LAJMI I FUNDIT

Kryeministri grek paralajmëron Uashingtonin të jetë i kujdesshëm me furnizimin me pajisje ushtarake ndaj Turqisë

09:31 - 18.05.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Duke parë presionin e Turqisë ndaj SHBA-së për të zhbllokuar një marrëveshje për dorëzimin e avionëve luftarakë F-16, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis i tha Kongresit Amerikan në një fjalim se Uashingtoni duhet të ketë parasysh pasojat e vendimeve të tilla.




Duke iu referuar shkeljeve të hapësirës ajrore greke nga Turqia, por pa i përmendur ato, Mitsotakis tha se nuk kishte asnjë mënyrë që Athina të toleronte shkeljet e sovranitetit të saj dhe fluturimet mbi ishujt e banuar.

“Greqia ka zgjatur gjithmonë një dorë miqësie ndaj fqinjëve të saj, por ka vetëm një kornizë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tona me fqinjët tanë, atë të së drejtës ndërkombëtare”, tha lideri grek.

Turqia ka qenë deri tani i vetmi vend që ka kundërshtuar hapur synimin e Finlandës dhe Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO.

Kritikët në Bruksel sugjerojnë se Ankaraja dëshiron të përdorë veton e saj të përkohshme ndaj aspiratave të NATO-s të dy vendeve skandinave për të marrë përfitime nga SHBA kur bëhet fjalë për pajisjet ushtarake.

Në veçanti, Ankaraja dëshiron që Kongresi Amerikan të miratojë shitjen e armëve të avancuara dhe pajisjeve të tjera për flotën turke të avionëve luftarakë F-16.

Një raport nga The Wall Street Journal ndezi debatin javën e kaluar pasi sugjeroi se Biden u kërkoi udhëheqësve të Kongresit ta bënin këtë.

“Unë ju bëj thirrje që të merrni parasysh rrezikun e destabilitetit në krahun juglindor të NATO-s kur merrni vendime për furnizimin me pajisje ushtarake në rajon”, i tha Mitsotakis Kongresit Amerikan.

Synimi i SHBA-së për këtë çështje nuk është ende i qartë, megjithatë, Uashingtoni ka paralajmëruar vazhdimisht për pasoja të rënda nëse Turqia afrohet më shumë me Rusinë ose Kinën.

Në përgjithësi, vizita e Mitsotakis në SHBA mori komente pozitive nga shumica e mediave greke, megjithëse nuk është zbuluar ende se çfarë kërkoi Uashingtoni nga Athina me dyer të mbyllura.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.