KULTURË

A e vetëvramë né, Bekim Fehmiun, Marlon Brandon shqiptar ?!

10:26 - 23.05.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga SPARTAK TOPOLLAJ – Plot 50 vite më parë, për dy javë rresht ( 20 Prill – 4 Maj 1972 ), rikthehej pas dekadash të tëra, qysh prej fëmijërisë së tij nç Shqipëri, (saktësisht në Shkodër), aktori ynë i madh me famë botërore, Bekim Fehmiu .
(Sarajevë, 1 Qershor 1936 – Beograd, 15 Qershor 2010).
Bekim Fehmiu, ky artist i jashtëzakonshëm i skenës dhe ekranit, prej 12 vitesh më parë, i iku kësaj jete dhe kësaj bote me dëshirën e tij, por jo pa arësye! Pa dyshim, iku mes dilemave të mëdha, se si shpirtmadh që ishte, donte familjen, popullin, kombin, Kosovën, Shqipërinë dhe artin e aktrimit e interpretimit, që ishin dhe pasioni më i madh mbi gjysmë shekullor i tij!
Por ndryshe nga shumica e atyre, qç nuk janë më mes të të gjallëve, ai, falë ciësive të rralla aktoriale dhe talentit të madh të lindur, mbetet mes nesh, i paharuar kurrë, ashtu i fiksuar në celuloid, shirita të videove, DVD apo CD pa fund, me 40 filmat e tij kinematografikë, 8 filmat televizivë dhe dhjetra rolet në dramat e shumta shfaqur në skenat më të njohura ….
Për këtë artist të madh, dëgjova për herë të parë maturant, kur filmi “Skupljaçi Perja”(Mbledhësi i Puplave), ose “Kam takuar edhe ciganë të lumtur”), në të cilin ai interpreton shkëlqyeshëm ciganin Beli Bora (Bora i Bardhë), u vlerësua nga Oskari europian, me Çmimin e Madh të Jurisë së Festivalit të 20 jubilar në Kanë – “Palma e Artë” dhe u shpall filmi më i mirë i huaj në konkurimin për Oskarin Amerikan !
Më pas, teksa nisa studimet universitare në Fakultetin Histori – Filologji, Kursi Histori – Gjeografi, për Bekimin, më folën gjerë e gjatë me superlativa, të gjithë studentët vëllezër shqiptarë të Kosovës, arratisur nga Ferri titist, që duke kaluar nëpër Purgatorin e Sigurimit të Shtetit, ( hetuesi e gjatë dhe disa vite internim në zona të thella ), kishin mbrritur në “Parajsën” -skëterrë të regjimit karikaturë stalinist të diktatorit Hoxha në tokën amë, ku edhe iu ishte lakorduar ndonjërit prej tyre, e drejtë studimi. Një ditë, krejt papritur, miku im kosovar, i miri Myrsel Halimi, më dhuroi një fletë reviste me ngjyra , ku shquante portreti i një burri jazhtëzakonisht të pashëm, dhe me shikim të thellë zhbirues e të mendueshëm, të cilin e kisha parë vetëm té një tjetër Gjeni i filmit, holivudiani Marlon Brando, ose Emiliano Zapata, si na pëlqente aso kohe ta quanim né, ngjashmëria me të cilin, ishte dukshëm e qartë !
Filmi amerikan Rroftë Zapata, ( 1952 ), i regjisorit të famshëm hebreo – amerikan, Elia Kazan, në Shqipëri, u shfaq i dubluar në frengjisht (për të humbur sadopak “gjurmët” e Hollywood – it dhe një prej më të mëdhave studio të tij :
20-th Century Fox !)




Kjo bindje m’u përforcua, pas disa vitesh, kur pashë edhe një tjetër film të madh të Brandos, transmetuar së pari nga RAI 1, në ciklin prej katër filmash, Rebelët e të Djeshmes ! Ishte filmi “I Egri”
-IL Selvaggio, apo nç origjinal “The Wild One”, pasuar nga tre filma të tjerë, “Rini e Djegur” (“Rebel pa Shkak”), me James Dean, “Vajza e Mëkateve”, Jean Gabin e Brigitte Bardot dhe “Deri në Frymën e Fundit”, me Jean Paul Belmondó.
