OPINION

Çfarë fituam nga Tirana e 25 majit?

10:00 - 28.05.22 FATOS ÇOÇOLI
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fituam një imazh të një vendi paqësor, të sigurtë dhe të organizuar mirë për një aktivitet sportiv madhor të nivelit evropian dhe botëror. Ky “sy i mirë” nuk ka të paguar. Bashkia e kryeqytetit kreu një punë të shkëlqyer më 24 dhe 25 maj, për vendosjen e mijëra turistëve italianë dhe hollandezë në zonat e tyre të shikimit të ndeshjes së finales së Ligës së Konferencës, gara e tretë më e madhe e futbollit evropian, pas Kupës së Kampioneve dhe Ligës së Kombeve. Pavarësisht përleshjeve fillestare në mbrëmjen e 24 majit mes tifozerive, ku u plagosën lehtë edhe 10 policë tanë, jo për fajin tonë. Ishte për bashkinë e kryeqytetit një eksperiencë e re, një punë shumë voluminoze dhe me përgjegjësi, e realizuar me përkushtim dhe profesionalizëm. Më 24-25 maj, Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit u mbush si asnjëherë tjetër në historinë e tij, me afro 260 fluturime në 48 orë! Ai priti mbi 16 mijë tifozë nga Hollanda dhe Italia. Me mijëra të tjerë iu bashkuan skuadrave të tyre të zemrës në Tiranë nga Mali i Zi dhe Kosova. E gjitha kjo, në një atmosferë inkandeshente feste sportive dhe mikpritjeje shqiptare, me çmimet e ushqimeve dhe birrës, që “kurnacët” e Evropës, hollandezët, i vlerësuan si shumë të lira. Rreth 24 mijë tifozë-turistë italianë dhe hollandezë gjallëruan jo vetëm shkallët e stadiumit “Arena Kombëtare”, por edhe rrugët e Tiranës dhe Durrësit më 25 dhe 26 maj. Pse me qindra prej tyre zgjodhën të bënin turistin të nesërmen e Finales. Po t’i bëjmë llogaritë, Stadiumi “Air Albania”, i cili na kushtoi si taksapagues 70 milionë euro nga Buxheti i Shtetit, nisi ta shlyejë veten. Nga 19,500 biletat me një çmim mesatar 200 euro(shumë prej tyre u shitën në treg të i), arritëm të marrim 3.5 milionë euro. Nga 18 mijë netët në hotelet, motelet dhe dhomat me qera tonat në Tiranë dhe Durrës(një pjesë e tifozëve qëndruan dy netë), morëm rreth 7 milionë euro të tjera. Vetë aeroporti i Rinasit me taksat e tij të pritjes, ushqimet, pijet e suveniret që shiti, mori rreth 1.5 milionë euro. Në tërësi, fituam 12 milionë euro në dy ditë me këto shërbime. Nga transporti i brendshëm i tifozëve-turistë në vend erdhën dhe afro 0.4 milionë euro të tjera, kurse nga ushqimi i mrekullueshëm shqiptar bio, nga pijet dhe blerjet për suvenire, u arkëtuan edhe rreth 4 milionë euro të tjera. Shkurt, pa futur pjesën e luanit të kompanive ajrore që i sollën dhe sot i kthejnë këta tifozë-turistë në vendet e tyre, ne morëm, në sajë të stadiumit të ri, mbi 18 milionë euro në dy ditë! Për të mos folur për kuriozitetin e rritur, sidomos të tifozëve-turistë nga Hollanda, se ata italianë dinë diçka më shumë për Shqipërinë. Edhe sikur të paguanim 10 milionë euro në spote publicitare në rrjetet televizive më të njohura të botës, nuk do të kishim këtë njohje që na e dha stadiumi i ri “Arena Kombëtare”, në një ngjarje me rëndësi për futbollin evropian. Fillim i mbarë. Dhe pa dyshim, ngjarja më e madhe turistike për ne! Duhet të nisim të nxisim qeverinë të na ndihmojë dhe mbështesë turizmin e ngjarjeve të ardhshme sportive, konferencave të biznesit, kongreseve kulturore, panaireve ndërkombëtare, festivaleve dhe shfaqjeve artistike, etj.. Duhet ngritur një bord i veçantë, apo njësi speciale e veçantë, siç e ka qejf qeveria t’i quaje grupet e punës, për të promovuar kalendarë aktivitetesh të tilla. Duhet të lobojmë fort si qeveri dhe me të gjitha strukturat e tjera shtetërore dhe të shoqatave të biznesit, për të hyrë në kalendaret rajonale të turizmit të eventeve. Duhet të marrim shembull nga Kroacia dhe Mali i Zi, që këtë lloj turizmi kanë afro dy dekada që e zhvillojnë me shumë sukses dhe që tani e kanë në nivele 6-8% të të gjithë vëllimit të parave që marrin nga turizmi i vendeve të tyre. Po të arrinim dhe ne nuk do të ishte pak, por rreth 250 milionë euro xhiro në vit! Turizmi i këtyre eventeve ende njihet pak tek ne dhe kemi humbur dy dekada shansesh që na kalonin tek hunda, por më mirë vonë se kurrë, thotë populli.




 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.