BOTA

NATO vihet në lëvizje/ Fillon dialogu sekret midis gjeneralëve rusë dhe ukrainas për të shmangur luftën totale

10:51 - 14.05.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Përtej kërcënimeve të vazhdueshme të Kremlinit, dhe tragjedive të pashmangshme në një luftë të përgjakshme, një fill shumë i hollë shprese ka filluar të shfaqet së fundmi në horizont. Dhe ai po bashkon Moskën me Kievin. Fjala është për çeljen e një linje sekrete të komunikimi që hapet dhe mbyllet herë pas here midis oficerëve të lartë rusë dhe ukrainas.




Gjeneralë me shumë spaleta mbi supe, të cilët e kanë të lehtë të pranojnë kontakte të tilla profesionale. Sepse i bashkon diçka e pashlyeshme: e kaluara e përbashkët. Ndarja e njërës prej përvojave kryesore të stërvitjes për një ushtar: Akademia.

Tek e fundit deri në vitin 1991, shkollat e luftës ishin unike për rusët dhe ukrainasit. Kjo përvojë, përbën për shumë njerëz një përkatësi që nuk mund të harrohet. Në disa raste ato kishin krijuar miqësi. Tani ato kujtime përfaqësojnë një “çelës” për të hapur dhe mbajtur të tillë një kanal komunikimi që është në gjendje të transmetojë mesazhe dhe të hyjë në negociata, nga Moska në Uashington përmes Kievit. Sepse në një mënyrë a tjetrën, ky lloj komunikimi arrin deri në kupolën e qeverisë ruse dhe të strukturës ushtarake amerikane. Dihet tashmë se strukturat amerikane janë shumë aktive në ndihmën dhe orientimin në front të trupave të Zelenskit.

Edhe në selinë e NATO-s në Bruksel, kanë filluar që të vlerësojnë efektivitetin e këtyre kanaleve të komunikimit. Është e qartë që ky nuk është një modalitet formal. Por mund të jetë i dobishëm për marrjen e sinjaleve apo për zgjidhjen e çështjeve neutrale ndaj luftës.

Për shembull, një provë mund të jetë sasia e madhe e misrit të bllokuar në Odesë. Vendosja e kushteve që ato mallra të largohen nga porti ose përmes hekurudhave është në fakt e mundur vetëm nëse ka një marrëveshje midis 2 ushtrive. Një lloj armëpushimi – që askush nuk do ta quante të tillë për momentin – të përkohshëm dhe “të qëllimshëm” vetëm për të nisur jashtë vendit dërgesat me grurë dhe misër.

Vëmendja ndaj kësaj nevoje, është tani shumë e madhe nga ana e të gjitha palëve në këtë konflikt. Mjafton të thuhet që BE-ja nisi të enjten zbatimin e një plani të jashtëzakonshëm për transportin e 20 milionë tonëve drithëra nga Ukraina, të cilat rrezikojnë të kalben ose të shkatërrohen nëpër magazina, dhe janë jetike për të shmangur një krizë ushqimore me përmasa globale.

Prandaj pa një koordinim me drejtuesit e ushtrive, gjithçka bëhet më e ndërlikuar, për të mos thënë e pamundur. Jo vetem kaq. Rëndësia e kësaj “linjë të komunikimit” shtohet edhe më shumë, sepse tabloja e luftës e përshkruar nga të gjitha raportet e NATO përkufizohet aktualisht si një “ngërç”.

Sipas raportimeve të fundit, prej ditësh asnjë nga palët, duke filluar nga trupat ruse, nuk ka arritur të shënojë ndonjë përparim të dukshëm.

Kjo situatë përfshin tre rreziqe. E para ka të bëjë me kohëzgjatjen e konfliktit, që duket i destinuar të jetë i gjatë. E dyta ka të bëjë me popullsinë: në një fazë të këtij lloji, tendenca është sigurimi i fushëbetejës pa llogaritur shumë qytetarët. Madje edhe nga pala ukrainase përkundër qytetarëve rusisht-folës.

E treta ka të bëjë me probabilitetin e një incidenti: sa më shumë ditë që kalojnë, aq më e madhe është mundësia e një ngjarjeje të paparashikuar dhe të pavullnetshme. Për shembull, ditët e fundit është shmangur për pak përplasja midis avionëve në kufijtë midis Rusisë dhe vendeve të NATO-s, sidomos në Rumani.

Mjafton vetëm një menaxhim jo i saktë i provokimeve, një gabim në llogaritjen e hapësirës ajrore, dhe gjithçka mund të përshkallëzohet. Në çdo marrëdhënie, ky është një shqetësim i madh. Dhe linjat e kontaktit cilësohet edhe si valvula e fundit e sigurisë në rastet e emergjencës.

Aq më tepër nëse vendimet e ardhshme të Putinit, do të shtonin më tej tensionet. Në rast se Moska do të vendosë të rrisë praninë e saj në Donbas, duke planifikuar të pushtojë të gjithë brezin bregdetar ukrainas të Detit të Zi, atëherë përqindja e rrezikut do të ishte më e madhe.

Nuk është rastësi që pyetjet që kanë filluar t’i bëjnë vetes shtabet ushtarake, kanë të bëjnë me pasojat e një aksidenti të mundshëm. Në cilat zona do të derdhje hakmarrja ruse? Pas kërkesës formale për anëtarësim në NATO, Finlanda sigurisht po përjeton një situatë alarmante.

Por mbi të gjitha vendet baltike: Lituania, Estonia dhe Letonia. Gjithashtu për shkak të enklavës ruse të Kaliningradit, qendra nervalgjike e çdo operacioni të mundshëm ushtarak rus kundër Evropës. Pra nën presion, do të ishte edhe Italia. Në veçanti për shkak të bazave të rëndësishme të NATO-s që ndodhen në territorin tonë.

Për të gjitha këto arsye, aleatët evropianë vështirë se do të mund të heqin dorë nga furnizimet me armatime ndaj ushtrisë ukrainase. Shmangia e degjenerimit të luftës – sipas analizave që shoqërojnë diskutimet mes anëtarëve të NATO-s – kalon nga rezistenca e ukrainasve.

Çdo hap i mëtejshëm i ushtrisë ruse drejt kufijve perëndimorë, i rrit shanset për incidente. Por përtej përpjekjes diplomatike, Italia nuk duhet ta ndalë ndihmën ushtarake, dhe do ta përqendrojë atë në 3 lloje furnizimesh. E para është e një natyre teknologjike: shenjues lazer, instrumente me definicion të lartë, avionë spiunë.

E dyta është “artileria e fushës”: topat e vjetër por të fuqishëm 155 mm FH70, që po dhurojnë Britania e Madhe dhe vende të tjera. E treta janë mjetet e blinduara: të famshmit “Lince”, që në të kaluarën i janë shitur edhe Rusisë.

Furnizimet ndaj Ukrainës bëhen edhe më thelbësore, pasi prej ditësh në selinë e NATO-po rritet dyshimi se Kina ka filluar ta ndihmojë Moskën me armë. Pjesë këmbimi dhe municione. Prandaj, kjo linjë kontakti midis zyrtarëve të lartë mund të rezultojë të jetë një nga kundërmasat më efikase për të shmangur spektrin e një konflikti global dhe siç kërcënoi edhe Dmitry Medvedev, nënkryetar i Këshillit rus të Sigurimit, “një luftë bërthamore gjithëpërfshirëse”.

“La Repubblica.it”

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.