KULTURË

Një dialog i frikshëm hetusie për Oswald Spenglerin në kohën e diktaturës

10:00 - 16.05.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ndriçim Kulla – Ndërsa po lexoja për jetën e Henry Kissinger-it para se të botoja në shqip librin e tij “A ka nevojë Amerika për një politikë të jashtme”, mësova që Kissinger-i kur ishte këshilltar i sigurisë kombëtare i Presidentit Nixon, i kishte dhuruar këtij librin e Spengler-it “Rënia e Perëndimit”, me një shënim ku i thoshte se ky libër do ta ndihmonte të kuptonte sesi manifestohen ngjarjet e rëndësishme.
Në tezën e tij të doktoraturës, me titull “Kuptimi i historisë”, Kissinger-i e kishte përmendur në mënyrë aprovuese Spengler-in. Kolegu dhe miku i Henry Kissinger-it, studiuesi dhe profesori i Harvard-it Stanley Hoffman ka thënë me shaka për Kissinger-in se: “Henry me melankolinë e tij duket sikur bart shpirtin e Spengler-it.”
Jam i detyruar që t’ ia përmend edhe një herë emrin profesorit Nicholls për të thënë se ai mendimin e sjellë më lart për Spengler-in e ka thënë në një studim të titulluar “Thomas Mann and Spengler”. Një provë se kundërshtarët e Spenglerit vazhdojnë të mbështeten te Thomas Mann-i.
Pikërisht në vitin 1924, kur Thomas Mann-i shkruante esenë e tij të sipërpërmendur kundër Spengler-it, Francis Scott Fitzgerald-i do të shkruante në një letër të tij se ai e kishte lexuar librin e Spengler-it “Rënia e Perëndimit” gjatë vitit 1924 në kohën kur po shkruante romanin e tij të njohur “Getsbi i Madh”. Fitzgerald-it i kishte bërë aq shumë përshtypje libri i Spengler-it sa tha që Spengler-i dhe Marx-i ishin të vetmit filozofë modernë të cilët kishin kuptim në këtë rrëmujë të tmerrshme, siç e quante ai mendimin filozofiko-politik të kohës së tij.
Kjo listë me emra të mëdhenj të cilëve iu ka bërë përshtypje të madhe Spengler-i dhe veçanërisht libri i tij kryesor “Rënia e Perëndimit” mund të bëhej edhe shumë më e gjatë, por kaq mjafton për limitin e tekstit të kësaj eseje që po i bashkëngjitet librit të Spengler-it si parathënie. Në këtë listë zë vend edhe Faik Konica, i cili ka shkruar në esenë e tij të vitit 1929 që kam përmendur më lart:
“Mbarova këto ditë së kënduari volumin e dytë të librit të filosofit gjerman Osvald Spengler ‘Der Untergang der Abendlandes’, e këndova në përkthimin inglisht me titullin ‘The Decline of the Ëest’, që u botua katër a pesë muaj më parë. Shumë e gjykojnë librin e Spenglerit si veprën më të thellë që ka dalë në shesh në këto pesëdhjetë vjetët e fundit. Sa për mua besoj se pjesa e qojtur ‘Filosofi e politikës’, e cila formon si një libër të veçantë përbrënda një libri më të gjerë, është vepra më me rëndësi e shkruar gjer sot mbi këtë temë ose mi tema të afërme, pa përjashtuar as veprën e madhe të Platonit ‘Politeia” (Konica përmend me titullin në origjinal, greqisht veprën e Platonit të përkthyer në shqip dhe gjuhë të tjera me titullin ‘Republika’- shënim nga N.K.).
Faik Konica mund të quhet si nismëtari i përkthimit të librit “Rënia e Perëndimit” në gjuhën shqipe me fragmentin që ka përkthyer në esenë e tij të sipërpërmendur.




Kur shikon njeriu datën e lindjes dhe atë të vdekjes së Spengler-it nuk mund të mendojë se ai ishte i destinuar për të qenë fatalist dhe pesimist, filozof i dekadencës dhe rënies si dhe profet i katastrofave. Spengler-i ka lindur në 29 maj, në ditën e fundit tragjike të një perandorie dhe kulture, asaj bizantine. Në 29 maj 1453 Konstantinopoja, kryeqyteti bizantin u pushtua nga turqit osmanë. Spengler-i ka vdekur në 8 maj, ditën kur Gjermania do të kapitullonte në Luftën e Dytë Botërore, në 1945. (Data e kapitullimit njihej si në 9 maj në ish-Bashkimin Sovjetik dhe në Rusi për shkak të ndryshimit të orës në Moskë.)
