KULTURË

Konkubina e maleve. Fytyra humane e Kanunit – Këto ligje të jashtëzakonshme mbi jetën vendosur nga burrat

09:00 - 19.05.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fulvia Shtepani – Për mua, Konkubina e maleve bën pjesë në ato libra që i prekin thellësisht shpirtrat dhe kam frikë nëse një lexim i dytë mund ta zbehte këtë ndjesi dhe ta shuajë aromën e leximit të parë. Nëse ndonjëherë kam një tendencë jo të mirë (për këtë kërkoj ndjesë) që të lexoj disi në diagonal, në këtë libër kjo më ishte e pamundur pasi nuk do të arrija ta shijoja plotësisht, pasi është një një kënaqësi të rijetosh historinë e Dalias dhe të jesh në prani të saj. Duke qenë me origjinë shqiptare, ndjehem disi e ftuar por dhe robinë e kësaj historie. Ndjehem e tronditur në shpirt, në mendimet dhe paragjykimet e mia mbi Kanunin dhe rolin e tij mbi atë të kaluar për të cilën kam një njohje jo të plotë. Përmes penës së tij njëherësh me talent, shkathtësi dhe finese, autori prek sigurisht subjekte të rëndësishme çka janë dashuria, familja dhe miqësia dhe që ashtu sëbashku janë mbajtur në një tension gjatë gjithë tregimit. Eshtë aspekti thjesht human që e udhëheq lexuesin perms një udhe në një kronologji ngjarjesh historike që shkojnë që para Luftës së Dytë Botërore deri në çlirimin e vendit dhe instalimin e regjimit komunist. Me talentin e tij autori arrin të na bëjë të kuptueshëm universin e ngjarjeve, këtë univers që ngjizet në një shtrat shpirtëror dhe mendimi ku forma e të cilit përshkon kodet përmes një tregimi gjithpërfshirës e ndonjëherë duke i kaluar limitet e perceptimit njerëzor.
Me kohë, ndjekja e këtij tregimi, situata të çuditëshme marrin një dimension onirik ku vernija e rrebelimit copëzohet në dobi të një historie të fortë dashurie e miqësie. Më pëlqen thjeshtësia se si na tërheq ky tregim në një botë që nuk e kuptojmë gjithnjë, që i sfidon kodet, ku gjërat shpesh janë të pabesueshme dhe të çuditëshme. Eshtë një univers më vete ku natyra dhe vendet reflektojnë gjendjen e shpirtit dhe të banorëve të tyre ku gjërat kanë një jetë të tyre siç thoshte Garcia Markez ( “…kulla e mallkuar në këtë roman). Me shumë dinjitet personazhet i bëjnë ballë përgjegjësive të tyre dhe mizorisë së dramave të ekzistencës ( “Deri në çfarë pike mund të rezistojë shpirti i një gruaje?… Për një kohë të gjatë dhe në çdo rast, ajo kishte ecur zbathur si mbi prushet e zjarrit”). Duke lexuar faqet e librit isha në përgjim të çdo loje të shkrimit ku fjalët marrin vlera që autori ka dashur të japë. Duke e lënë ndërgjegjen time të mendojë mbi fatin e tmerrshëm të Dalias se ç’duhet të bëjë, papritur kisha idenë se po zbuloja ekuivalecën universale të gjithçkaje e të asgjëje, dhe nuk rreshtja të pyesja veten mbi ndjenjën dhe ekzistencën. Duke kërkuar gjithnjë e më shumë të bukurën, e dehur nga vala e emocioneve si dhe duke lënë mënjanë anën moralizuese të mesazhit, e lashë veten të lëkundem dhe të shtegtoj në vendet e këtyre maleve.




