OPINION

Asociimi pa garanci Antarësimi!

10:58 - 24.05.22 JORGJI KOTE
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

PO, ky pritet të jetë në parim trendi i ri politik lidhur me procesin e zgjerimit të BE-së. Këtë e konfirmoi dhe Presidenti i Këshillit Europian Charles Michel më 20 Maj në Tiranë. Në fakt, në turin e tij ballkanik, Charles Michel prezantoi dhe mbështeti zyrtarisht vizionin e ri për Europën që Presidenti francez, Macron parashtroi më 9 Maj  në Parlamentin Europian në Strasburg, në cilësinë  e tij  dhe si Kryesues i rradhës i BE-së.




Ashtu si Macron, edhe Charles Michel në Tiranë dhe gjetkë  foli gjatë për “Bashkësinë e re Politike Europiane“. Veç 27 vendeve antare të BE-së, aty do të bëjnë pjesë pak a shumë si “antare të asociuara“  ato vende që mund të mos dëshirojnë ose mund të mos arrijnë dot të antarësohen në BE. Këtu krahas Norvegjisë dhe Zvicrës, do të ftohet të luajë rol kryesor edhe Britania e Madhe. Pjesë e kësaj Bashkësie do të jenë dhe  6 vendet e  Ballkanit Perendimor, Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia por dhe vende të tjera me të cilat BE-ja ka bashkëpunim të ngushtë.

Ritheksojmë se sipas këtij vizioni të ri, ndonëse këto vende mund të mos dëshirojnë të antarësohen në BE ose jo domosdoshmërisht mund të bëhen antare të BE-së, çka dhe nëse ndodh do t‘i takojë një periudhe tejet të largët, ndoshta me dekada, për shkak të hendeqeve të tyre tejet të mëdha dhe me vendet më të prapambetura, e rëndësishme është që  do t‘i përkasin BE-së; shumë e rëndësishme të përmendet se  ato do të përfitojnë në  një masë shumë më të madhe se deri tani nga programet dhe projektet në të gjitha fushat.

Ndërsa në aspektin politik dhe institucional, liderët dhe  përfaqësuesit e tyre do të marrin pjesë në takimet e niveleve më të larta, me statusin e të ftuarit apo vëzhguesit, por pa të drejtë vote.

Në fakt, kjo ide nuk ishte e papritur dhe nuk lindi në boshllëk dhe spontanisht; atë vizion e kishte paralajmëruar Presidenti Macron  qysh me fillimin e mandatit të parë presidencial më 2017; rikujtojmë se veç tezave që qarkullonin nëpër kancelari të ndryshme për një “Europe me dy korsi/shpejtësi“, më 27 Korrik 2018, në ligjëratën  në Universitetin e Lisbonës, Macron hodhi dhe shtjelloi idenë e një Europe “ me tri rrathë koncentrikë“, ku Ballkani Perendimor ishte në “kategorinë e tretë“.

Lind pyetja: Atëhere pse tani dhe aq vonë? Sepse krizat e shumta brenda dhe jashtë Francës, proceset e ndryshme zgjedhore në BE dhe vendet antare, COVID – 19 dhe së fundi agresioni rus ndaj Ukrainës nuk lejonin hapësirën e nevojshme për ta shpalosur dhe venë më parë në rrugën e realizimit këtë vizion. Ndikim frenues patën dhe hezimet, kundërshtimet dhe rezervat brenda dhe jashtë BE-së, ku ideja e dy shpejtësive apo tri kategorive nuk ishte dhe aq tërheqëse dhe nuk “ ngjiste“.

Ndaj 9 Maji, kur Macron e shpalli me një terminologji më pozitive dhe të pranueshme ishte data më e përshtatshme për ta shpalosur tashmë me vendosmëri këtë ide vizionare; jo vetëm si datë simbol për Europën, por dhe me kushte më të favorshme, kur Macron sapo ka fituar mandatin e dytë në Elysée; kur nga dhjetori i kaluar në Gjermani kemi një koalicion bindës tripartiak me Kancelarin Scholz dhe kur sapo përfundoi konsultimi i madh qytetar në të gjitha vendet antare të BE-së mbi të ardhmen e Europës; ku u bënë mbi 3.000 propozime, duke përfshirë dhe ndryshimin e Traktateve bazë të BE-së, me qëllim që t’i çelet rruga reformimit të saj të brendshëm cilësor, këtë radhë, si një NDRYSHIM HISTORIK!

Mbi të gjitha,  agresioni rus kundër Ukrainës dhe lufta e saj heroike në mbrojtje të vlerave më të mira demokratike dhe europiane ka krijuar një moment të ri historik, kur nuk “mban më ujë pilafi“ ndaj dhe kërkohet përgjigje e shpejtë dhe adekuate nga BE-ja dhe lidhur me perspektivën e tyre europiane.

