

23 maj 2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare”
Përleshja, i mbiquajturi “Foleta” plagos një nga specialët
Policia ekzektuon Tollozin e Shkodrës
28-vjeçari ka rënë rastësisht në pritën e bluve. Detajet e operacionit të rrallë në Malin e Jushit. Rezistenca e të dënuarit me 25 vjet burg dhe reagimi i policisë. Çfarë u ofroi “Foleta” njerëzve të postbllokut dhe rrethimi i tij në shtëpinë e Paulin Lekës
Plagoset një polic dhe vritet një i kërkuar. Gegë Tollozi, i kërkuar për një vrasje të kryer në Durrës, ka mbetur i vrarë me një plumb në fyt mbrëmjen e djeshme, gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë. I njohuri me pseudonimin Foleta ka rënë rastësisht në përpjekje me blutë.
Pas ngjarjes së Lezhës, policia e Shkodrës kishte ngritur postblloqe të ndryshme policore për kapjen e autorit të vrasjes. Një i tillë ishte edhe në vendin e quajtur Mali i Jushit, rreth 25 kilometra larg qytetit të Shkodrës. Rreth orës 19.00 nga drejtimi Lezhë – Shkodër ka ardhur një autoveturë tip “Golf” me ngjyrë të bardhë me targa SH 0525C në të cilën ndodhej vetëm drejtuesi i mjetit. Forcat e policisë i kanë dhënë shenjë për të ndaluar dhe pasi automjeti ka ndaluar i kanë kërkuar drejtuesit dokumentacionin e mjetit dhe dokumentin e identifikimit. Por në vend të dokumenteve drejtuesi i mjetit ka ikur me shpejtësi. Uniformat janë vënë në ndjekje të autoveturës e cila ka devijuar nga rruga kryesore dhe është futur në fshatin Mali i Jushit. Aty ka hyrë në shtëpinë e Paulin Lekës. Shtëpia është rrethuar dhe policia i ka bërë thirrje autorit që të dorëzohej. Por thirrjes ai i është përgjigjur me breshëri automatiku. “Ndodhur në këto kushte duke qenë të rrezikuar në mënyrë serioze për jetën forcat e policisë janë kundërpërgjigjur e për pasojë personi ka mbetur i vrarë”, thuhet në njoftimin e drejtorisë së policisë së Shkodrës. Në këqyrjen e vendit të ngjarjes policia ka gjetur e bllokuar një automatik kallashnikov, dy krehra me fishekë, një pistoletë tip TT me dy krehra me fishekë. Nga identifikimi rezulton se viktima është Gegë Tollozi (Foleta) i biri i Nikolës i datëlindjes 1974, lindur dhe banues në lagjen “Tre heronjtë” në Shkodër. Tollozi është i dënuar me 25 vjet burg nga gjykata e rrethit të Durrësit për vrasjen me paramendim të shtetasit Genc Simon Nika ngjarje e ndodhur më 15 gusht 1999 në fshatin Sukth të rrethit të Durrësit. Si pasojë e plumbave, është plagosur lehtë në këmbë polici Mustaf Aliaj, 35-vjeç, efektiv i komisariatit të Shkodrës. Sipas burimeve spitalore polici është jashtë rrezikut për jetën.