DOSSIER

“Të aktivizohet bashkëpunëtori ‘Patrioti” për survejimin e motrës së Myrteza Bajraktarit”/ Raporti sekret i Shefit të Kundërzbulimit, në ’74-ën

07:41 - 18.05.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pjesa e nëntëmbëdhjetë




Memorie.al/ Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet dosja voluminoze (formulare, hetimore dhe gjyqësore), e Myrteza Bajraktarit me origjinë nga Gostivari, i cili pasi mbaroi shkollën e mesme në qytetin e Tetovës, në vitin 1952, filloi studimet e larta në Universitetin e Shkupit, në degën e Filozofisë, ku krahas mësimeve ai u punësua edhe si gazetar në gazetën “Flaka e Vllaznimit” që botohej në Shkup, nga ku e largojnë shpejt, pasi botoi një artikull ku dilte hapur kundër shpërnguljes së shqiptarëve të Jugosllavisë, për në Turqi dhe si rezultat, u emërua si mësues në shkollën 7-vjeçare “Shaban Zeneli” të Kumanovës.

Arrestimi i Myrtezait nga UDB-ja në vitin 1952, pasi ai bënte pjesë në një organizatë të fshehtë të quajtur, ‘Organizata Nacional-Demokrate Shqiptare’ dhe dënimi i tij me shtatë vite burg politik, të cilat i vuajti në burgun e Nishit dhe të Idrizovës. Arratisja nga Jugosllavia dhe ardhja në Shqipëri, ku pasi qëndroi disa kohë në kampin e internimit në Seman të Fierit, i’u dha e drejta e shkollës së lartë, duke u diplomuar në Universitetin e Tiranës në degën Gjuhë-Letërsi, por pasi refuzoi emërimin në qytetin e Beratit, në vitin 1971, arrestohet dhe dënohet me shtatë vite burg politik, me akuzën “agjitacion e propagandë”.

Dalja nga burgu dhe lënia pa punë deri në shembjen e regjimit komunist dhe emërimi i tij si Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Zvicër, deri në vitin 1993, si dhe më pas zgjedhja e tij si Kryetar Nderi i Lidhjes Shqiptare në Botë, për vendet e Beneluksit, ku ai punoi për çështjen e Kosovës, deri sa u nda nga jeta më datën 11 dhjetor 2020.  E gjithë dosja e plotë e Myrteza Bajraktarit, me emrat e funksionarëve dhe oficerëve të Sigurimit të Shtetit, pseudonimet e bashkëpunëtorëve, “kolegëve” e “bashkëpatriotëve” që e ndiqnin dhe survejonin, provokatorët në qelitë e hetuesisë, dëshmitarët që i dolën në gjyq, letrat dërguar Enver Hoxhës dhe instancave të larta zyrtare ku kërkonte pafajësinë e tij, etj., etj., publikohet për herë të parë nga Memorie.al

Dokumenti sekret me raportin e Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, Haxhi Dashi, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Patrioti” dhe rezidentit “Plazhi”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Myrteza Bajraktarit

Dhënë nga B.p. “Patrioti”

Marrë nga P.Op. Haxhi Dashi me anë të rez.”Plazhi”

Datë 5.11.1974

                                                                    R  A P O R T

Më datën 20.1.1974 ai, u takua rastësisht në rrugën “Kongresi i Përmetit” me Myrteza Bajraktarin që ka qenë i burgosur tre vjet për agjitacion dhe propagandë. Myrtezai ishte bashkë me të shoqen, kur e ndaloi atë. Myrtezai i kërkoi atij që t’i tregonte shtëpinë e Beqir Xhepës, me të cilin ishte njohur në burg. Më datën 21.1.1974, ai e shoqëroi Myrtezain tek shtëpia e nënës së Beqir Xhepës. Biseda vijon një orë. Ai, i tha nënës së tij, se i biri Beqiri, është shumë mirë dhe se ajo mund të vazhdonte ti dërgonte letra e ushqime.

