DOSSIER

“Xhafer Deva, doli nga salla e kongresit të dytë të ‘Lidhjes së Prizrenit’, në shenjë proteste, ndaj artikullit të “Dielli’-t, ku thuhej se Shqipëria…”/ Kontradiktat e krerëve të mërgatës antikomuniste

07:22 - 17.05.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ndoshta si shumë të tjerë, edhe unë, shpeshherë shfletoj letrat me miqtë dhe bashkëpunëtorët e mi, që nuk janë më në këtë jetë. Duke i shfletuar ato, për një çast shpalosen kujtime që më duket se disa prej tyre mund t’i shërbejnë historisë tonë. Pastaj, kthehem te vetëdija për gjendjen e e sotme të rëndë në atdheun etnik, shkaktuar nga çatrafilimi i politikës shqiptare, e them me vete: “Vallë, çfarë mund të shërbejnë në këtë kohë të zymtë kujtimet e mia për të tjerët ose letrat e njerëzve të vdekur?”




Pa qenë ndjellës ogurzi i pesimizmit, duke menduar si gjithmonë për një të ardhme më të mirë, kthehem tek detyrimet e mia ndaj miqve të mi dhe si një vëzhgues i akullt i kohës, pa asnjë pretendim shërbimi historik, kur më jepet mundësia e botimit, shkruaj atë që kam në mend, gjithnjë të mbështetur në shkrimet dhe në letrat e tyre. Ky parim ndiqet edhe në këtë libër për Xhafer Devën. Xhafer Devën e njoha në person, kemi këmbyer vizita dhe kemi pasë letërkëmbim të dendur.

Kam kaluar ditë pushimi në shtëpinë e tij dhe kam trashëguar të gjithë korrespondencën e Xhafer Devës me Rexhep Krasniqin, shokun e tij më të ngushtë, për mëse 40 vjet. Mbas shumë vjetësh, bisedova në telefon me të bijën dhe dhëndrin e zonjës Deva. Në bisedë e sipër, duke përfituar nga miqësia e vjetër, pyeta për letrat e tij dhe më njoftuan se të gjitha i kishte Qefali Hamdia, mik i familjes së tyre.

Në qershor të vitit të kaluar (2001) shkova në Kenosha, Wisconsin, mysafir i Qefali Hamdisë, për të shikuar korrespondencën e Xhafer Devës, të cilën ia kishte dërguar zonja Deva vite më parë, kur ajo, për shkak të moshës së thyer, po mbyllte shtëpinë e vet për të vajtur në shtëpinë e 5 së bijës dhe të dhëndrit, zonjës Burgl Dagmar dhe Rev. Dennis Logie.

Mbasi lexova pjesën kryesore të letrave, në ato gjuhë që i merrja vesh, mora me vete më shumë se një mijë faqe të korrespondencës së tij, ku përfshihet një periudhë mbi 30 vjet, 1945 – 1978. Xhafer Deva foli dhe shkroi shtatë – tetë gjuhë. Korrespondenca e tij është: shqip, anglisht, gjermanisht, italisht, frëngjisht, turqisht dhe serbisht. Letrat dhe shkrimet e Xhafer Devës, me përjashtim të atyre me shkronja të turqishtes së vjetër dhe të serbishtes me shkronja cirilike, kryesisht janë të shkruara me makinë, të mbajtura mirë dhe të renditura si mbas alfabetit, me personat që ai kishte të bëjë.

Aty përfshihen edhe letrat e tij familjare. Ai ruajti me kujdes kopjen e çdo letre që dërgoi dhe çdo letre që mori. Zonjës Oswalda Deva, të bijës Burgl, dhëndrit Dennis Logie dhe z. Qefali Hamdia me familje, i’u shprehi falënderimet më të përzemërta për besimin që më dhanë. Me mirënjohje të veçantë kujtoj këtu ndihmesën që më dhanë vëllezërit – Kapidan Nue Gjomarkaj dhe Nikoll Gjomarkaj, në përgatitjen e njërit prej kapitujve më të rëndësishëm të këtij libri.

