Kronikë

Tragjedia në Fushë-Arrëz, fqinji tregon momentet e vështira: Kishin rënë në tokë pa ndjenja, ishin të ftohta akull

20:11 - 28.05.22 K.K
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Sidorela Kola 19 vjeç, Emiljana Kola 16 vjeç dhe Prendushe Kola 42 vjeç humbën jetën sot në Fushë Arrëz, në një ngjarje që tronditi jo vetëm zonën ku u shënua, por gjithë Shqipërinë. Nëna me dy vajzat e saj humbën jetën sapo ranë në kontakt me rrymën elektrike.




Një nga fqinjët, i cili tentoi të ndihmonte familjen tregon momentet e vështira, kur pa nënën dhe dy vajzat të shtrira në tokë. Qytetari e përshkruan ngjarjen si tejet të rëndë, ndërsa thotë se familja është një nga më të respektuarat dhe të edukuarat në pallat.

“Kishin rënë në tokë pa ndjenja, njërën prej tyre e preka pak me dorë, mu duke shumë e ftohtë akull. Aty mu mbush mendja se këto i ka mbytur korrenti. U mërzitëm shumë. Ka qenë një ndër familjet më të respektuara. Familja më e edukuar në pallat. E ëma sa ka ardhur nga puna ka tentuar ta kapë dhe ka vdekur në vend. Shumë ngjarje e rëndë. Ai djali ka ulur automatin. Më pas erdhi policia, tani pritet edhe ekspertiza”, tregon fqinji për News24.

Dinamika e ngjarjes

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në Fushë Arrëz, ku nëna dhe dy vajzat kanë humbur jetën pasi kanë rënë në kontakt me energjinë elektrike.

 

Sipas raportimeve, ka qenë një masë që ka rënë në dushin e familjes.

Gazeta Shqiptare mëson se ngjarja e rëndë ka ndodhur në familjen Kola. Nëna se bashku me dy vajza ka humbur jetën pasi ka rënë në kontakt me energjinë elektrike.

Mësohet se njëra nga vajzat ka hyrë për të bërë dush, por ka rënë në kontakt me energjinë elektrike dhe për pasojë nga thirrjet e saj ka shkuar motra.

Edhe e motra ka rënë në kontakt me energjinë sapo ka prekur dorezën e derës së tualetit, dhe për pasojë ka humbur jetën.

Gjithashtu më pas edhe nëna ka shkuar për t’i ardhur në ndihmë vajzave të saj por fatkeqësisht edhe ajo ka humbur jetën.

Njoftimi i policisë:

Fushë Arrëz/ Informacion paraprak

Rreth orës 16:50, në qytet Fushë Arrëz, në një banesë, janë gjetur pa shenja jete shtetaset, P. K. 43 vjeçe, S. K. 19 vjeçe dhe E. K. 16 vjeçe (nëna me dy vajzat) banuese në Fushë Arrëz.

Nga veprimet hetimore paraprake, dyshohet se kanë rënë në kontakt me energjinë elektrike.

Grupi hetimor vazhdon veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.