EKONOMI

Tërmeti, pandemia dhe tani lufta në Ukrainë! Çfarë do të ndodhë me turizmin në Shqipëri?

07:41 - 21.05.22 K.K
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në prag të sezonit turistik veror 2022, tur-operatorët janë të pasigurt për ecurinë e përgjithshme të tij. Sigurisht në numër turistësh presin të ketë më shumë prurje edhe si rezultat i heqjes së kufizimeve të plota të vendosura nga COVID-19, por lufta në Ukrainë dhe rritja e çmimeve mund ta zbehin këtë rezultat. Mungesa e turistëve bjellorusë, rusë dhe ukrainas po zëvendësohet nga europianët. Nordikët içelin sezonin në fund të. Turizmi patriotik, edhe pse pritet të jetë sërish baza kryesore, mund të përjetojë një ulje të shifrave, për shkak të çmimeve, sinjale që i ka dhënë në muajt e parë të vitit, por tur-operatorët shpresojnë të rikuperohen në vazhdim. Edhe këtë vit, ashtu si dy vite më parë, edhe pse për arsye të ndryshme, sektori po hyn në sezon mes pasigurish




Bjellorusët dhe ukrainasit ishin dy grupet që vizituan vendin tonë gjatë dy viteve të pandemisë, duke u kthyer në një pjesë të rëndësishme të turizmit të organizuar.

Në mungesë të nordikëve, numrave të pakësuar të turistëve çekë, polakë e gjermanë, këto grupe, edhe për shkak të faktit se Shqipëria ishte një vend COVID-free, patën një peshë jo të vogël. Këtë vit, për shkak të sulmit të Rusisë në Ukrainë, panorama e turistëve që do të vizitojnë Shqipërinë ka ndryshuar. Lidhur direkt me këtë shkak do të mungojnë turistët ukrainas, bjellorusë, si dhe ata rusë.

Polakët, edhe pse kanë kontrata me garanci dhe rezervime aktive, mbeten një treg i paqartë për ecurinë e përgjithshme. Gjithsesi në aeroportin e Tiranës këto ditë ka pasur tek-tuk fluturime nga Varshava.  Tur-operatorët raportojnë se prej disa javësh, ritmi i rezervimeve ka rënë dhe ndjeshmëria e polakëve lidhet drejtpërdrejt me luftën që po zhvillohet në fqinjin e tyre.

Pas dy vitesh mungesë, këtë vit do të kthehen turistët nordikë ndërkohë që tur-operatorët raportojnë për një rritje të përgjithshme të rezervimeve nga vendet e Europës Perëndimore dhe Qendrore.

Nordikët do te vinin më 11 maj, por kjo u shty për në fund të muajit

Marrëveshjet paraprake të tur-operatorëve shqiptarë me agjencitë e huaja që sjellin turistët nordikë parashikonin që më 11 maj të mbërrinte grupi i parë i tyre.

Rrahman Kasa, kryetar i Unionit Turistik Shqiptar, shprehet se kjo ishte ajo që kishim në dokumente, por sipas tij, pala shqiptare nxiti palën tjetër të bëhej një shtyrje për dy arsye.

“Së pari, që të rigjallërohen disi shitjet, pasi në këtë kohë, edhe ata kanë pak shitje. Në marrëveshje është që të vijnë 4 chartera në javë dhe gjysma e tyre janë të plotësuar, për shkak të atij frenimi që fola.

Së dyti, i nxitëm ta shtyjnë pak ardhjen, pasi shohim që në Golem, të paktën aty ku do të qëndrojnë turistët, po bëhen punime në rrugën dytësore. Gjendja e kësaj rruge është e keqe dhe mendoj se punimet do të përfundojnë nga gjysma e qershorit.

Ndërkohë, turistët vijnë një muaj më parë sipas marrëveshjeve. Autobusët e turistëve do të detyrohen të kalojnë në këtë rrugë, ku po bëhen punime, me gropa dhe pluhur, në të cilën do të krijohet trafik dhe mjetet do të presin në radhë për të hyrë, pasi njëra anë është e mbyllur”, – tha Kasa.

Sipas tij, ardhja e turistëve të parë në një kohë kur po kryhen punime në rrugë dhe kushtet jo të përshtatshme mund ta ekspozojnë vendin ndaj një imazhi jo të mirë të përcjellë nga turistët në rrjetet sociale.

Kujtojmë se diçka e ngjashme ndodhi verën e kaluar me fotot e mbetjeve në qytetin e Durrësit që, për shkak të një problemi me menaxhimin, koshat u lanë për ditë me radhë të pazbrazur, duke krijuar “male” të tëra me plehra që bënë xhiron e botës.

 

 

Polakët, lufta në Ukrainë ka frenuar rezervimet

Polakët e nisën me këmbë të mbarë edhe këtë vit, me vizitat e tyre drejt Shqipërisë, ku shifrat e tyre, edhe pse modeste, janë në rritje në raport si me vitin 2021, edhe me vitin 2019, kur ende nuk kishim ndikimet e COVID-19.

