EKONOMI

Tremujori I/ Kontribuesit në pensionet private u shtuan me 2.9% dhe asetet e fondeve u rritën me 6%

07:33 - 24.05.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Tregu i pensioneve private vullnetare vijoi rritjen edhe në tremujorin e parë të këtij viti.




Të dhënat e nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se numri total i anëtarëve arriti në 34 555. Gjatë tremujorit të parë të vitit, numri i anëtarëve të fondeve është shtuar me 2.9% ose afërsisht 1 mijë kontribues.

Bazuar në shifrat që raporton AMF dhe në statistikat e punësimit mbështetur në Anketën e Forcave të Punës së INSTAT, numri i individëve që kontribuojnë për një pension privat është afërsisht sa 2.7% e numrit të përgjithshëm të të punësuarve në vend, çka tregon një nivel ende shumë të ulët të mbulimit me fonde private të pensioneve.

Për momentin, pensionet private ngelen një “privilegj” për një grup punësuarish me paga mbi mesataren dhe për ata punonjës që janë përfshirë në skema profesionale të sigurimit, të ngritura nga punëdhënësit dhe që financohen pjesërisht apo plotësisht prej tyre, në formën e benefiteve.

Vlera e aseteve neto të fondeve të pensionit në fund të muajit mars arriti në 4.86 miliardë lekë ose rreth 40 milionë euro, në rritje me 6% që nga fillimi i vitit dhe me 28.6% krahasuar me një vit më parë.

Fondet e pensioneve private ngelen ende segmenti më i vogël i tregut financiar në Shqipëri. Në vitet e fundit, ky treg po rritet me ritme të shpejta, por mbi një bazë të ulët. Asetet e fondeve të pensioneve janë të investuara kryesisht në obligacione të qeverisë shqiptare.

Këtë vit, pritet që Kuvendi i Shqipërisë të miratojë një ligj ti ri për fondet private të pensioneve. Projektligji i përgatitur nga AMF propozon rritjen e përjashtimit nga taksat si për kontributet e punëmarrësve, ashtu edhe për ato të punëdhënësve, ndërsa kërkon që pensionet të mos tatohen as në përfitim për pjesën e kontributeve, por vetëm për kthimin nga investimi.

Aktualisht, kufiri maksimal për lehtësitë tatimore mbi kontribut, është vlera më e vogël, që del nga krahasimi i shumës 200 mijë lekë dhe 15% të të ardhurave vjetore bruto të anëtarit. Sipas projektligjit të propozuar nga AMF, kufiri maksimal mujor i përjashtimit tatimor do të rritej deri në nivelin e pagës minimale të miratuar, që sot do të nënkuptonte një shumë kontributesh prej 30 mijë lekësh në muaj.

Projektligji i përgatitur nga AMF sjell për herë të parë edhe një formë të re të fondit privat të pensionit, atij me pjesëmarrje të mbyllur. Ky fond është i ngjashëm me skemat profesionale të pensioneve që aplikohen aktualisht nga disa kompani), por ndryshimi është se në fondet e mbyllura pjesëmarrja është ligjërisht është e kufizuar vetëm për të punësuarit apo anëtarët e subjekteve të mësipërme.

Burime nga tregu bëjnë të ditur se edhe Ministria e Financave është shprehur paraprakisht dakord me rritjen e shumës së kontributeve që përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat, deri në nivelin e pagës minimale të miratuar me ligj. Gjithashtu, kjo ministri ka rënë dakord që kontributet të mos tatohen as në përfitim, me kusht që pagesa e pensionit privat të shtrihet në të paktën dy vjet.

Deri në fund të tremujorit I, në treg vepronin katër fonde të pensioneve private. Sipas numrit të anëtarëve, aktori më i madh në treg është Credins Pension, me rreth 53.5% të numrit të përgjithshëm të anëtarëve, i ndjekur nga Sigal Pension me 27.7%, Raiffeisen Pension me 9.8% dhe Albsig Pension me 9%.

Për nga vlera e aseteve neto, fondi më i madh është Sigal Pension me 45% të totalit, i ndjekur nga Credins Pension me 29%, Raiffeisen Pension me 22.3% dhe Albsig Pension me 3.7%.

Muajin e kaluar, Bordi i AMF miratoi edhe një fond të ri pensionesh private, Smart Pension, që do të administrohet nga shoqëria Albsig Invest. (monitor)

Burimi: AMF


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.