DOSSIER

20 VITE MË PARË/ Gazeta Shqiptare: Intervistë/ I dënuari i përjetshëm: Gabimi që bëri Gjykata shumë shpejt do të sqarohet “Vetëm vrasja ma mbyll gojën”. Jaho Salihi: Ju tregoj për ditët pas arrestimit

07:00 - 17.05.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

17 maj 2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare”




Flet nga Qelia

Rrëfehet atentatori i Azem Hajdarit

Jaho Salihi: Tani duan të më vrasin

Intervistë/ I dënuari i përjetshëm: Gabimi që bëri Gjykata shumë shpejt do të sqarohet

“Vetëm vrasja ma mbyll gojën”

Jaho Salihi: Ju tregoj për ditët pas arrestimit

Unë dhe Sali Berisha e dimë të vërtetën e vrasjes së Azemit. Tani duan të më vrasin, kjo është e vetmja mënyrë për të më mbyllur gojën”. Jaho Mulosmani ka vendosur të flasë, veçse kësaj here jo nga një sallë gjyqi ku “të pathënat” i shtyn për një moment tjetër më të përshtatshëm, por ka vendosur të flasë ekskluzivisht për Gazeta Shqiptare. I sapo dënuar me burgim të përjetshëm, ai ka një qetësi e besim tek vetja gati të frikshëm,

Në intervistën e tij, ai është një kundër të gjithëve. Salihi, është kundër prokurorëve, gjyqtarit, kryeprokurorit, pozitës, opozitës. Megjithatë rreth Jahos ka akoma shumë mister. Kush është personi që ka mbrojtur Mickoja dhe kush është arsyeja që ai nuk flet për të. Kush është ai person i njohur, sidomos në qarqet e opozitës që e ka ndihmuar familjen e tij që të largohet nga Shqipëria? Si e ka mbrojtur ai opozitën dhe çfarë di ai dhe Berisha që akoma nuk është thënë? Përse ai ripërsërit shprehjen “kur të flas unë do t’i djegin veshtë shumëkujt! Cila është e vërteta akoma e pathënë e Jaho Salihit dhe kur do ta thotë atë?

 

 

Si e ndjeni veten pas dënimit të dhënë nga Gjykata e rrethit Tiranë?

Ky vendim nuk është bërë akoma përfundimtar. Drejtësia vonon, por nuk harron. E ndjej vetëm shumë mirë dhe besoj se të gjithë e panë me sytë e tyre qëndrimin tim në sallë të gjyqit. E ndjej veten të pafajshëm sikundër jam dhe Gjykata ka gabuar me vendimin e saj. Pse e ka bërë këtë gabim, shumë shpejt ndoshta do të sqarohet. Gjyqtari ka gabuar për dy arsye. Njëra për të mbrojtur ndoshta një person tjetër, kurse për arsyen e dytë nuk është momenti të flas, por Arben Micko e di vetë shumë mirë. Nuk dua të mendoj që diferencimet që ai bëri e kanë shkakun tek fakti që unë jam i varfër. Edhe kjo është një arsye që më mirë se çdo njeri tjetër e di Arben Mickoja.

Keni vendosur të flisni në Gjykatën e Apelit?

Unë do pres vendimin e Gjykatës së Apelit me qetësi.

Opozita ju akuzon publikisht se keni qenë i manipu7luar në gjyq, ju si do t’i përgjigjeni akuzave të saj?

Opozita ka të drejtë, se në fakt unë e kam mbrojtur atë. Unë mund të them se të vërtetën siç e di unë e di edhe lideri i Opozitës. Mosparaqitja e tij në sallë të gjyqit e tregon më së miri këtë. Siç thashë edhe më lart e vërteta mund të vonojë, por nuk harron. Ata persona të opozitës që përmendën emrin tim, kanë vetëm një mënyrë për të më penguar: të më vrasin sepse ndryshe nuk mund të më pengojnë të flas. Për këtë të fundit nuk është akoma momenti. Në një pikë jam dakord me liderin e opozitës, që gjyqi ishte një farsë, jam i bindur që gjithçka do sqarohet. Nuk ka vetëm një gjykatë rrethi dhe nuk ka vetëm një gjyqtar Arben Micko. Unë kam besim se drejtësia nuk ka vdekur ende në Shqipëri.

Ju e vlerësoni si politik vendimin e dhënë nga gjyqtari Micko?

Vendimi është një vendim politik. Për këtë kam edhe fakte. Gjyqtari rrëzoi dy dëshmitarë të pabesueshëm, që shtëpi kanë burgun dhe nuk ndryshon aspak nga dy ata që u hodhën poshtë. Në asnjë shtet demokratik Gjykata nuk të dënon me supozime siç veproi Mickoja. Zoti Micko me vendimin e tij më detyron të përsëris një shprehje që e kam thënë në sallë të gjyqit: kur të flas unë do t’i djegin veshët shumë kujt!

A keni marrë vesh që edhe prokurorët e kanë apeluar vendimin e dhënë nga Gjykata?

Për mendimin tim ata prokurorë duhet të pushohen nga puna si të paaftë. Në fakt të tillë kanë qenë, të pushuar dhe iu është dhënë në dorë çështja më e rëndësishme e shekullit, vrasja e deputetit Hajdari. Për këtë më mirë pyesni ish-kryeprokurorin se ai e di më saktë. Kam besim se kryeprokurori i ri do ta marrë këtë parasysh. Është për t’u habitur sesi kanë mundur këta prokurorë të manipulojnë provat. Ata e ndoqën ngjarjen vetëm mbi një version, vetëm mbi atë që 15 minuta pas saj hodhi lideri i opozitës dhe nuk e hetuan në mënyrë të gjithanshme. Ata nuk shkuan një herë në Tropojë për të pyetur për këtë ngjarje, por gjetën gjithfarëlloj tropojanësh që qyteti i ka për turp t’i quaj qytetarë të tij, për t’i paraqitur si dëshmitarë para gjykatës. E kam thënë dhe e përsëris: Nëse doni të zbuloni të vërtetën e kësaj ngjarje duhet ta ringjallim Azemin dhe të ndjekim jetën e tij që nga koha që ai ka ardhur në Tiranë dhe deri më 12 shtator.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Mos mbani ne burg njerez te pafajshem, kurse vrasesit e vertete livadhisin ne vendet me te zhvilluara me identitet tjeter, me mbiemrin e nenes, ashtu sic e ka edhe gruaja e tij, S. Gj.

    Përgjigju ↓