Gjithashtu Myrtezai i tha se Beqiri, ishte krejt i pafajshëm. Plaka i’u përgjigj: “Kjo qeveri nuk të burgos kot pasi ai, diçka do ketë bërë, që ka rënë në burg”. Myrtezai i tregoi për veten, se kishte bërë 7 vjet burg në Jugosllavi, sepse kishte shfaqur ndjenja patriotike. Myrtezai i tha atij se ato ditë, priste që të emërohej në një punë të përshtatshme. Kishte shpresa që ta emëronin në arsim, ndërsa gruan e kishte tek Estrada. Ata, kanë një djalë 6 vjeç.

“Patrioti”

Detyrë:

Të interesohesh për t’u takuar me Myrteza Bajraktarin, dhe interesohu të takohesh “rastësisht” me të. Mund ta presësh tek Estrada, kur t’i dali e shoqja nga puna.

Kur të takohesh me të, paraqitu sikur je i interesuar nëse ai ka filluar punë apo jo. Gjej rastin t’i thuash, se dhe ti ke pasur shpresë për të filluar punë, aty ku ke qenë më parë.

Në përfundim thuaji, që të vijë nga shtëpia, pasi babai ka dëshirë që të bisedojë me kosovarë. Thuaji që ke dëshirë për të bërë muhabet me të.

“Plazhi”

Shënim: U porosit rezidenti, që B.p., hë për hë, të mos i shkojë në shtëpi. Të krijojë kushte, që vetë Myrtezai në të ardhmen ta ftojë në shtëpi.

Sqarim: Beqir Xhepa, është dënuar para 3 vitesh për agjitacion e propaganda, se i shkruante letra anonime Partisë e Shtetit. Pretendon se është i pafajshëm. Siç shihet, me Myrtezain janë njohur në Kampin e Ballshit. Siç na ka dalë nga B.p., “Triumfi” dhe “Patrioti”, Myrtezai, e quan të padrejtë dënimin e tij.

Masat Operative: E dhëna të shihet nga Shefi i Seksionit. Të shtypet relacioni i dosjes së M. Bajraktarit dhe t’ja referoj Shefit e Zv/Drejtorit, pasi mund të studiohet për interesa operative dhe të vazhdojë kontrolli i tij në 2/B.

E dhëna të shtypet në një kopje dhe të vendoset në dosjen e tij. Të interesohemi se ku do fillojë punë Myrtezai dhe me anë të Komitetit Ekzekutiv, si emigrant Kosovar, të ndihmohet. Të shihet nëse mund të drejtohet “Flamurtari” ose ndonjë B.p., tjetër, për të parë reagimin e tij pas daljes nga burgu.

Puntori Operativ

Haxhi Dashi

Tiranë më 6.11.1974

Dokumenti sekret i hartuar nga Shefi i Seksionit të I-rë të Kundër-Zbulimit, Bujar Jazexhiu, me planin e masave agjenturiale-operative për ndjekjen e survejimin e Myrteza Bajrakatarit dhe motrës së tij, Myhaser Hoxha Bajraktari, e cila kishte ardhur si vizitore në Shqipëri

Sekret            

Ekzemplar Nr 2

Aprovohet

Shefi i Seksionit të I-rë të K/Zb.

Bujar Jazexhiu

Plani i masave agjenturore operative në drejtim të Myrteza Bajraktarit dhe motrës së tij, Myhaser Hoxha Bajraktari, që ka ardhur si vizitore.

Kohët e fundit ka ardhur si vizitore motra e Myrtezait, Myhaser Hoxha. Myrteza Bajraktari është emigrant kosovar, dhe ka qenë i dënuar 4 vjet me Kapllan Resulin për agjitacion e propagandë. Dosja e tij është arkivuar në Drejtorinë e IV.