“Rënia e Perëndimit” është një libër i veçantë, madje mund të quhet unik. Përmbajtja e tij mund të përshkruhet përmbledhtas kështu: Në vëllimin e parë të këtij libri jepet një teori për shpjegimin e së shkuarës së njerëzimit, të botës, ndërsa në vëllimin e dytë jepet një teori për parashikimin e së ardhmes së njerëzimit, të botës. Një nga pretendimet e Spengler-it ishte që të parashikonte të ardhmen në vija të përgjithshme, si atë afatshkurtër ashtu dhe atë afatgjatë. Në vitin 1921 Spengler-i parashikoi se Gjermania nuk do të nxirrte një tjetër Goethe, por do të nxirrte një Cezar. Dhe Hitleri erdhi në pushtet dymbëdhjetë vjet më vonë.
“Rënia e Perëndimit” është një nga ata libra që e sfidojnë lexuesin që e merr në dorë. Kërkojnë vëmendje të shtuar prej tij. Kërkojnë që t’u rikthehet fjalive dhe paragrafëve të caktuar. Por është një libër tërheqës, një libër që të ofron një këndvështrim unik për botën. “Rënia e Perëndimit” nuk është një libër që lexohet me lehtësi, por nuk duhet marrë me frikë. Me shumë prej lexuesve shqiptarë që do ta marrin në dorë këtë libër mund të ndodhë që të pësojnë një lloj ngërçi intelektual duke e lexuar atë.
Branko Merxhani, i cili në vitet ’30 të shekullit të kaluar në artikujt e tij në gazetat dhe revistat e kohës solli në mënyrë divulgative për lexuesin shqiptar mendimin e shumë autorëve të rëndësishëm ndërkombëtarë, filozofë, sociologë, historianë e anashkaloi Spengler-in ndonëse si njeri me kulturë gjermane që ishte e njihte mirë atë. Me sa duket Merxhani mendonte që lexuesi shqiptar kishte nevojë që të piqej para se të takohej me Spengler-in. Por sot kur ka kaluar rreth një shekull që nga koha kur Branko Merxhani ishte në dilemë nëse duhej t’ia ofronte ose jo mendimin e Spengler-it lexuesit shqiptar, duhet menduar se ky lexues ka arritur pjekurinë e nevojshme për të përballuar sfidën shpengleriane.
Vangjel Koça ia përmend emrin Spengler-it në një artikull të tij të botuar në 1930 në shtypin shqiptar të kohës, duke e quajtur një nga filozofët politikë më origjinalë dhe më të shquar por vetëm kaq.
“Rënia e Perëndimit” mund t’i duket lexuesit të gjerë në pamje të parë si një libër i vështirë për t’u kuptuar dhe i ndërlikuar. Por “Rënia e Perëndimit”, ndonëse është një libër i ndërlikuar, ndryshe nga ç’mund të duket në pamje të parë, nuk është një libër i rëndë, akademik. “Rënia e Perëndimit” i përket atij lloji librash për të cilët lexuesi i gjerë duhet të ketë një lloj udhëzuesi paraprak, si të thuash të ketë “çelësin” për të hapur portat e tij, apo një lloj “filli” për t’u orientuar në “labirint”.
Para së gjithash lexuesi duhet të dijë se, megjithëse “Rënia e Perëndimit” është një libër jo i lehtë për t’u kuptuar, një libër që kërkon vëmendje të rritur gjatë leximit, nuk duhet të trembet nga kjo gjë, por ta shohë si një sfidë në përfundim të së cilës do të gjejë kënaqësi kur ta kalojë me sukses. Lexuesit e marrin në dorë këtë libër me ndjenjën e gabuar të frikës, si ai që merr në dorë një pajisje të ndërlikuar për ta përdorur. Por kur ta kenë lexuar librin e Spengler-it lexuesit do të shohin se frika e tyre ka ardhur nga miti i krijuar rreth këtij libri dhe nuk ka të bëjë me përmbajtjen e tij.
Lexuesit që e marrin në dorë këtë libër dhe kanë një paragjykim të gabuar për të për shkak të mitit të krijuar për librin presin që në faqet e tij të shtjellohet ndonjë sistem i ndërlikuar për shpjegimin e historisë së njerëzimit në të kaluarën dhe në të ardhmen. Në të vërtetë libri kërkon të vërtetojë se një metodologji e tillë aq e përhapur në filozofinë dhe historiografinë gjermane dhe evropiane të kohës ishte e gabuar.