Ishte pranvera e bukur e 1972-shit, gjatë së cilës, nga Perëndimi, kish nisur e po frynte një puhizë e lehtë “detare” liberalizmi, që siç dihet nuk zgjati shumë, prej paranojës së diktatorit tonë, kur njëri nga miqtë e mij, edhe ai student i Kosovës, në një kurs me mua, Ejup Gashi, më thotë se ka mbrritur në Tiranë aktori i madh Bekim Fehmiu, i akomoduar në të famshmin dhe të vetmin hotel për të qenë, DAJTI. Ishte një lajm i gëzuar ky, ndaj e binda vehten, se ishte rasti më i mirë, që ta shihja nga afër artistin që adhuroja aq shumë, të cilin do të bëja çmos edhe ta takoja, qoftë edhe për pak sekonda e një autograf. Dhe kështu ndodhi. Sapo mësova, se Artisti i madh do të ishte i pranishëm në premierën e dramës së Akademikut shqiptaro-rumun Viktor Eftimiu, “Njëriu që pa vdekjen me sy”, interpretuar nga studentët e Degës së Dramës, bashkë me dy miqtë e ngushtë, Ing. Mikel Dyshniku dhe Dr. Riza Vani, e mbajtëm frymën në sallën e ILA (sot Akademia e Arteve).
Çasti i shumëpritur erdhi, kur pas një takimi vëllazëror e të përzemërt me studentët dhe pedagogët e Dramës, ku ai i përgëzoi ata për shfaqjen, doli nga salla dhe holli i mermertë, në Sheshin para Akademisë dhe mes Viktor Gjikës, Milkanit dhe Anagnostit, dallonte hijshëm, Bekimi i bekuar edhe nga ZOTI !
Karizmatik dhe tejet elegant !
Nxorra një bllok italian De Agostini dhe stilolapsin Parker, i dola përpara, duke iu paraqitur se kush isha, e komplimentova, duke i bërë krahasimin me Brandon, në të dy filmat e përmendur më lartë dhe pashë,se me një nënqeshje, më shumë ishte jo miratues ! Thjeshtësi e natyrshme njerëzore, edhe pse fama e tij, kish kapërcyer shtete, madje dhe oqeane!
Emrin e paske të bukur tha, teksa po më jepte autografin! Po fluturoja nga gëzimi, e ndoshta kisha të drejtë, isha takuar me më të famshmin u aktor shqiptar të kohës, i cili aysh 15 vjeç, kish shfaqur para të atit, se donte të bëhej aktor, si i madhi Aleksandër Moisiu. Mbasi më dha bllokun e stilolapsin, më zgjati dorën, e më pyeti : cilat janë pasionet e tua?
Historia, gjeografia, diplomacia , letërsia , filmat , muzika dhe futbolli !!!
A nuk janë si shumë tha, duke vënë lehtaz buzën në gaz dhe u largua, duke më përshëndetur me një të mirupafshim të ngrohtë!
Endé nuk po më besohej, e gjitha ç’ka ndodhi brënda atyre pak çasteve !
Por takimet me atë, nuk ishte e thënë të kishin mbaruar .
Herën e dytë, teksa shëtisnim me tim vëlla Shpendin, në Shëtitoren buzë detit, pamë rastësisht, se u ndal afër nesh një autoveturë, Polski FIAT 125 p, ngjyrë qumështi, nga e cila zbriti Bekim Fehmiu, ardhur në Durrës për të vizituar ndër të tjera edhe Muzeun Arkeologjik afër Hotel Vollgës.
Doja shumë ta takoja edhe njëherë, por po hezitoja, hezitim që ma përforcoi im
vëlla, të cilit, i kisha treguar për takimin e parë, teksa më këshilloi, se “Syshqiponjat” janë rrotull dhe dy herë janë shumë, për t’u takuar me dikë, që gjithsesi, vinte nga Jugosllavia e Titos?!
Si sot, e kujtoj me veshjet luksoze dhe elegante firmato, xhup lëkure i zi shevró, si motoçiklisti Johnny (Brando) té “I Egri”, pulovër kashmiri i bardhë, punuar hollë dhe me jakë golf, xhinse të zeza dhe këpucë lëkure boks me majë e me taka të larta kaubojsësh.
Veshja tjetër, ishte xhaketë blu, dopiopet me kopsa të argjendta pantallona të hirta, kravatë kuq e zi dhe këpucë lustrafin ngjyrë kanelle!
Prej atëhere, nuk e pashë më kurrë Bekimin, madje edhe kur vizituam më 1991-shin, me të parin delegacion të Partisë Demokratike, të ftuar nga Partia për Prosperitet Demokratik e Shqiptarëve në Maqedoni dhe Lidhja Demokratike e Kosovës me Dr. Rugovën në krye, ish Jugosllavinë, që po shpërbëhej!