Duke nisur nga fakti që ka interes operativ, të marrim masa përpunimi për Myrtezain dhe motrën e tij dhe është e nevojshme që të merren këto masa:

Të tërhiqet dosja 2/A e Myrtezait nga Dega e IV dhe të studiohet për të parë lidhjet e tij me materialet disponuese dhe njëkohësisht të merret në kontroll operativ 2/B.

E kryen P.OP Haxhi Dashi deri në 30.6.1974.

Duke qenë se mbas daljes nga burgu të Myrtezait, në drejtim të tij është vënë B.p., “Patrioti II” dhe ka dhënë disa të dhëna për të, të drejtohet menjëherë në përpunimin e të motrës dhe Myrtezait, për të mësuar reagimet e tyre rreth vendit tonë, për pikëpamjet e saj rreth Kosovës e Jugosllavisë, për të mësuar se çfarë do ajo në vendin tonë.

E kryen H. Dashi në vazhdim

Të shikohet mundësia e dërgimit të ndonjë B.p., nga radhët e emigracionit kosovar, me qëllim që të mësohen reagimet e saj nga B.p. “Trëndafili”, “Shpendi”, etj.

Kryen H. Dashi në vazhdim.

Me qëllim që të mbahet afër për studim emigranti B.S., të bisedohet me të dhe në rast se e nxjerr nga lidhjet t’i jepen detyra të përgjithshme për Myrtezain dhe motrën e tij. Detyrat janë të atilla, që ai mos ta kuptojë që ne interesohemi për Myrtezain.

Kryen H. Dashi në vazhdim.

Për Myhaser Hoxhën, të hapet fashikulli dhe materialet që do dalin, të vendosen në dosjen e Myrtezait.

E kryen H.Dashi deri në 15.7.1974

Në rast se do të lëvizi në rrethe të tjera, të njoftohen rrethet përkatëse, për të marrë masa kontrolli. Materialet që do dalin t’i dërgohen Drejtorisë së III (Degës së IV). Në fund, të nxirren, studiohen, dhe diferencohen, lidhjet e saj që do të realizojë.

Punëtori Operativ

Haxhi Dashi

Dokumenti sekret i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, Haxhi Dashi, me të dhënat e emigrantit kosovar, S.B., lidhur me ndjekjen e survejimin e Myrteza Bajraktarit

Sekret

Ekzemplar Nr.2

Tiranë, më 5/8/1974

 

                                                 I N F O R M A C I O N

Në një bisedë që pata me emigrantin kosovar, S.B., midis të tjerave më tha:

“…Kam shoqëri me Myrteza Bajraktarin. Pavarësisht nga gabimi që bëri dhe u dënua me Kapllan Resulin, por për këtë kanë respekt të gjithë emigrantët kosovarë. E kam takuar dhe më ka thënë se; jam akoma pa punë. Më ka thënë se tani për tani, në arsim nuk mund të më fusin. Po shikoj për ndonjë punë tjetër…!

Ai i ka thënë se; edhe unë u ngatërrova për çështje kontrabande me njerëz që vinin nga Kosova, Myrtezai i tha: se këtë e kam mësuar mirë nga Idriz Zeqiri. Por, Myrtezai i tha: “Dije mirë, e mbaje mënd këtë që po të them; mos e hiq kurrë besimin nga Partia dhe shoku Enver, për çështjen e Kosovës. Shoku Enver, personalisht interesohet për problemet e Kosovës dhe asgjë nuk bëhet pa dijeninë e tij.

Ai ka posaçërisht një komision për këto probleme, me anë e të cilit, interesohet dhe kontrollon të gjitha problemet që kanë të bëjnë me Kosovën, ai kontrollon edhe udhëheqës të tjerë kryesorë, për të parë se si e sa janë të azhurnuar me problemet e Kosovës, çfarë mendimesh kanë dhe si e sa janë në dijeni të situatës dhe mbi marrëdhëniet me Kosovën. Unë jam i vendosur dhe do të eci deri në fund, me mësimet e shokut Enver për këto probleme, për këtë jam shumë optimist.