E reja që solli Spengler-i me teorinë e tij është se ai e pa kulturën si një organizëm, që lind, zhvillohet, plaket dhe vdes sipas një modeli natyror që për të ishte i krahasueshëm me dukurinë e ndryshimit të stinëve natyrore. Autori pra, propozon një sistem fare të thjeshtëzuar të cilin e zbaton mbi kulturat e ndryshme të njerëzimit duke treguar se si ecën procesi i tyre organik. Një kulturë lulëzon në “pranverën” e saj, piqet në “verën” e saj, nis rënia e saj në “vjeshtën” e saj, dhe ky proces përmbyllet në “dimrin” e saj.
Nëse Spengler-i do ta kishte paraqitur këtë teori në një ese dhe nuk do të kishte shkruar një libër të vëllimshëm duke vërtetuar teorinë e tij me një pafundësi të dhënash, është e sigurt që libri i tij nuk do të kishte bërë aspak bujën që bëri dhe teorinë e tij do ta kishin përçmuar si infantilizëm intelektual, si një përrallë për të rritur. Por ajo që e bëri autoritar librin e Spengler-it është argumentimi titanik që ai i bëri teorisë së tij me një pafundësi argumentesh nga historia botërore që nga lashtësia deri në kohën kur u botua libri i tij.
Bota akademike gjermane e kohës, por edhe ajo ndërkombëtare e shikonte me të drejtë këtë libër si thyerje të metodologjisë së saj. Spengler-i e shkroi këtë libër pikërisht si sfidë ndaj kësaj bote akademike që e kishte përçmuar atë. Spengler-i ishte një outsider në raport me botën akademike gjermane, me ata dijetarët hijerëndë me tituj dhe grada shkencore librat e të cilëve përbënin dijen elitare. Spengler-i ngeci në përpjekjen e tij për t’u ngjitur në shkallët e hierarkisë akademike gjermane dhe kjo ngecje i ndodhi që në shkallët e ulta të saj.
Në botën akademike gjermane të kohës kishte një hierarki të ndërlikuar me shumë shkallë, ku edhe gradat shkencore ishin të kategorizuara në atë mënyrë, që mund të fitoje gradën “doktor i shkencave” të një kategorie të caktuar, por nuk bëheshe dot më shumë se mësues gjimnazi. Dhe Spengler-i nuk arriti të bëhet më shumë se kaq me përpjekjet e tij.
Spengler-i e shkroi këtë libër me atë që mund të quhet shpengim shpenglerian ndaj akademizmit elitar gjerman dhe ndërkombëtar, që ishte një aristokraci e llojit të vet. Spengler-i vetë thotë se qëllimi i tij ishte që të bënte një përmbysje kopernikiane në mënyrën sesi kuptohej dhe shkruhej historia. Dhe suksesi i librit të tij si dhe fakti që për këtë libër flitet shumë ende dhe sot është provë se ai ia arriti qëllimit.
Spengler-it i ofruan që të jepte mësim në një universitet pasi libri i tij “Rënia e Perëndimit” pati sukses botëror, por Spengler-i e refuzoi me takt këtë nder, një qëndrim që është shpjeguar në mënyra të ndryshme dhe për të cilin biografët e tij kanë akoma dhe sot teori të ndryshme.
Por një gjë është e sigurt. Bota akademike gjermane, e detyruar nga suksesi i tij botëror, ia hapi Spengler-it vetë derën e “kështjellës” së saj dhe e ftoi të hynte brenda, pasi ia kishte mbyllur më parë. Ky ishte një satisfaksion i mjaftueshëm për Spengler-in.
Çdo lexues i librit të Spengler-it duhet të pajiset pikërisht me shpengimin shpenglerian me të cilin është shkruar libri, me kurajën shpengleriane të outsiderit që sfidon me sukses aristokracinë akademike. Dhe ia vlen mundimi nëse lexuesi e bën këtë gjë, sepse përfitimi intelektual do të jetë shumë i madh.
Sapo të kalojnë disa faqe, lexuesi shpejt do ta ndjejë veten të magjepsur nga stili i veçantë i Spengler-it ku shfaqet shpengimi shpenglerian në shikimin e historisë, trajtimin e saj, arsyetimin, nxjerrjen e përfundimeve, mënyrën sesi autori bën parashikimet për të ardhmen. “Rënia e Perëndimit” është nga ata libra të cilët i ngjallin lexuesit dëshirën që t’i rilexojë menjëherë sapo i ka lexuar dhe pastaj t’iu rikthehet në një kohë të mëvonshme.
