Kryesore

E PLOTË/ Nga Ilir Meta, te Vjosa Osmani! Ndarja nga jeta e Bujar Nishanit trondit politikën në vend dhe më gjerë

17:43 - 28.05.22 K.K
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Një vdekje e papritur ka qenë ajo e ish-presidentit Bujar Nishani këtë të shtunë. Ndarja e tij nga jeta ka shkaktuar tronditje jo vetëm në radhët e politikanëve në Shqipëri, por edhe më gjerë në shtete fqinje dhe në radhë të tjera të jetës publike të vendit.




Prej disa ditësh, Nishani ndodhej i shtruar në një spital në Gjermani, pasi vuante nga pneumonia bilaterale me insuficience respiratore, si pasojë e komplikacioneve të shkaktuara nga koronavirusi.

Dy javë para se të nisej drejt Gjermanisë, ai u trajtua në kushte shtëpie, dhe më pas iu shfaqën komplikacione post-Covid. Ish-kreu i shtetit shqiptar u shtrua në spitalin “Shefqet Ndroqi”, por me kërkesë të të birit (student mjekësie në Gjermani) ai u dërgua aty për të qenë nën survejimin e mjekëve gjermanë.

Familja e Nishanit është ndodhur pranë tij në çastet e fundit. Situata shëndetësore e ish-kreut të shtetit u rëndua pas infektimit të tij me COVID-19 dy muaj më parë. Ai vuante nga një sëmundje autoimune në mëlçi dhe nuk arriti t’i tejkalojë pasojat që virusi famëkeq i ka lënë në organizëm.

Gjendja e tij u stabilizua për pak kohë, por, më pas, ajo u përkeqësua. Më 23 prill, ai u nis drejt Gjermanisë për mjekim, ku edhe dha frymën e fundit.

Paloka: Respekti ynë do e shoqërojë kurdoherë

Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka ka konfirmuar vdekjen e ish-presidentit Bujar Nishani. Përmes një mesazhi në rrjetin social “Facebook” Paloka shkruan se pak më parë u konfirmua lajmi i vdekjes së Nishanit.

Mesazhi i Palokës:

Nje lajm i hidhur ka pak qe u konfirmua ; Bujar Nishani , ish-President i Republikes, minister dhe funksionar ne disa poste te rendesishme te PD ne vite, ka nderruar jete! Nje fatkeqesi per familjen dhe per gjithe demokratet. Respekti yne per gjitheshka dha per PD dhe per vendin, do e shoqeroje kurdohere!

Gazment Bardhi: Ditë zie për familjen tonë të madhe

Gazment Bardhi ka reaguar për vdekjen e ish-Presidentit Bujar Nishani, duke thënë se ndarja e tij nga jeta është një ditë zie për familjen e demokratëve.

Në rrjetet sociale, Bardhi thotë se vdekja e parakohshme e Nishanit i ka tronditur të gjithë, ndërsa i shpreh ngushëllime familjes.

“Sot për familjen tonë të madhe është një ditë zie. Ndarja e parakohshme nga jeta e Presidentit Bujar Nishani na ka tronditur të gjithëve. Ngushëllimet më të ndjera familjes, të afërmve dhe miqve, të prehet në paqe dhe përherë i paharruar në kujtimet tona”, shkruan Bardhi.

Basha: Sot PD humbi një politikan të përkushtuar

Ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reagur të shtunën për vdekjen e ish-presidentit Bujar Nishani. Në rrjetet sociale, ai thekson se lajmi është tepër i trishtueshëm dhe se sot, PD ka humbur një politikan të përkushtuar, kontributin e të cilit për të dhe Shqipërinë do ta kujtojë përherë me respekt.

Reagimi i Bashës:

Trishtues lajmi i ndarjes së parakohshme nga jeta të Presidentit Bujar Nishani.

Ngushëllimet më të ndjera familjes, miqve dhe të afërmve të tij. Sot Partia Demokratike ka humbur një politikan të përkushtuar, kontributin e të cilit për të dhe Shqipërinë do ta kujtojë përherë me respekt. U prehtë në paqe!

Ish-ministri i Drejtësisë: PD humbi politikanin e mençur

Ish-ministri i Drejtësisë, Eduart Halimi ka reaguar për ndarjen nga jeta të Bujar Nishanit. Sipas tij, ky lajm është dramatik dhe tronditës për familjen, por edhe për miqtë.

