DOSSIER

Kontradiktat e mërgatës antikomuniste në Perëndim/ “Xhafer Deva dyshonte te Shemsedin Vendresha, për lidhjet e tij me qeverinë komuniste të Tiranës

07:52 - 19.05.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ndoshta si shumë të tjerë, edhe unë, shpeshherë shfletoj letrat me miqtë dhe bashkëpunëtorët e mi, që nuk janë më në këtë jetë. Duke i shfletuar ato, për një çast shpalosen kujtime që më duket se disa prej tyre mund t’i shërbejnë historisë tonë. Pastaj, kthehem te vetëdija për gjendjen e e sotme të rëndë në atdheun etnik, shkaktuar nga çatrafilimi i politikës shqiptare, e them me vete: “Vallë, çfarë mund të shërbejnë në këtë kohë të zymtë kujtimet e mia për të tjerët ose letrat e njerëzve të vdekur?”




Pa qenë ndjellës ogurzi i pesimizmit, duke menduar si gjithmonë për një të ardhme më të mirë, kthehem tek detyrimet e mia ndaj miqve të mi dhe si një vëzhgues i akullt i kohës, pa asnjë pretendim shërbimi historik, kur më jepet mundësia e botimit, shkruaj atë që kam në mend, gjithnjë të mbështetur në shkrimet dhe në letrat e tyre. Ky parim ndiqet edhe në këtë libër për Xhafer Devën. Xhafer Devën e njoha në person, kemi këmbyer vizita dhe kemi pasë letërkëmbim të dendur.

Kam kaluar ditë pushimi në shtëpinë e tij dhe kam trashëguar të gjithë korrespondencën e Xhafer Devës me Rexhep Krasniqin, shokun e tij më të ngushtë, për mëse 40 vjet. Mbas shumë vjetësh, bisedova në telefon me të bijën dhe dhëndrin e zonjës Deva. Në bisedë e sipër, duke përfituar nga miqësia e vjetër, pyeta për letrat e tij dhe më njoftuan se të gjitha i kishte Qefali Hamdia, mik i familjes së tyre.

Në qershor të vitit të kaluar (2001) shkova në Kenosha, Wisconsin, mysafir i Qefali Hamdisë, për të shikuar korrespondencën e Xhafer Devës, të cilën ia kishte dërguar zonja Deva vite më parë, kur ajo, për shkak të moshës së thyer, po mbyllte shtëpinë e vet për të vajtur në shtëpinë e 5 së bijës dhe të dhëndrit, zonjës Burgl Dagmar dhe Rev. Dennis Logie.

Mbasi lexova pjesën kryesore të letrave, në ato gjuhë që i merrja vesh, mora me vete më shumë se një mijë faqe të korrespondencës së tij, ku përfshihet një periudhë mbi 30 vjet, 1945 – 1978. Xhafer Deva foli dhe shkroi shtatë – tetë gjuhë. Korrespondenca e tij është: shqip, anglisht, gjermanisht, italisht, frëngjisht, turqisht dhe serbisht. Letrat dhe shkrimet e Xhafer Devës, me përjashtim të atyre me shkronja të turqishtes së vjetër dhe të serbishtes me shkronja cirilike, kryesisht janë të shkruara me makinë, të mbajtura mirë dhe të renditura si mbas alfabetit, me personat që ai kishte të bëjë.

Aty përfshihen edhe letrat e tij familjare. Ai ruajti me kujdes kopjen e çdo letre që dërgoi dhe çdo letre që mori. Zonjës Oswalda Deva, të bijës Burgl, dhëndrit Dennis Logie dhe z. Qefali Hamdia me familje, i’u shprehi falënderimet më të përzemërta për besimin që më dhanë. Me mirënjohje të veçantë kujtoj këtu ndihmesën që më dhanë vëllezërit – Kapidan Nue Gjomarkaj dhe Nikoll Gjomarkaj, në përgatitjen e njërit prej kapitujve më të rëndësishëm të këtij libri.