Fjala kyç e romanit është dashuria, ky emocion universal pa të cilën njerëzimi nuk mund të ekzistojë, dashuria edhe më e fortë midis nesh. Dalia me dëshirën dhe shpirtin e saj ëngjëllor, me atë buqetë lutjesh në sytë e saj, na përngjan si një e zgjedhur e qiejve në ato male të largëta ( “Zoti na ndihtë! Lavdi Zotit!… Do thonim se qielli hapej e ndriçohej sipër nesh dhe se ai yll ishte ylli i kërkuar që më tregonte udhën e shpëtimit”) Libri është një portë e këndshme që të jep dëshirën të zbulosh qindra zakone të Kanunit. Ai na paraqitet si një roman-kujtesë ku personazhi “fiktiv” i Dalias tregon jetën e saj, jetë e cila zhvillohet përgjatë faqeve të romanit dhe na mban pa frymë deri në fund. Historia zhvillohet me ngjarje e sprova që për heroinën është rasti për të venë në dukje apo të afirmojë cilësitë e saj përtej interesave personale çka i lejon të gjejë një ekuilibër, duke vlerësuar psikologjinë dhe sinqeritetin e ndjenjave të personazhit. Në këtë libër gjej një lloj analogjie me romanet e shekullit XVIII që i ekzaltojnë personazhet si qenie që kanë karakteret e veta, ndjenja, dëshira dhe një fat të vetin. Dhimbjet e herëpasherëshme ( “Oh, Zoti im! Ç’faj kam bërë unë e mjera?!”) ngrihen kundër rregullave të Kanunit duke i dhënë më së fundi personazhit kryesor hire të mrekullueshme, duke i shkatërruar kështu tabutë morale deri në ditët tona.
Faktet e treguara shërbejnë si ngasje në endjen e lexuesit, i cili harron vendin nga vjen dhe tërhiqet ndaj magjisë dhe fiksionit romantik. Romani na ofron një shëmbull që lejon të përçohet një mesazh apo një vështrim mbi gruan dhe shoqërinë e kësaj epoke. Organizimi i tregimit dhe stili i përpunuar, i jep romanit një frymë poetike që lexuesi mund ta çmojë nga ana emocionale e artistike (f.115 – “ishte një vështrim i paharruar, i ndaluar, në atë pikë sa asnjë fjalë e kësaj bote tokësore nuk mund ta shprehte. Aty e realizova se ç’dashuri të madhe kishte brenda tij.”) “Nuk ka asgjë më artistike se sa të duash njerëz” thoshte Van Gogh. Në këtë optikë, romani krijon emocione estetike që e zhysin lexuesin në ndërgjegjen e personazheve. Dhe ne dashurohemi pas Dalias, kësaj gruaje të sakrificave, thellësisht e mirë, e gatshme të ofrojë dashurinë pa kushte, si një mike besnike dhe e sinqertë. Ajo ka një karakter tepër të fortë që jeta në vend që ta mposhtë, në të kundërt e kalit atë. Dyshimet e saj dhe modestia që ka na e bëjnë më të besueshme e më reale. Si vallë një heroinë kaq e përsosur mos ti prekë zemrat e lexuesve?

Dimensionet e këtij personazhi nuk mbarojnë, madje shtohen në sytë e mi deri në atë pikë saqë e shoh si një nga personazhet e librit “Dymbëdhjetë gra të Orientit që kanë ndryshuar historinë”. Pa më të voglin dyshim, në sytë e mi, Dalia e meriton këtë status. Janë rritur në kamje apo varfëri, kanë lindur në Egjipt, Marok, Siri e Konstanipopojë, apo në malet e veriut shqiptar, në të gjitha epokat, gratë e Orientit kanë ditur ta kenë në duar fatin e tyre ndaj çdo pengese dhe këtë në mënyrën e tyre. Ato kanë lënë gjurmën e tyre të pashuar në Historinë njerëzore. Dhe çdo herë kemi po të njëjtin emërues: kurajon! Kurajo e grave që emancipohen në një botë të dominuar nga burrat dhe të drejtuar nga ta, të cilët shpesh nuk u jepnin vendin që u takonte. E megjithatë ato guxuan të imponohen. Më pëlqen mënyra me të cilin romani është shkruar, ndërtimi i tij e veçanërisht mënyra si autori na bën të udhëtojmë në krijimin e tij dhe të besojmë në atë që tregon. Na tërheq, pasi thjesht në të ka kondensuar jetë, kurajo dhe histori (“Çfarë jete! Në fakt, një jetë e ethshme!”)