Po atë ditë, veç mirëkuptimit të Europarlamentit dhe Presidentes së Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen, Macron mori dhe mbështetjen e Kancelarit gjerman Scholz në Berlin; çka do të thotë se pavarësisht nga dritëhijet dhe nuancat në dallime, boshti franko-gjerman, ky “motorr“ i funksionimit të  BE-së po rifillon të punojë me ngarkesë të plotë për muajin Qershor; kur do të mblidhet dhe Samiti i BE-së më 23/24 Qershor, i cili do të shqyrtojë dhe shpresohet shumë të miratojë  këtë projekt të ri madhor polittik. Natyrisht deri në fillimin e  zbatimit të tij do të jetë një rrugtim i gjatë, me përplasje, polemika, rezerva, kundërshti, por dhe me kompromiset e rastit, për të cilat BE-ja shquhet.

Në këtë Bashkësi të Re të Zgjeruar Politike Europiane, Ballkani Perendimor ka vendin e vet të veçantë, por tashmë me një qasje të re gjeo-strategjike. Kjo u pa qartë qysh në Janar të këtij viti, kur në Programin e Presidencës franceze të BE-së për këtë gjashtëmujor, veç Samitit të BE-së, përmendet si ngjarja më kryesore Konferenca kushtuar Ballkanit Perendimor në fund të muajit Qershor. Mirëpo, vëzhguesit e vëmendshëm e konstatuan menjëherë faktin domethënës  se atje nuk përmendej as si term  “Zgjerimi dhe Antarësimi“, por vetëm “sqarimi i Perspektivës  dhe Përkatësisë“ së Rajonit tonë  në BE.

Shpallja e 6 vendeve tona si antare të asociuara shpjegohet bindshëm me 10 shkaqet themelore, të cilat ka vite që janë bërë pengesë për zgjerimin e mëtejshëm dhe të shpejtë  të BE-së drejt Ballkanit Perendimor.

Lodhja nga zgjerimi drejt Ballkanit është kthyer në një alergji të vërtetë. Kështu, në sondazhet e fundit në vendet kryesore të BE-së, gjysma e të anketuarve apo dhe më shumë janë kundër zgjerimit të mëtejshëm. Për një  numër shkaqesh dhe faktorësh – krizat që i kanë shtuar hallet e përditshme, sidomos papunësia, azili dhe emigracioni, krimi i organizuar dhe mafia, rënia e nivelit të jetesës dhe perceptimi negativ, ose shqip, nami i keq i vendeve tona.

Ndikim tjetër negativ ka patur koha shumë e gjatë e procesit të Zgjerimit. Kështu, antarësimi i 10 vendeve ish-lindore zgjati gjithsejt 16 vjet nga paraqitja e kërkesës zyrtare. Ndërsa në vendet e Ballkanit Perendimor, dhe tani,  21 vite nga fillimi i këtij procesi, vetëm Serbia dhe Mali i Zi kanë filluar negociatat, por me ndërprerje dhe pa perspektivë të qartë e të afërt kohore. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut presin ende çeljen e negociatave me plot pasiguri, në rastin tonë 12 vite pas kërkesës zyrtare.

Forcimi i populizmit dhe ekstremizmit në disa vende europiane me peshë, sidomos në Francë, Itali, Gjermani, Holandë dhe gjetkë  që e kanë shpallur “ non-grata” zgjerimin, sidomos drejt Ballkanit Perendimor. Për pasojë, zgjerimi e ka humbur « magjinë » e tij, ai nuk josh dhe nuk frymëzon si më parë, nuk jep vota, por vetëm se hap dhe shton telashet.

Shkak tjetër i rëndësishëm ka qenë përvoja e hidhur me antarësimin e 10 vendeve të tjera të ish Lindjes. Me disa prej tyre, siç dihet, vetë BE-ja ka probleme serioze të shtetit të së drejtës, mbasi ato duan ta ribëjnë BE-në, tashmë si «  demokraci jo liberale ! Shihni sa «  dhimbje koke «  i kanë shkaktuar BE-së  Bullgaria dhe Rumania, antarësimi i të cilave  20 vite më parë ishte vërtet  “dilemë hamletiane” Por BE-ja u tregua fleksibël, dhe me premtimin/ besën  që i dhanë ato dy vende i pranoi më 2007. E fundit por jo më pak e rëndësishmja, funksionimi i forumeve drejtuese të BE-së, nga 27 në 37 vende antare në rastin e zgjerimit përbën hall tjetër të madh politik dhe institucional.

Me këtë vizion të ri europian vetëkuptohet se dhe çelja e negociatave në Qershor dhe vazhdimësia e tyre e përshpejtuar praktikisht mund të kalojë në plan të dytë ose të tretë, edhe pse demarshet formalisht vazhdojnë. Kjo mbasi, siç konfirmuan Macron dhe Charles Michel, dhe kur të çelen negociatat, nuk dihet se sa do të vazhdojnë, sepse nuk do të ketë afat përfundimtar; ky i fundit, gjithsesi, do të jetë dhe më i largët se sa mendohej më parë për shkak të vonesave dhe problematikave përvëluese në vendet e rajonit tonë. Gjithsesi, pranimi si “antar i asociuar“ do t’i lehtësonte të gjithë nga trysnia e vazhdueshme mbi datat dhe afatet, duke u përqëndruar në hapat dhe etapat konkrete, si të procesit dhe të produktit.