Kapidan Nou, përveç vënies në dispozicion të lëndës mbi marrëdhëniet e Xhafer Devës me ‘Bllokun Kombëtar Indipendent’ dhe dërgimin e parashutistëve në Shqipëri e në Kosovë, shqyrtoi bashkë me mua secilin dokument të asaj periudhe, dhe formuluam tekstin në formë bisede; ndërsa Nikolla, deshifroi letrat, transkriptoi dhe përktheu nga italishtja, materialet e papublikuara deri më sot, të cilat u botuan në këtë kapitull.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Më vonë ikë prej kampit dhe bashkohet me ta. Menjëherë vendosin për të kaluar kufirin në Greqi dhe arrijnë në Selanik prej ku transferohet në Llavrion të Athinës. I vendosur për të dhënë kontributin e vet çështjes së përbashkët shqiptare, bashkohet me një grup shqiptarësh në stërvitje për operacione në Shqipëri, të cilat drejtoheshin nga Komiteti Kombëtar “Shqipëria e Lirë”. Pas mbarimit të kurseve, ngarkohet me detyra delikate dhe të rrezikshme, të cilat i plotësoi me saktësi. Kështu në ato operacione që zgjatën një vit dhe përfunduan pa sukses, Kaloshi fitoi admirimin e shokëve dhe respektin e superiorëve. I dëshpëruar në kulm, por si njeri aktiv dhe i punës, përgatitë formalitetet dhe emigron në Shtetet e Bashkuara. Me 1956 arrin në South Milwaukee, ku punon për dy vjet në një fabrikë. Me anë të miqve të tij sjell vëllain Sakibin dhe së bashku blejnë një restorant në Milwaukee, ku punojnë natë e ditë deri në vitin 1967.

Me shitjen e restorantit, blen Hotelin “Dayton” në Kenosha, Wisconsin. Gjatë kësaj kohe bën disa udhëtime në Stamboll dhe rregullon sjelljen e familjes së tij të ngushtë: zonjës, të birit Qefali dhe vajzës Hyrije. Për të parën herë, mbas shumë vuajtjesh, Kaloshi vendoset mirë në Hotelin “Dayton” dhe fillon për të shijuar jetën e qetë. Me punë e djersë por me cilësi të jashtëzakonshme pozitive, blenë dy shtëpia. Më vonë blen Hotelin “Randolph” dhe Klubin “Saratoga” po në Milwaukee. Me zhvillimin e tregtisë, ai sjell edhe vëllain tjetër Xhavidin. Kaloshi pohonte me modesti se në radhët e ‘Lidhjes së II-të të Prizrenit’ kishte hyrë si anëtar i thjeshtë qysh në moshën 17 vjeç, ku iu ishte bashkuar forcave vullnetare në atdheun e tij. Në mërgim ai ishte një prej përkrahësve më të shquar të Lidhjes. Më 1971 zgjidhet nënkryetar i saj. Ketë përmbledhje të shkurtë biografike të tij ma ka dërguar Xhafer Deva në formë shënimesh me rastin e vrasjes së Kaloshit dhe është botuar në gazetën, “Lidhja e Prizrenit”, Janar – Korrik 1974.

Hysen Terpeza

Në korrespondencën e Devës, gjendet një dosje letrash me Hysen Terpezën, luftëtar i njohur në Kosovê dhe nënkryetar i ‘Lidhjes së Prizrenit në Mërgim’, mbas vitit 1962. Deva në letrat e tij me Terpezën, është i rezervuar; ato i përkasin vetëm karakterit zyrtar të kuptimit si nënkryetar i ‘Lidhjes’. Arsyeja që Deva mbante rezervë në korrespondencë me të, shpjegohet në letra të ndryshme dërguar miqve të tij, me të cilit nuk mbante rezervë në letërkëmbim. Qysh në fillim ai, e konsideron Terpezën si njeri i lëkundur në pikëpamje politike dhe njeri që përdorej lehtë prej të tjerëve. Hysen Terpeza i shkruan shpesh Xhafer Devës, por shumë rrallë, krahasuar me udhëheqësit tjerë të Lidhjes, merr letra prej tij.