Mes të tjerash autori ka gjetur një mënyrë të veçantë që e sublimon dhimbjen dhe e bën atë të pastër dhe ideale, duke e transformuar në të bukurën. Shkrimi lejon kështu të çlirohesh nëpër fjalët ku përjetohet lumturia dhe fatkeqësia për të kompensuar bukur zhgënjimet e realitetit, që nganjëherë është shumë vështirë ti pranosh. Thua se në një lloj tregimi mënyre ka përdorur një mjet për të ndërgjegjësuar lexuesit mbi problemet e grave, çka lejon të jepet dhe një mesazh më i fortë përmes kondensimit që ai synon, duke i dhënë kështu veprës një vlerë të vërtetë historike. Dhuna ekstreme e ushtruar nga një sistem në dukje racional i ligjeve të Kanunit, e redukton humanen në një jetë të xhveshur. Eshtë vërtetë interesante të zbulosh sesi Dalia, personazhi kryesor, i bën ballë vuajtjes, e shtyrë nga një fuqi e jashtëzakonshme që ndonjëherë s’ka asgjë humane. Pyetja që mund të bëjmë është: si mund të ketë moral pas asaj kur dinjiteti i njeriut është shkatërruar sistematikisht? Si vallë barazia si një normë sociale, mund të jetë e mundur pas ngjarjesh kaq të vështira që duhen përballuar? Të dyja personazhet, Dalia dhe Mara, që në pamje të parë duken si dy viktima të ekzistencës së tyre, duke përjetuar çaste të mëdha vetmie, të mbytura në pakuptim, kanë mundur të dalin nga kushtet e tyre për të krijuar së bashku një komplicitet të papritur ku fatet e tyre konvergojnë gjithnjë e më shumë në kohë, për të përmbushur gjëra të pabesueshme. Si të thuash, këto dy gra të palodhura, që e duan jetën tmerrësisht, edhe pse shpresat kishin humbur deri në atë pikë që edhe vdekja nuk i trembte më. ( “Zoti im! Përse e more birin tim? Ç’të keqe të kam bërë? Ti dhe burrin ma more gjithashtu… Përse nuk më merr edhe mua?!”
Autori ka meritën të skalisë bukur, në një mënyrë sa të ashpër aq dhe të ëmbël, çka i veçon nga ato nga njëra-tjetra por dhe i bashkon fort. Në dhimbjet dhe dashuritë e tyre, Dalia dhe Mara sikur humbasin veçantësinë e tyre për të ekzistuar pastaj përmes një identiteti misterioz dhe të dyfishtë tduke u shkrirë tek njëra-tjetra, ku sa më pak mbetet nga veçantësia e tyre, aq më shumë mbetet e përbashkëta tek ato. ( “Koka e Dalias e vendosur në gjinjtë e xhveshur të Marës” … Vetëm Mara mund ta paqtonte zemrën e saj të plagosur.”) Duke qenë secila si një robinë në dhimbjet e saj të pandashme, dy heroinat, në mënyrë kaotike do të afrohen duke u përpjekur të mbijetojnë dhe të rigjejnë magjithatë rrugën e dashurisë, pasi vetëm dashuria mund të shpresojë aty ku arësyeja është dëshpërim, vetëm dashuria mund të bëjë një mrekulli. Por kjo nuk është e lehtë, duhet të kesh një zemër të madhe, sepse të duash nuk është një projekt që duhet ndërtuar e që për një çast na ndriçon. Për dy heroinat ky çast është lindja e vështirë e Marës ( “Që nga ajo ditë, një dashuri e vërtetë lindi mes nesh… Ne do të ishim gjithnjë bashkë dhe nuk do të ndaleshim kurrë në rrugën tonë”. “Ne e donim shumë njëra-tjetrën.”)

Dashuria përbën kështu një dimension psikologjik ku nisur nga e kaluara, autori e paraqet jetën e tyre si një hapësirë dhe kohë plot ndjeshmëri në zemër. Pavarësisht nga dhimbjet që ngjiz, romani vë në pah cilësitë humane të Dalias, Marës dhe Rexhës, duke thurrur kështu një dramë të ndjeshme në forma të ndryshme, duke i lejuar çdo njerit prej këtyre njerëzve të thyer nga historia të kenë çaste dhe marrëdhënie humane duke shkuar nga mirënjohja tek prishja e tabusë dhe nga xhelozia tek dashuria. (“Një natë ishte Mara që shkonte me të dhe natën tjetër unë. I lija bashkë dhe qeshja me Marën dhe kur unë shkoja, ajo qeshte nga gëzimi duke na parë të dyve bashkë”.) Nuk lindesh Njeri, por bëhesh! Ligjet mesjetare të Kanunit e prishnin natyrën njerëzore dhe ato s’kishin asgjë të përbashkët me mënyrat humaniste për të ndërtuar një njeri të emancipuar, si në fizik ashtu dhe në shpirt.