Kapidan Nou, përveç vënies në dispozicion të lëndës mbi marrëdhëniet e Xhafer Devës me ‘Bllokun Kombëtar Indipendent’ dhe dërgimin e parashutistëve në Shqipëri e në Kosovë, shqyrtoi bashkë me mua secilin dokument të asaj periudhe, dhe formuluam tekstin në formë bisede; ndërsa Nikolla, deshifroi letrat, transkriptoi dhe përktheu nga italishtja, materialet e papublikuara deri më sot, të cilat u botuan në këtë kapitull.

Në këtë artikull u bëhet thirrje gjithashtu partive politike që të kremtojnë festën e 28 Nëntorit me ‘Lidhjen e Prizrenit’ dhe “jo veç e veç të ndara”. Po të shikohet me vëmendje ky artikull, të thuash të vërtetën, nuk e ka rëndësinë që i dhanë partitë politike dhe reagimit që bënë ato. Një prej arsyeve kryesore është se artikulli nuk është aspak i qartë dhe është i shkruar në një mënyrë mjaftë të mjegullt. Siç duket shprehjet Rezolucion dhe Këshilli Nacional-Çlirimtar i referohen Konferencës së Bujanit për arsye se përkojnë datat e zhvilluara të saj, të cilën nacionalistët shqiptarë e shikuan vetëm si përpjekje të disa komunistëve për të justifikuar marrëdhëniet e tyre të ngushta me jugosllavët gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Përfaqësuesit e partive politike u mblodhën urgjentisht në zyrën e Komitetit “Shqipëria e Lirë” dhe shprehën shqetësimin e tyre të thellë ndaj këtij artikulli. Kryetari i Komitetit, dr. Krasniqi u përpoq ti bindte përfaqësuesit e partive se artikulli nuk kishte ndonjë rëndësi për shqetësim, dhe se Deva do t’i sqaronte pikëpamjet e veta në Kongres i cili ishte në prag të zhvillimit. Me gjithë përpjekjet e tij serioze, ai nuk arriti t’i bindte ata që kjo çështje të vihej në heshtje. Më në fund, për të ruajtur solidarësinë me partitë, në praninë e tyre përpiloi këtë letër të cilën e nënshkroi së bashku me të tjerët:

Kryetar i Kongresit te “Lidhjes së Prizrenit në Mërgim”, Zonja dhe Zotëri të ndershëm, Na: Ju sjellim përshëndetjet më vëllazërore dhe urimet më të përzemërta për një sukses të këtij Kongresi të Dytë të ‘Lidhjes së Prizrenit në Mërgim’.

Komiteti “Shqipëria e Lirë” dhe organizatat politike nacionaliste shqiptare kanë ndjekur me simpati linjën dhe veprimtarinë e kësaj ‘Lëvizje Kosovare në Mërgim’ dhe kanë dëshiruar që ndërmarrja e juaj të kurorëzohet me suksesin më të madh në realizimin e idealeve të larta të inspiruara nga Kongresi Historik i Lidhjes se Prizrenit më 1878, që buçitën me proklamatën vendimtare të motos së pavdekshme “Shqipëri etnike”, moto e përsëritur dhe e aprovuar në Kongresin e Parë të ‘Lidhjes së Prizrenit në Mërgim’ më 1966, të mbështetur në Statutin e vet. Në çaste aq vendimtare që përshkohet sot kombi shqiptar, këtej dhe andej kufijve të padrejtë, Komiteti “Shqipëria e Lirë”, Organizatat dhe Partitë politike Shqiptare kanë ndjekur dhe do të ndjekin me këmbëngulje dhe besim të plotë programet e tyre dhe që përmblidhen në një fjalë të shenjtë: Shqipëri etnike.

