OPINION

Një njësi speciale për bilancet e trukuara?

08:00 - 19.05.22 FATOS ÇOÇOLI
GSH APP Get it on Google Play

Bilancet fiktive(të trukuara) të biznesit të madh janë absolutisht një nga fenomenet kryesore, që jo vetëm shmangin pagesën e detyrimeve tatimore, por reflektojnë edhe pasoja të tjera, si deklarimi i pagave tejet të ulta, në raport me tregun e punës, duke sjellë deformime të shumëfishta në treg. Kompanitë e biznesit duhet të detyrohen të mbajnë një bilanc të vetëm, i cili të jetë i përputhur me deklarimin e tyre në tatime, duke frenuar abuzimin me bilancet fiktive, që nga njëra anë nxisin shmangien e detyrimeve tatimore reale dhe nga ana tjetër, ndikojnë në vlerësimin e aftësisë paguese të bizneseve, për shembull, për llogari të kreditimit në bankat e nivelit të dytë. Shumë mirë që, me themelimin në janar të këtij viti të Njësisë Speciale Anti-informalitet për të Ardhurat nga Punësimi dhe Shërbimet, evazioni nga pagat po merr goditje vdekjeprurëse. Shumë mirë që nga 1 qershori 2022, gjobat për deklarim të rremë të pagës do të dyfishohen. Që inspektorët e punës nga këshillimi i kompanive do të kalojnë direkt në gjoba, pse ishin majmur me pagesa nën dorë nga kompanitë, për të mos denoncuar borderotë e tyre me paga të deklaruara më ulët. Dyshohet në mënyrë të arësyeshme se 1/4 e pagave në sektorin privat deklarohen më pak se sa janë në realitet. Buxheti i shtetit humb çdo vit 23-25 milionë euro vetëm nga mospagesa e punëdhënësve për shkak të nëndeklarimit të pagave. Ose 0.5 miliardë euro në 2 dekadat e fundit. Paratë që nuk janë paguar në buxhetin e shtetit mund të kishin shkuar në rritjen e pensioneve me 6-8% çdo vit, krahas indeksimit të inflacionit. Pensionistët mund të ishin ndjerë më mirë dhe më të sigurtë në të ardhmen e tyre. Paratë që nuk janë paguar në buxhetin e shtetit mund të kishin shkuar në përmirësimin e skemës së pensioneve. Skema e pensioneve sot ka një defiçit 260 milionë euro në vit. Po të lehtësohej ky defiçit, paratë mund të përdoreshin për investime publike. Nga ana tjetër, shumë mirë që marifetet me kalimin e profesionistëve të lirë në biznes të vogël do të përfundojnë më 1 qershor 2022. Por duhet kapur LEPURI I MADH! Ose me fjalë të tjera, fshehja e fitimit të kompanive kryesore të biznesit. Fshehja e fitimit të biznesit të madh. Një biznes quhet i madh kur realizon më shumë se 700 milionë lekë të reja xhiro në vit, ose mbi 5.8 milionë euro në vit. Lepuri i madh kapet nëse tatimet kryqëzojnë të dhënat nga shitjet dhe blerjet e biznesit. Duke i krahasuar me shitje dhe blerje të ngjashme nga kompanitë rivale ose me natyrë të njëjtë apo të ngjashme aktiviteti. Kryqëzimi i të dhënave është përgjigjja për pyetje të tilla, si: po kompanitë e mëdha që punojnë me dy bilance(një për shtetin dhe një për Mbretin-pronarin), si e fshehin fitimin? Kryeministri në vitin 2016 deklaroi se janë 800 të tilla. Mendohet që në 6 vjet ato të jenë shtuar dhe kanë shkuar në të paktën 1400. Sikur mesatarisht këto kompani të mëdha të fshehin nga 1 milionë euro fitim çdo vit, shteti dhe të gjithë ne kemi humbje 150 mijë euro. Duke e shumëzuar me një mijë e katërqind kompani, humbja shkon në 210 milionë euro në vit! Duke supozuar se gjysma e kompanive të biznesit të madh janë të ndershme dhe nuk punojnë me dy bilance(gjë që nuk është e vërtetë në këto përmasa), i bie që humbim si shtet dhe qytetarë të paktën 105 milionë euro në vit nga fshehja e fitimit të kompanive të mëdha. Ato e mbrojnë shumë mirë këtë fshehje fitimi. Kanë në borderotë e tyre të fshehta nga tatimorin dhe inspektorin e punës të lagjes e deri tek politikanë, drejtorë drejtorish publike e madje edhe ministra e ish-ministra. Janë vështirësisht të prekshëm. Por nuk janë të paprekshëm! Njësia speciale anti-evazion për të Ardhurat nga fitimi mund t’i prekë mirë dhe t’ua rikthejë qytetarëve këto para që u takojnë. Qeveri e vendit tim, ngrije këtë njësi!





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.