Kronikë

“Cenim i jetës private”- Komisioneri për të Drejtën e Informimit dënon publikimin e videos së vajzës nga Librazhdi: Pasoja të rënda dhe të pariparueshme, përveç dhunës fizike…

18:39 - 31.05.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka dënuar publikimin e videos së një vajze nga Librazhdi, e cila u kap nga vjehrra dhe vjehrri me të dashurin.




Me anë të një njoftimi, Komisioneri bën të ditur se publikimi i këtyre pamjeve dhe videove përbën cenim të jetës private me pasoja të rënda, të pariparueshme dhe të pakthyeshme.

Sipas tij, përveç dhunës fizike të ushtruar ndaj individëve të përfshirë në këtë rast, ata mund të përballen me dhunën mediatike, e cila për nga përmasat e pasojave është po aq e rëndë sa vetë aktet e dhunës të ushtruar ndaj tyre.

Reagimi i Komisionarit

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në cilësinë e autoritetit mbikëqyrës të legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale, si një e drejtë dhe liri themelore e njeriut, po monitoron me kujdes veprimtarinë e organeve mediatike dhe/ose portaleve online gjatë ditëve të fundit, në lidhje me cenimin e jetës private të qytetarëve.

Duke marrë shkas nga pasqyrimi mediatik i një ngjarjeje familjare në Librazhd, Zyra e Komisionerit vlerëson se publikimi i këtyre pamjeve dhe videove përbën cenim të jetës private me pasoja të rënda, të pariparueshme dhe të pakthyeshme e ku përveç dhunës fizike të ushtruar ndaj individëve të përfshirë në këtë rast, ata mund të përballen me dhunën mediatike, e cila për nga përmasat e pasojave është po aq e rëndë sa vetë aktet e dhunës të ushtruar ndaj tyre.

Zyra e Komisionerit, në referim të nenit 35 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe në përmbushje të detyrimeve të ligjit nr. 9887/2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar, kërkon nga subjektet e këtij sektori dhe/ose individë/entitete të tjera që përdorin mjete/forma të komunikimit masiv të jenë shumë të vëmendshëm përsa i përket informacionit personal/sensitiv të publikuar/shpërndarë apo detajeve të panevojshme për çështje që nuk përbëjnë dhe nuk i shërbejnë aspak “interesit publik”.

Ushtrimi i të drejtës së lirisë së shprehjes nuk është i pakufizuar dhe duhet realizuar e balancuar e në mënyrë proporcionale me të drejtat dhe liritë e tjera themelore të sanksionuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, apo në aktet ndërkombëtare ku vendi ynë është palë: Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut, Konventa 108 “Për mbrojtjen e individëve nga përpunimi automatik i të dhënave personale” të Këshillit të Evropës, etj.

Zyra e Komisionerit tërheq vëmendjen e organeve mediatike për ushtrimin e veprimtarisë së tyre në funksion “të interesit më të lartë publik”, duke përmbushur me përgjegjshmëri, transparencë dhe etikë parashikimet e legjislacionit në fuqi dhe veçanërisht, dhënien fund të transmetimit, qarkullimit, publikimit apo shpërndarjes me çdo formë/mjet të të dhënave personale në cenim të të drejtës për jetë private.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.