Ai jetonte në Beograd, ku edhe u shkollua, në Akademinë e Arteve të Bukura, e u njoh, u dashurua , e u lidh për jetë, me aktoren e famshme e të bukur serbe, Branka Vinko Petriç ( interpretuese në 70 filma dhe në shumë drama ), lindur më 17 Prill 1937 në Novi Vinodolski të Sava Banovina-s !
Me Brankën, u bënë me dy djem Uliks dhe Hedón! I pari ndoqi rrugën e babait të madh, ndërsa bija e tij Nika Uliks Fehmiu, lindur në New York më 1995 êshtë njê artiste e bukur dhe topmodele, e promovuar edhe nën kujdesin e të mirënjohurit fotograf, Fadil Berisha.
Le ti rikthehemi Bekimit .
I lindur në Sarajevë, ku ishte vendosur për punë, familja prizrenase Fehmiu, pak kohë më vonë vjen në Shkodrën mijravjeçare të ardianëve ilirë, kala e qytetërimit, identitetit, kulturës, demokracisë, e qëndresës së shqiptarëve në shekuj, e bukur si Rozafa! Në Shkodër kish njohur edhe dashurinë e parë, që s’e kish harruar kurrë, as pse kishin kaluar plot 30 vite! Mbante mend me hollësi gjithëçka, shtëpinë, familjen e saj, por pushtetarët injorantë të kohës, me alibira idiote, nuk ia krijuan, madje ia penguan mundësinë ta takonte!
E vetmja vizitë familiare që iu mundësua, edhe si amanet i nënës së tij, ishte té e veja e Bajram Currit, ndoshta edhe nga krushqia, që këta të fundit kishin me familjen e heroit Emin Duraku !
Bekim Fehmiu, spikat me karizmën dhe talentin e tij, kudo në Jugosllavinë e Titos, aspak dashamirëse ndaj shqiptarëve, por uragani i skenës dhe i ekranit, nuk mund të ndalej !
Ai kërkohej nga regjisorët më në zë të Teatrit dhe Filmit jugosllav, duke qenë
interpretues në 12 filma, nga i pari më1961, deri té Mbledhësi i Puplave i regjisorit të famshçm Aleksandër Petroviç, më 1967, fitues i Palmës së Artë në Kanë, film që nuk u mbrrit dot as pas 20 vitesh, kur artistët e njohur pro milosheviçianë, Kusturica dhe Bregoviç, realizuan filmin “Dom za Veshanje” (“Shtëpia për tu Varur”)!
Tashmë ai kërkohet kudo, në Europë, edhe si aktor poliglot që ishte, (fliste në 5 gjuhë), e sidomos në Italinë e regjisorëve e aktorëve më të mëdhenj europianë !
Menjëherë (më 1968), thirret nga i madhi producent italian i filmave Dino de Laurentiis dhe regjisori i shquar Franco Rossi, për filmin e mrekullueshëm televiziv me 8 seri “Odissea”, ose “Aventurat e Uliksit”, krahas divës tjetër shqiptare, por me famë botërore si greke, arvanitases Irene Papas (Leleku), në rolin e Penelopës! E ku mund të gjendej, çift më i përkryer aktorësh protagonistë se këta dy shqiptarë klasi?!
Më 1975 në krah të të madhes tjetër Klaudia Kardinale, por edhe Adolfo Celit, interpreton në filmin e njohur mirë nga né, “Libera, Amore Mio”, “E dashura ime, Libera”, të Mario Bologninit dhe me kolonën zanore të madhështorit Ennio Morricone, “perandor” i muzikës së filmave!
Më pas vjen Hollywood me “Paramount” dhe filmat amerikanë me të madhen Ava Gardner. Po kaq bukur, ai interpreton në serialin me 6 pjesë “Disperatamente Giulia”, “Përgjithmonë Xhulia” të regjisorit e aktorit të shquar Enrico Maria Salerno, krahas bukuroshes me famë Tahnee Welch, bijë e nje tjetër aktoreje edhe më tç famshme, Rachel Welch, por dhe krahas të shquarve, Fabio Testi, Dalila Di Lazzaro, Laura Antonelli dhe Jean Pierre Cassél !
S’mund të mos përmendet mes shumë e shumë filmave të Bekim Fehmiut, edhe një prej tyre, tashmë i spikatur :
“Specijalno Vaspitanje” – “Edukimi Special”, i Goran Markoviçit – 1977, që disa e konsiderojmë edhe më të mirin film të tij, me interpretimin brilant si inspektor Munixhaba !