Ne kemi luftuar dhe do të luftojmë për një Shqipëri etnike, pavarësisht nga rrethanat dhe njëmendësie kombëtare, pa i dhënë rëndësi se sa fuqi ose prestigj kanë në botë pengesat e saj. Na kemi ndjekur dhe do të ndjekim me vëmendje dhe shumë mirëkuptim orvatjet e brendshme të shqiptarëve të Kosovës për të drejta sa më të mëdha brenda kushteve statutore të Jugosllavisë dhe për zhvillime evolucionare të dobishme, por nuk do të pranojmë dhe, madje, nuk do të bëhemi frymëzues të çfarëdo zbërthimi që nuk njeh të drejtën e vetëvendosjes së popullsisë shqiptare në Jugosllavi për një bashkim me nënën Shqipëri. Programet minimaliste të një republike të shtatë socialiste munden të bisedohen dhe të argumentohen në Kosovë, si një nevojë e përkohshme lehtësimi i presionit të burokracisë centraliste serbe, por jo kurrë si zbërthim i natyrshëm, sidomos nga ata që kanë fatin të jetojnë në botën e lirë.

Të ashtuquajturat vendime historike të “nacionalçlirimtares” të Shqipërisë ose të Jugosllavisë, të marruna për bazë për shpërthimin e problemit etnik në Jugosllavi, janë manovrime mashtruese për të përgatitë robërin sllave në popullsinë shqiptare në Jugosllavi që është pranuar pa asnjë kundërshtim nga regjimi tradhtar që sundon Shqipërinë e sotme. Në këtë kuptim i dëshirojmë punë të mbarë Kongresit të Dytë të “Lidhjes së Prizrenit në Mërgim”, për të ruajtur me besnikëri parimet tradicionale të ‘Lidhjes historike te Prizrenit’ dhe Kushtetutës së “Lidhjes se Prizrenit ne Mërgim” për një Shqipëri të lirë etnike.

Nënshkrimet. Për: OKLL, Dr. Fuat Myftia, Asllan Zeneli dhe Ragip Lohja; për BKI, Dr. Ismail Vërlaci, Ing. Ago Agaj dhe Tahir Kolgjini; për Komitetin “Shqipëria e Lirë” Dr. Rexhep Krasniqi dhe Ing. Vasil Gërmenji.

Miratimi i shkresës ishte bërë edhe nga degët e Ballit Kombëtar të grupit të Dostit, të Halim Begejës dhe nga Bashkimi Demokrat Shqiptar i drejtuar nga Isa Ndreu. Më në fund, afrohet data e zhvillimit të Kongresit dhe Xhafer Deva vjen në New York, me datën 23 nëntor.

Natën e parë e kaloi të miku i tij Hysen Pllana. Të nesërmen erdhi në zyrën e Komitetit “Shqipëria e Lirë”, për t’u njoftuar konkretisht me reagimin e partive politike dhe me gjendjen e krijuar. Mbas dreke, ai rezervoi një dhomë në Hotelin “Commodore”, 42 Str. “Lexington Ave”., aty ku zhvillohej Kongresi. Dhomën e rezervuar, të thuash nuk e shfrytëzoi fare, megjithëse qëndroi në New York nëntë ditë. Xhafer Deva dukej i lodhur dhe i mërzitur. Shqetësimi i ishte ngulitur në mend për dy arsye:

Mbas planeve që kishte bërë për t’u larguar nga kryesia, pa dëshirën e tij, po mbetej edhe një herë Kryetar i Lidhjes.

Dhe, siç thonte ai: “Po të ishim marrë vesh me kohë, çdo gjë do të përfundonte pa bujtje”. Gjendja e tensionuar midis anëtarëve, të mbledhur në New York për zhvillimin e Kongresit, Devën e shqetësonte tepër. Shumë nga degët e Lidhjes (rreth 12 prej tyre në SHBA dhe Evropë), nuk dinin gjë mbi krizën që po kalonte organizata e tyre. Udhëheqja e Lidhjes ishte ndarë në dy grupe, të “moderuar” dhe ata që ndiqnin kursin e “vjetër”, të udhëhequr nga Deva. Ditën e caktuar (26/11/1971) në orën 10 të mëngjesit, në një atmosferë të tensionuar, Xhafer Deva hip në tribunë dhe shpall hapjen e Kongresit të ‘Lidhjes’. Mbas një fjalimi të shkurtë përshëndetës, ai lexoi letrën përgjigje drejtuar partive politike shqiptare në mërgim:

