DOSSIER

20 VITE MË PARË/ Gazeta Shqiptare: Tragjedia, pse u përplasën dy autobusët. Ja të gjithë emrat e aksidentit në Dukat

07:00 - 26.05.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

26 maj 2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare”




 Tragjedia, pse u përplasën dy autobusët. Ja të gjithë emrat e aksidentit në Dukat

Kush janë 5 të vdekurit, 18 të plagosurit rëndë dhe ata që shpëtuan. Rrëfimi i gjimnazistit: Shoferi i Beratit kishte pirë. Minutat e nakthit në spitalin e Vlorës e të kryeqytetit. Kaosi me prindërit që kishin dërguar fëmijët në ekskursion. Gatishmëria e mjekëve dhe thirrjet për dhurim gjaku. Prag tragjedie në Shpal të Mirditës. Gjashtë komando bien në huymnerë nga 35 metra lartësi. Ja kush janë

 Rrëfimi i drejtoreshës së spitalit bregdetar: Vetëm njëri vdiq te ne

Minutat e ankthit nga Vlora në kryeqytet

Ora 17.00. Ndërsa ushtarët e repartit Komando ishin duke dhënë gjak për katër eprorët dhe kolegët e tyre të aksidentuar në Shpal të Mirditës, në urgjencën e Spitalit Ushtarak vjen një tjetër urdhër: “Në gatishmëri për pritjen e të plagosurve të aksidentit të Dukatit në Vlorë”.

I gjithë efektivi mjekësor organizohet dhe vetëm 10 minuta më pas, para urgjencës ulet një helikopter i Ministrisë së Mbrojtjes. “Rrëmben” ekipin e mjekëve dhe niset për në Vlorë. 30 minuta më pas mbërrijnë dhe dy të aksidentuarit e parë, Marius Suku, vetëm 11 vjeç, me polifraktura (që do të thotë thyerje kockash në disa vende) dhe një i rritur. Ky i fundit ka qenë në gjendje të rëndë, madje nuk ka arritur të deklarojë as emrin e tij. Të dy të plagosurit futen në sallën e operacionit për t’u dhënë ndihmën mjekësore. Në Spitalin Qendror të ushtrisë paralizohet çdo gjë, dhe gjithçka përqendrohet tek urgjenca. Madje për  pak minuta ndalohen edhe vizitat te të sëmurët. Më pas ulen radhazi dy helikopterët e Ministrisë së Shëndetësisë, një i Ministrisë së Mbrojtjes dhe tjetri i trupave ndërkombëtare “Cozmouest”, që janë të vendosura në Durrës. Madje në helikopterin e tyre ka qenë edhe doktori italian, që kishte kontribuar për t’u dhënë ndihmën e parë të plagosurve.

 

 

Informacionet janë kaotike. Të plagosurit kapin njëri-tjetrin. Madje, për shkak të pamundësisë kohore për t’u ulur të gjithë në sheshin para urgjencës në Spitalin ushtarak, ndonjëri prej tyre ulej edhe në fushën e helikopterëve e më pas të plagosurit shoqëroheshin me autoambulanca. Tatjana Hilaj 38-vjeçe ka kaluar në gjendje kome, ndërsa udhëtonte me helikopter. “Kësaj nuk mund t’i jepnim dot ndihmën. Kështu që e nisëm në spitalin civil”, thotë nëndrejtori i spitalit, Bajram Beka. Por fluksin e parë dhe presionin më të madh e kanë përballuar bluzat e bardha të Vlorës. Drejtoresha e këtij spitali, Marika Çakërri, tregon ankthin dhe gjendjen e të plagosurve. Sipas saj, në spitalin e Vlorës u është dhënë ndihma 38-fëmijëve, të cilët kanë marrë mjekimet dhe janë larguar. “Nga të vdekurit, vetëm njëri ka vdekur në spital, tre të tjerët kanë vdekur që në vend ose gjatë rrugës”, thotë Çakërri. Drejtoresha e spitalit falënderon kryeministrin Majko, i cili ka telefonuar personalisht për ta pyetur për nevojat e spitalit. Madje me porosi të kryeministrit kanë ndezur helikat helikopterët e tre organizmave. “Por ishte fati ynë i mirë që kishim rezerva gjaku për ta përballuar këtë tragjedi”, përfundon  Çakërri.

Mjekët lënë shtëpitë: Roje natën në spital

Mjekët e Spitalit Ushtarak në gatishmëri gjithë natën. Dje Spitali Ushtarak është ndodhur para një gjendje emergjente. Katër ushtarakëve të plagosur nga aksidenti i ndodhur në Shpal të Mirditës, disa minuta më vonë i janë shtuar dhe të plagosurit e përplasjes së dy autobusëve në rrugën Vlorë-Orikum. “Është një gjendje emergjente të cilën spitali nuk mund ta përballonte dot me ekipin e mjekëve-roje, që janë në ditët e zakonshme”, tha zëvendësdrejtori i Spitalit Ushtarak, Bajram Bega. Ai falënderoi gjithë personelin e spitalit, të cilët po qëndrojnë në gatishmëri dhe kanë ardhur në punë, edhe pse jashtë turnit të tyre.

 

Komandot dhurojnë gjak për viktimat

Tiranë – Ushtarët e forcave komando dhurojnë gjak për shokët e tyre dhe të aksidentuarit e Vlorës. “Gjaku rezervë i forcave komando do të përdoret edhe për të aksidentuarit e Vlorës”, deklaroi në konferencën e djeshme për shtyp, zëvendësdrejtori i Spitalit ushtarak, Bajram Bega. Me të marrë vesh për aksidentin e 4 shokëve të tyre në Mirditë, një makinë me ushtarë të forcave komando kishte ardhur në Spitalin Ushtarak për të dhuruar gjakun e tyre në ndihmë të të plagosurve.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.