EKONOMI

Eksportet rriten me 49% për janar-prill, por thellohet deficiti tregtar nga importet e larta

08:20 - 18.05.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Eksportet kanë vijuar tendencën rritëse edhe në muajin prill, duke shënuar një zgjerim të fortë për 4 mujorin e parë të vitit. Kjo ecuri reflekton si arkëtimin e më shumë të ardhurave nga shtrenjtimi i naftës dhe metaleve në bursat ndërkombëtare, ashtu dhe përmirësimin e industrisë së tekstileve e këpucëve.




Sipas INSTAT, në këtë katërmujor eksportet e mallrave arritën vlerën 162 mld lekë, duke u rritur me 48,8 %. Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve, janë: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +16,0 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me +14,7 pikë përqindje, dhe “Tekstile dhe këpucë” me +7,8 pikë përqindje.

Rritjen më të lartë e ka shënuar grupi “Minerale, lëndë djegëse, energji”, që u zgjerua me 83%, në 38 miliardë lekë të ndikuara kryesisht nga rritja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare. Ky grup kaloi sërish në të dytin më të madh në vend, me 24% të totalit. Çmimet e naftës në bursat ndërkombëtare (treguesi Brent) kanë qëndruar në prill mbi 100 dollarë për fuçi. Nafta vendase, që është e rëndë, shitet me rreth 60% të Brent. Bankers Petroleum, që shfrytëzon me koncesion fushën naftëmbajtëse mbi tokë të Patos Marinzës, është ndër eksportuesit kryesorë në vend.

Në rritje të fortë ishin dhe eksportet e “material ndërtimi e metale”, që u zgjeruan me gati 76%, në 37 miliardë lekë edhe këto të ndikuara nga konjuktuara më e përshtatshme e çmimeve. Çeliku është produkti kryesor i eksportuar nga kompania Kurum. Ky grup kaloi në të tretin, me 23% të totalit.

Eksportuesi pohojnë se në sasi ndryshimi nuk është i madh, por diferencën e bën rritja e lartë e çmimeve. Megjithatë frika ekziston në treg se rritja e fortë e çmimeve do të frenojë konsumin dhe ndërtimet. Rajoni mbetet tregu kryesor i eksporteve për materialet e ndërtimit. Në bursat ndërkombëtare, çeliku është shtrenjtuar me rreth 50% pas fillimit të luftës në Ukrainë, pasi ngarkesat e çelikut rus dhe ukrainas, që furnizonin një të pestën e Europës, dolë nga tregu.

Edhe “tekstilet e këpucët”, po tregojnë një ecuri të mirë këtë vit, duke e tejkaluar nivelin e para pandemisë, si rrjedhojë e rritjes së kërkesës nga partnerët europiane dhe çmimeve më të larta. Eksportet e këtij grupi u zgjeruan me 24% në 44 miliardë lekë, duke përshpejtuar ritmete rritjes në prill.

Përfaqësuesi e sektorit thanë se ata presin ecuri më të mirë për shkak të riorientimit të prodhimit nga kompanitë europiane pas luftës në Ukrainë. Ky grup vijon të mbetet më i madhi në vend, me 27.5% të totalit, por pesha e tij po vjen në rënie për shkak të rritjes së metaleve e naftës.

Eksportet e “ushqime, pije e duhan” u rritën me 21%, të ndikuara nga ecuria e mirë e produkteve të peshkut, duke arritur në 15 miliardë lekë.

Edhe grupi “Makineri, pjesë këmbimi e pajisje” shënoi ecuri pozitive, me rritje 36% për katër mujorin, në 12 miliardë lekë, si rrjedhojë e përmirësimit të kërkesës pas pandemisë. Ky grup është nxitur vitet e fundit nga ngritja e fabrikave që montojnë pjesë elektrike për automjetet.

Importet e larta thellojnë deficitin

Në Prill 2022 eksportet e mallrave arritën vlerën 42 mld lekë, duke u rritur me 46,6%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe ulur me 11,9%, në krahasim me Mars 2022. Importet e mallrave arritën vlerën 78 mld lekë, duke u rritur me 23,7%, në krahasim me një vit më parë dhe ulur me 6,9%, në krahasim me Mars 2022. Defiçiti tregtar i këtij muaji është 36 mld lekë, duke u rritur me 4,6%, krahasuar me Prill 2021 dhe ulur me 0,3%, në krahasim me Mars 2022.

Në këtë katërmujor eksportet e mallrave arritën vlerën 162 mld lekë, duke u rritur me 48,8%, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 285 mld lekë, duke u rritur me 26,7%, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 123 mld lekë, duke u rritur me 6,0%, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2021.

Ecuria e tregtisë së mallrave sipas vendeve partnere

Në muajin Prill 2022, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Prill 2021 janë: Itali (70,1%), Gjermani (98,2%) dhe Greqi (42,6% ). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Kosova ( 12,9%) Spanja (82,0%) dhe Zvicra (20,1%).

Gjatë këtij katërmujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (58,4%), Gjermania (116,0%) dhe Kosova (30,4%). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Spanja (70,2%) dhe Turqia (2,1%).

Në muajin Prill 2022, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me Prill 2021 janë: Italia (16,5%), Turqia (75,2%) dhe Greqia (37,2%). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Kina (10,6%) SHBA (29,1%) dhe Zvicër (3,6%). (monitor)

Burimi: INSTAT
Burimi: INSTAT
Burimi: INSTAT
Burimi: INSTAT


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.