Zotni të ndershëm. Para të gjithave me anë të kësaj shkrese dëshiroj t’ju shfaqi falënderimet e mija personale ashtu dhe të anëtarëve të ‘Lidhjes së Prizrenit në Mërgim’ për letrën e juaj aq të përzemërt dhe përshëndetjet vëllazërore që i keni drejtue Kongresit të Dytë të kësaj organizate. Në lidhje me ngjarjen e papëlqyeshme të Shpalljes në fletoren ‘Dielli’, datë 3 nandor 1971, bë gabimisht në emën të “Lidhjes së Prizrenit në Mërgim”, me anë të së cilës kërkohet që organizatat politike nacionaliste shqiptare në mërgim, të mbështesin idenë e nji Republike Socialiste Shqiptare, brenda suazës së Republikave Federale Socialiste të Jugosllavisë, bashkëngjitë kam nderin me u paraqitë shkresën që ka drejtue ky Kongres, për t’u botue në fletoren historike ‘Dielli’.

Kjo shkresë asht perpilue kryekëput në frymën e deklaratës së bame nga Kryesia e Lidhjes në prani të të gjithë përfaqësuesve të mërgatës shqiptare dhe që u përsërit në ditën e parë të Mbledhjes së Kuvendit të ‘Lidhjes së Prizrenit në Mërgim’, në Hotelin “Comodore”, në New York, me datë 26 nandor 1971. Kjo frymë siç mund të shihet, asht shfaq qartësisht në shkresën e bashkangjitur dërgue për botim fletores ‘Dielli’ ne Boston, Mass. Tue përfundue dëshiroj edhe një herë të nënvizoj këtu se ‘Lidhja e Prizrenit në Mërgim’, do të vazhdojë me mbajt marrëdhënieje vëllazërore me të gjitha organizatat politike nacionaliste shqiptare në mërgim në përputhje të plotë me Kushtetutën e vet që shquan posaçërisht këtë pikë. Në këtë kuptim dhe me bindje të patundur që, Kombi Shqiptar në tansinë e vet, herët ose vonë, do të çlirohet nga tirania komuniste e dyfishtë, sllave dhe komuniste, mbetem me nderime të posaçme. Xhafer Deva.

Mbas duartrokitjesh, nga fundi i sallës, dëgjohet reagim dhe zhurmë. Deva me një gjuhë të ashpër bën thirrje për mbajtjen e qetësisë. Gjatë dy ditësh, Kongresi u zhvillua në mënyrë të rregullt, por mjaft të ftohtë. Me gjithë raportet e debatet e lira të zyrtarëve të Lidhjes dhe fjalimet e përfaqësuesve të partive politike, Kongresi i Dytë nuk u zhvillua në formën entuziaste dhe emocionale si Kongresi i Parë. Sekretari Berisha, mbasi lexoi raportin e veprimtarisë së ‘Lidhjes’ midis dy kongreseve, pranoi publikisht përgjegjësinë për shpalljen në gazetën ‘Dielli’. Ai i siguroi të pranishmit se do të jepte ndihmesën e vet, për mbarëvajtjen e ‘Lidhjes’ dhe u largua nga salla e Kongresit. Largimi i tij i papritur shkaktoi një ftohje të thellë në sallë. Në Kongresin e Dytë të ‘Lidhjes’, Kalosh Hamdia luajti një rol të rëndësishëm në zbutjen e mosmarrëveshjeve të krijuara rreth shpalljes së artikullit në fjalë.

