DOSSIER

20 VITE MË PARË/ Gazeta Shqiptare “Si vrau babai nënën e të dashurin”. Rrëfimi i vajzës 17-vjeçare të familjes Dushku

07:00 - 24.05.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

24 maj 2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare”




 Fotot e  krimit

Rrëfimi i 17-vjeçares: Dialogu i fundit

Vajza: Si vrau babai nënën e të dashurin

 

 

Çfarë ndodhi në minutat e fundit në shtëpinë e Dedë Dushkut. Hetimi i policisë dhe vendi ku mund të jetë fshehur autori i masakrës për nder. Përse familjarët nuk e varrosën gruan që tradhëtoi burrin. Detajet e patreguara të ngjarjes

Vrasja e Lezhës/ Dialogu pak çaste pas krismave mes Dedë Dushkut e së bijës. Hetimet e policisë

“Si vrau babai nënën e të dashurin”

Rrëfimi i vajzës 17-vjeçare të familjes Dushku

Ardita Bala

Lezhë

Të vetmit dëshmitarë të momenteve të fundit të jetës së File Dushkut, kanë qenë dy fëmijët e saj. Në agoni 40-vjeçarja nuk ka mundur të lërë asnjë amanet, apo të sqarojë diçka, ajo ka mundur të thotë vetëm “na vrau”.

Pas kësaj ajo ka dhënë shpirt dhe mbi trupin e saj ka qenë vetëm djali 18 vjeç dhe vajza e vogël 17 vjeçe. Pas ngjarjes kjo e fundit ka rrëfyer në polici të gjitha detajet e minutave të fundit dhe të jetës së familjes së saj.

Rrëfimi

“Kur kemi dëgjuar breshërinë e parë të automatikut, unë së bashku me tim vëlla kemi qenë duke punuar arën. Menjëherë lamë punën dhe vrapuam drejt shtëpisë. Kemi qenë jo shumë larg saj kur kemi dëgjuar dhe breshërinë e dytë të plumbave. Kur mbërritëm në oborrin e shtëpisë pamë babain krejt të çoroditur që na tha: “Ju vrava nënën”, pas kësaj ai shtoi se po shkonte në polici të vetëdorëzohej”. Kështu ka rrëfyer në polici vajza e vogël e familjes Dushku. Ajo ka treguar më pas se në shtëpi ata kishin pasur një çifte me leje, të cilën e kishte marrë i vëllai i saj 18-vjeçar pas ngjarjes. Djali i vogël i familjes duke pstur frikën e një hakmarrjeje të mundshme nga ana e fisit të Gjurajve ishte larguar nga shtëpia. Mësohet të ketë thënë në polici se nuk ia kishte idenë se ku mund ta kishte marrë i ati automatikun me të cilin kishte vrarë gruan dhe bashkëfshatarin.

Hetimi

Sipas burimeve zyrtare të policisë së Lezhës, ka dy variante sesi mund të ketë ndodhur ngjarja, të paktën derisa të kapet autori i vrasjes së dyfishtë dhe të zbardhet çdo gjë. Njëri nga variantet është që Dedë Dushku, burri i tradhtuar të ketë parë të shkonte në drejtim të shtëpisë së tij Tomën, pasi po sipas policisë nga vendi ku ai ruante bagëtitë e tij shikohej fare qartë shtëpia e Gjurajve. Duke parë Tomën të drejtohej për nga shtëpia e tij ai ka vendosur t’i japë fund jetës së dy personave, për të cilët ai dyshonte prej shumë vitesh se kishin me njëri-tjetrin lidhje jashtëmartesore. Rrugës për t’u kthyer në shtëpi ai duhet të ketë marrë armën automatik. Pikërisht momenti i ekzekutimit të File Dushkut dhe Tom Gjuraj ka dy variante. Po sipas të njëjtave burime zyrtare në njërin variant Toma mund të ketë qëlluar në ajër tek pragu i portës për t’i trembur, duke i lënë kohë që ata të dy të dalin jashtë shtëpisë dhe varianti i dytë i policisë është ai që, ai ka kapur në flagrancë dhe pasi ka qëlluar mbi trupat e tyre ka dalë përpara derës së shtëpisë dhe ka qëlluar në ajër për të dhënë shenjën sipas kanunit se ka vrarë për çështje nderi dhe se e vuri nderin në vend.

Kërkimet

Menjëherë pas marrjes së informacionit për ngjarjen e ndodhur, në fshatin Malecaj kanë mbërritur forcat e policisë së Komisariatit të Lezhës. Ata kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe kanë filluar menjëherë punën për kapjen e tij. Megjithëse Ded Dushku i kishte thënë të afërmve të tij dhe disa bashkëfshatarëve të tij se do të dorëzohej në polici, deri mbrëmë vonë nuk e ka bërë një gjë të tillë. Ndërkohë policia e Lezhës ka bërë krehjen e shumë zonave dhe vendeve ku dyshohej se mund të ishte i fshehur. Burime zyrtare të policisë së Lezhës, kanë bërë të ditur dje për Gazetën se tashmë ka një informacion se ku mund të jetë fshehur ai, për efekt hetimi nuk bëhet i ditur emri i personit që nga policia konfirmohet të jetë jo vetëm i afërm i tij, por dhe një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.