DOSSIER

20 VITE MË PARË/ Gazeta Shqiptare: Misteri i ikonave, bllokohet makina e nisur drejt Italisë. Vlorë. Të përfshirë edhe strukturat e Guardia di Financias, ndalohen dy shqiptarë

07:00 - 18.05.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

18 maj 2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare”




 Mister ne port

Si u zbulua makina me antikuarët e Krujës

Ja kush fshihet pas ikonave të Vlorës

Gjithë dyshimet që lindën mëngjesin e djeshëm në Portin e Vlorës. Dy oficerët italianë që shoqëronin mallin, ndalimi i makinës me targë diplomatike në Fier dhe leja e dhënë nga shefi i kabinetit të Ministrisë së Kulturës. Çfarë kishte brenda në trailer dhe përse u telefonua disa herë nga lart në doganë dhe në port për të lejuar ikjen pa probleme të “mallit”

Vlorë. Të përfshirë edhe strukturat e Guardia di Financias, ndalohen dy shqiptarë

Misteri i ikonave, bllokohet makina e nisur drejt Italisë

Policë shqiptarë dhe punonjës të Guardia di Financës italiane të përfshirë në trafik ikonash dhe veprash të tjera arti me vlerë. Kjo është ajo çka po mundohet që të zbardhë dje pak para mesditës policia. Një trajler i plumbosur që kishte pesë ditë që priste të nisej në drejtim të Italisë i ka bërë “çorbë” struktura dhe organizma të tërë të shtetit tonë dhe atij italian.

 

 

Përfshirja apo, të paktën dhe “lakimi” si të përfshirë në trafik veprash arti të dy punonjësve të Guardias, ka “ngritur në këmbë” një grup të madh hetimi për të zbardhur sa më shpejt gjithë ngjarjen. Pasditen e djeshme janë shoqëruar në polici shoferi i trajlerit dhe një punonjës i Policisë Kufitare të Durrësit. Ndërkohë për dy punonjësit e Guardias do të vendoset më vonë dhe pas përcaktimit të vlerës së “mallit” të gjetur.

Gjetja e veprave me vlerë

Dje rreth orës 11 në portin e Vlorës, pas një sinjalizimi të bërë nga ana e policisë së portit të këtij qyteti dhe doganës së Vlorës, forca të policisë së drjetorisë së qytetit jugor kanë ushtruar kontroll në makinën me targa Vl 4126 B dhe në trajlerin me targa AA 04204, me shofer shtetasin Ilia Hudhra. Burime pranë policisë së Vlorës kanë bërë të ditur dje për Gazetën,se në trajler janë gjetur vepra arti me vlera etnografike – historike. Sipas shpjegimeve që ka dhënë shoferi, “malli” me vlerë ishte ngarkuar në një magazinë në qytetin e Krujës. Dokumentacioni për gjithë mallin figuronte në emër të firmës ARTI Sh.p.k. me pronar Ylvi Mehjën dhe me qendër në Shkodër.

Hetimi

Menjëherë pas gjetjes së veprave të artit, në vendngjarje kanë mbërritur forca të policisë dhe një grup hetimi, i cili ka filluar nga verifikimi. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Vlorës, trajleri me veprat e artit kishte pesë ditë që rrinte në portin e Vlorës, gati për t’u nisur për në Bari. Për këtë makinë paraditen e djeshme në portin e Vlorës ka mbërritur dhe një makinë me targa diplomatike italiane, nga e cila kanë dalë dy punonjës të Guardia di Financës me emrat Mikele dhe Trimpoli, që vinin nga Durrësi dhe oficeri i Policisë Kufitare të Durrësit, Gëzim Myhipaj. Sipas asaj çka është zbardhur, deri tre të ardhurit nga Durrësi janë përpjekur që të ndërhyjnë për nisjen e trajlerit në drejtim të Italisë. Por roli i tyre duket se nuk kishte filluar dje. Burime nga grupi i hetimit bëjnë të ditur se oficeri shqiptar dhe dy italianët janë parë me një fuoristradë të Guardia di Financës dhe kanë qenë prezent gjatë kohës kur është ngarkuar malli në Krujë. Pas ngarkimit të gjithë sasisë së sendeve me vlerë, ata kanë fjetur një natë në Fushë-Krujë dhe të nesërmen kanë plotësuar dokumentet dhe kanë plumbosur nga një doganier i Shkodrës trajlerin ku kishin vënë veprat e artit. Po sipas të njëjtave burime, mes sendeve të gjetura ka pasur qypa, djepe të vjetër, sëndukë… Hetimi për ngjarjen e djeshme do të vazhdojë dhe në ditët në vazhdim, ndërkohë që mbrëmë në drejtim të Vlorës janë nisur një grup ekspertësh nga Instituti i Monumenteve për të përcaktuar nëse hyjnë në radhën e antikuariateve veprat e artit të gjetura në trajler.

Pëprplasje

Ngjarja e djeshme e Vlorës duket se ka krijuar jo pak përplasje, aq më shumë se në mes mund të ishin dy punonjës të Guardia di Financës. Për shumë orë askush nuk ka dashur të fliste për veprat e artit të gjetura dhe për implikimet dhe masat që mund të merreshin. Ndërsa pasdite dhe në orët e vona të mbrëmjet së djeshme të dhënat jepeshin me jo pak rrethana lehtësuese, sidomos për dy shtetasit italianë, mbiemrat e të cilëve, megjithëse nën hetim , “t’i vrisje”, nuk i “kujtonte” askush. Sipas burimeve zyrtare, makina dhe trajleri kishin tri ditë që rrinin në port, ndërsa, sipas policisë së Vlorës, kishin vetëm dy ditë që gjendeshin aty.

Ar.ba/qe.bi.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.