Përfundon raundi i dytë për presidentin e ri! Palët nuk kanë dorëzuar zyrtarisht asnjë kandidaturë, për rrjedhojë, ky raund pritet të dështojë.
Afati i fundit ishte deri në orën 16:00, nuk është dorëzuar asnjë kandidaturë për President.
Të hënën në orën 18:00 pritet të mbahet edhe seanca plenare, ku pritet që të ketë të njëjtin fat si ajo e kaluara, ku dështoi pa asnjë kandidaturë.
Kryetari i grupit parlamentar socialist, njëherësh kreu i grupit negociator me opozitën për procesin e zgjedhjes së Presidentit, Taulant Balla, nënvizioi sot nga Fieri se nëse vijon të mos sjellë kandidatë zyrtarisht për zgjedhjen e Presidentit atëherë mazhoranca në votimin e katërt do t’i japë vendit kreun e ri të shtetit.
“Nuk e kuptoj pse PD si grupi më i madh në Kuvend u tërhoq nga një proces për të sjellë kandidatura. Do të ishte jo produktive që të digjnim edhe raundin e dytë për zgjedhjen e presidentit. Ne e respektojmë marrëveshjen që kemi rënë dakord me grupin parlamentar të PD dhe grupet e tjera që dy raundet janë raunde që i takojnë propozimit për kandidat për president nga opozita”, tha ai.
Raundi i parë dështoi pa asnjë emër konkret për presidentin e ri të Republikës së Shqipërisë. Ndonëse nuk ka asnjë kandidat për t’u votuar edhe raundi i dytë sipas Kushtetutës së Shqipërisë quhet i ezauruar për t’ia lënë vendin 3 raundeve të tjera. Vetëm një i tillë ka mbetur për ta zgjedhur Presidentin me shumicë të cilësuar 84 vota, ndërkohë që në të katërtin dhe të pesti Presidenti mund të zgjidhet me 71 vota.
Pampuri i përgjigjet Ballës: Rama kërkon të zgjedhë presidentin me votat e krimit e ‘Non Grata-ve’
Zëdhënësja e Grupit Parlamentar të PD, Orjola Pampuri i përgjigjet Ballës duke thënë se nuk duhet të habitet pasi ka qenë vetë ai i cili shkeli dakordësinë e dhënë publikisht. Për Pampurin, Rama kërkon të zgjedhë presidentin me votat e krimit e ‘non gratave’.
“Balla na qenka i habitur se, pse PD nuk paska çuar kandidat për raundin e dytë të zgjedhjes së presidentit? Vërtet habi, sepse ai e hëngri vetë fjalën publike për të pranuar dokumentin e grupit demokrat. Por ai e ha turpin me bukë sepse sëbashku me shefin e tij nuk duan president për shqiptarët, por president të zgjedhur prej xhepit të tyre, si noter për pushtetin e vjedhur. Rilindja do të bëjë atë që bëri me 25 prill 2021, të vjedhë presidentin ashtu siç vodhi mandatin qeverisës me bandat e krimit, të certifikuar si të tillë edhe nga Departamenti i Shtetit. Në raundin e katërt Rama do të votojë me votat e siguruara nga krimi e non gratat, presidentin, që normalisht nuk do të jetë kurrsesi i gjithë shqiptarëve”, tha Pampuri.