EKONOMI

Raporti i kredive me probleme jashtë vendit ra në 0.3% vitin e kaluar!

07:40 - 24.05.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Portofoli i kredive të dhëna nga sektori bankar shqiptar për subjekte jashtë vendit edhe vitin e kaluar u shfaq më cilësor krahasuar me kredinë e dhënë brenda Shqipërisë.




Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se raporti i kredive me probleme në segmentin e huasë për jorezidentët vitin e kaluar zbriti në 0.3%, nga 1.7% që kishte qenë një vit më parë. Portofoli i kredisë për jorezidentët përfaqësohet kryesisht nga kredi e dhënë për biznese të huaja në monedhën Euro.

Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se për momentin huadhënia e bankave shqiptare jashtë vendit paraqitet me parametra cilësorë pozitivë, madje ndjeshëm më të mirë në raport me mesataren e portofolit. Në fund të vitit 2021, raporti i kredive me probleme të sektorit bankar shqiptar ishte në nivelin 5.65%, me një rënie prej afërsisht dy pikë e gjysëm përqindje në raport me vitin 2020.

Megjithatë, portofoli i kredisë së dhënë jashtë vendit është ndjeshëm më i vogël krahasuar me huadhënien jshtë vendit dhe i përqendruar në pak huamarrës të mëdhenj. Ndonëse raporti i kredive me probleme për jorezidentët është në nivele tejet të ulëta, ky segment paraqet potencialisht rreziqe shtesë të natyrës ligjore, në rastet kur bankat mund të përballen me nevojën për ekzekutim të detyrimeve.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se stoku i kredisë për subjektet jorezidente u zgjerua me 40% gjatë vitit të kaluar. Në fund të muajit dhjetor kredia për jorezidentët ishte rreth 27 miliardë lekë dhe zinte rreth 4% të tepricës së kredisë së sektorit bankar, nga 3.2% një vit më parë.

Kjo shumë përjashton huatë e dhëna nga filialet e bankave tregtare shqiptare në Kosovë. Kontributin kryesor në zgjerimin e kredisë për jorezidentët e ka dhënë rritja në stokun e kredisë për bizneset, kredisë në monedhë të huaj dhe kredisë afatgjatë. Këto janë njëkohësisht kategoritë me peshën më të madhe në stokun e kredisë për subjektet jorezidente.

Kredia jorezidente e sektorit bankar shqiptar arriti pikun në vitin 2017, por edhe atëherë ajo ka qenë e kufizuar në pak banka të mëdha të sistemit. Këto banka vitet e fundit kanë kërkuar alternativa huadhënieje në vendet e rajonit, sidomos në tregje si Kosova, ku kthimet në sektorin bankar kanë qenë më të kënaqshme dhe raporti i kredive me probleme ka qenë më i ulët.

Një pjesë e madhe e kredisë jashtë vendit lidhej sidomos me aktivitetin e degës së Bankës Kombëtare Tregtare në Kosovë. Pasi dega në fjalë u nda nga banka mëmë në Shqipëri kjo kredi pësoi rënie të ndjeshme.

Një faktor që ka nxitur investimet tek jorezidentët, përfshi këtu edhe kredidhënien jashtë vendit, në vitet e fundit ka qenë edhe rritja e ndjeshme e depozitave në valutë dhe sidomos në Euro. Më shumë se gjysma e depozitave në sektorin bankar shqiptar janë në valutë të huaj dhe tregu i brendshëm nuk ofron alternativa të tjera të investimit të fondeve në valutë të huaj, përveç kredidhënies.

Por, në vitet e fundit kreditimi po shfaqet gjithnjë e më i orientuar drejt lekut, i nxitur edhe nga politikat e Bankës së Shqipërisë për uljen e përdorimit të euros dhe për shmangien e rrezikut të kursit të këmbimit. Për këtë arsye, disa prej bankave të sistemit kanë eksploruar edhe tregjet e huaja të huadhënies, me fokus kryesisht te klientët biznes. (monitor)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.