OPINION

Me sytë tek turizmi

09:27 - 14.05.22 FATOS ÇOÇOLI
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dy vjet më parë, turizmi shqiptar, si kudo në botë, gjendej në vdekje klinike. Pronotimet të anulluara në 98%. 1.2 miliardë euro të humbura në më pak se një vit mars-dhjetor 2020. Në këto muaj të parë të këtij viti, vetëm në mars, vendin tonë e vizituan 62 përqind turistë të huaj më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Më shumë turistë do të thotë më tepër punë dhe më tepër konsum. Veprimtarët turistikë e cilësojnë këtë vit një hap më shumë drejt normalitetit. Lehtësimi i kufizimeve në udhëtim dhe kthimi në një rregjim gati normal trajtimi të vizitorëve janë ndër faktorët kryesorë që do ta bëjnë turizmin shqiptar të këtij viti edhe më pozitiv se viti turistik normal 2019, përpara tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit. Faktorët e tjerë janë rritja e çmimeve dhe oferta turistike e destinacioneve tona, që është ndër më të lirat në rajon. Ekspertët e turizmit besojnë se kriza shëndetësore që patëm botërisht nga pandemia e Covid-19 do të rezultojë në një turizëm më të fortë mjedisor dhe në këmbësorizimin e qyteteve. E këtu vendi ynë ka shumë për të ofruar. Drejtimi më i ri turistik është rekuperimi i hapësirës për këmbësorët. Qyteti “antropocentrik”, njerëzor dhe i ecshëm, promovon si thelbësore që qytetarët dhe turistët të kenë hapësira për të ecur. Një qytet i ecshëm dhe i gjelbër përmirëson shëndetin e atyre që ecin nëpër rrugët e tij, duke shmangur një mënyrë jetese ulur, duke ulur ndotjen dhe duke kufizuar hapësirën për makinat. Investimet e viteve të fundit, sidomos në qendrat e qyteteve tona, i kanë bërë “më të ecshme” ato. Polakët ishin i vetmi grup turistësh të organizuar që prej vitesh frekuentonin bregdetin shqiptar, përmes turizmit të organizuar dhe nuk munguan edhe gjatë pandemisë. Tregje të tjera të Europës Lindore iu bashkuan këtij grupi, si ukrainasit dhe bjellorusët, ndërkohë që grupet e turistëve nga Rusia dhe Serbia u rritën po ashtu në dy vitet e fundit. Nordikët, gjermanët dhe disa grupe të tjera, që po krijonin traditë me turizmin e organizuar në zonën e Golemit, por edhe në Sarandë, për shkak të kufizimeve në udhëtim nga COVID-19, munguan si në 2020 edhe në 2021. Operatorët turistikë shprehen optimistë se ky vit do të jetë edhe viti i tyre. Ata thonë se kontratat janë mbyllur gjatë korrikut dhe gushtit të vitit të kaluar për vitin 2022 dhe të parët që i rinovuan janë polakët. Agjencitë tona partnere kanë bërë vërejtjet e tyre për sa i takon sezonit që lamë pas, por më së shumti kanë qenë të kënaqur, gjë që ka rritur volumin që përfshijnë kontratat. Edhe pse tregu ukrainas, për shkak të agresionit të Putin dhe tragjedisë së popullit ukrainas, është i mbyllur dhe ai rus në rënie, kjo do të ketë pak ndikim në numrin e vizitorëve për këtë vit.  Ne duhet te bejme kujdes me problematikat qe i kemi patur perhere. Veprimtarët turistikë shprehen të shqetësuar nga inertet nga shembjet apo punimet e hapura nëpër qytete. Biletat e kripura të muzeve tona janë të rritura me 40 përqind! Papastërtitë e shumta që ende shëmtojnë mjediset e destinacioneve, rrugët dhe qendrat e qyteteve jane bërë tashmë gangrenë. Grumbullimet e mbeturinave duhet të pushojnë së qeni një tipar tejet negativ i turizmit tonë! Kemi veçanti të mrekullueshme për ta zëvendësuar këtë shëmti, si mikpritjen, bukuritë natyrore dhe ushqimin e freskët, të shëndetshëm e bio.  Ne na duhen vizita te dedikuara te autoriteteve tona te turizmit ne Beograd dhe Dubai, nje paketë unike kombëtare për promovimin ndërkombëtar të destinacioneve. Qeveria duhet të investojë realisht 10 milionë euro çdo vit per turizmin (premtim i socialisteve perpara 25 prillit 2021). Agroturizmi po ashtu duhet të mbështetet jo vetëm financiarisht, por edhe me harta, rrugë, infrastrukturë lokale dhe promovim unik. Edhe ky është një premtim i socialistëve tashmë për herë të tretë në pushtet. A do ta mbajnë?




 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.