Kryesore

Zgjedhja e kreut të shtetit në udhëkryq/ Sot në orën 16:00 afati i fundit për dorëzimin e kandidatëve për President

14:56 - 22.05.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Procesi për zgjedhjen e Presidentit do të hyjë në një tjetër spirale zhvillimi. Edhe pse kanë mbetur më pak se 2 orë nga afati i fundit për paraqitjen e kandidaturave për President, për raundin e dytë, duket se edhe ky raund do të ezaurohet pa kandidat duke u djegur pa proces real. Sipas vendimit të fundit të Konferencës së Kryetarëve raundi i dytë për zgjedhjen e presidentit do të jetë në datë 23 maj ora 18:00, ndërkohë që ora 16:00 e ditës së sotme është afati i fundit i kandidaturave.




Negociatat për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit mes mazhorancës dhe opozitës janë kthyer sërish në pikën zero. Pas dakordësisë që arritën palët në mbledhjen e konferencës së kryetarëve pak ditë më parë, ku opozita do të propozonte emrin e kandidatit për president në dy raundet e ardhshme e më pas socialistët, kryetari i grupit parlamentar të PD-së Enkelejd Alibeaj tha të premten se mazhoranca ka prishur marrëveshjen e arritur me konsensus. Para kryesisë së Kuvendit, në një deklaratë për mediat, Alibeaj njoftoi se ka anuluar mbledhjen e grupit parlamentar, ku pritej të diskutoheshin emrat e kandidatëve për presidentin e ri, dhe tha socialistë kanë shkelur paktin që emri i presidentit t’i dërgohej kuvendit me firma të përbashkëta. Por sipas kryetarit të grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Ballës, nuk ka pasur dakordësi që mazhoranca të mbështesë me firma kandidatët e opozitës. Për Ballën, Alibeaj është keqkuptuar, pasi ato kanë rënë dakord, që opozita të propozojë emër për kandidatët për president në raundin e dytë dhe të tretë, e më pas mazhoranca të propozojë në raundin e katërt dhe pestë. Megjithatë Balla, shtoi se janë ende në kohë për të diskutuar sërish, në mënyrë që të zgjedhin presidentin e ri dhe me konsensusin e opozitës.

Procesi ka mbetur në udhëkryq, ndërkohë që palët i rrijnë strikt qëndrimeve të tyre.  Kryetari i grupit parlamentar socialist, njëherësh kreu i grupit negociator me opozitën për procesin e zgjedhjes së Presidentit, Taulant Balla, nënvizioi sot nga Fieri se nëse vijon të mos sjellë kandidatë zyrtarisht për zgjedhjen e Presidentit atëherë mazhoranca në votimin e katërt do t’i japë vendit kreun e ri të shtetit.

“Nuk e kuptoj pse PD si grupi më i madh në Kuvend u tërhoq nga një proces për të sjellë kandidatura. Do të ishte jo produktive që të digjnim edhe raundin e dytë për zgjedhjen e presidentit. Ne e respektojmë marrëveshjen që kemi rënë dakord me grupin parlamentar të PD dhe grupet e tjera që dy raundet janë raunde që i takojnë propozimit për kandidat për president nga opozita”, tha ai.

Theksojmë se raundi i parë i bisedimeve dështoi pa asnjë emër konkret për presidentin e ri të Republikës së Shqipërisë. Ndonëse nuk ka asnjë kandidat për t’u votuar edhe raundi i dytë sipas Kushtetutës së Shqipërisë quhet i ezauruar për t’ia lënë vendin 3 raundeve të tjera. Vetëm një i tillë ka mbetur për ta zgjedhur Presidentin me shumicë të cilësuar 84 vota, ndërkohë që në të katërtin dhe të pesti Presidenti mund të zgjidhet me 71 vota.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.