Ai pranoi të vinte kandidaturën për kryetar, pa marrëveshje me Devën. Hamdia i shkruan Devës (me 6 dhjetor) një letër kater faqesh, me shpjegime të hollësishme rreth zhvillimit të ngjarjeve, para hapjes së Kongresit. Ai thotë se kishte ardhë në New York dy ditë para Kongresit dhe ishte përpjekur të binte menjëherë në kontakt me te. Hamdia thekson gjithashtu se, gjatë gjithë kohës, ishte shoqëruar nga Ismet Berisha, dhe Ismeti e kishte njoftuar me te gjitha përgatitjet paraprake të Kongresit. Si mbas kësaj letre, Ismeti i kishte shprehur atij të vetmin shqetësim, rreth mundësisë së ndonjë kritike kundër Devës nga ana e Hysen Tërpezës. Ai pohon: “…Pak orë para hapjes së Kongresit, dëgjova nga shokët disa pëshpëritje, se Ju nuk do të udhëhiqnit ma Lidhjen për arsye shëndetësore, prandaj vura kandidaturën për Kryetar, për mos t’i lanë në baltë shokët në një kohë kritike”.

Si mbas letrës së Hamdis, ai do të drejtonte ‘Lidhjen’ derisa të gjendej një kryetar i përshtatshëm. Hamdia e mbyll letrën, duke e siguruar Devën se nuk ishte asnjë lloj komploti kundër tij dhe vijës politike të ‘Lidhjes’. Në fund të letrës pohon se, ishte ndarë i kënaqur me përfundimin e suksesshëm te Kongresit, dhe rezultatet do të ishin edhe më të suksesshme sikur, Deva të takohej me të dhe me Ismetin, para hapjes së Kongresit. Në korrespondencën e tij gjenden edhe disa letra të Krasniqit dhe Lamajt, për kthimin e Ismetit në pozitën e mëparshme. Ata i shkruajnë Devës se, Ismeti ishte i vetmi person që mund të riaktivizonte veprimtarinë e Lidhjes. Ndërkaq, miku i Devës dhe Berishës, Dr. Halim Begeja, i shkruan Devës, lidhur me këtë çështje: “…Për sjelljen e Vendreshës në gjinin e Lidhjes, nuk duhet fajsue Ismeti. Në qoftë se ai (Vendresha) e ka manipulue ‘Lidhjen’, gjë që jam i bindun, Ismeti nuk ka faj, ai asht njeri i ndershëm, energjik dhe vetëm ai mund të mbajë gjallë veprimtarinë e Lidhjes në qendër të botës, në New York, duke u kthye përsëri në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm”.(10/3/1972).

Mbas disa muajsh, Deva i shkruan Berishës dhe kërkon që ai të kthehet përsëri në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm, duke theksuar se, kthimin e tij e kërkonte edhe Kalosh Hamdia. Ismet Berisha, kthehet në pozitën e mëparshme mbas dy-tre muajsh, dhe në një farë mënyre, mbyllet kriza politike e Lidhjes. Mbas përfundimit të Kongresit, Deva ndeji disa dite në New York për të përgatitur çështjen e shtypit. Ato ditë përgatiti edhe letrën drejtuar gazetës “Dielli”: Një sqarim nga “Lidhja e Prizrenit në Mërgim”. Zotëri editor, Në faqen e dytë të fletores ‘Dielli’, datë 3 nëntor 1971 – vol. 63/Nr.38, është botuar një shpallje në emër të ‘Lidhjes se Prizrenit në Mërgim’, në të cilën ndër të tjera, u bëhet një thirrje Partive Politike Nacionaliste Shqiptare në Mërgim, që të përkrahin përpjekjet e Organizatës në fialë, në lidhje me përmbledhjen eventuale të mbarë popullsisë shqiptare në Jugosllavi, në një: REPUBLIKE SOCIALISTE SHQIPTARE, BRENDA REPUBLIKËS FEDERALE TË JUGOSLLAVISË.