E teksa fama dhe emri i tij rritej çdo ditë, dhe kish mbrritur në apogjé, në krye të Partisë Socialiste dhe Serbisë, qarqet shovene dhe ekstremiste serbomëdhá, sollën në pushtet Sllobodan Milosheviçin, diktator delirant e paranoiak, stalinist i pakorigjueshëm, që do njihej më pas si kasapi i Ballkanit, të cilit i duhen dhënë “meritat” si shkatërrues i Jugosllavisë, kësaj krijese artificiale rë fuqive të mëdha !
Gjenocidi, masakrat dhe krimet e luftës të serbëve në Kroaci, Bosnje – Hercegovinë dhe sidomos në Kosovë, nga Armata, e Milicija e Milosheviçit, Daçiçit, Vuæiçit (Gëbelsi i Sllobos) etj dhe paramilitarët e Karaxhiçit, Mlladiçit, Sheshejljit, e Arkanit, nuk mund të pranoheshin, e aq më pak të faleshin nga artisti i madh, që në mënyrë demonstrative u tërhoq nga jeta artistike, duke mos interpretuar më kurrë para vrasësve !
Patjetër, që jeta e tij falë rrethanave dhe zhvillimeve të kohës kishte kaluar gjithnjë mes dilemave të mëdha, por tani, që ai vendosi të ndahet përfundimisht nga profesioni dhe kryepasioni i tij, kryedilema që mbetej ishte : ç’do të bëjë ai me veten dhe me jetën e tij ?!
E ndjente se për dekada të tëra ishte paragjykuar për Brankën serbe, po aq shqiptare sa edhe ai, njëriun e jetës së tij, ishte paragjykuar pse qëndroi në Beograd, ishte paragjykuar edhe nga vetë shteti amë, që nga një anë e ftonte, e nga ana tjetër e survejonte, deri edhe kur shkonte në WC, me dyshimin idiot dhe të turpshëm , se mos ishte agjent titist, siç ka shkruar pa u shtirur Bekim Fehmiu, u paragjykua pse nuk iu bashkua fizikisht UÇK -së, e deri edhe pse i çoi djemtë në Amerikë ?!!!
Të gjitha këto paragjykime, e të tjera që mund t’i dinte vetëm ai, bënë qê Bekimi, ky artist përmasash të mëdha, me gen dhe ADN shqiptare, që kurrë nuk pranoi të ndryshonte emër, siç bënë e bëjnë dhjetra të tjerë, (sa për ilustrim Carlo Pedersoli-Bud Spencer , apo Mario Girotti-Terence Hill), t’i rrallonte daljet në publik, (i pa ndarë nga Branka) dhe të mbyllej çdo ditë e më shumë !
Një nga intelektualët më të shquar kroato-boshnjakë, Miljenko Jergoviç (1966), shkruan në të mirënjohurën Jutarnji List, 26/06/2010, një ndër vlerësimet më të ndjera dhe më të arrira për madhështinë e Bekimit, vetëm 10 ditë pas fluturimit të tij për në Parajsë!
Është po ky autor, që mahnit me një opinion brilant, edhe për Gjeniun tonë të përmasave europiane e botërore, Kadaré , po në Jutarnji List, më 18/07/2010 !
Edhe aktori i famshëm Rade Sherbetxhija, (1946), mik e dashamirës i Bekimit, (interpretues në 48 filma kinematografikë , përfshi “Eyes Wide Shut”, film i fundit i të famshmit Stanley Kubrick, 1999 me Tom Cruise e Nicole Kidman, apo dhe “In the Land of Bloode and the Honey”, i Angelina Jolie, me subjekt Luftën në Bosnje, që u deklarua herët kundër luftrave të Milosheviçit, e u detyrua ta lerë Jugosllavinë, e vlerëson me superlativa, aktorin e madh shqiptar !
Si mund të mos ishte atdhetar dinjitoz, aktori ynë, i lindur e i rritur në familje patriotike, babain e të cilit, arsimtar, e intelektual, që mori pjesë në Kongresin e Elbabasanit më 1920 dhe e burgosën dy herë, serbët dhe malaziasit ?!!! Të 8 fëmijëve, 4 djem e katër vajza, prindët e tij, iu vunë emra të bukur shqiptarë :
Bashkim, Shpresa, Fatmir, Besa, Luljeta, … deri té më i vogli, Bekim, që mbeti i bekuar!