Një letre të tij, lidhur me kërkesën për përjashtimin e Dem Ali Pozharit nga radhët e ‘Lidhjes’, Deva i përgjigjet shkurt: “Z. Hysen, kryetari i ‘Lidhjes’, si të gjithë kryetarët tjerë të partive ose organizatave politike në mërgim, nuk ka kompetenca me ngarkue, shkarkue ose perjashtue anëtarë të organizatës që kryeson. Emnimet, shkarkimet dhe përjashtimet, bahen nga Komiteti Ekzekutiv dhe miratohen nga Kryetari. Sa i përket Dem Ali Pozharit dhe kërkesës tënde për përjashtimin e tij të menjëhershëm nga ‘Lidhja’, unë kam këtë me thanë: Dem Alia e ka shkarkua veten nga ‘Lidhja’ dhe nuk ka nevojë për përjashtimin e tij nga ana e jonë. Ai shkoi në Tiranë, pa u këshillua me ne, por prap se prap, shkoi si burrat, ashtu si mund të shkonte Dem Alia. Shkoi ditën për diell. Unë kam kuptim ma të mirë për një veprim të tillë, se për shumë të tjerë që shkojnë herë në Bruksel, herë në Stamboll me taku familjarët e vet të ardhur nga Kosova, të cilët janë të shoqnuem nga njerëz të U.D.B.-ës. Për mua, kapitulli me Demen mbyllet me këto fjalë. Ju, po deshët me e përjashtue, duhet të mblidhni Komitetin Ekzekutiv, dhe natyrisht, vendimin e Komitetit unë e miratoj”. (Kjo letër e Devës, dërguar Hysen Terpezës nuk mban datë).

Ndërkaq, arkëtarit të Lidhjes, mikut të tij Hysen Pllanës, Deva i shkruan lidhur me Terpezën: “Hyseni asht luftëtar por, ka pas fatkeqësi si shumica e trimave të Kosovës, duke mos pas as shkollë as zanat. Në pamundësi me mbajt veten me ndonjë punë që i jep satisfaksion, ka mbet keq nga pikëpamja ekonomike. Emrin e tij si luftëtar e kanë shfrytëzue të tjerët. Prandaj ai lëviz mendimet e tij, herë me një anë, herë me një tjetër. Këtë e ka bë qysh në kampet e Greqisë, herë me Legalitetin e herë kundër tij. Hysenin duhet t’a lëm ashtu siç asht. Nuk asht mirë për ne të merremi me problemet e tij personale, ose t’u japim rëndësi veprimeve të tij gjoja politike. Si nënkryetar të Lidhjes, duhet t’a respektojmë derisa e kemi zgjedh vet…”! (Paragraf nga një letër e Devës dërguar Hysen Planës, 7 gusht, 1969). Hysen Terpeza, shpeshherë, me shtytjen dhe ndihmën e te tjerëve, në shkrim, nxirrte letra të hapura kundër Xhafer Devës, Dr. Rexhep Krasniqit dhe Komitetit “Shqipëria e Lirë”. Duke u bazuar në heshtjen e personave që ai i kritikonte, pak kush i merrte serioz “polemikat” e tij. Për qëndrimin e tij patriotik dhe luftarak gjatë Luftës së Dytë Botërore, Hysen Terpeza gëzoi një respekt të veçantë në masat popullore të emigracionit politik shqiptar.

Ismet Berisha

Ismet Berisha rrjedh nga një familje e njohur patriotike e Rrafshit te Dukagjinit. Gjyshi i tij, Sadik Ramë Gjurgjeviku, është një prej udhëheqësve të shquar të Kosovës, i cili përkrah Bajram Currit dhe prijsave të tjerë kosovar, dha një kontribut të shquar në përpjekje për lirimin dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërie. I biri, Ukë Sadiku, babai i Ismetit, ishte një prej luftëtarëve të njohur gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe besnik i patundur i idealeve të ‘Lidhjes së Prizrenit’. Për qëndrimin e tij luftarak, e pushkatuan komunistët në Prishtinë, në vitin 1947, së bashku me patriotët, Ajet Gërgurin, Osman Bunjakun e Gjon Serreqin. Ismet Berisha lindi ne Shijak të Shqipërisë, me 1933. Emigroi në SHBA në vitin 1960 dhe menjëherë ra në kontakt me kosovarë të tjerë, miq të babait dhe të gjyshit të tij, si Mehmet Agë Rashkoci, etj. Vëllai i madh i Ismetit, Skenderi, ishte dënuar në Jugosllavi me 17 vjet burgim. Gjatë viteve 1945, 1946, 1947, tërë familja e tij ishte e burgosur. Ismet Berisha është një prej organizatorëve të parë të ‘Lidhjes së Prizrenit në Mërgim’. Qysh me 1962, ai kërkoi nga Rexhep Krasniqi të ndërhynte pranë Devës, për pranimin e kryesisë së Lidhjes.