Po aq e parëndësishme bëhet tashmë dhe ndarja jonë nga Maqedonia e Veriut, nëse Sofja nuk heq veton e saj ndaj Shkupit. Sepse kjo ndarje mund të bëhet vetëm me konsensusin e plotë të 27 vendeve antare të BE-së, çka është tejet e vështirë, për të mos thënë e pamundur. Në përgjithësi në BE nuk e duan këtë ndarje, sepse nuk shkon të çelen negociatat me ne përpara Maqedonisë; jo  vetëm se kjo e fundit ka 17 vjet “në radë“ ndërsa ne  8 vjet, por sepse ata janë më përpara në shumë drejtime. Mbi të gjitha, pas agresionit rus në Ukrainë dhe vizionit të mësipërm te  Macron, logoja e BE-së nuk është “Decoupling“, dmth Ndarja, por Solidariteti, BASHKE!

Madje, praktikisht mund të mos ketë më as zhvillim të negociatave në kuptimin klasik të deritanishëm; pritet që përparimi i performancës së  çdo vendi do të ndiqet dhe raportohet kryesisht dhe në vazhdimësi, nga Shërbimet e Komisionit e të Parlamentit Europian dhe secili vend antar, sipas rastit, “me kulaç dhe kërbaç“   Më tej, mbi bazën e ecurisë sipas çdo fushe, BE-ja do të akordojë  ndihma, fonde dhe mbështetje të gjithanshme, pothuajse sikur të ishim vend antar, pa pritur plotësimin e të gjitha kushteve dhe antarësimin e plotë që mund të kërkojë dhe dekada. Në të kundërt, do “të këlcasë kërbaçi“, deri në bllokimin dhe tërheqjen e fondeve të akorduara, madje dhe kthimin mprapsht të gjithë procesit. Në fakt kjo mundësi është përmendur qartë dhe në Strategjinë e Zgjerimit të BE-së të muajit Shkurt  2020. Vetëm se tani e tutje do t’i kushtohet përparësi absolute shtetit të së drejtës dhe aspektit demokratik, që do thënë se ka qenë “prapa liste“.

Me këtë vizion të ri, i jepet përgjigje pozitive dhe shqetësimeve lidhur me ndikimin dhe ndërhyret ruse, kineze, etj në rajon, në rastin e mungesës së një perspektive europiane, që e përsëritim, tash e tutje nuk do të njehsohet detyrimisht me antarësimin. Ca më tepër, që përvoja e 20 viteve të fundit tregon bindshëm se as antarësimi nuk të jep automakisht imunitet ndaj të këqiave, qoftë nga brenda, qoftë nga jashtë; dhe se një antarësim i sforcuar dhe me ngut, i nxitur vetëm nga gjeeopolitika, por pa u linjëzuar në të gjitha fushat me BE-në mund vërtet ta largojë rrezikun rus “nga dera, por ai mund të futet më vonë nga dritarja“.

Nga ana tjetër, antarësimi i asociuar lehtëson dhe akomodon politikisht  edhe kërkesën e Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë për antarësim të përshpejtuar. Mirëpo, siç e tha troç më 22 Maj Ministri i ri francez i Çështjeve Europiane, Clement Beaune, megjithë respektin dhe simpatinë për heroizmin e popullit të Ukrainës, antarësimi i Ukrainës në BE do të “kërkojë të paktën 15-20 vjet“; kjo për shkak të problemeve jo të vogla që ka patur e ka. Ndaj dhe Presidentja e Komisionit Europian, Von der Leyen paralajmëroi se ndihmat për rindërtimin e Ukrainës do të kushtëzohen me transparencën dhe luftën kundër korrupsionit, që do thënë se është “gangrenë“ në të tria këto vende.  Veç kësaj, ndihmat e pallogaritshme që po u jep BE, NATO dhe SHBA-ja, së bashku me  dhënien e statusit  si vend i asociuar në Komunitetin Politik Europian i jep mesazhin e duhur dhe Rusisë për përkatësinë e tyre europiane.

Së fundi, deri tani është përcjellë kryesisht “fryma“ e vizionit të ri për Europën që do vijojë më tej;kudo në Europë dhe te ne. Ndërsa “gërmat“ dmth format e tij konkrete do  të shqyrtohen më 23/24 Qershor, në Samitin e BE-së, ku do të jenë të ftuar dhe liderët e Ballkanit Perendimor dhe vendeve të tjera të lartpërmendura. Nisur nga sa sipër, do theksuar  se reagimi i Kryeministrit Rama në takimin me Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel më 20 Maj në Tiranë  ishte  i drejtë, i saktë dhe i përmbajtur.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.