OPINION

Ku t’i çojmë afër 280 milionë euro tepër?

09:59 - 24.05.22 FATOS ÇOÇOLI
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Një raport i Ministrisë së Financave dhe të Ekonomisë i mesit të majit jepte gjendjen me të ardhurat e buxhetit të Shtetit për katërmujorin e parë janar-prill 2022. Tatimet dhe doganat kanë mbledhur 33.2 miliardë lekë më shumë se periudha janar-prill 2021. Ose afro 180 milionë euro më shumë. Si të thuash, Buxheti i Shtetit është mbytur në pare. Rritja e çmimeve të mallrave të importit, sidomos të naftës, benzinës, grurit, miellit, sheqerit, vajit për gatim, etj., ka sjellë këtë lumë të rrëmbyer lekësh. Me shtesa të papara të ardhurash janë edhe buxhetet e shteteve përreth nesh dhe në të gjithë Evropën e madje botën. Kjo situatë do të vazhdojë, për sa kohë do të jetë ky nivel i çmimeve të larta të çmendura në të gjithë botën. Banka Botërore thotë deri në fund të vitit 2024. Qeveritë e kanë zgjidhur qesen me vendosmëri në ndihma të mëdha për qytetarët, sidomos për ata më në nevojë. A do ta bëjë edhe qeveria jonë? Duhet ta bëjë! Së pari, duhet të rrisë kontributin e Buxhetit për 434 mijë qytetarët shumë në nevojë: pensionistë që marrin pension më pak sesa gjysma e pagës minimale(më pak se 16 mijë lekë në muaj), pensionistët e invaliditetit, pensionistët që jetojnë vetëm, personat me aftësi të kufizuar, paraplegjikë, tetraplegjikë apo të verbër, si dhe të gjitha familjet me ndihmë ekonomike. Që nga mesi i marsit 2022,  kontributi prej 3 mijë lekësh në muaj ka qenë i pamjaftueshëm, për të përballuar rritjen e çmimit të bukës, qumështit, vezës, vajit, mishit, gjalpit e gjithshkaje. Duhen të paktën 5 mijë lekë pagesa ndihme nga Buxheti. I thonë 52 milionë euro më shumë deri në fund të vitit. Dhe qeveria duhet ta fillojë me pagesën e re te shtuar, pa pritur fundit e paketës së parë në fund të qershorit. Jo! Ta nisë që më 1 qershor. Është e domosdoshme! Njerëzit po na varfërohen përpara syve. Jeta e natës së Tiranës nuk është Shqipëria! Së dyti, duhet të ndihmojmë bujqësinë, fermerët që po i lënë serat djerrë! Kjo është e dhimbshme. Kanë investuar kursimet e jetës në ato sera. Kanë marrë kredi, para borxh. Tani, gjendja me çmimet e ngritura në qiell të lëndëve të para bujqësore, po i lë pa shpresë. Së bashku dhe me politikën e pakokë të taksave mbi fermerin, të shtuara po çmendurisht në fillim të këtij viti. Qeveria duhet të japë të paktën 15 milionë euro për ujitjen në bujqësi. Nuk ka dhënë një kacidhe për këtë vit. Buxheti i Ministrisë së Bujqësisë është 2 përqind më pak se buxheti i vitit 2021. Nuk ka kuptim. Bujqësia është përparësia jonë. Dhe jo vetëm pse e thotë FMN-ja. Socialistët, përpara 25 prillit 2021, premtuan 10 milionë euro për të promovuar turizmin shqiptar. Është pak. Ky fond vjetor duhet trefishuar. Turizmi deri tani është rritur vetëm në mënyrë spontane. Qeveria asnjëherë nuk i ka dhënë një dorë të drejtpërdrejtë, por vetëm me investimet në infrastrukturë dhe në qendër të qyteteve. Nëse trefishojmë paratë për turizmin, është një investim i sigurtë. Ato para të kthehen shumë shpejt dhe me shumëfisha të tyre. Këtë vit presim 2.8 miliardë euro të drejtpërdrejta nga turizmi. Po të kishim investuar vetëm 100 milionë euro për turizmin shqiptar drejtpërdrejt gjatë vitit 2021, sot mund të prisnim edhe 3.4 miliardë euro nga turizmi. Kaq e drejtpërdrejtë është lidhja. Por qeveritë tona kurrë nuk e kanë parë turizmin me potencialin e tij të vërtetë. Pasi të kemi ndihmuar menjëherë, që më 1 qershor, njerëzit tanë në nevojë, pasi të kemi dhënë më shumë para për bujqësinë dhe për fermerët në korrik 2022, kur ndryshohet me akt normativ buxheti, pasi të kemi dhënë shumë më shumë para për turizmin e vitit 2023(se ky i këtij viti na iku, për fat të keq, pa u ndihmuar si duhet), atëhere do të na kenë mbetur ende para për sektorin tjetër më premtues që kemi, atë të start-up-eve dhe koduesve të Shqipërisë. Aty duhet t’i hedhim paratë shtesë që do të na ngelin. Këtë ndarje duhet ta mbajmë mirë mend në kokë. Nëse duam që ky vend të mos na boshatiset brenda 7-10 viteve të ardhshëm.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.