Shumë njerëz të mëdhenj të fushave të ndryshme të dijes kanë pranuar ndikimin që ka pasur te ta leximi i librit “Rënia e Perëndimit”. Jo pak prej tyre madje, kanë rrëfyer edhe përvojën e tyre personale si lexues të këtij librin. Një nga rastet më të njohura dhe më interesante është ai i studiuesit të njohur Hans Robert Jauss, themeluesit të teorisë së receptimit të tekstit nga lexuesi, për të cilin kam treguar më lart.
Në mendimin shqiptar nuk kemi rrëfime të thella nga intelektualë të njohur të cilët të kenë përshkruar përvojën e tyre me leximin e një libri që iu ka bërë përshtypje të thellë dhe që ka pasur ndikim tek ta. Është e vërtetë që intelektualët tanë të rëndësishëm, qofshin këta shkrimtarë, studiues të politikës, filozofisë, historianë, gazetarë etj., aty-këtu përmendin libra që iu kanë lënë mbresë të veçantë, por nuk tregojnë histori të thelluara të përvojës së tyre. Është një mungesë në mendimin shqiptar kjo.
Me rastin e shkrimit të këtij libri të shkurtër në formë eseje të cilin në fillim e nisa si parathënie për librin e Spengler-it ” , dua të krijoj një risi këtu, duke rrëfyer përvojën time sa i përket kontaktit me këtë libër të Spengler-it dhe rëndësinë që ai pati në formimin tim. Është një histori e gjatë që nis në kohën e regjimit komunist dhe që më duket interesante jo vetëm për t’ia treguar lexuesit të këtij libri, por edhe për ta lënë si dëshmi-tribut ndaj Spengler-it, një dëshmi e shtuar që tregon se diktaturat si ajo naziste ashtu dhe ajo komuniste silleshin njëlloj me të, gjë që e nderon një autor. Prej kohësh kam pasur dëshirë që të shkruaj për këtë histori timen por e kam shtyrë gjithmonë në kohë duke menduar që këtë gjë ta bëja kur të shkruaja kujtimet e mia për atë kohë. Dhe siç dihet njerëzit mendojnë se kanë gjithmonë kohë për t’u marrë me memuaristikë. Por më duket se botimi në shqip i librit të Spengler-it është rasti më i mirë për ta treguar historinë time me këtë libër, në parathënien e tij. Unë e shikoj rr ëfimin e historisë sime edhe si kontribut timin sado të vogël për të mbrojtur Spengler-in dhe librin e tij nga keqinterpretimet dhe keqkuptimet që ai nuk i meriton aspak.
Këtu dua të saktësoj se unë nuk jam një ithtar i thekur i Spengler-it në kuptimin që të besoj deri në germën e teorisë së tij, pra se kultura perëndimore është drejt dekadencës dhe vdekjes. Spengler-i nuk duhet lexuar si një lloj Nostradamusi modern, siç kanë prirje ta shohin disa. Unë e shikoj librin e Spengler-it si një teori interesante, e argumentuar seriozisht dhe thellësisht, por që duhet marrë me një dozë skepticizmi, dyshimi. Tekefundit kështu bëri edhe vetë Spengler-i me një pjesë të madhe të filozofëve dhe historianëve para tij. Por kuptohet, që unë nuk kam asgjë kundër atyre që e marrin mendimin e Spengler-it si të vërtetë në çdo germë të tij.
I them paraprakisht këto gjëra sepse parashikoj që pasi të ketë dalë në qarkullim ky libër në shqip, shumë lexues të tij do të më afrohen për të biseduar për këtë libër, dhe e di se pyetja kryesore që do të më bëjnë është se çfarë mendoj unë për teorinë e Spengler-it nëse është e vërtetë ajo apo jo, pra nëse Perëndimi është në rënie dhe drejt e fundit.
Unë vetë nga natyra ime e përcaktoj veten time si një optimist të ndërlikuar dhe këtë e them në kuptimin që pesimizimin e llojit të Spengler-it e shoh si konstruktiv për mendimin perëndimor pasi shërben si sinjal alarmi për shumë dukuri të papëlqyeshme që shfaqen sot në kulturën perëndimore.
*Pjesë nga libri


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.