Në disa letra, Deva shprehë pakënaqësi me qëndrimet e Ismetit. Shikuar nga këndi objektiv, pakënaqësia e Devës është pak e tepruar. Deva banonte larg turmave politike shqiptare në mërgim (larg New Yorkut), dhe larg organizatës që kryesonte. Berisha ishte ne mesin e tyre, për mos të thënë në vorbullën e tyre. Si i ri me energji të pashtershme, ai kishte nevojën e të tjerëve, dhe shpesh binte ndesh me vetveten, e lëre më me Xhafer Devën. Për të afruar sa më shumë njerëz rreth ‘Lidhjes’, Ismetit i duhej t’u përshtatej zhvillimeve të kohës dhe njerëzve, që ndoshta as atij nuk ia donin të mirën. Në Kongresin e Dytë, ai pranoi përgjegjësinë për botimin e deklaratës në gazetën “Dielli” dhe u tërhoq nga salla e Kongresit, duke e bërë të qartë, se do të mbetej anëtar besnik i ‘Lidhjes’. Berisha kishte mbështetjen e plotë të Kalosh Hamdis dhe të shumë anëtare të rinj të Lidhjes. Me gjithë ankimet e Devës, Ismeti nuk shkroi asnjë herë kundër tij. Përkundrazi, ai mbrojti me këmbëngulje strategjinë e përgjithshme politike të Xhafer Devës, dhe u përpoq të shuante mosmarrëveshjet brenda organizatës.

U kthye përsëri në postin e mëparshëm, me kërkesën e Kalosh Hamdis dhe disa miqve të tjerë. Ata e shikonin Ismetin si të vetmin person energjik që mund të mbante koordinimin e veprimtarisë së ‘Lidhjes’ në New York. Mbas vdekjes së Xhafer Devës, ‘Lidhja’ bëri ndryshime në Statut dhe shpesh u lëkund në qëndrimet e veta politike, si rrjedhim i ndryshimeve dramatike të kohës dhe zgjerimit të tepruar në bashkëpunim me të tjerët. Me përpjekjet e tij personale, Ismet Berisha e mbajti gjallë emrin dhe misionin e Lidhjes dhe zhvilloi veprimtari të ndryshme në emër të kësaj organizate patriotike. Edhe sot, mbas 40-të vjetësh, ai ka arritur të afrojë rreth ‘Lidhjes’ një element të ri intelektualësh, ardhë kohët e fundit nga Kosova dhe Shqipëria. Prej vitit 1998, Lidhja ka hapur një zyrë në Bronx, New York. Gjatë luftimeve të fundit në Kosovë, kjo organizatë ka dhënë kontribut të çmuar në mbledhjen e ndihmave materiale dhe në ngritjen e zërit të vet politik. Prej riorganizimit të ‘Lidhjes së Prizrenit në Mërgim’, e deri me vdekjen e Devës, me një përjashtim të shkurtë mbas Kongresit të Dytë, Ismet Berisha ishte Sekretar i Përgjithshëm i kësaj organizate. Korrespondenca e Devës me Berishën është e pasur.

Shemsedin Vendresha

Shemsedin Vendresha ishte një prej gazetarëve të talentuar të kohës së tij dhe njohës i disa gjuhëve: frëngjisht, gjermanisht, italisht, dhe turqisht. I lindur dhe rritur në Shkup, gjatë Luftës së Dytë Botërore, angazhohet në veprimtari të ndryshme, së pari si drejtor i “Radio Kosova” me qendër në Prishtinë, dhe më vonë anëtar i Komitetit të Organizatës Ushtarake të Rinisë Nacionaliste të Prishtinës për Mbrojtjen e Kosovës. Kjo organizatë u themelua në vitin 1944, me shtytjen dhe përkrahjen e Xhafer Devës, i cili, në atë kohë ishte Kryetar i ‘Lidhjes së Dytë të Prizrenit’. Vendresha dha një kontribut të shquar në gazetari; për disa vjet botoi në Stamboll gazetën “Vardari”. Ai ndihmoi në botimin e gazetës së Legalitetit, “Atdheu”. Më vonë, u emërua drejtor i shtypit të ‘Lidhjes’. Gazeta “Lidhja e Prizrenit”, redaktuar prej tij dhe kontrolluar nga Xhafer Deva, cilësohet si gazetë në lartësi profesioniste. Korrespodenca e Devës me Vendreshën, është e kufizuar. Ai, dyshonte se Shemsedin Vendresha, mbante lidhje me zyrtarë të qeverisë së Tiranës në Perëndim.