Mbasi ka dhënë ndër vite intervista plot zgjuarsi, nisur ndër më të hershmen, si ajo për gazetarin e moderatorin e famshëm italian Antonio Lubrano di Scampamorte,
vendos të hedhë në letër kujtimet e tij dhe ia del bukur fort në krye ! I titullon ato “Blistavo i Strashno “ – “Shndritshëm dhe Tmerrshëm”!
Shkruar shumë bukur, Libri i tij tregon, se ai ishte intelektual kalibri edhe si shkrimtar, po aq sa i madh ishte edhe si aktor.
Përkthyer së pari nga miku im i mirë dhe i mençur, Ambasador Xhelal Fejza, e më pas i tëri nga Shkëlzen Maliqi , ky libër, best seller, gjendet vetëm me “mik” nëpër librari.
Faqet e shumta, ku flet për vizitën e para 50 viteve në Shqipërinë e regjimit karikaturë të diktaturës enveriste të proletariatit, janë nga më të bukurat, por plot dhimbje për mjerimin, izolimin e prapambetjen e “socializmit fitimtar”, që “marshon përpara”,si edhe plot qesëndi, ironi e sarkazëm për regjimin!
I ftuar në Tribunën butaforike të 1 Majit 1972 para Hotel Dajtit, i rrethuar nga “vëllezërit” tanë kinezë , mbërthyer gjer në grykë me uniforma gjysmë ushtarake, qëndronte i menduar “miku” kosovar Bekim Fehmiu, i cili mezi dallonte nga 20 m.larg , profilin e Enver Hoxhës, që aq shumë e donte dhe e “ruante” vetë populli, i cili, nuk lá gardist të kuq kinez, apo delegacion vietnamez, korean, kamboxhian , afrikan, indigjen etj etj, pa i sajdisur dhe s’gjeti 15 minuta kohë ta takonte Bekim Fehmiun e madh, paçka se ai qendroi plot dy javë, në Shqipëri, ndërkohë që njihej si pari dhe më i shquari aktor nga vendet e Lindjes, vlerësuar nga Perëndimi i të dy brigjeve oqeanike ?!
Bekimi ndoqi me shumë interes të parën javë të Filmit Shqiptar në Beograd, ku takon Anagnostin dhe Milkanin, të cilët, ishin të parët, aë plot dashamirësi dhe me iniciativën e tyre, i kishin bërë ftesën për të vizituar Shqipërinë, ftesë e pranuar gjithë kënaqësi e dëshirë!
Kur mësoi për ftesën, intelektuali më i shquar serb, filozof, shkrimtar dhe kritik i famshëm, Borislav Mihajloviç Mihiz, ( 1922 – 1997 ), që kryesonte edhe Komitetin për Mbrojtjen e Lirisë së Artistëve në Beograd, i tha Bekimit :
Në Shaipëri është një shkrimtar shumë i madh, që ndër të tjera ka bërë një libër të mrekullueshëm, “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” !
Bëj çmos të ma sjellësh !
Dhe Bekimi, jo vetëm e takoi Gjeniun tonë, Kdaré, por me autograf, mori prej tij një kopje të këtij libri me rezonancë universale në frengjisht, kryevepër kjo, botim i “Albin Michel” të Parisit, në përkthimin e supermjeshtrit Jusuf Vrioni !
I dhënë i tëri pas pasionit të jetës, aktrimit, Bekim Fehmiu, nuk parapëlqente politikën, por vlerësonte Dr. Ibrahim Rugovën, Gand’hin e Ballkanit, ndërsa Presidenti Rugova, sa herë që pata fatin dhe nderin ta takoja qysh prej 1991- shit e deri pak muaj para se të ndrronte jetë, për të jashtëzakonshmin Bekim Fehmiu, fliste me superlativa !
Bekimi lexonte shumë, e nga autorët jugosllavë vlerësonte nobélistin Ivo Andriç, (1892 -1975), shkrimtar dhe diplomat i shquar në disa regjime, ambasador edhe në Gjermaninë hitleriane, por funksionar i lartë edhe me Titon. Kryevepra e tij “Ura mbi Drin”, i kujtonte Sarajevën ku kish lindur dhe urën e famshme të saj “ Ura e Vjetër”, Starij Most mbi lumin Neretva (Narenta), 30 m. e gjatë, 24 m. e lartë dhe 4 m. e gjerë, ndërtuar nga Sulejmani i Madhërishëm , më 1567 , ashtu si Ura mbi Drin 179,5 m. në Vishegrad e njohur si ura e Vezirit Mehmet Pashá Sokolit, ndërtuar nga arkitekt Miman Koçá Sinani , shqiptari i madh, shkatrruar më 1993 dhe rindërtuar më 2004!