Asgjë nuk është më e admirueshme dhe që i bën aq nder virtutit kur një zemër plot mirësi e dhëmbshuri, është në gjendje të ofrojë ndihmë, një zemër si ajo e Dalias dhe e Marës, të cilat në fillim, për shkak të ngjarjeve të ndodhura, ishin të mbyllura e që shumë natyrshëm pastaj të shpalosen në dritën e diellit. Tabloja e këtyre dy fateve të përshkruara në këtë mënyrë tregon mrekullisht gjithë aspektet e ndjenjave femërore që në një arësye të ftohtë janë të kundërta mes tyre. Autori na dëshmon për një sensibilitet sizmografik të variacioneve dhe intensiteteve emocionale të personazheve të tij dhe njëkohësisht rëndësinë e heshtjeve të tyre, duke pikasur ndërkohë largimin e tyre nga Kanuni, një mjedis ku ai vetë përpiqet të kuptojë dhe të na shpjegojë. Megjithë statusin jo të qartë të Kanunit është e habitshme që në roman autori i lejon vetes të fusë idenë në kodet e Kanunit të papajtueshmërisë dhe njëkohësisht komplementaritetit të shpirtërores për formimin njerëzor. Ai e kap këtë mundësi për të shpjeguar një botë tjetër apo një kohë tjetër dhe të krijojë engimën në sytë e lexuesve.
Zemra ime është mjaft e prekur nga historia e personazhit kryesor Dalia. Eshtê një fatum (fat) i vërtetë, fati i trishtë që e ndjek këtë grua, mendimet e saj, heshtja e saj që peshon më rëndë se fjalët, duke na zhytur në melankolinë e fatkeqësive dhe të lumturive të saj, ja pra këta dy vektorë kaq elokuentë të dashurisë. Mendoj se të duash, të vuash, të kushtohesh e sakrifikohesh do të jenë gjithnjë pjesa e biblës emocionale të jetës së grave. Dalia më magjeps me aftësinë për ti ndrydhur ndjenjat e saj gjer në abstragim, çka e bën zemrën e saj një lloj altari ku ajo përpiqet duke shkelur dinjitetin dhe duke ia pohuar dobësinë e saj shpirtit të vet angjelik. Karakteri i saj, humanizmi, pastërtia e zemrës së saj përbëjnë rezerva morale të ekzistencave të forta, të domosdoshme për të kapërcyer vetminë, duke u bindur njëkohësisht se çdo fuqi humane është një pjesë përbërëse durimi e kohe. Ky roman më kujton atë çka shkruante Balzak: “Despotizmi (këtu zakonet) bën në mënyrë ilegale gjëra të mëdha, ndërkohë që liria nganjëherë nuk merr as mundimin të bëjë legalisht gjëra tepër të vogla.”

Cili është ai virtut që i lejon Dalias të përballojë e të kapërcejë vështirësitë dhe të mposhtë të gjitha pengesat? Si vallë bëri që të largojë nga shpirti i saj ndjesinë pushtuese e të egër të xhelozisë? Eshtë tepër tronditëse dhe revoltuese drejtësia njerëzore që nganjëherë i ngjan një imazhi të dobët të drejtësisë qiellore, një imitim i zbehtë i saj. Ritmi i kohës për personazhet duket pak i ngadaltë si të donte ti afrohej e të bashkohej me rrjedhën e ngadaltë të ditëve duke ndjekur kështu labirintet e ngjarjeve, apo të thyhet si një “puzzle” në njëmijë copa. Shkrimi është i rrjedhshëm dhe figurativ, idetë dhe dialogjet janë të lidhura në mënyrë orignale dhe ndjenjat i prezantohen lexuesit në një mënyrë që ai veç tronditet nga kjo shfaqje lakuriqe e shpirtit të vrarë të këtyre dy grave.

Përsa i përket motivit të naracionit, është një lloj enigme, një kërkim i papërcaktuar. Në fillim nis të ndërtohet shkallë-shkallë, ndërkohë që tregimi përparon në itinerarin që ka ndërmarrë heroina. Prezantimi ndjek linjën e strukturës duke ndjekur hap pas hapi personazhin kryesor, dhe duke treguar çdo etapë të udhëtimit të saj. Romani fiton densitet semantik përmes lojës së figurave të stilit shenja-simbole, duke u pasuruar kështu me një imagjinatë përfshirëse përmes një stili të saktë, të thjeshtë e konçiz, duke na dhënë thelbësoren, çka i jep ritëm dhe motivim gjithë fiksionit. Ka shumë fraza që na çojnë në mendimet tona, por thënë më mirë, ato janë më të thella dhe më të përcaktuara. Sa më i pasur është autori me fjalët, aq më e gjallë bëhet lënda dhe aq më shumë tërhiqemi nga narracioni. Edhe pse në planin tematik ky roman largohet disi nga leximet tona të zakonshme të viteve të fundit, historia e Dalias i ngjan një feneri magjik që akoma mund të prekë, të frymëzojë, të mësojë e të moralizojë. Romani është në vetvete një thesar i arkeologjisë letrare, elozh i një autenticiteti absolut, plot aventura dhe ngjarje të papritura. Eshtë një margaritar që duhet lexuar me çdo kusht!
* profesore, Akademia e Versajës, Francë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.