Për këtë çështje, Deva i kërkon informata mikut të tij në Stamboll, Tahir Kolgjinit, i cili i përgjigjet: “Sa për Shemsedin Vendreshen, mundem me të dhën vetëm disa njoftime, të cilat, mandej vlerësoj vet.

Shemsedinin, me të cilin shumë vjet kam pas bashkëpunua në çështjet që i kam pas përfshi me qëllimet e mija – kombëtare – asht ambicioz në pozita. Aj, kur i vjen radha, mund të shkelë mbi kufomën e bashkëpunëtorit të vet, për me shti në dorë një pozitë të lakmueshme. Me gjithë këtë, bujaria nuk i mungon. Jo veç; por nuk e kursen vetveten, kur asht fjala për ndonjë veprimtari kombëtare. Asht fakt. Natyrisht si çdo kujt, edhe atij i pëlqen të përmendet.

Ma para ka qenë vërtetë antikomunist. Ma vonë, me vendin këtu, hyni në marrëdhënieje si thellë. Mandej, u takue me disa nënpunsa shqiptarë të kuq dhe shkaktoi që ta tronditëse besimin. Mbi këtë ra shumë poshtë në pikëpamje ekonomike dhe filloi me vuejtun. Një vajzë e vetja në Shqipni, kishte përparue dhe ishte dallue si artiste – me duket: soprano. -Aj, besoj, duke u mbështetun në vleftën artistike të vajzës së vet, një ditë më thotë, mendon me shkue në Shqipni, mbasi nuk mundte me jetua këtu. Në këtë mënyrë më pyeti mendimin. Unë, iu përgjigja: “Ti, ende nuk e paske njohtë komunizmin. Ke ndihmua antikomunistët në Kosovë. Ke folur kundër komunizmit në radion e Prishtinës, në radion e Shkupit dhe n’atë të Vjenës. Ke botue gazeta antikomuniste, Vardarin në Stamboll. Jo që vet ke shkrua kundër komunizmit; por, ke botue edhe artikuj të mi e të tjerëve antikomunistë. Pra, Tirana, të gjitha këto i din. Ty, t’a nxjerr shpirtin me miligram.” U pendua dhe nuk shkoj

Mbas shumë vuajtjesh, Legaliteti e tërhoqi në New York, për me i dorëzua botimin e fletores ‘Atdheu’. Para se të nisej, e porosita, duke i thanë që të shikonte punën dhe jetesën e vet; të mos nakatosje në grindjen e tyre, që mund të ken me njërii tjetrin. Mirëpo, aj, filloi me lakmue lart e ma lart. Hyni në mes të dallgëve. Dhe me vdekjen e Nuçi Kotës, Selim Damani me të vetët, i ranë shkelm dhe e fërfëlloi si një top këmb.

Jetën në ‘Lidhjen e Prizrenit’, nuk asht nevoja me e përshkrue. E din vetë.

Sa për ata që janë ekzekutua n’Ankara, nuk di nëse ka pas ndonjë bashkëpunim me ta. Nuk e besoj. Aj ka shumë vjet që ka shkue ne New York, duke e lan Stambollin. N’atë kohë, nuk ka qenë shtrimë puna aq sa, ata të kishin nevojën e Shemsedinit. Tash, këto pika i kombinon vet. Asht njeri që mund të përdoret, prandaj mund të bashkëpunohet me të me dy kondita:

Duke ia mbajtur frenin fortë dhe b) duke mos i dorëzue sekrete me rëndësi”. (Letër e Tahir Kolgjinit dërguar Devës nga Stambolli, 29 /4/ 1975.

Shemsedin Vendresha ishte një prej penave të forta anti-jugosllave. Pa marrë parasysh qëndrimin e tij ndaj qeverisë së Tiranës, ai nuk bënte më të voglin kompromis ndaj Beogradit. Turqia gjatë luftës së ftohtë, ka qenë vend i goditur nga veprimet subversive të komunizmit ndërkombëtar. Qeveria turke, her mbas here i ndëshkoi pa mëshirë lëvizjet e brendshme komuniste. Edhe regjimi komunist i Tiranës, zhvilloi njëfarë propagande në atë vend, duke përfituar nga trajtimi i urtë politik që iu bënte qeveria turke diplomatëve shqiptarë në vendin e vet. Mbas ekzekutimit të një grupi prej pesë vetash, nga mesi i vitit 1962, shtypi turk përmend edhe ndërlikimin në te të qeverisë së Tiranës. Memorie.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.