DOSSIER

Relacioni sekret i shefit të Sigurimit/ Isa Lika: Shokët e Zbulimit nuk kanë parë lidhjet e Myrteza Bajraktarit, si në vitin 1966, kur këtu erdhi tregtari turk, I. B., që njihet si agjent i…

07:35 - 23.05.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

NGA DASHNOR KALOÇI/ Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet dosja voluminoze (formulare, hetimore dhe gjyqësore), e Myrteza Bajraktarit me origjinë nga Gostivari, i cili pasi mbaroi shkollën e mesme në qytetin e Tetovës, në vitin 1952, filloi studimet e larta në Universitetin e Shkupit, në degën e Filozofisë, ku krahas mësimeve ai u punësua edhe si gazetar në gazetën “Flaka e Vllaznimit” që botohej në Shkup, nga ku e largojnë shpejt, pasi botoi një artikull ku dilte hapur kundër shpërnguljes së shqiptarëve të Jugosllavisë, për në Turqi dhe si rezultat, u emërua si mësues në shkollën 7-vjeçare “Shaban Zeneli” të Kumanovës.




Arrestimi i Myrtezait nga UDB-ja në vitin 1952, pasi ai bënte pjesë në një organizatë të fshehtë të quajtur, ‘Organizata Nacional-Demokrate Shqiptare’ dhe dënimi i tij me shtatë vite burg politik, të cilat i vuajti në burgun e Nishit dhe të Idrizovës. Arratisja nga Jugosllavia dhe ardhja në Shqipëri, ku pasi qëndroi disa kohë në kampin e internimit në Seman të Fierit, i’u dha e drejta e shkollës së lartë, duke u diplomuar në Universitetin e Tiranës në degën Gjuhë-Letërsi, por pasi refuzoi emërimin në qytetin e Beratit, në vitin 1971, arrestohet dhe dënohet me shtatë vite burg politik, me akuzën “agjitacion e propagandë”.

Dalja nga burgu dhe lënia pa punë deri në shembjen e regjimit komunist dhe emërimi i tij si Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Zvicër, deri në vitin 1993, si dhe më pas zgjedhja e tij si Kryetar Nderi i Lidhjes Shqiptare në Botë, për vendet e Beneluksit, ku ai punoi për çështjen e Kosovës, deri sa u nda nga jeta më datën 11 dhjetor 2020.  E gjithë dosja e plotë e Myrteza Bajraktarit, me emrat e funksionarëve dhe oficerëve të Sigurimit të Shtetit, pseudonimet e bashkëpunëtorëve, “kolegëve” e “bashkëpatriotëve” që e ndiqnin dhe survejonin, provokatorët në qelitë e hetuesisë, dëshmitarët që i dolën në gjyq, letrat dërguar Enver Hoxhës dhe instancave të larta zyrtare ku kërkonte pafajësinë e tij, etj., etj., publikohet për herë të parë.

Dokumenti me letrën e vitit 1966, dërguar Myrteza Bajraktarit nga Stambolli, nga një i afërmi i tij dhe detyrat e shtruara nga Punëtori Operativ i Sigurimit të Shtetit, Haxhi Dashi, lidhur me personat që përmenden aty

                                       I dashtuni Myrteza.

 Prej korrikut gjendemi në Stamboll, unë Shpendi dhe Manurrja, kurse Samiun e lamë ke oboja në Gostivar. Këtej kaluam shumë mirë një muaj dhe në gusht nisemi për në Shkup. Pak përpara ishim me Menusren tek Shahin-tezja na thanë se kishin marrë një letër prej Mehdiut dhe Nasirit prej Shkupi, sepse Nasiri pra një jave shkoj në Shkup dhe prej aty do të vazhdojë në Gjermani për disa ditë.

Në Shkup paska ardh dhe Xhemali, prandaj duhet të kthehemi që të shihemi edhe me të, për ndryshe, mundeshim me mbet deri më 20 gusht, se shkollat çilen me një shtator.

Myrteza, para njëzet ditëve dhëndri i hallës sime erdhi në Tiranë, në një vizitë te nëna e vet. E kisha lut të bëjë një vizitë dhe një copë letër ja kisha dhanë të ta sjelli vetë, nuk është kthy ende. Në qoftë se do të shihesh me të, na shkruaj në Shkup, se unë me të nuk do të shihem këtu.

Myrteza, për ardhjen tënde ende nuk kam një punë të sigurt, s’mund të gjemë një njeri të sigurt prej organeve autoritareve të Turqisë, i cili do të na e kryejë punën për ardhjen tënde këtu. Unë të hënën me një gusht, bashkë me tre vëllezërit dhe dhëndërinë, nisemi për në Shkup, ku ata po vazhdojnë turneun për në Evropë.

Edhe në Zvicër gjendet atasheu i mëparshëm, i cili i ka tërheq disa familje prej Shqipërisë. Ky njeri është miku i vëllait (Ismailit) edhe shpresojmë se ka me na ndihmue me ardhjen tënde në Stamboll.

