OPINION

Prej nga rrjedh kriza aktuale e demokracisë përfaqësuese

10:28 - 23.05.22 NDRIÇIM KULLA
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Le të bëjmë së bashku një ushtrim mendor. Le të provojmë të mendojmë se cila do të ishte demokracia më e mirë për ne dhe do të shihni se do të eliminohet menjëherë përfaqësimi. Për shumë njerëz , demokracia më e mirë është ajo në të cilën përfaqësuesi është identik me të përfaqësuarin. Për kë votojmë? Për atë që garanton ose mendojmë se garanton të bëjë atë që do të bënim edhe ne në vendin e tij. Vetëm se kur përfaqësuesi është identik me të përfaqësuarin atëherë nuk ka më përfaqësim. Rrjedh prej kësaj, kriza aktuale e demokracisë përfaqësuese,   i jep jetë të gjitha degjenerimeve demagogjike dhe populiste. Në këtë kuptim demagog është ai që thotë: “unë jam ti”, sepse arrin të shkatërojë kështu vetë demokracisë përfaqësuese. Pohimi “të delegoj ty se kam besim dhe e di se ajo ç’ka do të bësh, pa më pyetur në çdo moment, do të jetë e mirë”, tashmë është në krizë. Çdo ditë, ne kërkojmë që përfaqësuesi të jetë vetë imazhi ynë, ndaj demokracia përfaqësuese, në formën e saj klasike, është në krizë, pikërisht pse është në krizë ideja jonë për këtë përfaqësim. Duhet ta kuptojmë e ta pranojmë këtë fakt, pasi ai shkon përtej prirjeve të së majtës dhe së djathtës.  Duhet të gjejmë rrënjën e konceptit, ta zhvillojmë atë deri në fund, për të kuptuar pse ka arritur të ngulitet në ndjenjën tone një prirje e tillë. Ne duam ta ushtrojmë pushtetin, jo të jemi burim i pushtetit. Po a është i zgjidhshëm vallë një dramacitet i tillë? Vetëm nëpërmjet shpërndarjes së pushtetit efektiv. Duhet të kujtojmë se individi bashkëkohor nuk mund të “mbahet më në këmbë” sipas procedurave tradicionale të përfaqësimit. Pasi nëse nuk ndjek drejtimin e “delegueshmërisë”, ai do të “harbohet” sipas formulës që sociologët e përkufizojnë   si “shoqëria e pritshmërive” ose e “inflacionit të pyetjeve”. Individi ose e ushtron pushtetin ose nis të pyesë, të kërkojë parreshtur, vazhdimisht si një ortek, si një përmbytje, atë që ka deleguar t’i ushtrojë pushtetin e përfaqësimit. “Pres këtë dhe këtë nga ty, si përfaqësuesi im, duhet ta bësh, çdo çast, çdo rast, sipas interesave të mia”: ja ky është kuptimi i shoqërisë së pritshmërive. I afrohet shumë atij raporti të ngushtë, të ethshëm, gati të frikshëm të militantëve partiakë, që kanë pushtuar për vite të tëra si ortek, si përmbytje çdo post, cep e skutë të administratës sonsonë publike, duke bllokuar çdo rrugë, madje çdo vrimë “oksigjeni” meritokracie. Për këtë arsye, është urgjente të rishikohet i gjithë sistemi politik mbi bazën e një ideje të sovranitetit popullor si vështrim efektiv i pushtetit. Pasi, nëse nuk angazhohen në ushtrimin e pushtetit, individët do të merren me pengimin e ushtrimit të pushtetit, duke penguar kështu dialektikën e përfaqësimit. Është pikërisht kjo që po ndodh. Aleksis de Tokëvil është njëra prej atyre figurave gjeniale që kanë lënë formulime teorike të vlerësuara ende edhe sot nga shkencat politike, sidomos për forcën dhe mënyrën e sjelljes së individit demokratik. Tokëvil e analizon demokracinë nisur nga premisa se “ajo nuk është një formë qeverisje, por një gjendje sociale, që mbart mbi vete zakonet dhe antropologjinë e të qenurit demokrat”.




Në demokraci, antinomia midis lirisë dhe barazisë mund të sjellë mjaft rreziqe. Nëse e këndvështrojmë nga pikëpamja antropologjike, fokusi lokalizohet në konceptin e pasionit për barazinë. E problemi qëndron tek pasioni, sepse individi nuk ngopet kurrë me barazinë, për këtë arsye, shpesh ne nuk jemi të prirur t’i pranojmë diferencat si diçka jo të keqe për demokracisë, por si një resurs i paçmueshëm i saj. Tokëvili shihte tek njeriu një dëshirë të pashpagueshme, që zhvillohej nëpërmjet ndërgjegjies së qenësishme të mos-pranimit se dikush tjetër ka më shumë se ai. Sipas tij, zilia është një pasion lirisht demokratik, ndërsa barazia e kushteve priret të përkthehet në terma të tillë si konformizmi apo “parazitizmi” social. Duke i prizmuar këto parime në realitetin shqiptar do të thoshim se patologjia më e rëndë e demokracisë sonë është se nuk arrin dot t’i pranojë diferencat. Po ta kontekstualizojmë këtë vision nëpër situata të ndryshme të botës shqiptare, do të shohim se brenda saj, përbri “pasionit per barazi” qëndron edhe “pasioni për të zotëruar”, pra “hegjemonia e të pasurit”, një pasion  cili, për fat të keq, nuk kënaqet kurrë. Barazia si ngjashmëri, refuzimi i diferencave dhe lakmia, krijojnë një dimension më vete, një tipologji mbizotëruese të antropologjinë shqiptare të individit, një konfigurim të ri social, një individualizëm të gabuar ose e thënë ndryshe ndividualizëm bir të një demokracie të shtrembër.

Individualizmi, në zanafillë të vet, lind si pasion për lirinë, si orvajtje për ta rritur sovranitetin e njeriut, pra në thelb, pikërisht atë që po përpiqemi të krijojmë si antidot të gjendjes ku e kanë shpënë sot funksionet e keq-zbatuara të demokracisë së partive.   T’i “edukojmë njerëzit me demokracinë”, që nënkupton një mentalitet që zotëron përgjegjshmërinë që demokracia nuk është një kategori apo kontekst social i vetvetishëm, i arritur dhe i pakthyeshëm, por përkundrazi, një terren që duhet kultivuar e zhvilluar me të gjithë fuqinë e saj. Vetëm se kjo nuk është një parrullë, as një reformë, por një process i gjatë, i vështirë, që ka të bëjë me ndryshimin e mentalitetit. Dhe sa herë që kemi të bëjmë me diçka të tillë, gjendemi përballë vlerave e strukturave tradicionale, institucionale, pasi ligjet, mënyrat e të menduarit dhe të ndjerit jo gjithmonë përshtaten mirë dhe shpejt me ndryshimin. Për këtë arsye, duhen gjetur rrugët dhe mjetet e duhura për ta vënë njeriun – sipas një metafore që duket mjaft e goditur për ambjentet sociologjike – “në qëndër të rrethit”. Kjo nënkupton një sforcim të madh e konstant për të rikrijuar atë raport harmonik midis personalitetit njerëzor dhe kulturës së jashtme. Dhe me termin “kulturë” do të kuptonim termin gjerman të “kultur” (një system organik të të mirave të prodhuara nga njeriu në një periudhë të caktuar historike dhe në një vend të caktuar), si prani të vlerave të tilla objektive me “koherencën shpirtërore” dhe me “formimin thelbësor të individit të arritur si pasojë e ndikimit të kulturës”.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.