Me anë të rrjeteve sociale, Halimi ka sjellë në vëmendje ditën kur me ish-Presidentin Nishani janë bërë miq, ndërsa ka kujtuar edhe një nga momentet më të vështira, kur ai do të bëhej operacion në tru.

Postimi i plotë:

Lamtumire i dashur President Nishani!

Sot ishte dita jote e fundit mes nesh, por jo e fundit qe do shkruajme per ty!

Lajmin shokues ma dergoi nje bashkepuntor i ri imi.

Dramatik per familjen tende qe po luftonte prej muajsh!

Trondites per mua dhe familjen tone politike !

Ne pak sekonda memorja me solli ftesën tende per dreke ku ne fund me the “kam ditelindjen, mbush 40 vjec, dhe mendova ta kalonim bashke”.

Prej asaj dite u beme miq edhe me shume. Mu kujtua rreth 14 vjet me pare kur me tregoje per naten qe kaluat zgjuar me Odeten per te marre vendimin per operacionin ne tru, mbeshtetjen e saj te jashtezakonshme ne ato dite te veshtira dhe batuten tende: “zoti me ka me sy te mire, se me ndezi sinjalin, me paralajmeroi”.

Dhe keto 14 vjet me kurajen me te admirueshme luftove me post pasojat e atij operacioni dhe tregove shembullin inspirues per te ecur para! Tregove se mund te ishe nje politikan model: deputet i qytetareve, sherbetor i tyre dhe familjes sone politike; minister i drejtesise dhe minister i brendeshem i pakompleksuar nga pushteti; president i denje, i pakurruptuar dhe i ndershem!

Sot humbem mikun tone Presidentin Nishani! Familja humbi babain model, PD humbi politikanin e mencur!

Lamtumire i dashur Bujar!

Elisa Spiropali: Pusho në paqe President!

Ndarja nga jeta e Ish-Presidentit Bujar Nishani ka tronditur jo vetëm kolegët e tij demokratë, por edhe ata socialistë.

Edhe Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka shprehur e para ngushëllimet nga radhët e mazhorancës.

Me anë të një postimi në Facebook, ajo shkruan shkurt: “Pusho në paqe President Nishani! I lehtë dheu!”

Ish-Presidenti Bujar Nishani u nda sot nga jeta në moshën 56-vjeçare. Ai ishte i shtruar në një spital në Gjermani ku po trajtohej pas komplikacioneve që po kalonte si pasojë e koronavirusit.

Gjiknuri: Diti të përcjellë gjithmonë vlerat më të mira njerëzore

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri ka reaguar të shtunën pas ndarjes nga jeta t ëish-presidentit Bujar Nishani, duke thënë se ky është një lajm i dhimbshëm.

Në një postim në Facebook, ai thekson se Nishani ai ishte një personalitet që diti të përcjellë gjithmonë vlerat më të mira njerëzore, qetësinë dhe maturinë, duke i lënë mënjanë bindjet dhe pozicionet e ndryshme politike.

Reagimi i Gjiknurit:

Një lajm i dhimbshëm ndarja nga jeta e Presidentit Bujar Nishani!

Përtej bindjeve dhe pozicioneve të ndryshme politike, ai ishte një personalitet që diti të përcjellë gjithmonë vlerat më të mira njerëzore, qetësinë dhe maturinë!

Gjej rastin tu shpreh familjarëve dhe miqve të tij ngushëllimet më të sinqerta

Nikolla: I shërbeu vendit me përkushtim

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka shprehur sot  ngushëllimet  për ndarjen nga jeta të ish Presidentit të Republikës, Bujar Nishani.

Ne mesazhin ngushëllues, Nikolla thotë se Bujar Nishani i shërbeu vendit me përkushtim dhe do të kujtohet e respektohet nga qytetarët. Ngushëllime familjes për humbjen e njeriut të tyre të dashur!

“Me dëshpërim mora lajmin e hidhur për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish Presidentit të Republikës, Bujar Nishani.

Si President, deputet dhe në detyra të tjera të larta shtetërore, Bujar Nishani i shërbeu vendit me përkushtim dhe për shërbimin e tij do të kujtohet e respektohet nga qytetarët. Ngushëllime familjes për humbjen e njeriut të tyre të dashur!

