DOSSIER

20 VITE MË PARË/ Gazeta Shqiptare: E goditën me grushte dhe zvarritën duke e nxjerrë nga “Dajti”. “Trimat” e Cekës rrahin në mbledhje Peshkëpinë

07:00 - 19.05.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

19 maj 2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare”




 Dhuna në PAD

Minutë pas minutë përplasja në Hotel “Dajti”

Klanet Ceka – Imami grushte mbi Ridvanin

Filmi i incidentit të djeshëm. Përse Neritan Ceka kishte kërkuar ndihmë një ditë më parë nga Ministria e Rendit. Kush dha urdhër të goditej Ridvan Peshkëpia. Hetimi i policisë dhe si reaguan krerët e partisë së vogël. Bilbil Mema: Truprojat nuk i dhamë për të rrahur njerëz 

 

E goditën me grushte dhe zvarritën duke e nxjerrë nga “Dajti”

“Trimat” e Cekës rrahin në mbledhje Peshkëpinë

Liberaldemokratët treguan dje se dinë edhe të rrihen paq mes tyre. Buzë të çara, xhama të thyer dhe të bërtitura, kjo ishte një nga skenat që dominoi mbledhjen e Asamblesë së PAD-it dje në mesditë. Emra të tillë si: Neritan Ceka, Arben Imami, Ridvan Peshkëpia, ishin aktorët e asaj që ndodhi në hotel “Dajti”.

Anëtarët e Asamblesë së PAD-it panë me sytë e tyre se si njerëz të armatosur e mbërthyen për beli dhe për koke Peshkëpinë, për ta nxjerrë jashtë sallës me forcë. Karriget fluturuan nga të gjitha anët, njerëzit largoheshin me frikë dhe Peshkëpia me përpjekje të mëdha u largohej atyre. Sharjet e shtuan, po ashtu edhe forca fizike dhe për disa minuta rresht tre veta që kishin mbërthyer Ridvan Peshkëpinë, silleshin nëpër sallë duke shkatërruar dhe rrëzuar gjithçka. Në një moment Imami mundi ta shkëpusë Peshkëpinë nga duart që e mbërthyen, por më pas askush nuk ndërhynte dot më. Në një moment kur ishte pak më i lirë, Peshkëpia iu drejtua Cekës me fjalët: “Ti ia bëre me shenjë këtyre.  Ç’duan këta njerëz të armatosur në sallë?” Frazat më pas ishin të shkëputura, gati pa kuptim, dhe dëgjoheshin vetëm: “Hiqi duart… mos më prek… kujdes, se ndahemi keq bashkë… dil jashtë…” Më pas filluan të sharat dhe në fund të sallës së mbledhjes u bë një lëmsh në mes të të cilit ishte Peshkëpia që përpëlitej. Tensioni në sallë u shtua edhe nga zhurma e xhamave të thyer, nga përplasja e njerëzve me dritaret. Pranë derës së jashtme, britmat e tij ishin shumë të forta dhe në moment u dëgjuan dy goditje të thata. Një rënkim i Peshkëpisë dhe një pjesë e anëtarëve të Asamblesë së liberaldemokratëve panë me sytë e tyre se si një prej personave që më pas u tha se ishte polic, e goditi dy herë Peshkëpinë. Ishin këto dy goditje, një në fytyrë dhe një pas koke, që e detyruan Peshkëpinë të dilte nga salla. Rrëmuja vazhdoi gjatë në sallë dhe njerëzit mezi po e merrnin veten, kur në hollin e hotel “Dajtit” mbërritën forcat e policisë, që e bllokuan ambientin deri në sqarimin e ngjarjes. Peshkëpia ishte nxjerrë me forcë nga civilët deri në shkallët e jashtme të hotelit të njohur. Aty ai vazhdoi debatin me civilët. Më pas të gjithë ishin më të qetë dhe Peshkëpia po kujdesej për veten. Sekretari organizativ i PAD-it, i njohur për natyrën energjike dhe dëshirën për të larguar Cekën nga PAD-i, pati një mosmarrëveshje me të gjatë mbledhjes. I ulur në fundin e sallës, Peshkëpia e dominonte të gjithë auditorin me zërin e tij të ngritur. Disa akuza ndaj Cekës dhe më pas një kërkesë për të nxjerrë jashtë sallës njerëzit që s’ishin anëtarë të Asamblesë së partisë. Rreth 40 veta nga i gjithë vendi ishin ulur në sallën e mbledhjes që drejtohej nga Ceka. Presidenti i PAD-it deri në atë moment kishte thënë se Imami dhe pasuesit e tij gabuan rëndë pak ditë më parë, kur mbajtën një konferencë. Kundër kësaj doli Ridvan Peshkëpia, sekretar organizativ i kësaj partie, por kundërshtimin ndaj presidentit të partisë e pagoi edhe me të rrahura nga ata, që në atë moment, u tha se ishin rojet e Cekës.

Imami: Sherri u sajua na Ceka dhe Mema

Kryetari ekzekutiv i PAD-it, Arben Imami, akuzoi dje drejtorin e Policisë, Bilbil Mema, për implikim në këtë ngjarje. Akuzën kryesore ai e bëri ndaj presidentit të PAD-it, Neritan Ceka, duke thënë se e gjitha u inskenua nga ai. Sipas Imamit, gjithçka ishte e përgatitur dhe ka një implikim të policisë në këtë ngjarje, duke e lidhur këtë me faktin se personat që u konfliktuan me Peshkëpinë, ishin policë. Imami tha se Ceka, gjysmë ore më parë, doli nga Ministria e Rendit dhe kërkoi dorëheqjen e ministrit  Çipa.

Peshkëpia: Ceka dha urdhrin për të më goditur

Në momentin e përplasjes së Peshkëpisë me civilët që donin ta nxirrnin jashtë sallës, Peshkëpia i është drejtuar Cekës me fjalët: “Ti ua bëre me shenjë këtyre që të më nxjerrin jashtë. Kështu do e mbash Asamblenë ti?” Më pas Peshkëpia ka lëshuar një lumë akuzash ndaj presidentit të PAD-it, Neritan Ceka. Ndërsa debatonte me civilët, Peshkëpia kërkonte që të nxirreshin jashtë sallës njerëzit që nuk kishin asnjë lidhje me partinë. Pas ngjarjes, Peshkëpia tha se do të bënte kallëzim penal për atë që ndodhi.

Ceka: Peshkëpia ushtroi i pari dhunë në sallë

Presidenti i PAD-it, Neritan Ceka, e quajti një veprim të përsëritur reagimin e sekretarit organizativ të PAD-it, Ridvan Peshkëpia. “Siç e patë, ai goditi disa njerëz këtu dhe në fund u drejtua edhe nga unë, por rojet e ndaluan”, tha Ceka. Ai e akuzoi Ridvan Peshkëpinë, se nuk është hera e parë që bën veprime të tilla, me qëllimin për të prishur mbledhjen e Asamblesë së PAD-it. Sipas Cekës, ky është veprim i përsëritur i Peshkëpisë dhe këtë herë ai goditi të tjerë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.