Bekimi erdhi edhe njëherë tjetër në Shqipëri, pas 31 vitesh të tjera ,më 2001, kësaj here bashkë me Brankën, i ftuar në spektaklin “Dua më shumë Shqipërinë” në Pallatin e Kongreseve. Foli thjeshtë dhe bukur, me shqiptarí në çdo fjalë dhe recitoi shkëlqyeshëm, duke ndezur flakë sallën e madhe të Pallatit të Kongreseve me “Flamur Shkabë”.
Pengu i madh i jetës time, thotë i përlotur ai, është, që nuk munda të interpretoj asnjëherë në film, në gjuhën time amtare, kaq të ëmbël!
Çuditërisht, edhe kësaj here, në demokraci, nuk i bëhet asnjë nderim nga autoritetet socialiste shtetërore! Me sa dukej, dekoratat, çelësi, e sahati i Tiranës, ruheshin për Bregoviçët, Kusturicat, Çoliçët etj ?!
Për më keq akoma, ai kësaj rradhe njihet me dy raportet zyrtare të 1972-shit, të deklasifikuara e të publikuara në media, të Zv/ministrit të Arsimit e Kulturës dhe Drejtorit të Punëve të Brendëshme të Tiranës, të cilat tregonin hipokrizinë dhe dyfytyrësinë e neveritshme, tashmë proverbiale të regjimit, ndaj vëllezërve kosovarë dhe Kosovës vetë! Por ai deshi Shqipërinë dhe jo regjimin !
Më mbeti peng i madh, që nuk munda ta takoj, e ndoshta të bisedoja më gjatë e më lirshëm kësaj here, mbasi ndodhesha me një delegacion për herë të dytë në SHBA, ku për së pari kishim qenë “Kristofor Kolombë” shqiptarë, vetëm 500 vite me vonesë në zbulimin e Kontinentit të Ri !
Një përpjekje serioze, për të paraqitur përmasat e vërteta të këtij aktori të madh, bëri së fundmi Valmir Tertini i SINEMANIA-s, që realizoi një film dokumentar cilësor me skenar të gazetarit të mirënjohur Fahri Musliu, i shfaqur në Muzeun Historik Kombëtar vetëm pak javë më parë, ku foli regjisori ynë i mirënjohur dhe miku i Bekim Fehmiut, Pirro Milkani. Të pranishëm në këtë eveniment me zonjën dhe vajzat, menduam se ishte e pafalshme, që për këtë diamant të çmuar të kulturës dhe artit shqiptar, paskemi ditur kaq pak?!
I lënë disi në harresë, normalisht e pafalshme, për autoritetet shtetërore e kulturore dhe kudó ku jetojnë shqiptarë, shtojmë dhe arësyet që i kemi përmendur në krye të këtij shkrimi modest, ndaj një prsonaliteti artistik të përmasave të mëdha, të formatit euroholivudian, Bekim Fehmiu, zgjodhi me dëshirë, të ikte nga kjo botë me aktin dëshpërues të vetëvrasjes !
Vërtetë, ai e vuri vetë tytën e pistoletës në tëmth, por këmbzën e saj, e tërhoqëm né, ndaj dhe nuk e zgjodha rastësisht, ta titulloj këtë shkrim : A e vetëvramë né, Bekim Fehmiun, Marlon Brandon shqiptar ?
Të madhin dhe të jashtëzakonshmin Bekim Fehmiu, do të duhej ta kishin nderuar me kohë Kosova dhe Shqipëria me titujt më të lartë të tyre, e pse jo edhe Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, jo vetëm se aty në trojet e tyre, jetojnë mbi 750.000 shqiptarë, por se edhe këto dy Republika të pavarura sot, dikur ishin pjesë e Federatës Jugosllave !
Presidenti i Republikës, SH.T.Z
ILIR META, në vazhdën e nderimeve dhe dekorimeve të merituara, të drejta, të ekuilibruara, e të mençura, që ka bërë e po bën, kam bindjen dhe besimin e plotë, se nuk do ta mbyllë mandatin e tij presidencial më 24 Korrik 2022, pa i dhënë titullin më të lartë, padrejtësisht të munguar, por të stërmerituar, Nderi i Kombit,
Bekim Fehmiut !
* DIPLOMAT – OPINIONIST


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.