Shpallja në fjalë me plotë të drejtë kishte shkaktuar pakënaqësi të thellë midis mërgatës politike në New York, që u ç’shfaq në një letër të përbashkët të tyre, dorëzuar personalisht Kryetarit të ‘Lidhjes së Prizrenit në Mergim’, z. Xhafer Devës. Ky i fundit, në një mbledhje të gjerë të përfaqësuesve të grupeve në fjalë, shfaqi keqardhjen e tij personale dhe të Organizatës që kryeson mbi këtë ngjarje të papëlqyeshme dhe premtoj se letrën e tyre, do të i’a paraqes Kongresit të Dytë të ‘Lidhjes së Prizrenit në Mergim’, që ishte në zhvillim e sipër. Në ditën e parë të Kongresit, në prani të përfaqësuesve të partive politike shqiptare nacionaliste, Kryetari lexoi letrën dhe njëkohësisht deklaroi se Shpallja e ‘Lidhjes së Prizrenit në Mërgim’, e botuar në fletoren e famshme të Bostonit, ‘Dielli’, është përpiluar dhe botuar pa njohurinë dhe autorizimin e Kryetarit dhe të Këshillit Ekzekutiv të Lidhjes.

Mbi këtë ai nënvizoi faktin, që Shpallja është në kundërshtim flagrant me qëllimet e larta kombëtare dhe me Nenin Dy të Statutit të ‘Lidhjes së Prizrenit në Mërgim’, që ndër të tjera tekstualisht shquan: “Duke u mbështetur në idealin historik të ‘Lidhjes së Prizrenit’, të përmbledhjes se Kombit Shqiptar në një shtet të vetëm, të lirë dhe të pavarur, në një Shqipëri etnike…” Mbledhja plenare e Kongresit, me brohoritje frenetike dhe njëzëri, mbështeti thëniet e Kryetarit, gjë që detyrojë shkaktarin e shpalljes së sipërshënuar, të pasoj rrjedhjet e sjelljes se tij të gabuara dhe u tërhoq nga radhët e “Lidhjes së Prizrenit ne Mërgim” (I). Me lutje që ky sqarim të botohet ne fletoren që ju drejtoni, mbetem me nderime të posaçme, Xhafer Deva, Kryetar i ‘Lidhjes së Prizrenit në Mergim’. New York, 10 dhjetor, 1971 (1).

Fjala u tërhoq nga radhët e ‘Lidhjes së Prizrenit’, i referohet Shemsedin Vendreshës. Ato ditë, para dhe mbas Kongresit, Xhafer Deva, sado që i lodhur dhe i mërzitur, kishte edhe humor. Më kujtohen orët e drekave në zyrën e Komitetit “Shqipëria e Lirë”, kur ngacmonte Krasniqin. Gjatë atyre ditëve që qëndroi në New York, kaloi tri-katër netë në shtëpinë time. Mbrëmjeve, kur ktheheshim nga qyteti (Mohattan), shtronte muhabetin me babën t’im Shpendin dhe axhën Alush, i cili kishte ndenjtë disa vjet në malet e Shqipërisë, pa i’u dorëzuar regjimit komunist. Në muhabet ishte i pranishëm edhe Hasan Isuf Zherka, daja i im, i cili banonte afër nesh.

Hasani tregonte ngjarje të Luftës së Parë Botërore dhe kohën kur kishte shërbyer në ushtrinë austriake. Deva ndjekte me vëmendje e kënaqësi bisedën dhe herë mbas here hynte në biseda të gjata të Luftës së Dytë Botërore. Bisedat e tyre nuk më bënin shumë përshtypje. Mbasi filloi ta njoh temperamentin e axhës, e ngacmonte edhe atë në kurriz timin: “Baci Alush, këtij djalit të ri, muhabetet tona i duken përralla; ky si jep rëndësi muhabetit tone, se ka knue (lexue) nja 50 libra të Enver Hoxhës”. Axha, i’u përgjigj me nervozë: “Ka me i’u pa hairin librave të Enverit, siç ia kanë pa të tjerët”. Memorie.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.