert ishte “MK Hotel”, pjesë e rrjetit të hoteleve “MK Hotels”, pronë e “Lindner Group SE”. Hoteli ndodhet pranë qendrës së biznesit “Tirana Business Park”. Sipas përfaqësuesve të saj, që nga qershori i vitit 2021, ecuria ka qenë pozitive dhe ndikim në këtë aspekt ka dhënë edhe rritja e fluturimeve nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës me të cilin struktura ka afërsi.

“Maritim Hotel Plaza”, Tiranë, është në funksion prej disa vitesh, por si mbajtës i një marke ndërkombëtare ka më pak se tre vjet. Pandemia e ndikoi strukturën, e cila në atë periudhë kishte vetëm 6 muaj që kishte marrë të drejtën e markës në marrëveshje me gjermanët e “Maritim”.

Sipërmarrësi Behar Male shprehet se e ka të vështirë të vlerësojë sot efektet pozitive të markës, pasi dy vitet e pandemisë kanë qenë me kufizime, por pranon se trajnimet e stafit që bëhen nga të huajt kanë qenë një ndihmë e madhe për biznesin e tij.

Pas “ngrirjes” nga COVID-19, “Marriott Tirana” hap dyert këtë gusht, në pritje marka të tjera

“Tirana Marriott Hotel” do të hapë dyert në gusht të këtij viti, thuajse katër vite nga njoftimi se do kishte një strukturë hoteliere në vendin tonë, konkretisht pranë kullës së stadiumit të ri “Air Albania”. Planet e kompanisë “ngrinë” gjatë pandemisë.

I pyetur nga “Monitor” në atë kohë, rrjeti hotelier u shpreh se do të fokusohej te mbajtja hapur e strukturave që kishte në funksion tashmë kudo në botë, duke pezulluar përkohësisht hyrjet në tregjet e reja. Sektori i akomodimit ishte ai që u godit më fort, sidomos gjatë vitit 2020, duke e bërë të vështirë operimin, madje disa struktura vendosën pezullimin e përkohshëm të tyre. Por duket se tashmë me kthimin në normalitet, “Marriott” i është rikthyer objektivit të vet për të hyrë edhe në tregun shqiptar.

Kompania ka bërë njoftimin mbi hapjen në faqen zyrtare të saj për Shqipërinë, duke dhënë detaje mbi lehtësitë që do të ofrohen. Kulla ku është vendosur “Marriott” është 140 metra e lartë, e strukturuar në 24 kate dhe afërisht do të ketë 150 dhoma.

Por në zhvillim në kryeqytet janë edhe projekte të tjera për marka ndërkombëtare hotelesh. Një prej tyre është marrëveshja e nënshkruar mes “BOLV Group” dhe “Accor”, për një strukturë nën markën “Novotel”. Olsi Çukaj, zëvendëspresident i “BOLV Group” shprehet se mbeten në angazhuar për të çuar deri në fund këtë projekt. Ai pranon se pandemia ka ndikuar disi edhe në ngadalësimin e ritmit për hapjen e strukturës.

Nga ana tjetër, në kryeqytet, pritet të hapet një strukturë si pjesë e marrëveshjes së grupit “Kastrati” me “Hyatt”, për “Hyatt Regency Tirana”. Nga grupi “Kastrati” nuk pati ndonjë koment lidhur me ecurinë e projektit në pyetjet e dërguara nga “Monitor”, por në faqen e “Hyatt”, hera e fundit kur është përmendur projekti në Shqipëri i takon dhjetorit të vitit 2020, ku mes një liste të gjatë projektesh në zbatim nënvizohet edhe ai në Tiranë. Konkretisht specifikohet se projekti me 151 dhoma është në zbatim.

A rrezikon tregu i “markave” mbingopje në kryeqytet

Hapja e strukturave akomoduese në marrëveshje franchaise me marka ndërkombëtare duket sikur ka krijuar një numër të madh kapacitetesh në Tiranë, por për sipërmarrësit kjo nuk shihet si rrezik për mbingopje. Behar Male, nga “Maritim Hotel Plaza”, shprehet se Shqipëria sot ka ende hapësirë për këtë rritje.

“Tregu i turizmit ka të bëjë me rritjen në tërësi të ekonomisë, infrastrukturës dhe gjithë standardeve të vendit, duke filluar nga portet, aeroportet, infrastruktura rrugore, mjekësore dhe ajo e sigurisë. Rritja e gjithë këtyre do të çojë në rritjen e sektorit të turizmit dhe besoj se Tirana në veçanti, por edhe i gjithë vendi, ka potencial për t’u rritur dhe për të shkuar të paktën në nivelet e rajonit.

Këtu kam parasysh Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. Nuk po them të krahasohemi me Kroacinë dhe Greqinë, por të paktën të shkojmë në nivelet e vendeve të tjera të rajonit. Nëse shkojmë aty, jemi mirë dhe mendoj se kemi ende shumë rezerva për të shkuar në nivelet e tyre.

Në këtë prizëm, këto struktura akomoduese mund të kalojnë në krizë, jo për shkak se po shtohet numri, por nëse nuk vazhdojnë të rriten elementet e tjera. Rritja e tyre, mendoj se shkon në linjë me rritjen e strukturave akomoduese”, – shprehet z. Male.