Lëvizja e shtetasve, e raportuar nga Instituti i Statistikave, tregoi se gjatë janar-mars 2022, numri i vizitorëve polakë u dyfishua në raport me të njëjtën periudhë të 2019-s.

Këto shifra duhet të ishin një “ogur” i mirë për atë që do të sillte në fakt sezoni veror 2022, por situata konkrete nuk është aq e thjeshtë. Duke qenë një vend kufitar me Ukrainën, ku prej shkurtit, Rusia ka nisur sulmet ushtarake, Polonia është edhe më e ndjeshme dhe me pasiguri. Tur-operatorët shprehen se rezervimet janë frenuar.

“Polakët kanë ndalur rezervimet dhe kjo lidhet direkt me faktin që janë vend kufitar i afërt. Është një efekt i pritshëm dhe mbetet për t’u parë sesi do të vijojë situata”,- tha z. Kasa.

Të njëjtin perceptim përcjell edhe Arben Çipa nga “Sipa Tours”.

“Mund të themi se ka rënë ritmi i rezervimeve dhe kjo vjen për shkak të pasigurisë. Ndikimi është më i dukshëm në tregun polak për shkak të afërsisë gjeografike me Ukrainën”, – nënvizon ai.

 

 

Zbehet turizmi patriotik? Faktorët që po e ndikojnë

Turizmi patriotik luajti rolin kyç për sektorin e turizmit gjatë periudhës së pandemisë. Shqiptarët e Kosovës rritën në mënyrë të ndjeshme vizitat drejt Shqipërisë, duke tejkaluar edhe shifrat para pandemisë, por duket se viti 2022 ka shfaqur një tendencë të kundërt, të paktën në 3-mujorin e parë të vitit.

Numri i vizitorëve nga Kosova, sipas shifrave të INSTAT, ka pësuar rënie me 9.5% në janar-mars 2022, krahasuar me një vit më parë. Nga tur-operatorët kjo ulje mund të jetë rezultat i disa arsyeve.

Së pari, ndikimi i motit, ku koha nuk ka qenë e mirë; së dyti tradicionalisht siç ndodh gjatë muajit të Ramazanit, ulet numri i vizitorëve nga Kosova; së treti ishin kushtet e vaksinimit që kërkoheshin në kufi. Por, një tjetër arsye që mund të ndikojë ecurinë në vazhdim janë çmimet.

Turistët nga Kosova rezervojnë individualisht, ose me agjenci, por nuk kanë kontrata të parablera dhe paguajnë në bazë të kërkesës në momentin e fundit. Kjo i ekspozon ata ndaj çmimeve të reja që hotelet i kanë rritur, pasi iu është thuajse dyfishuar çmimi i energjisë, si dhe është rritur kostoja e detergjentëve, pagat e punonjësve, ushqimet.

“Mendoj, së pari, se ka ndikuar rritja e çmimeve. Është shtrenjtuar kostoja e jetesës, por janë rritur edhe çmimet për rezervimet. Pastaj ka dhe faktorë të tjerë që mund të kenë ndikuar në këtë rënie siç ka qenë moti i keq, muaji i Ramazanit, kufizimet për shkak të pandemisë që ishin në fuqi”, – shprehet z. Kasa.

Sipas tij, është ende herët për të folur për një zbehje të interesit pasi tendenca e vërejtur në fillim të vitit mund të ndryshojë në vazhdim.

Europianët “zëvendësojnë” bjellorusët, rusët e ukrainasit

Kur konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës “shpërtheu”, në lidhje me efektin që do të kishte kjo në turizëm, tur-operatorët thanë se zëvendësimi i grupit të turistëve të lidhur me këto vende mund të bëhej nga të tjera grupe.

Sot tur-operatorët raportojnë se vihet re një rritje e rezervimeve nga vendet e Europës Perëndimore dhe Qendrore dhe duket se ky do të jetë grupi që do të bëjë këtë “zëvendësim” për turistët e munguar bjellorusë, rusë dhe ukrainas. “Ata nuk po i zëvendëson dikush për momentin.

Në territorin tonë, ata mbulonin nga 10-15% të turizmit të organizuar dhe nuk është aq e thjeshtë të bësh zëvendësim menjëherë. Por tendenca nga europianët perëndimorë që folëm pak më sipër mund ta zbusë efektin e mungesës.

Janë besoj, më pak, diku tek 10%, por ka diçka tjetër që mund ta kompensojë këtë mungesë edhe me shifra më të ulëta. Turistët europianë paguajnë më shumë sesa ukrainasit dhe bjellorusët dhe në vlerë, bëhet më e zëvendësueshme”, – nënvizon z. Çipa.

 

Burimi: INSTAT

 

Burimi: INSTAT/ Monitor- Nertila Maho


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.