Këtu krejt farefisi janë shëndosh e mirë dhe që të gjithë të bëjnë shumë të fala, duke fillu prej nënës time, Shahin-tezja e që të gjitha Myrteza, po të dërgojnë një fotografi, ku kemi dalë në plazh, Ismaili me të bijën, Haskoja, Nasurja, Shpendi dhe unë.

Me kaq po të përqafoj me mall dhe të dërgoj të falat e mija nga zemra.

                                       Mihati (ose Nihati)

28.7.1966 Istambul

Kjo letër u gjend në korrespodencën e M. Bajraktarit dhe na e kaloi sh. Ferhat Matohiti, për të sqaruar çështjet be mëposhtme:

  • Ku ka qenë Myrteza Bajraktari me banim dhe me punë në vitin 1966.
  • Cili është atasheu që ka qenë në Tiranë në vitin 1966 dhe qenka me punë në Zvicër?
  • Cilat janë këto familje që janë tërhequr prej Shqipërie dhe në ç’rrugë janë tërhequr?
  • Cili është Ismaili, që qenka mik i ngushtë i atasheut që ndodhet në Zvicër dhe që më parë ka qenë në vendin tonë?
  • Të bisedohet me shokët e Zbulimit, nëse është tentuar për të vepruar me lidhjet e Myrteza Bajraktarit në Turqi, ose gjetkë?
  • A ka ndonjë kërkesë nga ana e nëpunësve ose funksionarëve të Legatës Turke, për të lejuar persona ose familje për kthim ose vizitë në Turqi?!
  • Nëse ndonjë nga njerëzit tanë nga përfaqësia e Francës ose Austrisë, ka qenë në Zvicër dhe a ju është bërë ndonjë kërkesë nga ndonjë atashe jugosllav ose turk?!
  • Cila është korrespodenca që ka zhvilluar Myrteza Bajraktari që nga koha e kalimit në Shqipëri dhe deri ditën që u arrestua (të nxirren me emra dhe adresa të plota).
  • Cili është personi që paska ardhur me leje më 2 korrik 1966, për vizitë tek nëna e vet në Tiranë, nga Turqia.
  • Pasi të gjejmë njeriun, ta studiojmë ku ka ardhur, në çfarë familjeje, të studiojmë fashikullin e tij, nëse mund të nxjerrim gjë për Myrtezain nga kjo familje që ka pritur vizitorin nga Turqia?
  • Të sqarohen shpejt këto çështje, duke bashkëpunuar ngushtë me shokët e Zbulimit në Degën e II-të, Degën e V-të, Degën e III-të, dhe Drejtorinë e Punëve të Brendshme të Tiranës.

Kjo të përfundojë brenda datës 20.11.1970.

Shënim

Kjo letër e kopjuar me masat sqarueses, ardhur nga Drejtoria e Hetuesisë me Nr. 395, dt. 13.5.1975, ishte në dy kopje, prandaj kopja e dytë, prej dy faqesh, u asgjësua pa vlerë, si kopje e tepërt.

Tiranë. 30/5/1975                                            Punëtori Operativ

                                                                             Haxhi Dashi

Dokumenti i hartuar nga Shefi i Seksionit të Dytë në Drejtorinë e Sigurimit të Shtetit, Isa Lika, lidhur me sqarimin e “letrës së dyshimtë” që i kishte ardhur Myrteza Bajraktarit nga Stambolli në vitin 1966, e cila u gjet në dosjen e tij nga shefi i Hetuesisë, Ferhat Matohiti

                                             SQARIME MBI LETRËN E DYSHIMTË

Myrteza Bajraktari, deri në muajin shtator 1966, ka qenë me banim dhe me punë në rrethin e Lushnjes, ndërsa shtator 1966-shtator 1967, ka qenë në Tiranë.

Atasheu jugosllav që ka qenë në Legatën Jugosllave në Tiranë dhe në vitin 1966 me punë në Zvicër, është Rexhep Xhia.

Nuk dihet se cilat janë ato familje që janë tërhequr nga Shqipëria, në rrugën e riatdhesimit.

Në evidencat tona nuk rezulton, me përjashtim të familjes Et’hemi (Kadënasi), që më 1966, janë riatdhesuar në Turqi.

Përsa i përket personit të quajtur Ismail, i cili qenka mik i ngushtë i atasheut, dhe që ndodhet në Zvicër, nuk dihet gjë, megjith kontrollet që u bënë në sektorët përkatës.

Nga ana e Legatës Turke, ka pasur një kërkesë për gruan me mbiemër Gjylbegu dhe tre fëmijët e saj, me banim në Shkodër.

Lidhur me këtë, është biseduar deri në instancat më të larta, pasi këtë problem, e pati ngritur edhe delegacioni parlamentar turk, kur ishte në vendin tonë. Për tjetër njeri dhe vizitor të tjerë, nuk dihet gjë.

Shokët tanë në Ministrinë e Punëve të Jashtme, nuk dinë gjë që ambasadave tona, në Francë apo Austri, t’u jetë bërë ndonjë kërkesë nga atashetë jugosllave ose turke.