U prehsh ne paqe President Nishani!”, shkruan në mesazhin e ngushëllimit Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.

Rama: U prehtë në paqe!

Kryeministri Edi Rama u është bashkuar këtë të shtunë mesazheve të ngushëllimit për ndarjen nga jeta të ish-presidentit Bujar Nishani.

Me anë të një reagimi të shkurtët në rrjetet sociale, shefi I qeverisë shkruan se Nishani “U prehtë në paqe!” dhe “Ngushëllime familjes”.

Kryemadhi: Kontributi i tij për vendin do të mbetet i paharruar

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka reaguar për ndarjen nga jeta të Bujar Nishanit këtë të shtunë.

Me anë të një postimi në Facebook, Kryemadhi shprehet se Nishani ishte zyrtari, ushtaraku, qytetari i shtetit e miku i mirë, që karakterizohej nga integriteti dhe vlerat më të larta njerëzore.

Postimi i Kryemadhit

Ngushëllime familjes Nishani!

Ikja e parakohshme e Presidentit Nishani është një lajm i hidhur për të gjithë, ndërsa mendimet tona në këto momente janë me Odetën, fëmijët dhe familjarët e tij. Bujar Nishani ishte zyrtari, ushtaraku, qytetari i shtetit e miku i mirë, që karakterizohej nga integriteti dhe vlerat më të larta njerëzore. Kujtimi dhe kontributi i tij për vendin do të mbetet i paharruar!

Petrit Vasili: Maturia, vlera themelore e tij që do të kujtohet gjatë

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasilit ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-Presidentit Bujar Nishani.

Me anë të një postimi në Facebook, Vasili kujton dy vlerat themelore të Nishanit, që sipas tij nuk do t’i harrohen kurrë, maturinë dhe principalitetin.

“U prehtë ne paqe Presidenti Bujar Nishani!

Ngushëllime familjes, te afërmve dhe miqve te tij.

Maturia dhe principaliteti i tij vlera themelore, qe do te kujtohen gjate”, shkruan Vasili.

Gent Sejko: Humbje e madhe për politikën dhe shoqërinë

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Ish-Presidentit Bujar Nishani.

Me anë të një postimi në Facebook, Sejko shprehet se vdekja e Presidentit Nishani është një humbje e madhe për politikën dhe shoqërinë shqiptare, të cilave ai u shërbeu me përkushtim, ndershmëri dhe thjeshtësi prej dekadash.

Mesazhi nga Guvernatori Sejko:

Me hidhërim të thellë mësova sot për largimin e parakohshëm nga jeta të Presidentit Bujar Nishani. Shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjarët,  bashkëpunëtorët, kolegët dhe miqtë!

Vdekja e Presidentit Nishani është një humbje e madhe për politikën dhe shoqërinë shqiptare, të cilave ai u shërbeu me përkushtim, ndershmëri dhe thjeshtësi prej dekadash.

Prehu në paqe President Bujar Nishani!

Vjosa Osmani: Model i atdhetarit të pashoq, përkrahu Kosovën parreshtuar!

Ndarja nga jeta e Bujar Nishanit ka tronditur edhe politikën në Kosovë. Presidentja Vjosa Osmani thotë se ish-Presidenti ishte model i atdhetarit të pashoq, i cili përfaqësoi Shqipërinë me dinjitet të lartë dhe përkrahu Kosovën pareshtur.

Sipas Osmanit, ish-Presidenti një jetë të tërë ia kushtoi Shqipërisë dhe shqiptarëve, duke qenë shembull i politikanit racional e me integritet.

Në emër të të qytetarëve të Republikës së Kosovës, Osmani i shpreh ngushëllime familjes së Nishanit.

Reagimi i Osmanit:

“Presidenti Bujar Nishani ishte model i atdhetarit të pashoq, i cili përfaqësoi Shqipërinë me dinjitet të lartë dhe përkrahu Kosovën parreshtur, deri në frymën e fundit. Ai një jetë të tërë ia kushtoi Shqipërisë dhe shqiptarëve, duke qenë shembull i politikanit racional e me integritet.

Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, i shpreh ngushëllime familjes Nishani si dhe miqve e bashkëpunëtorëve! Shpirti i Presidentit Nishani pushoftë në paqe”, shkruan Vjosa Osmani.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.