EKONOMI

Sektori bankar “frenoi” në tremujorin I, bankat që u rritën dhe ato që u tkurrën

07:17 - 26.05.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Sektori bankar e frenoi rritjen në tremujorin e parë të këtij viti. Të dhënat paraprake dhe të paaudituara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, bazuar në Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS), tregojnë se në fund të muajit mars totali i aktiveve të sektorit bankar kishte vlerën e 1.78 trilionë lekëve, rreth tre miliardë lekë më pak krahasuar me fundin e vitit të kaluar.




Megjithatë, me bazë vjetore krahasimi, sektori ngelet në rritje me përmasa dyshifrore, me 10.2% më shumë. Gjatë tremujorit të parë, sektori ka vijuar të rrisë kreditimin e ekonomisë dhe portofoli është zgjeruar me 18 miliardë lekë të tjera, por rënia ka ardhur nga grupet e tjera të aseteve.

Kontributi i bankave të veçanta në ndryshimin e totalit të aktiveve të sektorit gjatë tremujorit të parë ka qenë i ndryshëm. Rënia është përcaktuar kryesisht nga katër banka të sistemit, ndërsa pjesa tjetër e tyre kanë vijuar rritjen edhe gjatë tremujorit të parë.

Banka me rënien më të lartë ka qenë banka më e madhe në vend, BKT, që për tre muaj është tkurrur me gati 10 miliardë Lekë. Vijon Alpha Bank me 2.5 miliardë lekë rënie, e ndjekur nga Raiffeisen me 2.3 miliardë lekë aktive më pak dhe Banka Amerikane e Investimeve me 1.7 miliardë Lekë më pak.

Shifrat e mësipërme kanë bërë që BKT të pësojë një tjetër rënie të mëtejshme në pjesën e saj të tregut, në 25.5% (nga 26% që mbante në fund të 2021), Raiffeisen ka rënë në 15.2% (nga 15.3% në fund të 2021) dhe Alpha Bank në 4.4% (4.5% në fund të 2021)

Lista e bankave që janë rritur për tremujorin e parë të vitit kryesohet nga Tirana Bank, me një zgjerim të totalit të aktiveve prej 4.85 miliardë Lekësh, e ndjekur nga Banka OTP Albania me 3.4 miliardë lekë, Union Bank me 2.3 miliardë lekë dhe Intesa Sanpaolo me 1.16 miliardë lekë. Zgjerim të aktiveve, por pa arritur kufirin e 1 miliardë Lekëve, kanë shënuar edhe Banka e Bashkuar e Shqipërisë, ProCredit Bank, Credins dhe Fibank.

Falë rritjes së tremujorit të parë, Tirana Bank e ka zgjeruar pjesën e saj të tregut në 5.7% (5.4% në fund të 2021), OTP në 6.6% (6.4% në fund të 2021) dhe Union Bank në 4.6% (4.5% në fund të 2021) dhe Intesa Sanpaolo në 11.4% (11.3% në fund të 2021).

Të dhënat e tremujorit të parë, megjithëse janë ende të paaudituara dhe subjekt i rishikimeve të mundshme, tregojnë që sektori bankar ka pësuar një lloj ndikimi nga situate inflacioniste. Ndikimi ka ardhur kryesisht për shkak të rritjes së yield-eve/normave të interesit në tregjet ndërkombëtare.

Kjo është reflektuar në zhvlerësimin e portofoleve të titujve të mbajtura për shitje nga bankat tregtare, sidomos të atyre në valutë të huaj dhe ka sjellë edhe një ndikim të konsiderueshëm në rezultatet financiare, siç u dëshmua edhe nga raportimet e kryera sipas standardeve të Bankës së Shqipërisë.

Ndërkohë, burime nga sektori bankar bëjnë të ditur se për të përmirësuar disi rezultatin e raportuar me IFRS, disa banka kanë kryer një zhvendosje edhe të letrave me vlerë në Lekë, nga klasa “të mbajtura deri në maturim” në klasën “të vlefshme për shitje”.

Një zhvendosje e tillë ka dhënë një ndikim financiar pozitiv, sepse deri në fund të muajit mars yield-et e titujve në Lekë kanë qenë të ulëta. Në këtë mënyrë, disa banka kanë arritur të balancojnë humbjet nga instrumentet financiare në valutë dhe madje të raportojnë edhe fitime rekord, siç ishte rasti i BKT (raportoi 5.2 miliardë lekë fitim dhe kthim nga kapitali 42.1% për tremujorin I).

Megjithatë, për shkak të rritjes së ndjeshme edhe të yield-eve në Lekë gjatë tremujorit të dytë, pritet që tashmë kjo zhvendosje e titujve të japë efekt të kundërt dhe të sjellë një ulje të fitimeve të bankave gjatë tremujorëve në vazhdim./monitor

Burimi: Shoqata Shqiptare e Bankave


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.