Myrteza Bajkatari, deri tani ka pasur korrespodencë me: Muhaser Hoxha – Shkup – Jugosllavi, Iljaz Jazmaçi – Stamboll – Turqi, Misir Acikalin – Gjermani Perëndimore, Remzie Bajraktari – Gostivar Jugosllavi dhe Taip Cene, Turqi.

                Mehmetcami Bajraktari – Stamboll – Turqi 

                Bilenfikret Haxhipaze – Jugosllavi

                                                Letra e fundit e tij është e datës 24.10.1970

  • Nuk rezulton që shokët e Zbulimit të kenë tentuar për të vepruar me lidhjet e Myrteza Bajraktarit dhe në drejtim të tyre nuk ka materiale, sepse u bë kontrolli nga sektorët përkatës.
  • Nga kontrolli i bërë, nuk rezulton të ketë ardhur si vizitor nga Turqia në Korrik 1966 në Tiranë pranë nënës së vet. Në vitin 1966 në vendin tona ka ardhur tregtari turk, I…..B….. që njihet si agjent i Zbulimit……… Nga studimi materialeve në ngarkim të tij, nuk rezulton të ketë pasur lidhje me Myrteza Bajraktarin.
  • Thuhet se ka ardhur dhe i vëllai i tij Ismeti dhe sa ka qëndruar këtu, nuk dihet. Edhe ky nuk ka pasur të njohur ose njerëz të tij në vendin tonë.

                               Shefi i Seksionit të II-të

                                     Isa Lika

Dokumenti me ekstrakte nga korrespodenca e Myrteza Bajraktarit me të afërmit e tij në Jugosllavi, i përpiluar nga Punëtori Operativ i Sigurimit të Shtetit, Haxhi Dashi

                                                    Ekstrakte nga korrespondenca

                                               e Myrteza Bajraktarit me njerëzit në

                                                                   Jugosllavi.

Dërguar nga Myrteza Bajraktari, Rr. “Grigor Heba” Nr. 3 Tiranë

Marrë nga Xhemal Bajraktari, Beograd

    12.4.1974

I shkruan vëllait

Shpresoj se së shpejti do rregullohemi mirë, sepse sipas “librit të fatit”, (të cilin ti e di sesa i besoj unë), ata burra që kanë lindur në muajin prill, gjysmën e dytë të jetës e kanë pa andralla e telashe.

Letra lejuar

Dërg: Mynesere Hoxha, Strugë                      26.8.1974

Marrë: M. Bajraktari, Rr. Grigor Heba Tiranë

I shkruan e motra

Nuk e merrja dot me mënd sesi shihja njëmijë mendime që më vinin dhe më shkonin, më kaplonin ndjenja të çuditshme kur mendoja momentin e takimit. Por jo, ti qëndron i fortë me këmbë në tokë, duke u bërë ballë dallgëve që të përplasën e të goditën në mënyrë të pamëshirshme. Jam e lumtur që jeni goditur me virtyte të larta njerëzore.

Shënim: Mynseria ka qenë vizitore te Myrtezai vitin e kaluar. Në shënime, duhet të nxirreshin edhe përshtypjet nga dashuria që ajo flet për vendin tonë dhe njerëzit që kanë takuar këtu. Momenti kureshtar, për të marrë vesh çdo gjë.

 Letra e luajtur

Dërguar: Kimete Berisha Tiranë             30.12.1974

Marrë: Mysere Hoxha Shkup 

Letra i dërgohet motrës së Myrtezait, nga e shoqja e Myrtezait

“Më posto një pako të vogël me dy pardesy, dy palë këpucë, pesë këmisha najlon ose silon Nr.38 dhe pesë pale geta”.

Letra është e shkruar nga vetë Myrtezai. Ajo është e ndaluar.

Dërgon: Myrteza Bajraktari

Merr: Mehdi Bajraktari, Jugosllavi               15.4.1975

Kopje telegrami

Më dërgo edhe dy pako. Një në emër të Mark Markut në Fier, dhe një në adresë të Estref Kelmendit, Lagja “Tre heronjtë” në Shkodër. Na merr në telefon.

                                    Myrtezai

                              Telegrami është lejuar

Dërgon: Mehdi Bajraktari, Shkup

Merr: Myrteza Bajraktari, Tiranë

                                                     I shkruan i vëllai

Dërgoni disa dokumenta ku të vërtetohet se marrësi, ka të drejtën e trashëgimisë që i ka lënë nëna, në të thuhet se përveç shtëpisë, ka dhe të gjitha orenditë shtëpiake që ka përdorur e ëma, këto janë të shënuara në një listë me dy kopje, të cilat ndodhen në këtë zarf.

Dokumentet e lartpërmendura, janë të vërtetuara nga Ambasada jonë në Beograd. Në zarf ndodhet edhe një letër e cila, bën fjalë krejtësisht për këto dokumente.

Shënim: Letra është lejuar, por nga ana jonë është thënë të kopjohet e gjithë lista dhe kjo, nuk është bërë nga K.P.

Punëtori Operativ

15.7.1975                           Haxhi Dashi                         

Shënim: Mark Marku është emigrant kosovar dhe banon në Fier. Dega e Fierit ka materiale për të. Memorie.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.