Kryesore

Zgjedhja e Presidentit të ri, Veliaj thirrje opozitës të propozojë emrat: PS ka gati listën me 10 figura dinjitoze

20:31 - 28.05.22 K.K
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj u shpreh se PS është e vendosur që brenda qershorit t’i japë vendit një President të ri, teksa i bëri thirrje opozitës të bëjë propozimet e veta.




Në emisionin “Kjo Javë” në News24, Veliaj deklaroi se nëse PD nuk do të propozojë edhe në raundin e tretë një kandidat të sajin, atëherë PS ka gati listën me 10 burra dhe gra dinjitozë, mes të cilëve do të zgjidhet Presidenti i ri.

“Brenda qershorit ne do të kemi një President. Me shumë gjasa, sipas kritereve që kemi rënë dakord, do të kemi një President normal, që nuk bën brigadierin e komunales. Ne kemi pasur president që drejtonin protestat kundër projektit të Astirit. Na duhet një president që merret me punët e tij. Unë kam parë kryetar bashkie që duan të bëhen President, por presidentë që duan të bëhen drejtor komunaleje, nuk kisha parë.

Ne kemi  10 figura, burra dhe gra dinjitozë, që kanë treguar në CV-në e tyre se ruajnë reputacionin e vendit tonë, stemën e Republikës sonë. Besoj se mes këtyre 10 figurave, ne do të marrim një vendim Kryesie.

Me sa duket, ata e kanë humbur rrugën  në oborr si “Xhaferri simiten”. Do ju japim edhe një mundësi të tretë, na propozoni një emër që të jetë i pranueshëm. Di të them këtë që Kryeministri është super i vendosur që të mos kemi një deputet aktiv, një socialist aktiv, por të kemi një njeri normal. Besoj se i kemi dalë borxhit opozitës duke i thënë tre herë na propozoni një njeri normal, na propozo një figurë të pranueshme, një njeri unifikues të vendit tonë. Nëse opozita thotë tre herë “Jo”, atëherë do të duhet që ta propozojmë vetë këtë figurë. Besoj se mes 10 emrave që kemi, do të zgjedhim një personalitet dinjitoz, që nuk merret me ujërat e zeza, me asfaltin, me llaç e tulla, dhe nuk e çon shkollën “Sami Frashëri” në Paskuqan”, theksoi Veliaj.

Raundi i tretë më 30 maj! Çfarë ndodhi në mbledhjen e 26 majit

Më 26 maj, u mbajt mbledhja e grupit Parlamentar të PD-së e thirrur nga Enkelejd Alibeaj. Aty u diskutuan çështje të brendshme të Partisë Demokratike, por edhe për emrin e ri të Presidentit të Republikës.

Sa i përket negociatave për zgjedhjen e presidentit të ri, është djegur raundi i parë dhe i dytë pasi palët nuk arrijnë në konsensus. Kur opozitës i ka mbetur edhe një raund si mundësi për të propozuar një kandidat për kreun e shtetit, Enkelejd Alibeaj u shfaq sërish mosbesues duke akuzuar socialistët se duan ta zgjedhin vetë.

Por socialisti Taulant Balla e sfidoi sërish duke i kërkuar emër për presidentin.  Fatmir Mediu insistoi që opozita të mos çojë dëm mundësinë e fundit, por të dalë me vetëm një kandidat të përbashkët, pa patur nevojë për mbështetjen e socialistëve. Raundi i tretë do të mbahet të hënën më 30 maj.

Berisha në seli gjatë mbledhjes së Alibeajt: Autoritetin ia jep Edi Rama, s’ka tjetër!

Kreu i PD-së, Sali Berisha shkoi në selinë blu gjatë kohës që aty ishte Enkelejd Alibeaj dhe deputetët e thirrur prej tij për raundin e tretë për presidentin. Berisha e quajti mbledhjen e 20 deputetëve një farsë që ndodh në sintoni me Edi Ramën.

“Përveç autoritetit që i jep Edi Rama, Aliubeaj nuk ka asnjë autoritet tjetër nga PD. Sot është sintonizimi i një farse të shpifur e zgjedhjes së presidentit të Republikës, nga Edi Rama me kaush opozitën” u shpreh Berisha.

Ndërkohë, duke iu referuar përpjekjeve të një dite më parë për të nxitur votimin e emigrantëve, Berisha sulmoi propozimin e Ramës për një zonë të veçantë elektorale për ta.

“Dua të dënoj me ashpërsinë më të madhe idenë e Edi Ramës për ta quajtur zonë te vecantë elektorale, të mos luajë me shqiptarët qe janë në katër anët e botës. Ata do të votojnë per kandidatët e tyre në vendet e origjines. Çdo përpjekje qe shpreh permes veglës Alibeaj, është përpjekje antidemokratike, antishqiptare. Fyerje e madhe që iu bëhet emigrantëve. Do haset me rezistencë” tha Berisha.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.