Të njëjtën linjë mban edhe Olsi Çukaj nga “BOLV Group”. Sipas tij, rritja e kapaciteteve akomoduese në kryeqytet nuk duhet të përbëjë problem, nëse nga qeveria ndiqet një strategji e qartë për promovimin e vendit, gjë që tërheq interesin e të huajve për vendin tonë.

“Lidhur me rritjen e kapaciteteve, mendoj se ka treg për të gjithë, vetëm nëse Shqipëria bëhet e pëlqyeshme nga tregu ndërkombëtar, që do të thotë që të huajt të kenë arsye të forta të vijnë në Shqipëri.

Në këtë kontekst, mendoj se duhet të punohet për të zhvilluar elemente të tjera, në funksion të kthimit të Shqipërisë në një destinacion tërheqës, gjë që nënkupton se duhet të promovohet dhe lobohet për organizime të ndryshme eventesh të lidhura me artin, kulturën, sportin, konferenca ndërkombëtare.

Rolin kyç në këtë aspekt, mendoj se duhet ta luajë shteti, duke zhvilluar qartë strategji, të cilat kanë në thelb rritjen e interesit të të huajve drejt Shqipërisë në harkun gjithëvjetor”, – nënvizon z. Çukaj.

Edhe për përfaqësues të “MK Hotel”, rritja e kapaciteteve akomoduese në Tiranë është “shenjë pozitive për të bërë të mundur tërheqjen e aktiviteteve të ndryshme, të cilat kërkojnë një numër të madh dhomash në qytet”.

Paketa e qeverisë për hotelet me 4 dhe 5 yje, si u lehtësuan nga taksat

Paketa fiskale e vitit 2018 kishte në fokus nxitjen e hoteleve me 4 dhe 5 yje dhe të gjithë ata që përfitonin statusin special do të kishin edhe trajtim special në taksa.

Hotelet me status kanë zero taksë infrastrukture, që zakonisht për Tiranën është sa 8% e vlerës së investimit, po kështu u zerua tatimfitimi për 10 vjet, si dhe u bë ulje e TVSH-së në 6% për furnizimin e shërbimeve të tjera që ofrohen në hotel, përveç shërbimit të fjetjes që vlen për gjithë sektorin.

Në momentet e fundit, qeveria shtoi edhe një tjetër lehtësi, që ishte përjashtimi nga taksa mbi ndërtesën për “Hotel me pesë yje, status special”, sipas përcaktimit në legjislacionin e fushës së turizmit. Përfitimi mund të bëhet vetëm për subjektet që marrin status special.

Por cilat janë kushtet për të përfituar këtë status? Me një vendim tjetër, qeveria përcaktoi se kushti i parë ishte vlera e investimit. Vlera e parashikuar e investimit është të paktën 8 milionë euro për ndërtimin e strukturës akomoduese me 4 yje dhe të paktën 15 milionë euro, për ndërtimin e strukturës akomoduese me 5 yje.

I njëjti vendim përcaktonte se subjekti duhet të investojë në ndërtimin e një strukture akomoduese me 4 ose 5 yje, në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, siç janë të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi dhe struktura e ndërtuar të certifikohet si e tillë nga struktura përgjegjëse.

Subjekti duhet të ketë të lidhur kontratë të vlefshme gjatë gjithë kohëzgjatjes së statusit, me një operator menaxhues të strukturave akomoduese me 4 ose 5 yje, status special, i cili plotëson kriteret e mëposhtme ose, në rastin kur aplikuesi do të menaxhojë vetë këto struktura, ai duhet të paraqesë dokumentacionin që vërteton plotësimin e këtyre kritereve:

“Nëse aplikon për statusin special për 4 yje, të ketë investuar në ndërtimin dhe/ose menaxhon të paktën 5 (pesë) struktura akomoduese në fushën e turizmit, të cilat janë të licencuara me 4 dhe/ose 5 yje nga autoritetet kompetente për këtë licencim të vendeve ku ndodhen strukturat akomoduese dhe nëse aplikon për statusin special për 5 yje, të ketë ndërtuar dhe/ose menaxhon të paktën 5 (pesë) struktura akomoduese në fushën e turizmit, të cilat janë të licencuara me 5 yje nga autoritetet kompetente për këtë licencim të vendeve ku ndodhen strukturat akomoduese;

Këto struktura akomoduese janë në pronësinë direkte të aplikuesit dhe/ose operatorit menaxhues, ose administrohen nga ata nëpërmjet kontratave të menaxhimit, të qirasë, të kontratave frachising apo të ngjashme me to. Strukturat akomoduese ndodhen në të paktën 3 vende të Bashkimit Europian.

Në rastet kur strukturat akomoduese nuk ndodhen në të paktën 3 vende të Bashkimit Europian, atëherë aplikuesi duhet të ketë investuar në ndërtimin dhe/ose menaxhon të paktën 8 (tetë) struktura akomoduese në fushën e turizmit, të cilat janë të licencuara me 4 apo 5 yje (sipas rastit) nga autoritetet kompetente për këtë licencim të vendeve ku ndodhen strukturat akomoduese, të cilat ndodhen në destinacione ndërkombëtare të turizmit.

Monitor

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.