Unë kam ardhur në Shqipëri pikërisht se dua Shqipërinë dhe Kosovën, kam qenë dhe jam kundra politikës së Titos, për këtë kam braktisur çdo gjë. Bile edhe vëllanë, që deri vonë e kam pasur oficer madhor në Jugosllavi.

Që atje e kam braktisur dhe nuk e quaja më vëlla, mbasi ai, kur unë doja të vija në Shqipëri, e që më vonë erdha, më pat thënë, duke më bërë agjitacion e presion, që të hiqja dorë nga idetë e mija, të ktheja rrugë, të mos merresha me Shqipërinë, por unë nuk hoqa dorë nga idetë e mija, përkundrazi, vëllait i thashë që atëherë, se s’të kam vëlla.

Por ajo që ka rëndësi, është se tani, vëllai më duket se e ka kuptuar se ka qenë gabim. Atë e kanë çmobilizuar nga ushtria. Më ka shkruar një letër dhe nga kjo letër kuptova se ai më duket se kishte ndryshuar krejtësisht, pikëpamjet e tij dhe është me mendimet e idetë e mija, me Shqipërinë.

-I ka thënë, se; i ka ardhur motra si vizitore dhe me këtë rast, e ka ftuar për vizitë. Nga atdhedashuria, si shenjë simboli, motra e Myrtezait, kishte ngjyrosur flokët, një pjesë të kuqe dhe një pjesë të zeza, që simbolizon sipas sajë, flamurin shqiptar. Myrtezai i tha S.N., se vëllai i ka thënë se; do të mundohem të vij edhe unë me leje në Shqipëri…”.

Më poshtë, në vazhdim të bisedës S.B., tha se: Myrtezai më ka thënë se; Idriz Zeqiri, i ka treguar të gjithë historinë e tij, që desh të dënohej, kur u arrestua. Më vjen keq për të.

Ai e ka shumë gabim, që mendon të kthehet në Kosovë, e ku do të shkoj atje?! Prandaj po të them edhe ty, që si shok që e ke, ta këshillosh që të heqi dorë nga një mëndim i tillë, mbasi edhe unë i kam folur për këtë gjë…”!

S.B., pa i lënë me kuptua se ne interesohemi në drejtim të Myrtezait, i dhamë detyra të përgjithshme, që të shkoj për vizitë tek Myrtezai, meqë e ka ftuar, ta takojë motrën e tij, ju tha se pavarësisht se Myrtezai bëri faje, me Kapllan Resulin, në kundërshtim me vijën e Partisë, por përsëri, ‘për të ne kemi konsideratë’. Qëllimi i shkuarjes për vizitë, është të mësonim rreth reagimeve të saj, lidhur me situatën në Kosovë, etj.

Shënim:

Letra që bëhet fjalë më sipër, me sa dimë ne, e ka marrë Myrteza Bajraktari, nga i vëllai, por ne, nuk na është dhënë edhe nga K.P., por i është ngarkuar shokëve të Drejtorisë së III-të. Prandaj mendoj, që të njihemi edhe ne me përmbajtjen e saj, meqë Myrtezain e kemi në kon. Op. 2/B dhe po e kontrollojmë e po e përpunojmë.

S.B., është emigrant kosovar në kon. 2/B dhe që mbahet afër për interesa operative, sidomos në drejtim të një vizitori që pritet të vijë e që dihet se është agjent i U.D.B.-së dhe vjen me detyra të Zbulimit Jugosllav.

-Ky informacion të shtypet një kopje dhe t’i dërgohet Degës së veçantë.

Në drejtim të Myrtezait dhe motrës së tij, të aktivizohet sipas detyrave, B.p. “Patrioti”.

Të shikojmë çfarë ka dalë gjatë kohës që në Sarandë, nëse u përgjua me T.O. Memorie.al

Punëtori Operativ

Haxhi Dashi

 

                                                              Vijon numrin e ardhshëm


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.